Andrrime fiorentine.., Gaspër Pali

gasper pali andrrime fiorentine
Mbi asfalt t'udhës, që gjarpnon ngjatë lumi
elektrikët lshojnë nji dritë t'zbehtë.
E hijen, që drita deri n'kalldram tretë,
hapi i jot m'a shkelë, o Mik.
Kshtu, shpirti i jem i shuemi
plagoset nga fjalë t'ueja.

Ti m'peshperitë
n'sa zani t'humbë me Arnin plot zhumhùr:
"A t'bjen nder mend?... Dikùr..."
At'herë më ngjallen kujtime pa pritë,
dhe andrroj të Kleydes sy,
si dy hije qiellore.
Shof në vegim Jolen me ty,
vashen me krrela të zez,
si danga e landve atje poshtë n'Kashine.
Un s'pritem pa të pyetë:
"Vallë, perse u zhduken andrrat kaq me 'i herë?"
Por ti s'flet....
Shikon shpijat si kulla mesjetare
edhe degjon kumbonen kah kerset
atje larg permbi pyrgjet qindvjeçare.

Tingllon zani si ankim
që dridhet n'buzë të mjerë.

"Vallë, perse u zhduken andrrat kaq me 'i herë?"
siellesh ti tash e më pyetë
n'sa nata t'ka rrembye n'vegime.
Por fjala e jote veshin m'a perkdhelë,
si m'perkdhelë kanga e lumit ktu per brî.
Fjala të humbë me t'amblen melodi
që ty e mue na falë nata fiorentine.

Fjal't tash vdesin mbi buzë t'ona...

Vijojmë s'bashku tue shetitë
e dëgjojmë mb'asfalt kundrat tue kersitë.

COMMENTS