Katerina Biga

katerina biga aktore
Katerina Biga ka lindur në qytetin e Shkodrës në vitin 1947. I ati i saj quhej Shpend Sokol Biga dhe ishte nga Gimajt, ndërsa e ëma quhej Leze Zefja që ishte bijë nga Lekajt e Shalës.

Katerina Biga ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike me rezultate shumë të mira dhe për rreth dy vite ka punuar mësuese në Tamare të Malësisë së Madhe. Gjatë gjithë punës si mësuese është shquar për përgatitjen e lartë shkencore, intelektin natyror dhe erudicionin e gjërë të fituar mbi bazën e një pune të vazhdueshme e këmbëngulëse për vetformimin e kompletimin e figurës së saj si një intelektuale e mirëfilltë.

Ndonëse pa ndonjë shkollë përkatëse tek Katerina në veçanti spikaste prirja aktoriale që përfaqësonte në vetvete, kështu që në vitin 1975 filloi punë si aktore profesionte në estradën e Shkodrës. Mjaftoi vetëm pak kohë që Katerina të bëhej një nga aktoret më të dashura për publikun dhe mjaft e respektuar nga stafi drejtues i estradës. Asaj tashmë iu besuan role nga më të ndërlikuarat për t'i interpretuar në skenë. Në këtë periudhë Katerina i kalon kufinjtë e njohjes jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por figura e saj bëhet e dashur dhe e respektuar në mbarë Shqipërinë. Depërtimi në botën e brendshme të personazhit, njehsimi me të, virtualiteti interpretues, gjestikulacioni i përkryer e renditin atë në majat më të larta të plejadës së aktorëve shkodranë të asaj kohe.

Gjithë përkushtimin, mundin, djersën e talentin Katerina Biga ia fali për 18 vite estradës së Shkodrës. Në historikun e kësaj estrade, ajo ka lënë gjurmën e pashlyer në rrugën e artë të kësaj estrade.
Për shumë kohë në memorien e njerëzve do të mbeten të paharruara rolet e saj të cilat i dhuruan buzëqeshjen e thellë spektatorit, ku mund të përmendim: Cikolarja e Gonxhes, Lena në banak, roli i Zanës në komedinë "Nën hijen e një dege", Lili tek skeçi "Xhemal Katunari", etj.

Një interpretim i shkëlqyer që nuk mund të lihet pa u përmendur ishte roli i Katerinës në filmin mjaft të njohur "Ballë për ballë".

Nga Prelë Milani

COMMENTS