Andrea Skanjeti, i pari që çeli siparin e teatrit "Migjeni"

regjisori andrea skanjeti, artist i popullit
Andrea Skanjeti lindi në Shkodër, më 20 korrik 1906. Ishte shkrimtar, regjisor dhe dramaturg i shquar. Në moshën 12-vjeçare shkroi dramën e tij të parë "Kusarët", e cila tërhoqi vëmendjen e specialistëve. Në vitin 1946 u emërua regjisor në Shtëpinë e Kulturës, Shkodër. Ka vënë në skenë shfaqjen me tri akte "Dasma shkodrane", e para në llojin e vet në Shqipëri, gjithashtu operën e parë shqiptare "Mrika" të Prenk Jakovës me libret të Llazar Siliçit, e cila pati sukses të jashtëzakonshëm. Skanjeti njihet si themeluesi i Teatrit të Kukullave dhe ndër nismëtarët kryesorë të krijimit të Estradës së Shkodrës. Po ashtu shkroi edhe dramën e ndarë në tri akte "Nora". I është dhënë titulli "Artist i Popullit" më 28 nëntor 1992.

Andrea Skanjeti vdiq më 29 nëntor 1992.

Një jetë i fali TEATRIT...


Në nderim të regjisorit të parë, "Artistit të Popullit" Andrea Skanjeti (1906-1992).
- Nga Xhahid Bushati.

Në vend të hyrjes kjo Përcjellje...

Shënime dhe skeda pafund... kam për Andrea Skanjetin.
Andrea Skanjeti: Drejtor, regjisor, autor (dramaturg), përkthyes, shkrimtar, ...

Për jetën e tij poliedrike, që ia fali artit dhe teatrit, çdo ditë shënimet dhe skedat më shtohen... Ndaj, dhe unë po përpiqem t'u njoh me disa prej tyre, duke u kërkuar falje të tjerave e për t'iu thënë se nuk iu kam harruar... Kohë pas kohe do të ndiejmë dritësimin tuaj...

Andrea Skanjeti si regjisor, ishte i pari që çeli siparin e teatrit "Migjeni" të Shkodrës, jo vetëm për të bërë histori, por këtij Institucioni me traditë në Shkodër, me talentin e dijet e tij i vuri themele (në nëntor 1949) të sigurta jetëgjatësie dhe vazhdimësie në kohë dhe në hapësirë. Nderim Mjeshtër Andrea!

Studiuesi Josif Papagjoni duke studiuar këtë figurë në shumë rrafshe përmend se:

"Regjisura e tij ka qenë e pastër dhe disi e përkorë në formën e saj, me një koncept të qartë, ku binte në sy kultura, njohja e thelluar e veprës, e shkrimtarit, e stilit, e kohës. Në artin e tij hasen parapëlqimet ndaj një gjuhe rëndom epiko-dramatike, por jo edhe pa praninë e një suaze historike dhe etnografike në përshkrimin e mjediseve, në kostumografi etj. Me dijet dhe njohuritë e tij profesionale ndikoi në mënyrë të ndjeshme në ngritjen kulturore artistike të trupës së aktorëve të teatrit duke zbatuar parime estetike të shkollave teatrore bashkëkohore."

E kjo dritë, që e ka një emër dhe një mbiemër e, që quhet: Andrea Skanjeti, i cili i dha dritën e zemrës teatrit të Vendlindjes së tij për ta bërë të pavdekshëm duke i falur Epokë, autoktoni, origjinalitet, traditë e bashkëkohësi, të cilat lidhen me Mjeshtërinë e Regjisorit, Mjeshtri që kërkon përulje dhe respekt. Dhe çuditërisht këtij njeriu të Madh, ndoshta është paradox, një ditë para vdekjes, pikërisht më 28 nëntor 1992 i jepet titulli "Artist i Popullit".

Skeda e parë: Shkodra, Gjyshi, Baba, Nëna dhe emri i tij...

Gjyshi i tij Andrea e përshkruan kështu Shkodrën, kur erdhi të banojë:

"Shkodra... kishte pamjen e një qyteti oriental, me rrugët e ngushta të veshura me mure të larta ku spikatnin dyer të mëdha karakteristike, me pazarin oriental larg qytetit, me shtëpitë njëkatëshe me çardaqe e ahure, me oborre plot limonj, portokalle e lule të ndryshme ku zotëronte karafili."

