Karl Gurakuqi (1895-1971)

karl gurakuqi
Gjuhëtar, letrar, gazetar, autor tekstesh, përkthyes. Ky është Karl Gurakuqi, një figurë shumëplanëshe. U lind në Shkodër, më 24 mars 1895 dhe vdiq më 6 dhjetor 1871 në Bresanone të Italisë. Shkrimtari Ernest Koliqi në një artikull kushtuar Gurakuqit i përshkruan me hollësi bukuritë natyrore të Bresanones ku Karli bashkë me të shoqen austriake, Hanny Gurakuqi, kaloi vitet e fundit të pleqërisë pranë të birit Gilbertit që ishte mjek e që e "nderon emnin shqiptar me zotësi e sjellje fisnike".

Karl Gurakuqi mësimet e para dhe dy klasë të shkollës së mesme i kreu në Shkodër, në gjimnazin françeskan. Më pas, la vendlindjen dhe shkoi në Austri për studime të mëtejshme. Kreu shkollën e mesme ku mori maturën klasike në Salzburg, ndërsa studimet e larta për filozofii përfundoi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Gratz. Gurakuqi nuk qëndroi në Austri, por u kthye në atdhe në vitin 1917. Djaloshi 22-vjeçar shërbeu në radhët e arsimit për 27 vjet rresht, duke punuar si arsimtar, inspektor arsimi në Vlorë, pastaj në Ministrinë e Arsimit, drejtor liceu, pedagog i gjuhës shqipe dhe i latinishtes në Institutin "Nana e Skenderbeut" në Tiranë dhe kështu do të kryejë edhe detyra të tjera deri në vitin 1940, kur caktohet anëtar efektiv i Institutit të Studimeve Shqiptare në cilësinë e lëvruesit të gjuhës shqipe dhe të letrarit. Në 1944 shkoi për pushime në Austri, por nuk u kthye në Shqipëri me vendosjen e regjimit komunist. Ai vetë ishte i pakënaqur nga regjimi i ri dhe njëkohësisht i padëshirueshëm prej tij. Prej këtij viti jetën e mërgimtarit e derisa vdiq e kaloi në Austri dhe në Itali. Megjithëse jetoi 27 vjet larg atdheut, Karl Gurakuqi nuk mori nënshtetësinë e asnjë shteti të huaj.

Në këtë përvjetor të vdekjes, ne kujtojmë me respekt dhe nderim të veçantëstudiuesin Karl Gurakuqin për punën e kryer e shumë voluminoze në dobi të kulturës shqiptare, për zhvillimin e saj, e në veçanti të gjuhës shqipe.

Në Austri

Kaloi vitet e para jashtë atdheut. Për 4-5 vjet që qëndroi aty, Gurakuqi do t'i kushtohet, kryesisht leksikografisë. Këtu bashkëpunoi me studiuesin Ndue Paluca. Në Austri mori pjesë në hartimin e skedarittë madh të fjalorit të shqipes me shpjegime në gjermanisht për Akademinë e Shkencave të Austrisë. Për pasionin që Karli kishte për të gjurmuar fjalën shqipe, Ernest Koliqi shkruan: "Dashunia e Karlit për gjuhën shqipe qe dhe asht e zjarrtë sa m'u quejt pasion. Qysh në moshën më të re nisi me mbledhë fjalë e skaje. Sa ndëgjonte udhës, në pazar, në ndonji dyqan, në kafe ndokend tue përdorë ndonji thanie të rrallë, ndonji synonim të panjoftun nxirrte laps e tefter dhe i shënonte. Kështu erdhi tue grumbullue landën e fjalorit të shqipes, rreth të cilit shkrini mund në të tanë jeten e vet."

