Nji lule vjeshtet.., Gjergj Fishta

Fishta Gjergj Fishta, Girgio Fishta
N' atë rrahe t' dekne mbrenda vorrit t' errshem
Tash plûhen jé. Ata dy sŷ t' janë errun,
- Kû qiella prirej me sá hâna e diella -
Terthores s' eper m' sharte vrejn t' njerzimit!
T' janë sosun fjalët e âmla e plot urtí,
E aj zâ t' â kputë, i cilli bite m' zêmer
Si kumë liret t' tingllueshme, qi prej s' largut
Ndihet tue rá, kúr dora e prekë e msueme!
Ehu!! po; "deka, qi baras m' derë t' pellazvet
Trakllon, si m' trinë t' kolibavet," kû i vorfni
Me lot njomë buken, tý edhè ajo ke dera
T' traklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kúr dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t' dheut. Sod permbi vorr t' kan bîjtun
Hîthat e madergona! 'I kryq dullîjet,
Qi e pershpirtshme nji dorë t' a vû te kryeni,
Nder to ká hupë, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t' a zbutë, posë va'it t' trishtueshem
Të hutit t' natës, qi neper curra t' malit
Dhimbshem në rreze t' hânës rrin tue gjimue!...
Njaj grumbull gursh, qi m' vorr t' randon persypri,
Vetë gjaksorit t' pashpírt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n' hikë kahë t' bjen nget vorrit,
Edhè t' perqethët at'botë i shkon nper zêmer.