Gjyshi i tij Andrea u martua me Tonen e Arsen Idromenos, motrën e piktorit Kolë Idromeno. Piktori përjetësoi motrën e vet në portretin që sot quhet "Motra Tone". Për piktorin, - regjisori Skanjeti, - do të shprehej më vonë:

"Punoi mjaft skena për teatër, sidomos për Shoqërinë "Bogdani" e jezuitët. Bënte fondale e sipare me vlera artistike. Për shembull, sipari i Teatrit "Bogdani" paraqiste pamjen e Rozafatit, ditën e ngritjes së flamurit. Ishte trupmadh, shtatlartë, me fytyrë tërheqëse ngjyrë gruri, të përshkruar nga rrudha të thella si të prera me thikë, nënë hijen e vetullave të trasha, sytë e tij plot dritë zgjuarsie, shprehnin diçka të butë, të përmallshme, të paarrirë. Mustaqet e prera shkurt qëndronin burrërisht mbi gojën e vogël. Nga martesa duke mos patur fëmijë (një djalë i pat vdekur që foshnjë) adhuroi fëmijët e të tjerëve".

Gjyshi i tij Andrea vdiq më 1908. I çmuar dhe i nderuar nga shkodranët. Regjisorin e la dy vjeç. I fali emrin e vet.

Për babain, Zefin, ka kujtimet më të mira të jetës së tij. Andrea do ta portretizonte kështu:

"Burrë simpatik dhe i hijshëm, trupmadh dhe i plotë, fytyrqeshur, por edhe me pamje serioze, me atë mjekrën e vogël e mustaqet e shkurtra, që i ka mbajtur edhe të thinjur, deri në vdekje."

Ndërsa për nënën, Elizën, dashuria do të qëndisej në këto rreshta:

"Nëna ime, Eliza, gjithë jetën e kujdesin e saj të madh, na e kushtoi ne, fëmijëve. Ishte e edukuar dhe e kulturuar. Jetoi në një mjedis, ku breneveku dhe çarçafi njihej dhe çmohej si folklor."

Skeda e dytë: Në Gjimnaz, dhe nëpër vite...

Kur ishte në moshën e gjimnazit, Andrea bëri përpjekje për të shkruar një dramë..., por pa sukses. Megjithatë teatrin nuk e la pas dore. Me këmbënguljen që e karakterizonte, ndjek shfaqjet e Shoqërive "Vllaznia", "Bogdani" dhe të Shkollës së Murgeshave Stigmatine. Në këtë periudhë merr pjesë në shfaqjet e Kolegjit si figurant, në dramat "Llogoret e mullinjve", "Konto Kavalo", etj., dhe si këngëtarë ndër akademitë muzikore.

Në vitin 1915 nis veprimtarinë Shoqëria "Një tubë djelmni shkodrane". Qëllimi i kësaj shoqërie ishte: Bashkim e veprimtari patriotike. Si kryetar njihej Kel Marubi e kryetar nderi ishte Luigj Gurakuqi. Kjo Shoqëri, në ato rrethana kohe, u bë protagonistja e të gjitha manifestimeve politike të asaj kohe për çështjen kombëtare dhe organizuese e kremtimeve të 28 nëntorit.

Në atë kohë Andrea me familje banonte në rrugëzën përballë kino-teatrit e quajtur e shkollës së Parrucës. Si fëmijë ndiqtë provat dhe shfaqjet që jepeshin aty, sidomos nga Shoqëria "Vllaznia". Në revistën "Agimi", Nr.1, maj 1919 lexojmë:

"... më 16 shkurt 1919 anëtarët e Shoqërisë "Mustafa Pasha" e përbërë thjeshtë nga muhamedanë e "Vaso Pasha" e përbërë thjeshtë nga kristianë formuan Shoqërinë "Vllaznia" me bashkimin e dy elementeve që t'u merreshin me politike drejtpërdrejtë dhe të zhvillonin aktivitet artistik-kultural me anë të rretheve e degëve muzikore-teatrore-letrare. Kjo qe e para Shoqëri në Shkodër, pas Pavarësisë, me element laik të bashkuar."

