Dy Lule.., Lazër Shantoja

Lazer Shantoja
O dallndyshë, o shej prendvere,
o ti shpend gjithmonë n' mërgim,
kur të vish me m'pa kët here
fill nga Shkodra fluturim,

shka do t' m' bijsh për me m' kujtue
vendin t' em qi ma s' m' kujton?
Shka do t' m' bijsh për me ngushllue
kë n'mërgim përherë mërgon?....

Ah! nuk t' lypi kangët qi zana
këndoj dikur për heroj t' vet,
ah! nuk t' lypi lotët qi nana
derdhë n' hi votrës mbetun shkret....

Ah! nuk t' lypi t' kjarët e qillit,
t' ambëlat fllade nuk t' kërkoj,
nuk t' kërkoj rrezet e dillit
qi t' ritë n' atdhe praroj....

Mbi dy vorre n' fushë të Rrmajit
këput për mue dy lule n' gem
e m'i bje t' shkrihem prej vajit
për ngushullim t' mërgimit t'em....

Ato lule mue do t' m' thonë:
Jemi lotët qi Shkodra mbarë
derdhë n' vorr t' nanës s' Luigjit t'onë....
derdhë n 'vorr t' Priftit vjerrë n' litar....

COMMENTS