Në Palermo

Në mërgim, 20 vje i kaloi në Siçili, në Palermo. Dëshira e tij ishte të merrej me studimin e gjuhës shqipe dhe të vazhdonte pasionin si mësimdhënës. Dhe e gjeti veten tek arbëreshët e Siçilisë. I ftuar nga filologu arbëresh Rosalin Petrota la Austrinë dhe mori udhën për në Palermo dhe menjëherë u aktivizua pedagog i gjuhës shqipe në Universitet. Këtu bashkëpunoi edhe me Gaetano Petrotën dhe At Zef Valentinin, u mor me punë kërkimore-shkencore pranë katedrës së albanologjisë, dha mësim në kurse të veçanta për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare me mësuesit arbëreshë. Ai ka qenë ideator dhe bashkëthemelues i Qendrës së Studimeve Shqiptare në Palermo. Së bashku me R. e G. Petrotën dhe Z. Valentinin organizuan katër kongrese ndërkombëtare të studimeve shqiptare. I pari Kongres u zhvillua në tetor 1948, që është pikënisja e këtij aktiviteti shkencor.

Dhjetë vjet më pas botoi gramatikën shqipe në italisht me titull "Grammatica Albanese dell'uso moderno", të cilën e ribotoi më 1967. Kjo vepër ishte me vlerë se do të ndihmonte në mësimin e gjuhës shqipe jo vetëm në Universitetin e Palermos, po edhe në universitetet e tjera të Italisë dhe të vendeve ku mësohej gjuha shqipe. Gramatika ka 180 faqe dhe përmban probleme teorike, ushtrime dhe një fjalorth italisht-shqip, i cili do të ndihmonte në zgjidhjen e ushtrimeve të tekstit. Në 1970, një vit para vdekjes, Karl Gurakuqi i bëri një shtesë kësaj gramatike duke e botuar si broshurë, ku përfshiu edhe një fjalorth italisht-shqip me rreth 400 fjalë.

Në gjuhën e përdorur në gramatikë dhe në shkrime të tjera, autori ynë nuk ka qenë konservator. Ai nuk u nis nga pozita lokaliste. Gegërishtja e K.Gurakuqit është një gegërishte letrare, e mbështetur në të folmet e Shqipërisë së mesme, ashtu siç kishte vendosur Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës (1916-1918) dhe të figurave të shquara të letërsisë sonë. Për këtë ai ishte i bindur. Koliqi vinte në dukje se para se të bëheshim kolegë me K. Gurakuqin, atë e pata mjeshtër të shqipes. "Ai, shkruan autori, më udhëzoi kah përdorimi i gjuhës së mesme, nga ligjërimi i Elbasanit... Unë i shtym nga kushtet e kohës, pata nisë me shkrue shkodrançe... ma vonë më udhëhoq edhe Mushtafa Kruja."

Ky qe pozicioni i Karl Gurakuqit për këtë problem. Por ai e çon mendimin e tij më tej, duke argumentuar se historia e gjuhës së shkruar shqipe e ka fillimin e saj në veprat e shkrimtarëve gegë: Buzuku, Budi, Bardhi dhe Bogdani. Edhe Martin Camaj, 15 vjet më vonë, në gramatikën shqipe të hartuar prej tij (1984) shpreh të njëjtin mendim. Ai pohon se gjuha e mirëfilltë letrare shqipe fillon me veprën e Pjetër Bogdanit "Çeta e profetëve", me poezitë popullore dhe fetare të Pjetër Budit e me "Gjellën e Shën Mërisë së Virgjër (1762) të Jul Varibobës. Gjithashtu ai thekson se në shekullin XVI duhet të gjejmë fillimet për normalizimin e gjuhës letrare.