"Shërbëtori i dy zotërive", është pjesa e parë që shfaqi "Vllaznia". Komedia me tre akte e Goldonit u adaptua nga Hil Mosi vetëm për meshkuj. Premiera u dha më 28, 29.06.1919. Vetë Hila luajti rolin e Filip Bajunit, njërin nga zotërinjtë, ndërsa zotërinë tjetër herë e luajti Thanas Eftimi e herë e luajti Kolë Gurakuqi. Personazhin e shërbëtorit, Tafrrukun, e interpretoi Gjon Krajni, ndërsa shërbëtorin tjetër Jonuz Tafilaj, Tefë Leka - kamarierin, Ali Borshi - hamallin, Lin Deda - hotelierin, sufler është Karl Gurakuqi.

Më pas, më 01.01.1923 u themelua Shoqëria letrare që u quajt "Jehona" nga pesë gjimnazistë: Gjergj Ashta, Injac Saraçi, Pashko Kovaçi, Nush Gjonej, Andrea Skanjeti. Më vonë rrethi u zgjerua me Nush Sheldia, Gazpër Ljarja, Kel Abati, Lukë Mosi, Zef Serreqi, Fahri Dabulla, Lec Ndreka, etj. Qëllimi i kësaj Shoqërie ishte zhvillimi dhe lëvrimi i letërsisë duke përgatitur për botim tregime e përralla, duke mbajtur konferenca me përmbajtje shoqërore-edukative për nxënësit e shkollave, si dhe duke shkruar e vënë në skenë vepra teatrore e të përkthyera.

Gjatë kësaj kohe, në Gjimnazin Franceskan, Andrea nuk shkëputet nga veprimtaria teatrore. E thellon, e zgjeron, duke marrë pjesë në Shoqërinë "Gjon Krajni me shokë", duke ndihmuar me repertor e drejtim grupin e Shoqërisë "Shkodra".

Fill pas mbylljes së shkollave private, në gjirin e franceskanëve, nga një tufë nxënësish të kësaj shkolle u themelua në vitin 1933 Shoqëria "Antoniane". Në fillim e përbërë nga gjimnazistë, zejtarë e punëtorë që morën pjesë në veprimtari të ndryshme si: sport, muzikë e veçanërisht teatër. Banda muzikore, që më parë ishte e shkollës, tani u mbajt nga Shoqëria "Antoniane". Anëtarët e degës teatrore që figurojnë në regjistrat e kësaj Shoqërie janë: Ndoc Harapi, Injac Ndoja, Ndoc Gora (më vonë sufler në Teatrin Popullor, - shënimi im), Ndrek Shkejzi (më vonë aktor, - shënimi im), Lin Gjonej, Paulin Sekuj (më vonë regjisor në teatrin "Migjeni", - shënim im), Lec Sekuj (më vonë mësuesi im i Gjuhës shqipe, - shënimi im), Gjon Karma, (më vonë aktor dhe historian teatri, - shënimi im), Pjetër Gjoka (më vonë aktor teatri dhe filmi, - shënimi im), Marian Skanjeti (i vëllai i Andrea Skanjetit, - shënimi im), Prenkë Jakova (kompozitor i shquar, - shënimi im), Pjerin Bushati, Prenkë Kçira, Ndoc Sheldia (më vonë aktor i teatrit të Shkodrës, - shënimi im), Pistol Soja (më vonë aktor i teatrit të Shkodrës, - shënimi im), Dedë Nikaj, Nikë Daka, Pashko Gjeçi (më vonë përkthyer i shquar, - shënimi im), Zef Mjeda (më vonë Kryetar i Shoqërisë "Bogdani", - shënimi im), Zef Marashi, Shan Zadrima, Gaspër Bicaj, Mati Shiroka, Çesk Vuksani (më vonë skenograf i teatrit të Shkodrës, - shënimi im), Lec Fishta (më vonë skenograf i teatrit të Shkodrës, - shënimi im), Rrok Sheldia, Lec Simoni, Tom Leci, Pjerin Ashiku (kompozitor i shquar, - shënimi im), Lush Radoja, Simon Radoja, Luigj Gjyshja, etj.

