Liqeni i Shkodrës

liqeni shkodres scutari lago albania
Liqeni i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit. Ai është pjesë e kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi, midis maleve të larta të Sutormanit, Rumisë, Lisinit dhe degëve të Bjeshkëve të Nemuna, me një sipërfaqe 368 km2, nga të cilat 149 km2 ndodhen në territorin administrativ të Shqipërisë.

Liqeni i Shkodrës është i gjatë 43 km dhe i gjerë 14 km dhe thellësi mesatare 7-10 m, me pikën më të thellë 44 m. Buzë bregut, nën Rumi, në drejtim të perëndimit, shtrihen rreth 50 ishuj të vegjël e të mëdhenj. Nëpërmjet lumit Buna, Liqeni i Shkodrës derdhet në detin Adriatik. Në këtë liqen derdhen Përroi i Thatë, ai i Vrakës, i Rrjollit dhe burimet nëntokësore të Sheganit e Krevenicës. Në territorin tonë, brigjet e liqenit shtrihen në 14.000 hektarë tokë, ku banojnë afro 150.000 banorë të tre komunave të Malësisë së Madhe dhe të bashkisë së Shkodrës.

Brigjet e liqenit lagin 20 fshatra dhe një pjesë të qytetit të Shkodrës. Sasia vjetore e reshjeve është mbi 2000 mm, ndërsa temperatura e ujit shkon deri 27 gradë Celsius.

Furnizimi me ujë i liqenit bëhet 60% nga lumenjtë Moraça e Cemi dhe pjesa tjetër nga përrenj si ai i Vrakës, Rrjollit, Përroi i Thatë, etj. Liqeni i Shkodrës ka një sistem ujor të veçantë, duke shkaktuar luhatje të nivelit të ujit deri në 5 m. Nyja ujore e hapësirës Bunë-Drin luan rol të rëndësishëm në sistemin ujor të liqenit. Këtu jeton edhe pelikani kaçurrel (nesiti, gemi), shpendi më i madh notues i Evropës.

Veçanti e liqenit është lotosi (kasarani), bimë me frut që hahet dhe që rritet vetëm këtu. Është bimë e çuditshme, edhe pse rrënjën e ka në ujë, nuk bën frut në qoftë se gjatë verës nuk bie shi.

Liqeni i Shkodrës është një ndër liqenet më të rinj natyrorë të kontinentit tonë. Për formimin e tij ekzistojnë dy mendime. Sipas disa shkencëtarëve, liqeni paraqet një gji të detit, që u shkëput nga ai për shkak të ngritjes së terrenit rreth Bunës. Sipas mendimit tjetër, liqeni është formuar me uljen e tokës në luginën e Shkodrës. Mendimin e dytë e ka pranuar edhe shkenca e gjeografisë. Lumi Kir, degë e majtë e Bunës, që vjen nga malet e pjerrëta të Shqipërisë, e ka mbushur, gjatë shekujve, shtratin e Bunës me lëndë të ngurta dhe kështu ka penguar derdhjen e ujit nga këneta që ishte formuar afër Shkodrës. Uji në kënetë u rrit vazhdimisht dhe u shndërrua në liqen. Formimin e liqenit e ka shpejtuar edhe Drini, i cili zbret, po ashtu, nga malet e Shqipërisë. Ky lumë i rrëmbyeshëm e ka ndërruar shpesh shtratin e vet, duke përmbytur tokat përreth dhe duke i shkaktuar popullsisë së atjeshme dëme të mëdha. Vetëm në tetëdhjetë vitet të fundit, Liqeni i Shkodrës ka përmbytur mbi njëzet mijë hektarë tokë pjellore. Në liqen fryjnë erëra të forta, si nga malet ashtu edhe nga deti. Era më e fortë është ajo e jugut Shiroku. Ajo di t'i çmendë valët e liqenit aq sa shpesh për ditë më radhë ndërprehet çdo lundrim.

Pasuritë e liqenit të Shkodrës


Ana lindore e liqenit, që lag brigjet shqiptare, është e pasur me lloje të shumta bimësh ujore. Ato gjenden nga bregu dhe deri në 3 m, ndërsa në vende të ndryshme gjenden livadhe nënujore, të përbëra kryesisht nga algat e gjelbra. Në liqen ekzistojnë rreth 700 lloje mikroalgash dhe 250 lloje algash. Ndër bimët ujore me gjethe që dalin mbi ujë dhe gjethe notuese, janë kallamishtja, zunkthi, zambakët e ujit të bardhë dhe të verdhë, zhavori etj., që gjenden 1 m afër bregut. Flora drunore e këtij liqeni është dëmtuar shumë vitet e fundit, si pasojë e ndërhyrjeve pa kriter. Në sipërfaqe të vogla gjenden drurë të tillë si shelgu, plepi, frashëri, etj. Në zonat pranë liqenit ndodhen pylli i Rragamit, pylli i Dobraçit, pylli i Zabelit, etj.

Liqeni i Shkodrës është i pasur dhe në faunë. Rreth 250 lloje shpendësh gjenden në liqen dhe rreth tij, ku gjysma janë migrues dhe pjesa tjetër folezon në brigjet e liqenit. Rreth 70% e llojeve të shpendëve të Shqipërisë ndodhen në liqenin e Shkodrës, ku vetëm në dimër numërohen rreth 40 lloje shpendësh si karabullaku, rosa të ndryshme, kryekuqi, bajukla, çafka, pulëbardha, etj. Në pjesën shqiptare të liqenit gjenden shpendë të rrallë si pelikani, lejleku, shqiponjat etj., ndërsa në livadhet e liqenit gjatë verës ka shumë zogj si bilbilat, bishtundëza, garguj, tusha etj. Numërohen 45 lloje peshqish, 12 prej të cilëve migrojnë në detin Adriatik si ngjala, qefulli, blini, kubla, levreku, shojza etj. Nga lumi Moraça dhe përrenjtë malorë, në liqen hyjnë trofta dhe ngjala, ndërsa karakteristikë për këtë liqen është krapi e gjuhca.

Vlerat turistike të liqenit janë të mëdha, pasi aty ka një harmonizim të përkryer të terreneve malor, fushor e ujor, që i japin kësaj zone një pamje piktoreske. Zonat turistike të Shirokës dhe Zogajt, si dhe vendet piktoreske si Bregu i Ranës, Bishtiqendia, Stërbeqi, Grili, Shegani etj., janë cilësuar si vende të rralla.

Në pjesën shqiptare të liqenit statusi aktual i mbrojtjes është "Rezervat Natyral i Menaxhueshëm" (IUCN Kategoria IV), deklaruar nga Qeveria Shqiptare me vendim Nr. 684, datë 02. 11. 2005. Liqeni i Shkodrës, në pjesën malazeze është shpallur "Park Kombëtar" që në vitin 1983, dhe që nga viti 1995 zonë "RAMSAR", sipas konventës përkatëse. Në pjesën shqiptare të liqenit nuk ka faktorë të mëdhenj ndotës, pasi në këtë zonë mungon industria, por një ndotës i madh i këtij liqeni, dhe që sipas specialistëve është një kërcënim i madh, është fabrika e aluminit, në kufi me Podgoricën në Mal të Zi.

COMMENTS