Poezi Zojës së Kalasë

Zoja e Shkodres, Zoja e Keshillit te Mire
Thonë ke ikur,
Larg je mërguar!...
Jo, Zoja e Shkodrës
Askund s'ke shkuar.

Atje tej detit
Ka shkuar ikona;
Zojë e Kalasë
Je nzemrat tona!...

U pa ndër shekuj,
Shihet dhe sot:
Nga zemrat tona
Ti s'ikën dot!

Kush pat si ne
Vuajtje pa masë?...
Kush na dha forcë?
Zoja e Kalasë!

Para torturash
E ndër burgime
Trimat të thirrën:
"O Zoja ime"!

Ball' pushkatimit
Ty t'kishin n'gojë;
Fjalët e fundit;
"N'dor' tande Zojë"!

Ndër përdhunime
Ditë e përditë,
N'terr t'diktaturës
Kush na jep dritë?

Ndaj përtej detit
Ka shkuar ikona;
Zojë e Kalasë
Je n'zemrat tona!...

Idetë e liga,
Zojë, na pllakosën,
Kishat e tua
Tëra u rruposën.

Thua se s'qenë
Djepi i lirisë,
Thua s'u bënë
Mbrojë e Shqipërisë!

Thua dëm prej tyre
Pati Atdheu,
Thua s'qe falur
N'to Skenderbeu!

Por ani, Zojë,
Uratë ne themi,
Si kishat tua
Zemrat i kemi.

Ty t'kërkojnë ndihmë
Në çdo t'vështirë,
Ti na e jep Zojë
K'shillën e mirë.

Se përtej detit
Ka shkuar ikona;
Zoja e Kalasë
Je n'zemrat tona!

***

Ty nuk të lutet
Veç krishtërimi,
Ti je o Zojë,
E çdo besimi.

Çdo shqipëtar
Kështu të flet:
"Zojë e Kalasë
Kam bër' nijet"!

Te Rozafati
Rrëzë asaj kodre,
Çdo ditë të hidhen
Ty lule shkodre.

Merre edhe kët' lule
Që t'a punova,
Në shpirt më lindi,
Ty ta kushtova.

S'do i vë nënshkrim,
Emër kurrfarë:
T'a dhuron Zojë,
Një shqipëtar.

Ty amanet
T'lë Shqipërinë:
"O Zojë e dashur
Na kthe lirinë"!

Se përtej detit
Ka shkuar ikona;
Zoja e kalasë
Je n'zemrat tona!

Kushtuar Zojës së Shkodrës, Pajtorja e Shkodrës dhe e Shqipërisë.
Nga "Një shqiptar" - Shkodër, 4 shtator 1989.

COMMENTS