Teatri i Shkollës Stigmatine zgjati tri dekada. Në vitin 1914 shfaqi dramën "Prej robnie në liri", një vepër e përkthyer nga gjuha italiane. Në këtë premierë deputuan nxënëset: Pina Pistulli, Lezina Muzhani, Liza Pema, Liza Fishta, Roza Shiroka.

Ndërsa Shoqëria "Rozafa" u themelua më 13.02.1918 dhe zgjati deri më 04.10.1939. Më e vjetra Shoqëri e qytetit, e me qëndrim jete më të gjatë. Themeluesit e saj janë: Simon Gurakuqi këpucar, Kel Luka komisioner, Cin e Nush Daija marangozë, Gegë Gurakuqi nëpunës, Shuk Paloka këpucar, Tonin Dajçi berber, Luigj Dajçi mekanik, Gjon Lacaj rrobaqepës, Kolë Kosmaçi.

Kurse Shoqëria "Bogdani" do të kishte këta themelues: Luigj Mjeda, Luigj Thaçi, Shtjefën Çefa, Ndoc Vasia, Rrok Zadeja, Kolë Harapi, Nush Paci, Kolë Guga, Kolë Shiroka, Ndoc Guga, etj., dhe pak më vonë Zef Harapi, Cin Çapeli, Kolë Dema, Zef Kovaçi, Ndoc Prendushi, Ndoc Nushi, Loro Kovaçi, etj.

Kështu përmes viteve të jetës së Andreas, çdo shoqëri me tiparet e karakteristikat e veta lanë gjurmë në veprimtarinë e tij të mëvonshme artistike. Vërtetë do ta priste skena teatrore... Kështu, brenda një kohe relativisht të shkurtër Andrea shkroi dramën në 5 akte "Ali Pashë Tepelena dhe suljotët". Rolin e Ali Pashait mendoi t'ia jepte aktorit të ri Kolë Jakova, Ndoc Bazhdari do të mishërojë personazhin e këshilltarit të pashait, për Mark Zhavellën u vendos aktori i mirënjohur Ndoc Mëshkalla, për Foto Zhavellën kishte shënuar Gjergj Deli Çamukun, nuk do të harronte dhe Ndoc Temalin rrobaqepës, amator i vjetër i Shoqërisë "Vllaznia" dhe i Teatrit "Shkodra", të cilin e angazhuan për qepjen e afër 40 kostumeve të dramës.

Pas suksesit të dramës në fjalë, "Vllaznia" vuri në skenë "Ëndrra e 500 vjetëve", me po të njëjtin autor, i cili ndërkohë dorëzon për botim pjesën komike me titull: "Kush e kërkon, e gjen", në redaksinë e revistës "Cirka".

Në vitin 1938 përkthen dhe vë në skenë dramën "Mortja e mesnatës", komedinë me një akt "Dy të burgosurit", boton 5 tregime te revista "Hylli i Dritës". (Tregimi i fundit "Dhurata e papritur" botohet shqip dhe gjermanisht në librin "Shqipëria rrëfen" shkruar nga Maksimilian Lambertz).
Këtyre viteve u përkasin dramat "Fshehtësia e zarfit të kaltër", "Legjonarët", opereta "Festa e Lilave", komedia "Felcigeni" (përkthim e adaptim).

Skeda e tretë: Me horizonte të reja mendimi...

Pas një specializimi që Andrea bën në Tiranë, në dosjen e tij gjejmë edhe këto shënime (kujtime):

Naim Frashëri, Artist i Popullit: "Megjithëse ka qenë një kohë e shkurtër qëndrimi i tij pranë nesh, kemi arritur deri diku ta njohim njëri-tjetrin. U ambientuam shpejt me ju. Ndoshta është mjeshtria jonë e tillë."

Kadri Roshi, Artist i Popullit: "Megjithëse të njohim prej një kohe të shkurtër, dashuria që kemi patur për njëri-tjetrin, bën që të mos ju harroj kurrë...".

