Pashko Gjeçi, një prej kollosëve më të mëdhenj të letrave shqipe

pashk gjeci
Pashko Gjeçi lindi në Shkodër më 7 shtator 1918. Ishte poet, mësues dhe përkthyes. Ai njihet nga të gjithë për përkthimet e shkëlqyera të kryeveprave botërore si "Komedia Hyjnore" dhe "Odisea".

- Shoqata italiane "Dante Alighieri" në vitet '70 vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e "Komedisë Hyjnore" nga Pashko Gjeçi si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë.

- Në vitin 2004 Gjeçi është dekoruar nga Presidenti i Italisë, Carlo Azeglio Ciampi, me "Ordine della stella, della solidarietà italiana" për përkthimin e Dantes.

- Në 90.vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit "Fan Noli", për përkthimin e veprës "Fausti" (Pjesa 1) të Gëtes.

Pashko Gjeci vdiq në moshën 92.vjeçare në Tiranë, më 21 janar 2010.

Historia e dhimbshme e një prej kollosëve më të mëdhenj të letrave shqipe, i cili përktheu Komedinë Hyjnore dhe Odisenë. Diplomimi në Romë dhe burgosja nga komunistët.

- Nga Dashnor Kaloçi/13 janar 2008

Nuk do të shpreheshim fare gabim po të thonim se janë të paktë ata intelektualë shqiptarë apo dhe njerëz të letrave të cilët e dinë se përkthyesi i famshëm i "Komedisë Hyjnore", që përbën një prej kryeveprave të letërsisë botërore, apo më saktë njeriu i cili e bëri Dante Aligerin dhe Homerin të "flisnin shqip", quhet Pashko Gjeçi. Gjithashtu nuk do ta tepronim aspak po të shtonim përsëri se janë të paktë ata shqiptarë që e dinë se ai njeri, është ende gjallë, sa vjeç është dhe se ku jeton.

Madje për t'i dhënë fund këtyre hamëndjeve dhe për t'i qëndruar asaj çka thamë më lart, flet dhe ky fakt: Profesorin e famshëm të lauruar për Filozofi e Letërsi në Universitetin e Romës, ish shokun e bankës të Qemal Stafës, nxënësin e Padër Gjergj Fishtës, kolegun e mikun e ngushtë të Eqrem Çabej, Henrik Lacaj, Mark Demës dhe Fejzi Dikës, nuk e njihnin as banorët e shkallës së tij, ndonëse prej më shumë se 20.vjetësh ai jeton së bashku me zonjën e tij në atë apartament fare të vogël, në katin e parë tek "Shallvaret". Të habitur nga portreti dhe fiziku që na u shfaq në aparencën e njeriut që na uroi mirseardhjen, as nuk e kishim menduar kurrë se ai për të cilin interesoheshim dhe kishim përfytyrime nga më të çuditëshmet, ishte vetë Pashko Gjeçi që po takohej me ne! Pas prezantimit dhe duke i treguar qëllimin e vizitës sonë, Pashko Gjeçi na u përgjigj jo pa humor:

"Të jeni të sigurtë se do ju dëftoj çfarë më kujtohet".

Ndonëse tashmë në moshën 85-vjeçare dhe tepër i lodhur nga peripecitë e streset e një jetë plotë dallgë e shtërngata, kollosi i letrave shqipe me fizik shtatëshkurtër e me portret prej fisniku, i quajtur Pashko Gjeçi, hera.herës na befason me memorjen e tij brilante dhe humorin e hollë të shkodranit tepër intelekt, që përveç të tjerave, është shkolluar dhe në Kolegjin e Jezuitëve.

