Lamtumirë.., Riza Lahi

Riza Lahi, Lamtumire
Lamtumirë gjimnazi im “Qemal Stafa”
Lamtumirë mësues, shokë, ti, banka ime
Kushedi hapat e mi, kur do m'i ndjeni prap
Hapat e vajzës që notonte në ëndërrime.

Mësuesit e mi, gjer të mësoheni pa mua
Do pyesni njëri-tjetrin, po... ku shkoi?
Me aromë mimozash do përgjigjet pranvera:
E katërta shtatë dhe... ajo... oh... fluturoi.

Po kur një ditë do më keni harruar
Qemalsja juaj do të vijë te dera
Ngadalë, hutuar, do të ngjitet te shkallët
E drejt te banka ku rrinte përhera.

Në mos paça me vete t'u sjell lule
Të freskëta, të bukura siç i rrit saksia
Të rrahura zëmre do t' dhuroj pafund
Dhe lule të zbehta nga thinjat e mia.

Do të pyesë roja plak, ku e kam parë
Këtë zonjë që s'qesh si nxënësit e tjerë?
Do t'i them: më lër, më lër të hyj, o plak
Qemalse edhe unë kam qënë një herë.

Lamtumirë, lamtumirë gjimnazi im
Të erdha e ndrojtur, e vogël, si manare
Më rrite... Lehtë një ditë më puthe flokët
Dhe nëpër botë më lëshove krenare.

Ledias, me rastin e mbarimit të maturës, kujtim nga babi (autori).

COMMENTS