Gëzim Dimnaku

Gezim Dimnaku Gëzim
Gëzim Dimnaku lindi më 14 shkurt 1972 në Shkodër. Mësimet fillore i kryen në shkollën sportive të qytetit ku dhe aktivizohet, që në moshën 10-vjeçare, në sportin e atletikës dhe me tej vazhdon studimet e mesme në shkollën "Vojo Kushi" në Tiranë. Gëzim Dimnaku ka fituar shumë medalje dhe vendosur shumë rekorde në Shqipëri, Turqi, Greçi, Gjermani e Kanada.

***

Ai sot garon me ngjyrat e Kanadasë, por ka qenë kampion absolut në garën e kërcimit së gjati dhe në trehapësh në Shqipëri dhe ka veshur fanellën kuqezi në shumë aktivitete ndërkombëtare. Gëzim Dimnaku, atleti modest nga Shkodra, mori medaljen e bronztë në Botërorin për moshën 40 vjeç. Në një intervistë për gazetën "Panorama Sport", Dimnaku tregon jo pak peripeci dhe vështirësi deri sa të arrinte në këtë ditë.

Kur e keni nisur sportin?

E kam filluar atletikën që në moshën 10-vjeçare dhe, më pas, kam kaluar me ekipin e paratërinjve të Vllaznisë, ku kam pasur si disiplinë garën e vrapimit me pengesa. Më pas me të rinjtë e Vllaznisë. Me paratërinjtë unë kam pasur rekordet e para në 80 metra me pengesa dhe në katërgarësh. Në moshën 18-vjeçare kalova me ekipin e të rinjve, dola kampion në kërcimin trehapësh. Unë kam dhe rekordin e sallave të mbyllura. Edhe në Gjermani kur kam marrë pjesë në vitet 2002-2004 kam dalë tri herë kampion me ekipin e Dortmundit.

Ju keni marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare me Shqipërinë?

Në 2002-shin kam përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në Athinë, për sallat e mbyllura dhe kam thyer rekordin. Njëkohësisht kam përfaqësuar në atë kohë dhe ekipin e Vllaznisë, pasi kam qenë i federuar.

Si kanë qenë kushtet e stërvitjes dhe sa jeni vlerësuar?

Kanë qenë kushte të vështira, por ishte dëshira e prindërve të mi, sidomos babait, që unë të merresha me sport. Babanë e kam pasur notar dhe ai donte vazhdimisht që unë të merresha me sport, më ka mbështetur shumë, për çka ia di për nder.

Kush ka qenë trajneri juaj?

Ishte Hysni Bebeziqi, më ka qëndruar shumë afër. Më kujtohet se në atë kohë mishi ka qenë me racion, ku çdo familje kishte një sasi të caktuar mishi, rreth 2 kg në muaj. Ai më sillte racionin e vet në shtëpinë time, që unë të konsumoja mish dhe të zhvillohesha.

Si vijoi karriera juaj?

Vazhdova shkollën "Vojo Kushi". Shefat e Vllaznisë nuk donin që unë të shkoja në shkollën sportive, sepse nuk preferonin që unë të largohesha nga klubi i Vllaznisë. Atje më përfshinë menjëherë me ekipin Studenti, Vesel Rizvanolli ishte dekani i fakultetit, sot mesa di unë është rektor i Universitetit. Katër vite që jetova në Tiranë dola katër herë kampion. Kam ndihmuar në nxjerrjen e Studentit kampion, se deri në atë kohë ishte Vllaznia kampione. Pas Studentin u kualifikova në Europian për ekipet kampione. Në Stamboll kam zënë vendin e tretë, me 15 m e 24 cm në trehapësh. Pas mbarimit të shkollës u ktheva sërish te Vllaznia. Ishte viti i tmerrshëm 1997, kur armët ishin sheshit dhe vrasjet fare ordinere. Bëja stërvitje në stadium dhe kam shpëtuar në shumë raste, pasi na binin në fushë dhe në shkallët e stadiumit shumë plumba rikoshet.

Më pas jeta juaj vijoi në Gjermani, si mbërritët atje?

U vendosa fillimisht në një kamp refugjatësh. Mora një biçikletë, ecja nëpër autostradë dhe shkova në stadium. Doja të provoja veten. Shkova në stadiumin e Borusia Dortmundit. U paraqita para një trajneri dhe i thashë se çfarë dija të bëja. Ai më kërkoi të zhvishesha dhe të bëja garën time. Pasi më pa, ai u entuziazmua. Në kampin ku rrija mbërriti një letër, e cila thoshte se Gëzim Dimnakun e kërkonte Komiteti Olimpik Gjerman. Pas stërvitjes intensive arrita të dilja kampion i Landit të Wesfalenit. Dola tri herë kampion në këtë Land.

Si ka qenë gjatë kësaj periudhe aktivizimi juaj me ekipin kombëtar?

Me rezultatet që kisha, Kombëtarja e Shqipërisë nuk mund të më refuzonte. Më aktivizonin në kampionate të ndryshme dhe unë kam shkuar gjithnjë, me paratë e mia, sepse nuk merrja asnjë pagesë. Unë kërkoja vetëm që rezultatet e mia t'ia ktheja Shqipërisë me fitore dhe medalje. Në atë kohë ishte Ajet Toska, kryetar i Federatës së Atletikës. Kishte dhe ai problemet e tij. Unë merrja pjesë në të gjitha aktivitetet e ekipit kombëtar të atletikës së Shqipërisë me shpenzimet e mia, lija punën, paguaja të gjitha udhëtimet.

Si u bë e mundur që shkuat në Kanada?

Në 2007-ën emigrova në Kanada, sepse kisha familjen, tre motrat. Aplikova dhe u pranova në Kanada, ku tani kam marrë dhe nënshtetësinë e pasaportën kanadeze.

Çfarë planesh keni për të ardhmen?

Unë po vijoj stërvitjen. Në kampionatin botëror ku zura vendin e tretë shkova me dy muaj stërvitje. Kundërshtarët e mi kishin 7 vjet që, edhe pas lënies së sportit, nuk e kishin ndërprerë stërvitjen. Në Budapest u zhvillua Kampionati Botëror për moshën 40 vjeç.

Si janë pritur rezultatet tuaja te shqiptarët?

Kam frikë se disa janë bezdisur nga fanella me flamurin kanadez. Por unë do të garoja për Shqipërinë nëse do të bëhej një ftesë. Gjithashtu shoh një lloj indiferentizmi nga mediat shqiptare, që nuk i pasqyrojnë rezultatet e mia të atletikës. Unë kam vendosur rekorde në Gjermani, po ashtu dhe në Kanada, por dhe me flamurin shqiptar. Nuk e them vetëm për veten time, por ka shumë shqiptarë që kanë rezultate kudo në botë. Ata duhen parë si krenari kombëtare.

COMMENTS