Humor dhe barcaleta nga Tef Palushi

Tef Palushi, Shtjefen Palushi
Shtjefën (Tef) Palushi e Paulin Selimi mbeten dy krijues të njoftun të humorit shkodran. Tefa ishte i shkurtë e i shtrembtë, Paulini i hollë e i gjatë ...

Si bashkëkrijues humori dhe shokë, ata shkonin e vinin shpesh për vizita te njeni-tjetri. Nji ditë, Paulini e merr Tefën në telefon, dhe i thotë se po kalonte andej kah shpija.

- Po mirë hajde! - ia kthen Tefa.

Mbas disa minutash, bien zilja e derës në shpinë e Tefës...

- Kush asht? - ndigjohet nji zà nga mbrenda.

- Unë Paulini jam, hape Tefë ...

- A ti Paulin je, futu nëpër plasë (çarë) të derës ... se të xen ... ia kthen nga mbrenda Tefa.

Mbas do ditësh, i njëjti rit përsëritet, po tash asht Tefa që i bie ziles në derën e shpisë së Paulinit.

- Kush asht? - pyet Paulini.

- Tefa jam, po hape derën ... pergjigjet Tefa

- Futu, nëpër birë të çilësit se po pritoj me u çu ... ia ktheu kusurin Paulini.

****

Ishte ulë Tefa në kafe dhe po pinte nji teke fernet. Në at çast hyn në kafe kontrolli shëndetsor dhe drejtohen te Tefa. Mbasi e përshëndesin Tefën, i thonë që t'u japë gotën.

- Posi jo - u thotë Tefa, dhe fap e ktheu pijen që ishte në gotë.

Ata të habitur nga veprimi i Tefës i thonë: Ne e kishim fjalën për pijen dhe jo për gotën. Dhe Tefa pa e prishë terezinë ju thotë:

- Më falni, më thatë për gotën, jo çka kishte në gotë!!

****

Futet Tefa në Kafe të Madhe, dhe i thotë banakierit mos kishte ndonji paketë "Partizani".

- Pasha besën Tefë, asnji për bè, - ia ktheu banakieri Lin!

Ndërkohë vjen nji bukuroshe shkodrane, e njoftuna e Linit dhe nën zà i thotë:

- Lin, t'marrsha t'ligat nji "Partizan", se e kam litarin n'fyt?

Lini ia ban me shenjë dhe i jep fshehtas dy paketa!

Tefa mbasi e pau krejt skenën i afrohet kamarjerit.

- Lin kam me të paditë, ke nisë me strehu edhe Partizan!

****

Pas një veprimtarie te revista "Hosteni", Tefa dhe Kolec Pepa, humorist i njohur shkodran, mbërrijnë në hotel "Peza". Si zakonisht, sportelisti u thotë se i kishte vendet e zëna. Pasi i premtuan një bakshish, sportelisti e "gjeti" dhomën.

- Kam një dhomë për fëmijë, pra, me krevate më të vegjël se të zakonshmit - i thotë sportelisti.

- Veç mos të ketë fëmijë aty, se nuk kena ça me i dhanë me pi - i përgjigjet Tefa.

****

Në Parrucë bahej varrimi i nji të vdekuni.

Tefa në shenjë nderimi kishte ndalu anash trotuarit. Në momentin që arkivoli po futej në makinë, para Tefës kalon nji shok i tij me biçikletë. Ky e shef Tefën që po kqyrte arkivolin që futesh në makinë dhe me të shpejtë i thotë:

- O Tefë, t'pafsha ty aty mbrendë (në makinën e vdekjes).

- T' lumtë goja, mirë e ke... Unë shofer... ti pasagjer!

****

Mbasi qe mërzitë prej komunizmit, Tefës i shkrep në mendja me u arratisë. Dhe niset e shkon në Zogajt ku ishte kufini, me shpresë të arratiset për në Mal të Zi. Po syni vigjilent i kufitarëve të kohës së Xhaxhit, e pikasi nji burrë shtrembaluq, që po i afrohej kufinit dhe mbasi e rrethojnë ushtarët e kapin dhe shohin se ishte Tefa, që e njifnin të gjithë. E marrin e hypin në një makinë dhe e nisin për në Shkodër. Kur mbërrijnë në Shkodër, policët e pyesin Tefën:

- Tefë, pse deshte me e thy kufinin?

- Po jo mor burra, as në mendje s'më ka shku, - ua kthen Tefa, - Po kisha mbetë në rrugë e s'dijsha si me u kthy në Shkodër. Atëherë thashë: A e din çka baj, ma mirë po i afrohem kufinit, ushtarët kanë me më kapë, e kanë me m'pru me makinë në Shkodër...!!

****

Nji ditë Tefë Palushi kishte marrë grepin dhe ishte ulë në lulishte dhe bante sikur gjuante peshk. Kalonin njerëz dhe çuditeshin me Tefën.

Paska luejtë mendsh Tefa i shkretë! - thoshin

- Ça po ban mor Tefë? - e pyet njeni

- A s'e shef, po gjuej peshk!

- Hajt mor i marrë pijmë ka nji birrë, çfarë peshku n'lulishte! Dhe pinë nga nji birre e nji bërxollë. Mbarojnë dhe Tefa vazhdonte me grep në lulishte derisa erdh dikush tjetër edhe e pyet dhe u përsërit historia e nji birre mee bërxollë.

Kur kaloi nji i tretë dhe për me u tallë me Tefën i thotë:

- Hë mor Tefë, a t'ka ra ndonji peshk?

