Gasper Gurakuqi - Çuni i Korculls

Shum janë çunat; por nji kje ÇUNI, qi Shkodra e njef me mbiemrin ÇUNI I KORCULLS.

Çuni i Korculls
Burrë vigan, i páshem, mustaku i tij vesh në vesh, besnik e trim si zâna, me fis prej Shllakut.
Per gjashtë vjet rresht e pat djalë mbas veti Hamzë Aga i Shkodrës, njaj Hamzë Aga per të cilin Shkodra këndon:

Ky Hamzë Aga burrë i mirë,
Me tagan, me dy kubure:
Po ndigjoni, ju Vezirë:
Nuk a Shkodra si në Babune!

N'atë kohë... kohë e vështirë tejet në Shkodër në disa pikëpamje, dergon Franca nji Konsull të përshtatun kohës, trim e të fórt edhe pertej se lypej.
Kerkon Korculla nji "kafaz", trim si vetin e besnik, e ndeshka në ÇUNIN. I ven nishanin në fes e shkopin në dorë; sylahin ÇUNI e kishte vetë.
Gjithkund para Zotnís së vet, qi si mbas zakonit, shkote në kál, a mujte kush mos me i ba Korculls "T'u ngjatët jeta", a guxote kush mos me i zdrypë kalit kuer ndeshet në tê, pse ÇUNI ishte gati me dorë në kubure.

Kur nji ditë qe njí zotni turk, mik i ÇUNIT, ardhun në mâje të kalit; e shifet kjartas se s'e kishte në mend me i zdrypë, qysh me provue Korcullen. Kurr ÇUNI s'e pau vetin mâ ngusht: o me vrá mikun, o me thye urdhnin e Zotnís.
Por trimin besnik, mikun e vertetë, fati tuj hîe ndermjetës, s'e la të koritej as me Zotnin as me mikun. Kalorsit guximtár, në sá po afrohej, i merr kali në thue e rrxohet me gjith tê. ÇUNI kalon me Korcullen.

Abati i Mirëditës, Gasper Krasniqi, i mënijm prej qeverís otomane, rrethohet nji ditë në Shkodër, në shpi të Pashko Gurakuqit në Perash. Loro Gurakuqi del, si mundet, e shkon e lajmron Korcullen. Ndërkoh, ushtarët nisin Abátin per në kalá. Korculla me ÇUNIN u del para, mbas sá valet qi bâne, u a rrëmbyene duersh.
Këndej merret me mend se sá e dote Korculla ÇUNIN.
Ai vetë ishte trim; por trimi i mirë - thonë - me shokë shum; e per shum shokë ishte nji ÇUN.

Por shka se kjo dorë eprorësh të naltë, qi bazohen në trimni, e pasëka si zakon, subalternit të vet mâ të vlefshmit, qi mâ fort dokan, me i a provue trimnín, megjithse i a dijn.
- ÇUN! Kuer të vînë Hamzë Aga nji ditë në kalá, nepja të shtymen prej bedenash e theja qafen.
- Ah, Zotní, më ke urdhnue nji punë qi s'bâhet!
- Ti s'më dashke, ÇUN!
- Shum, Zotni! Nap kryet per Tŷ!
- Pse s'ma ndigjon prá urdhnin?
- Kam hanger buken e Hamzë Agës e s'mund e thej!
- Të lumtë, ÇUN! Tesh më ké dalë shum mâ besnik se para.

Çka s'nodhi me Hamzë Agën, pse ÇUNI, si gjith Shqyptarët nuk e thej buken, nodhi nji farë mënyret, po në kalá me nji Agë tjeter.

Selim Aga, fjalë në fjalë tu'u xanë me ÇUNIN, i shan nishanin e Korculls: e preku në shpírt. Edhe ÇUNI vigan drodhi shkopin e i a krisi krés sá mujt.
U çue kalaja në kambë! ÇUNI, me dorë në kubure, s'lidhej per të gjallë.
E ket herë jo fati, por njaj Hamzë Aga BURRË I MIRË nodhet per fat në kalá e hînë ndermjet.
Kush e pat e pat! ÇUNIT i doli kanga:

Krisi shkopi në Saraj,
Rrahi ÇUNI nji Agaj;
Krisi shkopi në Divanhane,
Qindrò, ÇUN, bre kopilana!
Qindrò, ÇUN, bre kopilan'
Mos ta shájn turqit nishan';
Mos ta shajn nishân' e fesit
Qi t'ká vû Korculla i Françezit.

Qindrò, ÇUN, brè trim i trimit,
Ku ma kè shkopin florinit,
Theje mirë per krye t' Selimit.
Ky Hamzë Aga po bertet:
Xèni vend, jam un ndermjet!
Kush armët ÇUNIT mos t'ja prek,
Sá t'i vinë Zotnija i vet.

Se sa trimninat i bâni ÇUNI per zotnín e vet e sa herë e vûni kryet në rrezik, veç mâ te moçmit e Shkodrës mund e dijn. Por veç nji Zot kenka, i Cili atij qi punoka e qindroka per Tê kurr s'i a sillka shpinen, kurr s'e harroka, se nieri kenka e rrêjshem: mbasi te kryeka qellimet e veta, shpejt harroka, shpejt, edhe pá të drejtë, i u prishka zemra.
Kështu i nodhi edhe ÇUNIT.
I léka Korculls nji djalë, Zoja i thotë ÇUNIT t'i a mbâte ngrykë. ÇUNI , shembull trimit: "Sylahin e kam vû per pushkë, e jo me ma ndye fëmija".
Korculla europjan, burrë i së Shoqes e babë i Foshnjes, mbet i fyem, u ftof prej ÇUNIT... nuk kje mâ Zotnija i perparshem...
ÇUNI mirë e hetoi, e u dá vetë me nderë prej Zotnís së dashtun...

Kallxon Gjok Ndreka i Kotrrit, burrë i vjeter e qi shum vjet pat ndêjë rrogtár me Argjipeshkvin e Shkodrës, Emz. Karl Pooten, se ÇUNIN e motnuem Pooten e desht sá s'ká: shpesh e shpesh e thirrte e shum i u bate ndimë.
ÇUNI la Ndoken; Ndoka la Lecin, Zefin, Markun.
Trimi i urtë e besnik kurr mos u shoftë!

COMMENTS