Aurela Cuku dhe Artissima Art Gallery në Dubai

Pas 8 vjetësh udhëtime për të njohur kulturat dhe traditat e vendeve të ndryshme, Aurela Cuku ka hapur një galeri arti në Dubai, që e ka quajtur "Artissima Art Gallery". Qëllimi i saj, të promovojë ndër të tjerë edhe artistët shqiptarë. Pas vitesh larg Shqipërisë, teksa ka jetuar e punuar në Itali, Londër, New York e Dubai, ka rivendosur kontaktet me vendin e saj, për të njohur sa më shumë artistë, që do të donin të çonin artin e tyre deri në Dubai.

Kur ishte fëmijë, ajo ëndërronte të shihte Tiranën. Sot jeton në Dubai dhe ka udhëtuar në gjithë botën. Për shkodranen Aurela Cuku, distancat tanimë janë vetëm një koncept, përderisa, siç thotë ajo, bota është unike dhe të gjithë jetojmë nën të njëjtin qiell. Duket sikur ato i krijojnë vetë njerëzit në kokat e tyre, sepse mjafton të duash dhe gjithçka është e arritshme. Këtë ajo e dëshmon me jetën e saj. Një qytetare e gjithë botës, që pas afirmimit të vetes në fushën e biznesit, po i kushtohet artit.

"Kam udhëtuar gjithë jetën vetëm, e tanimë po e bëj bashkë me artin. Shprehja përmes artit është ajo më sipërorja. Artistët arrijnë të shprehin ndoshta gjëra që të gjithë ne i shohim, por nuk dimë t'i përçojmë", thotë Aurela. Dhe, për të qenë sa më afër tyre, Aurela Cuku ka hapur një galeri arti në Dubai. E ka quajtur "Artissima Art Gallery", pa harruar t'i fusë edhe ca nuanca Italie, ku ajo ka kaluar vite të tëra, përpara se të zhvendosej për aventurën e saj të re.

Galeria

"Projekti për ngritjen e kësaj galerie arti ka lindur vite më parë. Nuk mund t'i thosha jo një nisme që lidhej me artin, me kulturën dhe traditat e popujve të ndryshëm. Kështu nisën rrugëtimet e mia në Amerikën Qendrore e më tej, duke parë nga afër dhe duke njohur kultura", thotë 38-vjeçarja Aurela Cuku. Ky kërkim zgjati rreth 8 vite dhe tashmë ajo ka krijuar të gjitha njohjet e duhura, një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunëtorësh, në vende të ndryshme të botës, me të cilën jep e merr. Kjo ia bën rrugën më të lehtë dhe aktivitetin më të qëndrueshëm. Shiriti i galerisë u pre pikërisht nga një piktor shqiptar. Quhet Ndue Pepa. Nuk është ndër ata emrat e njohur të kryeqytetit, por kjo pak rëndësi ka për Aurelën. I pëlqeu shpirti shqiptar i veprave të Ndues, të cilin ajo po e promovon edhe në galeritë e tjera simotra nëpër Emiratet e Bashkuara Arabe, si në Abu Dhabi apo kryeqendra të tjera. Të gjitha gazetat vendëse shkruan për piktorin shqiptar, që si pa pandehur u gjend në një nga qendrat më të lakmuara të botës e që synon të kthehet në një qendër të madhe kulture. Pas piktorit shqiptar ia behën të tjerë nga Franca, Italia, Bolivia... Të gjithë shumë të lidhur me kulturat vendëse, me ngjyrat e forta të kulturave kombëtare... Të tjerë artistë do të ekspozojnë e do të promovohen. Tashmë ajo ka filluar të vijë më shpesh në Shqipëri e të lidhet me të tjerë artistë, madje disa syresh i ka futur në kalendarin e saj. Bëhet fjalë për emra si Gjergj Pali, i cili tashmë jeton në New York, por që vetëm pak muaj më parë ekspozoi në Tiranë piktoren Natasha Bega apo stilisten Mirela Nurçe. Po ndërkohë po provon të vendosë lidhjet për të hapur në Tiranë ekspozita të artistëve me të cilët ajo bashkëpunon.

Aurela Cuku
Duket se Aurela Cuku ka qenë gjithnjë një vajzë me mendje të hapur. Ndoshta ishte edhe optimizmi që e bënte të guximshme. Ashtu si në ato vitet e para të demokracisë, kur fare e re filloi të bëhej përkthyese nga gjuha italiane e shumë misioneve humanitare që vinin në Shqipëri, por pse jo edhe fetare. Vendi që sapo kishte nisur të rigjente veten dhe Zotin, kishte nevojë për të dërguarit e Tij, të cilët fatkeqësisht nuk flisnin shqip. Dhe asaj i duhej të përkthente meshat apo të shpërndante ndihma, të takonte njerëz, t'i binte kryq e tërthor Shqipërisë. Kështu ndodhi që u largua drejt Italisë, ku më pas tërhoqi edhe familjen e saj. Studioi hoteleri, por pasioni i saj i madh ishte dekorimi i pjatave me ushqime... Më pas hap një biznes familjar ëmbëlsirash e akulloresh, ku çdo kupë apo akullore që zbukuronte, i ngjante një vepre arti. Ishte sërish përkthimi, por kësaj here nga anglishtja, që do ta njihte me të tjerë njerëz, me të tjerë bashkëpunëtorë, që do ta çonin drejt Londrës, New York-ut e tashmë prej 8 vjetësh në Dubai. Nuk ka nevojë ta pyesësh se ç'e bën të suksesshme, sepse ajo vetë të tregon se puna për të është kënaqësi, madje nuk arrin dot ta ndajë se ku fillon njëra e mbaron tjetra... Ndoshta sepse puna e saj tashmë lidhet me artin, të cilin e ka dashur gjithmonë, qysh në moshën 6-vjeçare, kur këndonte në Shtëpinë e Pionierit, kur vizatonte apo krijonte skulpturat e vogla apo shihte e zhytur nga karrigia e spektatorit shfaqjet e Teatrit "Migjeni" në Shkodër... Por tanimë ajo nuk është më spektatore...

Nga Alma Mile

COMMENTS