Mihal Popi, Artist i Popullit la këtë shënim: "Shokut tim, Andrea Skanjetit i uroj suksese në punë dhe dëshiroj që punën ta vazhdojë me dëshirë dhe vullnet!".

Me horizonte të reja mendimi, me projekte të reja skene vjen në qytetin e tij të lindjes, regjisori i ri Skanjeti. Me grupin qendror të teatrit të Shtëpisë së Kulturës vë në skenë pjesën melodramatike "Dasma", të cilën është edhe autor, e, që u ndoq nga një publik i gjerë dhe shënoi një sukses të madh për atë kohë. Gjithashtu vë në skenë: "Nën gështenjat e Pragës", "Fejesa", "Kaçusha", "Udhëtimi i madh".

Periudha 1946-1949 është me aktivitet të dendur dramatik e me suksese të njëpasnjëshme, e, që përgatitën rrugën e krijimit të teatrit profesionist në qytetin ku regjisori Skanjeti do të shpaloste mjeshtrinë autoriale dhe regjisoriale.

Tani sezoni 1951-1952 e gjen teatrin "Migjeni" në rrugën e artit skenik në mënyrë të kënaqshme profesionale. Por... Andrea, në vitin 1952, do të kthehet përsëri në Shtëpinë e Kulturës, në "folezën" e tij të njohur e të dashur. Vë në skenë operën "Mrika", libreti nga poeti Llazar Siliqi, muzika nga "Artisti i Popullit" Prenkë Jakova. Për këtë ngjarje, Andrea do të thotë:

"Të vë në skenë një opera, për mua ishte një dëshirë e shumëvjetshme, dhe puna skenike më erdhi aq këndshëm dhe e lehtë, sikur asnjëherë tjetër duke vënë në skenë pjesë teatrore deri atëherë."

Viti 1958 shënon një ngjarje të rëndësishme për jetën artistike të qytetit të Shkodrës, inagurohet teatri i ri. (Teatri "Migjeni" i Shkodrës, një ndër teatrot më të mira të vendit tonë, ruan traditën më të shëndoshë të shoqërive teatrore të kohëve të kaluara, traditë kjo që ka qenë e vjetër në qytetin e Shkodrës dhe që filloi me vitin 1880. U aprovuan: Andrea Skanjeti regjisor e drejtor, aktorët: Adem Kastrati, Antoneta Fishta, Ndrekë Prela, Çezarina Çiftja, Ndoc Deda, Paulin Lacaj, Vitore Ujka, Tef krroqi, në administratë: Zef Jubani llogaritar, Palok Kurti sufler, Pjetër Deda skenograf, Engjëll Gjushi rrobaqepës, Lec Prendi marangoz; aktorë gjysmëprofesionistë me një shpërblim mujor u aprovuan: Zef Jubani, Tinka Kurti, Çesk Vuksani, Qazim Lila, Lin Gjonej, Gjovalin Çarkaxhia, Cin Lufi, Mark Bushati, Muhamet Ulqinaku, Halim Kali, Zef Maka, Zef Mirashi, Marie Buçi, Ndoc Harapi, Rrok Sheldia).

Mysafire në skenën e teatrit "Migjeni" është drama "Votra e huej" e Ndrek Lucës, regjisor Andrea Skanjeti. Më pas, drama "Nora" të dramaturgut Skanjeti, që njëkohësisht është regjisor. Kjo dramë u vlerësua me çmim të parë në konkursin kombëtar që u shpall në vitin 1969. Është një dramë origjinale që i shtohet dramaturgjisë dhe letërsisë shqipe. Rolin kryesor në këtë dramë e luajti me suksese 17-vjeçarja Roza Xhuxha (Anagnosti).

Më vonë "Nora" do të rivihet në skenë. Regjisore është Violeta Sekuj, asistent-regjisor është Tonin Ujka, dekoria u realizua nga Bep Shiroka dhe Lec Fishta. Në rolin e Norës luajti aktorja e talentuar Justina Alia, duke sjellë një figurë interesante, qëndrestare, plot plastikë që nuk harrohet lehtë.