Pashko Gjeçi lindi më 7 shator 1918 në qytetin e Shkodrës dhe familja e tij në atë kohë banonte tek "Arra e madhe". Babai i Pashkos quhej Gaspër dhe në atë kohë ai kishte hapur një dyqan të vogël fare pranë shtëpisë së tij, me të cilin siguronte jetesën. Pas vdekjes së babait dhe një motre të vogël të quajtur Nikolina, Pashko mbeti vetëm me nënën e tij dhe motrën tjetër Margaritën. Pasi mbaroi shkollën fillore me rezultate shumë të mira, ai u regjistrua në Kolegjin e Jezuitëve, të cilën nuk arriti ta mbaronte pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi dëshmon:

"Pas mbylljes së Kolegjit të Jezuitëve të gjithë ne vazhduam mësimet në gjimnazin klasik të shtetit po në qytetin tonë të Shkodrës. Në atë kohë unë kisha shok të ngushtë Qemal Stafën me të cilin rrinim në një bankë. Po kështu përveç Qemalit, në klasën tonë kishim dhe Nikolla Shurbani, Xhemal Broja, Kol Ashta, Arshi Pipa dhe Lazër Radi, me të cilët gjithashtu kam pasur një shoqëri të madhe. Qemal Stafa dhe Arshi Pipa dallonin nga të gjithë ne shokët e klasës për zgjuarsi dhe inteligjencë, e Qemali ka qenë nxënësi më i mirë që kam njohur në jetën time. Ndërsa unë shkëlqeja kryesisht në lëndën e letërsisë pasi që i vogël isha i dhënë pas sajë, isha shumë i dobët në vizatim të cilat m'i bënin të tjerët e unë i dorzoja si të miat. Në atë kohë mësuesi që kishim më përzemër unë dhe Qemali, ishte Pashko Geci, i cili na jepte greqishten e vjetër dhe latinishten. Në fillim ai më kishte në patronazh vetëm mua për të më mësuar greqishten e vjetër, por duke më pasur mua shok të ngushtë, dolën vullnetarë dhe Qemali me Nikolla Shurbanin e të tre arritëm ta mësonim atë gjuhë. Profesor Pashko Geci, m'i blinte librat dhe për të mos më ofenduar se nuk kisha lekë t'ia paguaja, m'i fuste në bankë. Pak kohë para mbarimit të Liceut, Qemali u largua nga klasa jonë se familja e tij u transferua në Tiranë", - kujton Pashko Gjeçi vitet e gjimnazit klasik të Shkodrës ku mësonte së bashku me Qemal Stafën.

Student i Filozofisë në Romë

Pas mbarimit të gjimnazit klasik të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938 Pashko Gjeçi fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta në Itali. Lidhur me këtë ai kujton:

"E drejta e studimit për në Itali m'u dha vetëm në sajë të rezultateve që kisha arritur në gjimnazin e shtetit dhe Ministria e Arsimit më akordoi vetëm një bursë shumë të vogël që mezi mund t'i përballoje nevojat e jetesës. Por unë nuk kisha rrugë tjetër dhe isha mjaft i kënaqur që do të shkoja të studjoja në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Romës. Këtë kënaqësi ma shtonte më tepër fakti se bashkë me mua ishin dhe Kol Ashta, Lazër Radi e Luigj Ljarja. Gjatë asaj periudhe që vazhdoja studimet në Romë, unë fillova përsëri të përktheja nga latinishtja apo të shkruaja ndonjë poezi të vogël. Poezinë dhe përkthimet i kisha pasion që nga bankat e Liceut të Shkodrës dhe ato që shkruaja i botoja në revistën "Cirka" apo "Shkëndia". Më kujtohet se asokohe unë pata shkruar dhe një artikull për Padër Gjergj Fishtën lidhur me "Lahutën e Malsisë", të cilën ma botuan në "Hylli i Dritës". Pasi doli revista unë së bashku me disa shokë të tjerë shkuam dhe ia çuam Padër Gjergjit në studion e tij. Pasi e pa artikullin, Padër Gjergji pyeti: "Kush është ky që paska shkruar për mua?" Ndërsa unë qëndroja pa folur dhe i turpshëm në fund të dhomës e shokët i treguan se isha unë, ai tha: "Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull?" Kështu dëshira dhe pasioni që kisha për poezinë e përkthimet, nuk mu shua as në Itali dhe ato që shkruaja i nisja për t'i botuar në Shqipëri. Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë e përfundova në vitin 1943 me rezultate të larta dhe mora gradën Doktor i Shkencave. Nisur nga ato rezultate mua më ofruan që të qëndroja si asistent profesor pranë atij Fakulteti, por unë refuzova dhe u ktheva në Shqipëri. Dëshirën për t'u kthyer në Shqipëri ma nxiti akoma dhe më shumë ish.Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i cili në atë kohë kishte ardhur në Itali për të marrë pjesë në ceremoninë e dorzimit të diplomave tona. Koliqi më tha: "Kthehu në Shqipëri të japësh kontributin tënd", - kujton Pashko Gjeçi lidhur me diplomimin e tij në fakultetin e Filozofisë në Romë, ku i ofruan të qëndronte si asistent-profesor.