Po, a thue, krejt deka n' asgjâsend t' perpîni
E, posë se do kocîjsh edhè 'i grusht plûhen,
Nuk t' la tjeter? Jo! N' prêhen t' Amëshuemit
Pjesa mâ e mira e jotja ká flutrue
Me gzue n' dritë t' qiellvet, kû pushon dishiri
I nierit t' drejtë, si drita m' sŷ të kthiellun.
Po, po, se pertej vorrit shpirti i nierit
Gjallon perjetë! Njeky mendim i âmel
Deken e zbutë e vorrin bân t' pelqyeshem,
Kúr zêmren fa'i s'e grisë. Prej ktij mendimi
As vetë per tý s' lotova shum, kúr ndjeva
Se diqe: se n' mâ t' miren lule t' motit
E lae ti ketë shkretí, kû shuen e Drejta
E Paudhnija, kû sundon mizore;
Kû i zhyemi m' vese sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta t' zí, e selija
M' rrashta t' pergjakshme t' njerzvet m' kâmbë, kû mbahet.
Ehu!! po, se shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kúr bora dęhet, s' mujt me e bajtë qelbsinen
E randë t' ktij sheklli t' zí; por fletët i rrahi
Kahë jeta e dytë, kû Njaj qi rruzullimin
N' themel e dridhë veç me 'i vetimë t' qerpikut:
Amshon n' lumní shka Atij t'i két pergjá.
S' kje toka, jo, per tý kje qiella!
E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,
Ti, kushedi, nper vrrîje t' amëshueme
Shkon tue kerkue per lila e drandofille,
Qi s' dijn me u veshkë, e ndreqë me ta kunora
Per me u lulzue mandej nder t' zjarrtat valle,
Qi neper vrrîje rrijn tue kndue t' Parrizit:
Kû, fletët e arta bashkë kryqzue me Êngjuj,
Kndon Zotit lavde nper ylbera t' qiellit;
A, marrë krejt n' t' pám t' s' hyjnueshmes faqe t' Zotit,
Porsi m' pasqyrë t' kulluet skjyrton shestimin
E rruzullimit, vû prej s' eprës Mende,
E cilla n' t' kênun sendet thirri t' tâna
Prej hijevet t' kthellueshme t' asgjâsendit,
Kúr bâni Ajo furín me heshtë t' thellimit,
E me 'i fuqí t' pamâtne prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n' t' skâjshmet megje
T' ktij sheklli ndihet mnershmi tue gjimue,
Kahë per ledhe plandoset t' rruzullimit,
E atŷ, n' atë dritë plot amelcim dashtnijet,
Qi porsi lum i kjartë prej Atit t' Dritvet
Gjithkahë dikohet neper verë t' Parrîzit,
Shpirtent e lum krejt m' rreze tu' i pershî,
T' kthiellta ti i prír t' vërtetat, t' cillat Hyji
Desht t' muzta nierit ma i a lânun t' shkrueme
Nder fletë t' hyjnueshme t' t' amëshuem Unjillit.
Oh! sá e sá herë, kúr n' mbrâme shuen natyra,
E tjeter s' ndihet, veç se rryma e prronit,
Qi permâllshem gurgllon nper rrâjë e curra,
Un, lodhë mbi letra t' t' dijshemvet t' kahmotit,
Mbas t' cillvet fjalen rrí tue lmue shqyptare,
Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t' kthielltë i a vûni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi, thue, se njaq sŷ Zotit
Flakojn mbi dhé - kushdi, per me felgrue
Nierin, qi egrue mâ fort prej mneres s' territ
Perbluen pûnë t' mbrapshta: - e at'botë mendoj per tý.
E, kû t'a shof mâ t' flakshmen tue xhixhllue
Nji hýll, atŷ selín' un tham me vedi,
Ti do t'a késh, e sŷt m' at hýll pá dá
I nguli, e m' bâhet si me t' pá. Me êmen
Un t' thrras at'botë nper terr. Nji váj bylbylit,
Qi permâllshem nder gêmba rrin tue kjá
Fatin e vet, e ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m'i bahet t' grishunit; e m' duket
Se bisedoj me tý!... Nuk dekka i miri,
Jo kurr; e sidomos njaj, i cilli 'i zêmer
E lên mbrapa m'e ankue. Prej vorrit t' errshem,
Gjûmin e dekës kû aj bân, na i flet mêndimit,
Âmel edhè na nzitë kahë punët e mbara,
E n' mênde t'onë gjallnon. - Kúr Aleksandri
Prej Bregut t' Matës ngallnyes u kap ke vorri,
Kû shuen idhnimi i Prîsit t' Mirmidonvet,
Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
I u ndez atŷ flakë zêmra kahë lumnija.
Mbi njat vorr, po, u betue me ngulë flamurin
N' skâj t' dheut, e prej selís me i zhdrypun mbretent;
E at'herë perpara tij tânë bota shuejti.
Mue edhè, qi sheklli e nji dishír lirijet
T' thepisne raven m'i a kan shtrue gjallimit,
Mue, po, edhè zêmra mbi vorr tand t' pervûjtun
M' ndezet kahë pûnët e mbara e kahë burrnija.
Permbi vorr t'and, po, zâ të fortë me e mbajtun,
Besen e dhânme - e miqasín e zânme;
Per Fé e per Atme n' báll me i dalë rrezikut;
Të ligshtit doren me i a njitë e t'fortin
Mos me e gledhue; kúr t' jét me u thânë e drejta,
Mos me i shmângë sŷt' prej cakut, n' t' cillin mêndja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Nder sá t' vishtira, qi t' na sjellin motet.
Po, po! se pre' atij vorri kam me shkepun
Hovin kahë pûnët e mdhana. Aj kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi t'a zbutë, aj qanderr
Ká me m' kênë nder salvimet: Êngjlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqít t'i pruen mizore,
Gjûmin e dekës në vorr mos me t' turbllue,
Dér qi të shkimen n' qiellë e hâna e dielli
E t' ngele moti e sheklli mbarë t' rroposet,
E t' vîje dita e gjygjit t' rruzullimit,
Aj ka per t' m' kênun Zâna. E at'herë pá u tutun
Zhgjetat e prehta e t' zjarrta kahë me i prefun,
Qi kundra vesit do t'i a lshoj njerzimit:
At'herë un kângët kam me i ndertue kreshnike,
Me t' cillat botës un do t'i a lâ të shkrueme
Se shka viéjn armët besnike n' dorë t' Shqyptarit.
E me kângë t' mija 'i permendár t' madhnueshem
M' vorr t'and kam per t' ndertue, të cillin moti
Me fletë të ngrîta kot ká per t'a rrahun;
Pse, si curr, qi n' mjes t' detit rreh tallazi,
Edh' aj njashtû do t' jesë nder gjire t' motit
Qi bumbullojn mbi faqe t' rruzullimit.
E at'herë prej bjeshkvet kan me u djergun Zânat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kan me t' vallue, e kan me rritun
Me shum kujdes per çark selvija t' blerta;
E shtektarit mundqár, qi n' ato hije
Ká me zânë vend, me ndalë pak gjâ t' dihamet,
Kan me i kallzue se sá pjesë qiellet vrâni
Deka n' vorr. E at'botë i largë shtektari
T' lét dhén ka me t' urue, e t' paqta e t' buta
Shinat e boren; e, kúr m' male t' veta
T' dredhojë ke stâni, fmís ká me i kallzue
Shka ndjeu per tý. E fmija e atij aso bote
Êmnin t'and kan per t' kndue, e vrrîni e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furít e mnershme,
Âmel prej êmnit t'and kan me jehue.
Me maje t' briskut kan me shkrue mbi lisa
Me shkrola t' njoftne veç e prej barivet:
Kan me u rritë lisat, perse spata as rêja
S'e prekin landen kû â ravisë aj êmen:
E tu' u rritë lisat kan me u rritun shkrolat;
E kshtû mâ t' kjarta mbas disá qindvjetve
Nipat mâ t' vonët kan me i këndue, e êmni
Sá t' bjere dielli tokës ká me t'u kndue.

__________

Theta: vdekje (me)

COMMENTS