Vitet kalojnë... Regjisori i palodhur, këmbëngulës e i talentuar Andrea Skanjeti vë në skenë vepra të tjera, si: "Bileta e llotarisë", "Hijet në rrugë", "Udha e drejtë", "Përtej pragut", "Familja e peshkatarit", etj.
Ëndrrën e tij të fëmijërisë për teatrin e zhvilloi dhe e realizoi duke punuar për të më se një gjysmëshekulli si regjisor e shkrimtar, duke i falur një jetë teatrit, një jetë "Artisti i Popullit" Andrea Skanjeti.
Andrea Skanjeti..., me një bilanc artistik: 190 drama, 86 komedi, 53 farsa, 16 melodrama, 7 opereta, 7 bocete, 4 monologë, 3 skeçe, 1 argëtim poetiko-muzikor, 1 idil e 1 vodevil.

Skeda e katërt: Kujtime, nderim dhe vlerësim për Andrea Skanjetin

Aktorja Vitore Nino: "Gjatë punës sime mëse 30 vjeçare, kam patur fatin të shijoj edhe ëmbëlsinë e sukseseve, e kur mendoj për këtë kënaqësi nuk mund të mos kujtoj hapat e para të mija në skenë, përpjekjet dhe djersën e parë. E, atëherë kujtoj me mirënjohje një emër, Andrea Skanjetin regjisori im i parë, mësuesi im i parë në shkollën e madhe të artit teatral. Gjithmonë i pregatitur, gjithmonë i rregullt deri në paraqitjen e jashtme, e këtyre shtoj dhe kulturën e gjithanshme e shijen e hollë prej artisti. Kam punuar dhe me regjisorë të tjerë, nuk do bëj krahasime, veç do të vë në dukje diçka që ka rëndësi, e që mua më ka lënë shumë mbresë: ajo metodë pune, ai stil i përhershëm për ta lënë e nxit aktorin të krijojë vetë, gjë që aktorit i jep zemër, e mobilizon e nuk ia ndrydh aftësitë e tij krijuese."

Aktori Pjetër Gjoka, i la në këtë kujtim: "Andrea Skanjetit, regjisorit të mirënjohur të skenës, pionierit të saj e dashamirit e kujdestarit më të mirë të punës me aktorin."

Aktori Bep Shiroka: "Andrea është një ndër regjisorët e parë të vendit tonë që punoi në teatër me forma më të sakta profesionale dhe u përpoq të largohej sa më shumë shablloneve të vjetra të trashiguara nga diletantizmi. Andrea për vite me radhë mbas çlirimit udhëhoqi lëvizjen amatore teatrale të rrethit të Shkodrës dhe më vonë qe regjisori i parë i teatrit profesionist "Migjeni"."

Skeda e pestë: Ca relikte... dhe vitet e fëmijërisë

Mendoj që zgjon interes (mbase pak i përmendur) kontributi i Andreas që dha në lëvizjen teatrore të teatrit të kukullave, të cilin për misionin e tij fisnik e vlerësonte dhe e përjetonte me botën e madhe të një fëmije.

Zanafilla duhet kërkuar qysh në klasën e parë fillore. Atëherë iu shfaq prirja a pasioni për teatër. Mbase duhen nënvizuar tre elemente: 1. Ndjekja me etje të madhe e në natyrën e tij kurreshtare të çdo shfaqjeje; 2. "Regjisor" dhe "aktor" në shumë shfaqje me bashkëmoshatarët e tij në ahurin e shtëpisë; 3. Duke shkruar vetë pjesë teatrore (autor).

Andrea Skanjeti, në një nga faqet e arkivës së tij personale, shkruan:

"Vjen një kohë që mbarojnë dëshirat e fillojnë kujtimet!"