Kthimi në Shqipëri e burgosja

Pas diplomimit në Itali, në vitin 1943 Pashko Gjeçi u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës, ku ai kishte qenë vetë nxënës pak vite më parë. Edhe gjatë kësaj periudhe e deri në mbarimin e luftës, përveç mësimdhënies në atë gjimnaz, Pashko u muar përsëri me përkthime të cilat i sillte dhe i botonte në Tiranë në revistën "Shkëndia". Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas ai u transferua në qytetin e Durrësit, ku do të fillonte dhe kalvari i vuajtjeve të tij. Lidhur me këtë Pashko Gjeçi dëshmon:

"Gjatë asaj kohe që punoja si mësues i letërsisë në qytetin e Durrësit, unë kisha miqësi të ngushtë vetëm me familjen e Jusuf Vrionit, të cilët si shumë familje të tjera nga Tirana i kishin internuar atje. Në atë kohë përveç mësimdhënies, isha zgjedhur dhe kryeja edhe funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit. Nuk e di se si ndodhi por mbaj mënd se atje më arrestuan, gjoja si i implikuar në një organizatë e cila kishte për qëllim të përmbyste më dhunë pushtetin komunist në Shqipëri. Kjo gjë ishte e gjitha e sajuar nga Sigurimi i Shtetit ashtu si dhe ajo organizatë për të cilën akuzohesha se bëja pjesë, pasi unë nuk isha marrë asnjëherë me politikë. Në atë kohë përpara meje arrestuan dhe Arshi Pipën po me të njëjtën akuzë siç më kishin arrestuar mua. Gjyqi më dënoi me pesë vjet burg të cilat i bëra kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit ku na dërgonin muajt e verës. Puna atje ishte tepër e rëndë dhe cfilitëse, por unë munda ta përballoja atë dhe gjithë burgun, pasi isha i ri", - dëshmon Pashko Gjeçi lidhur me arrestimin e tij dhe dënimin me pesë vjet burg, akuzë e cila ishte krejtësisht e sajuar nga Sigurimi i Shtetit.

Përkthimi i Dantes e Homerit nga Pashko Gjeçi


Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, ku e priste nëna dhe motra. Lidhur me këtë periudhë ai dëshmon:

"Si ish i burgosur politik e kisha të pamundur që të filloja punë si mësues dhe në atë kohë mezi u rregullova në një punë krahu. Pas dy tre vjetëve në atë punë, më lejuan që të largohesha nga vëndlindja ime dhe më sollën në qytezën e vogël të Fushë.Krujës, ku u emërova si mësues në shkollën shtatëvjeçare. Në atë shkollë ku unë dhashë mësim për tre vjet me rradhë, ishim gjithsej katër mësues dhe aty unë vendosa që të përktheja poetin e famshëm italian Dante Aligerin, poezitë e të cilit unë kisha filluar që t'i përktheja që kur isha 17.vjeç në bankat e Liceut të Shkodrës. Që nga ajo kohë përveç Dantes, unë kisha dobësi edhe për Leopradin dhe Safon, poezitë e të cilëve i mbaja gjithnjë me vete. Përkthimin e "Komedisë Hyjnore" të Dantes, unë e mora përsipër për arsye se ai ishte përkthyer edhe në Bashkimin Sovjetik, e përkthyesit të saj i ishte dhënë çmimi "Stalin". Për përkthimin e saj unë shfrytëzoja orët e para të mëgjezit para se të fillonte mësimi dhe çdo ditë hidhja në letër nga katër vargje në gjuhën shqipe. Disa prej këtyre vargjeve, në mos gaboj ato të "Ferrit", unë ia tregova mikut tim të ngushtë Llazar Siliqit, i cili i botoi menjëherë në revistën "Nëntori". Ndonëse ato u pëlqyen mjaft dhe u vlersuan nga shumë njerëz dashamirës, kritika e asaj kohe heshti, sepse nuk mund të shkruante për një ish të burgosur politik. Meqënse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste që për një varg më duhej tre katër ditë punë. Pasi kisha përkthyer mijra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëgjezit dhe kur i mbarova, mu duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm", - kujton Pashko Gjeçi atë çast kur mbaroi së shkruari në shqip një nga kryeveprat e letërsisë botërore, "Komedia Hyjnore" të Dante Aligerit.

