Xhambazët, tregim satirik nga Tashko Lako

tasho lako xhambazet
Pazari gumëzhinte si zgjua bletësh. Kishte aty gjithfarë njerëzish e secili për hesap të vet e sipas mënyrës së vet përpiqej të bënte një marrëveshje, një "allishverish", siç thonë pazarasit. Por gjullurdia më e madhe bëhej tek pazari i gjësë. Atje një grumbull njerëzish ishin mbledhur rreth një xhambazi që i bënte reklamë gomarit të tij me dhëmbë të rrafshuar e që kërkonte ta bënte tram me një tjetër për t'i marrë edhe hyst.
- Shikoje, more, të marrça të keqen! Magjari është i fortë! Vështroja vithet! Më të shëndosha se të arixhofkës sime i ka! E kam ushqyer me tagji, more xhan! Mos u bëj pishman! Mban një kuintal në kurriz dhe zotrinë tënde përsipër. Mos e nxirr nga dora!...

Përbri tyre, një grumbull tjetër njerëzish ishin mbledhur rreth një zotërie të veshur mirë, me kapele në kokë, me kravatë e me syze, i rrethuar nga tre xhandarë, të cilët hidhnin vështrimin e egërsuar sa andej-këtej dhe mundoheshin të "siguronin rendin".
- Ja, kështu, zotërinj, - fliste njeriu me syza.
- Sot për atdheun është dita më e lumtur. Sot në mbarë Shqipërinë votohet për deputetët. Ata janë baballarët e kombit tonë dhe shpirti i lartmadhërisë së tij mbretit. Mendohuni mirë, zotërinj. Ju kemi thirrur këtu të votoni për deputetin, për lartmadhërinë e tij Zogun e parë, që zoti e ruajtë e i shtoftë ymrin. Hë, hiç mos u mendoni. Votat që do të jepni për mua është njësoj si t'ja jepni lartmadhërisë.

Por fshatarët heshtnin. Siç duket, nuk u pëlqente "pazari".
Matanë xhambazi fliste e i bënte reklamë gomarit sa t'ja ngecte atij fshatarit të varfër, i cili po e hante sapunin për djathë. Në këtë anë zotëria i bënte reklamë zotërisë së tij që e kishte dërguar gjer këtu e përpiqej t'u mbushte mendjen fshatarëve të varfër të votonin për "babanë e kombit", që gjithe jetën e kishte "shkrirë" për të "mirën" e këtij populli.
Ndërkohë, aty u duk një djalë i ri. I tërhoqën vëmendjen grumbulli i njerërzve dhe pazarllëket që po bëheshin. Afrohet. Dëgjon xhambazin e gomarëve dhe xhambazin e deputetëve. Të dyve balli u ishte mbushur me bulëza djerse. Të dy flisnin me bulçe të fryra.
- Mos u bëj pishman, t'u bëfsha! - thoshte xhambazi i gomarëve. - Magjar si ky s'ke ku e gjen!
- Mos nguroni, zotërinj, - fliste xhambazi i deputetëve. - Deputet si ky s'kini ku e gjeni. Mos humbisni rastin!

Djaloshi pyeti:
- E cili është ky deputet, zotëri? Ku është?

E vështruan vëngër. Xhandarët lëvizën mustaqet. Fshatarët i shkelën synë. Zotëria foli:
- Ai është i madh. Vetë lartmadhëria e tij mbreti e do, e nderon dhe e mban pranë vetes në pallat. Ai nuk ka pse të vijë këtu. Ai rri atje ne Tiranë, në kryeqytet, në pallat, dhe atje bën kuvend me lartmadhërinë e tij, me zotërinjtë ministra dhe me gjithë zotërinjtë e tjerë të pallatit e, që atje, si mendon për punët tuaja, mendon për ju. A e shihni, pra?

Djaloshi pyeti përsëri:
- Po ku i di ai hallet tone, more zotëri?

Zotëria e tij u vrenjt e foli përsëri:
- Hallet e mexhilizit i di vetë lartmadhëria e tij Zogu i parë, mbreti i shqiptarëve. E ti, iu kthye djaloshit, - këpute qafen, ndryshe, - dhe u bëri shenjë xhandarëve, të cilët në shenjë "dashamirësie", hodhën duart mbi kamxhikët që mbanin varur në brez.
Dhe pa e vështruar më atë djaloshin që i prishi terezinë, zotëria e tij u kthye përsëri nga fshatarët:
- Zotërinj, - u tha e sytë tërë rrëmba të kuq i kërcyen përpjetë si sy lepuri, - zotërinj katundarë! Votoni për deputetin tuaj. Ai është juaji. Tërë mbretërisë t'i bini pash më pash nuk ja gjeni shokun.

Pak më tej dëgjohej edhe xhambazi i gomarëve me sa zë që kishte në kokë:
- More vëlla, merre! Eshtë magjar për kokë të magjarit! Tërë mbretërisë t'i biesh pash më pash nuk ja gjen shokun!...

__________

Tashko Lako (Fier, 17 janar 1929), shkrimtar dhe publicist i shquar. Me rastin e 80 vjetorit të lindjes, Këshilli Bashkiak i qytetit të Fierit i ka akorduar Titullin "Qytetar Nderi" i qytetit të Fierit.

COMMENTS