Duke perifrazuar këtë sentencë të dalë nga një shpirt artisti, kam dëshirë që me kalin e qyqes të fluturoj nëpër vite e të trokas në dyert e fëmijërisë e të kujtimeve të Andreas, pikërisht atëherë, kur ishte në fillore, e si një ylber shumëngjyrësh iu shfaq pasioni për teatrin, kur për të skena do të behej një tempull i shenjtë. Duke përmendur reliktet e fëmijërisë së tij, shënojmë se shfaqjet i ndiqte me ëndje e etje, gjë që do t'i falnin tharmin e fantazisë për të vënë më pas shfaqje me bashkëmoshatarët. (Improvizimet e "mendimi regjisorial" për të përgatitur skenën me çarçafë, tullat që shtypeshin për të bërë bojën me të cilën piktori i vogël ("skenografi") pikturonte malet e kodrat në murin e ahurit dhe fushat me barin e njomë, mustaqet me lesh të zi që mezi ngjiteshin me zam, trukazhin e fytyrës me qymyr, shpatat dhe mburojat prej kartoni, etj., etj., - ishin sinjalet të cilat flisnin se Shkodrës po i vinte një regjisor i talentuar që do ta nderonte. Dhe ashtu ndodhi vërtet...).

Po përmendim edhe disa relikte të tjera:

Andrea i vogël po përfundonte filloren. Mosha e vocërrakut fliste për pasionin e madh që kishte për librat, të cilat i kishte blerë duke i lexuar pothuajse të gjitha librat e botuara nga tri shtypshkronjat e qytetit të Shkodrës: "Nikaj", "Franceskanëve", "Zoja e Papërlyeme", pa harruar edhe ndonjë libër të botuar jashtë shteti. Kështu nga bota e madhe e librave (si nga bota e yjeve) Andrea kërkonte një galaktikë të re: Dramën. Me kurajo e guxim fëmijëror vendos dhe shkruan një pjesë teatrore të titulluar "Kusarët", me katër akte. I ndrojtur ia jep mësuesit të tij, Luigj Kromiqit, për të cilin flet me aq dashuri e sinqeritet, plot dritë e simpati. Mbase do të kisha veçuar një moment, atë të taktit të mësuesit, në një paragraf të zgjedhur si ky:

"Sot do të merremi me një hartim të bukur, që më çuditi e më gëzoi. Një nxënës i imi ka shkruar një pjesë teatri që trajton një subjekt shoqëror... të titulluar "Kusarët" e nxënësit tonë. Por... pak kujdes këtu, nuk është tragjedi, por një dramë në prozë me katër akte, të cilën, ne, me leje të Drejtorisë së Shkollës, do ta vëmë në skenë, pra, do ta shfaqim për nxënsit e shkollës dhe familjet e tyre në sallonin e teatrit të shkollës".

Drama "Kusarët" e nxënësit Andrea Skanjeti, shtjellon një ngjarje shoqërore-familjare, ku dënohet grabitja e vjedhja. Vendi dhe koha e ngjarjes janë të papërcaktuara. Shtrirja e dramës, dialogu, karakteret, vizatimi i skenave, etj., etj., kanë stil, ngjyrim e fantazi fëmijërore, të cilat përligjin moshën e vogël të autorit.
Për këtë dramë jam i një mendje me mendimin e aktorit Sokol Progri, kur thotë:

"Kjo dramë, ndonëse e krijuar në një moshë të njomë, mbetet një ngjarje e shënuar në jetën e Andreas, jo shumë për vlerat e saj artistike, sepse vetë mosha e niveli ia kufizojnë një mundësi të tillë, por edhe për faktin se ajo u vlerësua dhe u vu në skenë me klasën e tij, nën drejtimin e mësuesit të tyre (Luigj Kromiqi, - shënimi im Xh. B.). Veç kësaj interesant është fakti se në personazhet e saj ishte një femër, gjë që ishte në kundërshtim me dramat e atyre viteve".

Kësaj drame modeste, që për autorin la gjurmë të thella në shpirtin e tij, i dhanë jetë në skenë, me interpretimet e tyre edhe nxënësit: Matish Prendushi (dilte për herë të parë në skenë), Zef Qerraxhia, Lin Koka, Zef Çoba (në rolin e vajzës), Gjovalin Çurçia, Kel Abati, Andrea Skanjeti.

Skeda e shtatë: I pasionuar edhe pas Teatrit të Kukullave

Nga fundi i vitit 1951 u krijua Teatri i Kukullave në Shkodër. Kjo detyrë fisnike iu besua njeriut-fisnik Andrea Skanjetit, i cili është dhe regjisori i parë edhe në këtë teatër fëmijësh (i kukullave). Sipas Andreas:

"Për fëmijët, një ndër artet më të përzemërta, është ai i teatrit, veçanërisht i kukullave, i cili është me shumë efekt, sepse i përshtatet moshës së tyre".

