Karl Gurakuqi - Fjala e përdorimi i saj

karl gurakuqi fjala e perdorimi i saj
Njeriu përbâhet prej dý pjesësh: prej shpirtit e prej trupit; trupi, qi âsht i përjashtëm e qi shifet, âsht ndeja e vegla e shpirtit; shpirti âsht i përmbrendshëm e nuk mund të shifet e âsht jeta e trupit. Njeriu âsht i stolisun me tagër të kuptimit, me të cilin kapërcen shum gjendjen e shtâzvet e prandej âsht i shtŷm prej natyre me kërkue njoftime të hapta, e mundsisht sa mâ të kryeme përmbì sende e me mbajtë larg gabimet. Posë kuptimit, njeriu dahet prej shtâzësh edhe nepërmjet të vetìs së folunit, qi i marrun përgjithsisht, âsht shênjimi i përjashtëm i ndiesivet të përmbrendshme, ase mënyra për me kumtue mendimin e me shprehë ndiesit. Ndërmjet njerzvet të folunit bâhet me sheje të ndiesishme e ndër këto sheje, mâ të parat janë fjalët e thânme me gojë, përmbì të cilat kemi qitë cekën me folë.

Ka dý mënyrë të folunit me gojë; nji mënyrë të pakryeme, e cila bâhet me zâne të pa-artikullueme, si: tue gjimue, tue dihatë, tue bërtitë; por mënyra e kryeme âsht ajo, qi bâhet me zane t'artikullueme, d.m.th. prej fjalësh, me të cilat shprehet ideja.

Për me njoftë mâ lehtësisht natyrën e fjalës, âsht nevoja, qi të dijmë shka âsht sheji. Sheji pra âsht ai, nepër njoftim të cilit, mrrîjmë me njoftë nji send tjetër, si: të ramit e kumbonës në njenë ânë, këtû ndër nè, shenjon dekë ase zì.

Fjala âsht nji zâ njeriu i artikulluem, qi shênjon ndonji send mbas veprimit të bâm, por për ket punë nuk don me thânë se ndërmjet të fjalës e të sendit te shenjum nuk do të két përpjekje të natyrshme, e cila përpjekje po qe, nuk mjafton vetëm kjo me i dhânë fuqin e shenjimit pa pasë nji vendim të bâm. Këjo analogjì e natyrshme mundet me u vû oroe edhe ndër të gjitha gjuhët e sotshme, sikurse mundet me u pa edhe ndër fjalë onomatopoetike të gjuhës shqype: kukuvacë, qokth, bumbullimë etj. të cilat kanë gjasim të madh me veprimin e atyne sendevet qi shenjojnë. Këjo përpjekje e natyrshme me sende të shenjueme ka qenë pa dyshim mâ e shpeshtë ndër fjalë të para, kur ka lé gjuha, e ket gjâsend mund t'a marrim me mend e mund t'a mbajmë mâ se të vërtetë, tue qenë se arsyeja e njeriut kur ka zgjedhë fjalët e para nuk do të két veprue pa mendim e nuk do të két lânë mbas dore përpjekjet, qi kanë muejtë me u gjetë ndërmjet të sendeve, qi do të diftojshin, e ndërmjet të zânevet qi do t'u përdorojshin për me shprehë t'atillat sende. Na, qi sot jemi në fillim të jetës letrare e kemi nevojë për fjalë të reja, do t'a marrim para sŷsh fort ket punë e në të përbam të fjalvet nuk do të shkojmë verbtas e kudo rasha mos u vrasha, por do të këqyrim natyrën e gjuhës e përpjekjet qi mund të gjinden ndërmjet të sendit qi duem me tregue e të veprimit të tij.
Këjo përpjekje e parë fjalësh me sende, kahë pak kahë pak âsht zhdukë; janë bâ e edhe sot pa prâ bâhen ndrrime në gjuhë, njimend të kadalshme por të paprâshme e tue u ndrrue zânet, ndrron edhe shenjimi i tyne. Këto ndrrime rregullisht e mâ të shumen e herës nuk bâhen me mendim, por shkaktohen vedit tue folë, mbas rrethanash e mbas nevoje. Nji fjalë e vetme mundet pernjiheri ase edhe mbas ndrrimit të kohve, me pasë shum shenjime e këjo punë âsht e nevojshme, pse fjalët relativisht janë pak e qi prandej për me mjaftue këto me shprehë sendet e përpjekjet e tyne të panjehuna, u duhet doemos me e përhapë qarkun e veshtrimit të vet. Gabimet mâ të shumta rrjedhin, pse përzihen shenjimet, qi nji fjalë mundet me pasë. Prandej si te mirren nji herë fjalët e veshtrimi i tyne, nuk âsht mirë me i ndrrue përsërì; pse këto fjalë atëherë a nuk kanë me u marrë vesht aspak ase kanë me u marrë vesht keq. Por nuk âsht jashtë rruge, qi shkencat të kén skâjet e veta, pse shkencar përore flasin e rrahin çâshtje qi janë larg kuptimit vulgar e kanë nevojë për skâje, të cilat të jén të përshtatuna për me shprehë idhét e shllimet e kuptimit. Mâ tepër ndër shkenca e sidomos në filozofì, për sa të mundet, duhet nji terminologjì e përbashkme; përndryshe nuk mund të jét nji livrim i përbashkëm e kishin me lém shum pshtjellime.

Shkrimtari nuk do të përdorojë fjalë të pakuptueshme atëherë kur mund të përdoren fjalë të kjarta, prandej mos të përshkruej sendet me fjalë abstrakte e, kur të jét nevoja, fjalët e reja t'i përdorojë në mënyrë, qi lexuesat t'a kuptojnë kjarisht veshtrimin e tyne. Në nji ligjeratë a në nji shkrim mos të përdoret nji fjalë herë për nji shenjim herë per nji tjetër. Asht e nevojshme, qi lexuesit të vên oroe me gjetë veshtrimin, qi auktori ka dashtë me u dhânë fjalvet e jo ai veshtrim, qi ndoshta fjalët munden me pasë në vedi a se qi kanë sot; fjalët do të kuptohen mbas përdorimit të folunit t'auktorit, tue marrë para sysh edhe vendin ase kohen, në të cilen autori ka folë ase ka shkrue, gjuhën, vetìt e zakonet e vendit të tij.

Fjalët pra prej natyrës se vet kanë për qellim, qi ndigjuesat ase lexuesat të mrrîjnë me njoftë ato sende, për të cilat flet ase shkruen ligjeruesi e shkrimtari; për ket arsye âsht nevoja, qi njeni edhe tjetri të flasë e të shkruej kjarisht e qi ndigjuesi ase lexuesi t'i zhvillojë fjalët e tyne drejt, kështu qi të mrrîjnë me i a u blè mendimet e mos t'i a u marrin vesht fjalët skalapurrî, sikurse ndodhë shpeshherë ndër né.

Karl Gurakuqi,
Dhetuer 1919,
Shkodër.

COMMENTS