- Për njat zot, n'ma dhansh nji birrë, je i treti që ma han karremin! ia ktheu Tefa

****

Nji ditë Tefa shkon te Mapoja industriale me ble nji palë të mbathuna.

- Mirdita!

- Mirdita Tefë! Ça dëshiron me ble mor Tefë?

- M'duhen nji palë të mbathuna për vedi. Dhe shitësja menjiherë i vuni mbi banak nji palë të mbathuna numër i madh, dhe i thotë:

- Tefë, s'kam tjera veç kët numër kam!

Tefa ashtu i dobët e i vogël, i kqyr mbarë e mbrapsht të mbathmet dhe vendos me i marrë. Paguan paret, merr të mbathunat dhe niset me dalë. Kur...

- Tefë, Tefë ku po shkon?! Prit, se ke me marrë kusurin.

- Lene lene, kusurin ma jep b... i thotë Tefa dhe tërheq derën.

****

Nji ditë vere, Tefa qe ulë te bordura para lulishtes "1 Maji" në Shkodër, nën hije të nji peme. Me dëshirën për me hy në muhabet po edhe për me e tallë pak, nji hetues, që kalonte me "Gaz" aty pari, i thotë humoristit shkodran:

- Ik prej aty mor Tefë, o hyp e t'çova në Degë.

- Unë mezi po rri në tokë, ti më thu me hypë në degë, - ia ktheu Tefa me humor.

****

E pyetën Tefën:

- O Tefë! Kush asht ma i gjati n'Shkodër?

- Unë, - tha Tefa, - pse a ka ma të gjatë se unë?

Ata që ishin rrotull ia dhanë gazit.

- Pse po qeshni - ju kthye Tefa - ba me u hekurosë dal dy metër!!

****

Tefa ishte në Tiranë me grupin e delegatëve shkodranë në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistave. Te holli i hotelit, dikush i shërbimit, për ta ngacmu Tefën i thotë:

- Me cilin ke dëshirë me fjetë në të njejtën dhomë. Ke dy mundsi o me Tinka Kurtin a me Fadil Krajën?

- Po t'jetë puna me fjetë, ma mirë flej me Fadilin! - ia ktheu Tefa...

****

Shkon Tefa për drekë në nji restorant dhe porosit groshë. Kur kamarierja i sjell pjatën Tefa fut lugën në pjatë, e përzien langun dhe kur s'shef asnji kokërr groshe në pjatë i thotë kamarieres:

- Mos u largo se du me më ndihmue pak ...

- Me gjithë qejf - i thotë kamarierja ...

Dhe Tefa heq xhaketen ia le në dorë, heq këmishës dhe ia le në dorë dhe kur po bahej gati me heqë pantallonat... kamarierja e habitun e pyet:

- Ç'ka po ban mor Tefë, nuk asht as vapë"?

- Po zhytem n'lang t'groshës, se mos gjej ndoj kokërr"!

****

Kur e pyeti ish drejtori i kinema "Rozafatit" Dilaveri, Tefën:

- Pse tifoz i gjermanve qenke ti Tefë?

- Po pse me kë me u ba tifoz, me ty? Ti sa kje drejtor dogje kinema "Rozafatin". Gjermanët kanë kalue nëpër Shkodër, e s'e kanë djegë nji jerevi!..."

****

Kishte raste që në tavolinën e Tefës uleshin shumë njerëz e që përfitonin edhe nga bujaria i tij dhe Tefa porosiste kujt një gotë, kujt nji kafe e në fund paguante ai. Po shpejt e kuptoi që disa nga këta ishin tipa i binin qylit. Nji mbramje shkon te tavolina e tyne dhe priti si do të silleshin ata. Asnjeni s'porositi. Pinin veç cigare dhe prisnin të porosiste Tefa. Edhe Tefa ndejti në lojën e tyne tuj pi cigare pa porositë asgja, veç tymoste duhan. Dikur, u mërzit, u çu nga vendi dhe ju thotë miqve të tavolinës:

- Ma bashi natën e mirë, e m'kallzoni kur po mblidhna herës tjetër me pi cigare?!

****

Nji herë Tefa, po rrinte n'breg të liqenit. Kalojnë dy djem andej pari e shofin Tefën dhe shkojnë ta ngacmojnë. E pyesin se çfarë po bante dhe ai u thotë:

- Po gjuj peshk mor djem!

- Po mirë - i thonë ata, - e shofim që po gjun peshk po tullën pse e mban aty?

Tefa si me të qeshun u thotë: Po ma qerasët nji kafe jua kallzoj!

Në fillim ata hoqën dorë, po kureshtja ishte e madhe dhe ia sollën kafen. Si të paduruem djemtë s'po e linin rehat për shpjegimin. Mbasi mbaroi kafen kthehet dhe ju thotë:

- Me grep nuk kam zanë asgja, ndërsa me tullë nja shtatë a tetë peshq.

****

Në stacionin e Laçit, në vagonin ku udhëtonte Tefa u fut edhe kompozitori Ruzhdi Keraj. Mbasi përqafohen, Tefa i zgjat paketën e cigareve "Partizani" dhe Ruzhdiu i merr nji cigare. E ndërsa Tefa po fliste me dikë tjetër, Ruzhdiun si pa u ndje i merr edhe tri-katër cigare tjera!

E shef Tefa dhe i thotë:

-O Ruzhdi! Që vjedh muzikë e kam dijtë, por që ke nisë me vjedhë edhe cigare sot po e marr vesh!

COMMENTS