Gramatika ka disa vlera, megjithëse kanë kaluar rreth gjysmë shekulli nga botimi i saj, ajo mund të shftrytëzohet me dobi edhe sot në disa anë të saj. Vepra më e mirë që mbeti në dorëshkrim, është fjalori shqip-italisht. Është vazhdim i punës që Gurakuqi kreu në Austri në përgatitjen e skedarit të gjuhës shqipe me shpjegime në gjermanisht për Akademinë e Shkencave Austriake, por tashti duke e kthyer shqip–italisht dhe duke përfshirë edhe pasurinë gjuhësore të arealit arbëresh. Megjithatë përpjekjen e parë autori i kishte bërë disa vite më parë, kur ishte në Shqipëri, duke botuar në 36 numra të organit "Iliria" një fjalorth të fjalëve të rralla. Miqtë e tij e vlerësojnë këtë vepër pasi autori "derdhi... mundin hulumtues e shoshitës në lamë leksikore e frazeologjike". Dorëshkrimi i këtij fjalori ruhet edhe sot e kësaj dite nga i biri Gilbert Gurakuqi.

Në revistën "Shejzat"

Karl Gurakuqi ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm dhe produktiv të revistës "Shejzat", një e përkohshme kulturore, shoqërore që qarkulloi jashtë atdheut, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e, që vazhdoi pa ndërprerje nga viti 1958 deri në vitn 1974. Pati edhe një numër përkujtimor në vitin 1978. Ishte anëtar i këshillit drejtues të kësaj reviste që botohej në Romë. Gurakuqi botoi në këtë organ rreth 100 shkrime. Ato me karakter gjuhësor, për mendimin tim, kanë qenë më me vlerë. Aty ai mbajti rubrikat "Hulumtime gjuhësore dhe botimet albanologjike". Së pari autori ka trajtuar probleme me karakter leksikologjik dhe leksikografik. Kështu në shkrimet që kishin lidhje me sinoniminë e fjalëve dhe me kuptimin e tyre e që nuk janë pak, Gurakuqi jo vetëm konstaton, por jep edhe zgjidhje, sipas mendimit të tij. Tek "Shejzat", ai nuk ka lënë pa kujtuar ata dijetarë shqiptarë dhe të huaj që kanë dhënë një ndihmesë për zhvillimin e kulturës shqiptare, si dhe ngjarjet dhe botimet më me vlerë të kohës dhe të retrospektivës.

Mund të përmendim shkrimet, kryesisht, përkujtimore për Marko la Pianën, G. Petrotën, A. Xhuvanin, K. Kamsin, J. Rrotën, Gj. Fishtën, M. Lambercin, atë M. Sirdanin, A. Leotin, De Radën, Z. Sqiroin, për Kongresin e Manastirit, shoqërinë "Bashkimi" etj.

Gurakuqi përkthyes

Karl Gurakuqi njihet edhe si hartues tekstesh shkollore me bashkautorësi ose jo dhe në këtë fushë është mjaft prodhimtar. Shënojmë: "Libër leximi për shkollat e mesme", "Te praku i jetës", "Rreze drite" etj., si dhe disa tekste për gjuhën dhe historinë e letërsisë romake.

Edhe si shkrimtar Karl Gurakuqi përmendet për dramën me pesë akte "Gjenovefa"

Veprimtarinë si mbledhës dhe botues folklori autori e ka kryer, kryesisht gjatë viteve '40,duke bashkëpunuar edhe me autorë të tjerë. Merr pjesë si mbedhës dhe botues i 3 vëllimeve të "Visaret e Kombit" (vëll.I, II dhe IV).

Një veprimtari të pasur ka pasur Gurakuqi edhe si përkthyes. Duke zotëruar latinishten, italishten, gjermanishten dhe serbokroatishten, ai përktheu nga këto gjuhë disa vepra me karakter gjuhësor, letrar dhe historik, si "Ilirët", 1923 (K.Paç), "Zemra", 1924, 1932 (F. de Amiçit), "Serbët dhe shqiptarët" (Shuflai), "Gjendja ekonomike dhe kulturore e Shqipërisënë kohën e kalueme" (K. Paç) etj.

Ai ka drejtuar edhe disa organe, kryesisht me karakter pedagogjik si "Agimi" (1920-1922), "Revista pedagogjike" (1925-1927), "Mësuesi" (1928), "Shkolla Kombtare" (1938) etj.

Nga Prof. Dr. Tomor Osmani

COMMENTS