Vlerësimi nga Enver Hoxha

Pasi e mbaroi së përkthyeri poetin e famshëm italian, Pashko Gjeçi u konsultua me mikun e tij të ngushtë Llazar Siliqi, i cili i sugjeroi që t'i bënte një letër Enver Hoxhës, ku t'i parashtronte të gjitha problemet që kishte. Për këtë Pashko Gjeçi kujton:

"Në atë kohë i shkrova një letër Enver Hoxhës ku i bëja të ditur se kisha në dorë përkthimin e "Komedisë Hyjnore" të Dante Aligerit dhe se për përfundimin e saj kisha nevojë që të studjoja në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe të konsultohesha me kolegë e studjues për t'u marrë mendimet. Pas asaj letre Enver Hoxha dha urdhër që unë të transferohesha në Tiranë, ku të më bëhej dhe pashaportizimi. Kur erdha në Tiranë, në fillim qëndrova tek familja e djalit të xhaxhait, Ernest Gjeçit dhe më pas mora një dyqan të vogël me qera aty prapa Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilin e adaptova për banesë. Në atë kohë me ndihmën e Llazar Siliqit, Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" e botoi të plotë përkthimin tim "Komedia Hyjnore". Pas asaj pata përgëzime të shumta nga miq e shokë, siç ishin profesori im Pashko Geci, Mark Dema, Henerik Lacaj dhe sidomos nga profesor Eqerem Çabej, i cili më vinte shpesh në shtëpi", - kujton Pashko Gjeçi lidhur me peripecitë që kaloi për të botuar përkthimin e Dantes, që u bë i mundur vetëm në sajë të ndërhyrjes së Enver Hoxhës.

Pasi "Komedia Hyjnore" pa dritën e botimit në gjuhën shqipe, Pashkon e sistemuan me punë si profesor në Universitetin e Tiranës, ku ai dha lëndën e latinishtes deri sa ajo u hoq nga programi mësimor në fillimin e viteve '70.të. Në atë kohë Pashkon e dërguan si redaktor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku ai dhe doli në pension në vitin 1977. Nga ajo kohë ai kujton me respekt miqësinë me kolegun Llazar Siliqi, por dhe atë me nxënësin e tij Pëllumb Xhufi, për të cilin shprehet:

"Ka qenë një nga nxënësit më të mirë dhe më të sjellshëm që kam pasur".

Për kontributin që Pashko Gjeçi kishte dhënë në përkthimin në gjuhën shqipe të dy prej kryeveprave të letërsisë botorore, në vitin 1979 me porosi nga lart u urdhërua Komiteti Ekzekutiv që t'i jepte atij një apartament banimi. Por gabimisht autorizimi i shtëpisë iu dërgua Pashko Gecit, i cili hyri në shtëpinë e re. Kur shkuan për t'i kërkua falje Pashkos për gabimin e bërë, ai iu tha:

"Le ta gëzojë Pashko Geci atë shtëpi dhe nuk bën me ia marë, sepse ai ka kenë profesori im ma i mirë".

Që nga ajo kohë kur Pashko Gjeçi refuzoi të merrte shtëpinë që gabimisht ia kishin dhënë ish-profesorit të tij, ai banon aty në atë apartament të vogël, (tip bodrumi) tek "Shallvaret" dhe pret që të shohin dritën e botimit disa nga përkthimet e tij si "Fausti" i Gëtes, "Hamleti" i Shekspirit, "Andromaka" e "Atalia" të Rasinit, të cilat ai nuk i kujton se kujt ia ka dhënë për botim.

COMMENTS