Detyrën për krijimin e teatrit të kukullave regjisori Skanjeti e pranoi me kënaqësi dhe njëheri me guxim të madh. Këtë guxim ia dha edhe e shoqja, Njomi, e cila u angazhua dhe e ndihmoi në bërjen e kukullave. Delikatesa dhe arti në qëndisje, mjeshtëria në rrobaqepësi, shpirti human, etj., - ishin disa nga cilësitë e saj që i shfaqi orëve të ditës e të natës, aty, në kuzhinën që ishte kthyer në atelje, ku merrnin formë fytyrat njerëzore e të kafshëve në kallëpe plastike që më vonë do të visheshin me butafori, si dhe me pëlhura dhe lëkura të ndryshme. Pra, kuzhina-atelje u kthye në një skenë njerëzore e përrallore, ku lëviznin personazhe: nëna, gjyshi, Liljana e vogël, Kreshniku me shpatë, keci, dhelpra, ujku, lepuri, ariu, zogu, milingona, etj., etj.; një galeri e tërë që rrinin në pritje të merrnin "frymë" e të "flisnin" ashtu të veshura në duart e aktorëve.

Teatri i Kukullave filloi të bëjë emër të mirë në qytet. Deri në vitin 1958 Andrea si regjisor vë në skenë 11 pjesë. (Shumë prej tyre janë të shkruara nga vetë Andrea Skanjeti). Kujtojmë: "Qypi e bilbili", "Liljana e vogël", "Farkëtari i lumturisë", "Tre kecat", "Hirushja", "Mësimi i gjyshit", etj.

Në vitin 1961 vë në skenë 4 pjesë të përkthyera nga autorë të huaj, si: "Druvari", "Gjoni i fortë", "Familja e gëzuar", "Lumturia".

Ndër shfaqjet e fundit do të përmendim: "Çeta e vogël e Skënderbeut", "Gjumashët" (dramë me tre akte nga Kolë Jakova), dhe këto shënojnë 23 premiera me një veprimtari rreth 15 vjet që drejtoi me dinjitet regjisori dhe dramturgu Andrea Skanjeti. Në këtë hapësirë kohore deputuan rreth 60 aktorë, si: Julka Kakarriqi, Kolë Jubani, Loro Banda, Kolec Pepa, Aneta Nikaj, Naim Tyli, Ramiz Rama, Bora Meta, Rrok Dajçi, Fehmi Doraci, Tinka Kurti, Rrok Nënshati..., etj. Nuk do të harrohen edhe kompozimet muzikore të "Artistit të Popullit" Prenkë Jakova e dekoret e punuara plot shije e fantazi nga Lec Fishta.

Pra, për 15 vjet rresht nën drejtimin e regjisorit e dramaturgut Andrea Skanjeti, lëvizën nëpër 23 premiera plot e plot personazhe, që me interpretimet e tyre fituan duartrokitjet e spektatorëve të vegjël.

Dhe si një yll që kurrë nuk bëhet meteor, rri përjetësisht dhe kujtimi i regjisorit dhe dramaturgut Andrea Skanjeti, i cili shpërndan një dritë të tillë:

"Jam shumë i kënaqur, që gjatë ushtrimit të profesionit tim si regjisor, krijova teatrin e kukllave dhe dhashë për të pa kursim të gjitha mundësitë e mia mendore e fizike. Jam i lumtur se puna ime modeste ka shërbyer sadopak në edukimin e masës së re që po rritej e lumtur e plot shëndet... Njëzet e tre premierat e realizuara më krijuan mundësi që të qëndroja për shumë kohë pranë buzëqeshjes së sinqertë të fëmijëve, në dëfrimin e gëzimin e tyre, në gazin e harenë që mbushte sallën para shfaqjes dhe kënaqësinë që provonin ato pas saj.
Edhe sot më bëhet sikur e dëgjoj atë ushtrimë hareje si zgjoj bletësh, edhe sot do të përtrihesha me një punë të tillë plot kënaqësi."

COMMENTS