Ernest Koliqi - Kumbulla përtej murit

ernest koliqi kumbulla pertej murit
Kjo i ndodhi Lec Gurmollës ndër të parat lirime vere qi erdhi me kalue në Shkodër mbas dhetë vjetsh banimi ndër shkolla të përjashtëshme.

Nji ditë korriku i takoi m' u ndalun për mjesditë te nâna e dajës. Kah mbarimi i zhegut, nësa tjerët flêjshin ende, zbriti poshtë n' oborr e mbandej hyni në kopësht mbas shtëpije. S' ishte e para herë, mbas këthimit të tij në Shkodër, qi vinte në shtëpí të dajave, por asnji herë s' kishte pasë rasë me shetitë të gjitha skutat ku strukeshin kujtimet mâ t' âmbla të fminis së largët.

Kopshti n' at mbasdite të nxehtë, heshtte në diell. Ajo heshtje e tij po vlonte me zâne të panjehuna veçse të lehta e me lëvizje disi të shutituna. Lëvizje kandrrash e flúturash; zâne bletësh e grêthash. Ndiehej si nji marrje frŷme e gjânë bimësh, nji aht i thellë bimuer tue u përhapun nëpër at heshtim ari. Lëshojshin hije anave hardhijat e rrëfatuna në hûj të tyné me gjethë stërpikë në gur kali ndërmjet cilve lavireshin vilet e rrushit ende të bleruna e të pashêjuna e në midis pêmët rrjesht e rrjesht, zerdelija, pjeshka, dardha, molla, ftoj, kumbulla. Asaj hije i epte ngjyrë të bruzët ari i diellit me feksime plot gjallní. Kumbullat dêng me kokrra të pjekuna s' mungojshin aty në kopësht. Por sŷt e Lecit, si të tërhjekun prej nji fuqije shortare, kërkuen nji kumbull përtej murit.

Ishin dhetë vjet, e mâ ndoshta, qi s' e shifte at mur. Nji mur i vjetër jo fort i naltë, i nxîm prej kohet me këlqere gjithkund të rame. Ngjyra e atij muri e bânte Lecin me andrrue. S' kishte nji ngjyrë të përçansueme; në tê të gjitha ngjyrat ishin të përmbledhuna. Shiu e dielli, tue e rrahë me vjet e vjet, e kishin veshun me nji lëmashk, të bruzët ashtu si hijet e gjalla të kopshtit. Në skâj të tij, aty ku përbânte kând me nji ânë tjetër, shtrîhej për tê e kacavarej dashunisht nji jesemin plym me lule të bardha të çeluna. Ajo lule me njomsí dhe âmsim të vet ngushullonte pleqsín e murit.

Përtej atij muri në nji kopësht të huej, me do degë të nalta qi zgjateshin edhe këtej, ngrehej nji kumbull. Sŷt e Lecit e përshëndetën me adhurim.

Arsyen e këtij adhurimi as ai qartas s' e kuptonte. Në mjegullimet e kalthera qi mbështjellshin fminín e tij në mbamendje, ajo kumbull naltohej gjallnisht mbi çdo gjâ tjetër. Psehin s' e dinte. As nuk përpiqej m' e dijtë. Atij i mjaftonte ajo andje e hollë qi, tue shikue kùmbullën e huej përtej murit, nga sŷt i rrëshqitte në shpírt, në të cilin zgjoheshin ndiesína të vjetra e shije të harrueme.

Përmbante kopshti i dajave plot kùmbulla boshnjake e bodorike e gabele, me kokrra picigjate e të rrumbullakta, por atij papritmas, turrshëm i flakoi në shpírt nji deshir i falisun.

Ndieu nevojën e çuditshme me i kërkue ato kokrra të vogla, të verdha me ngjyrën e dyllit, të kùmbulles përtej murit.

Njiherit me kët deshir iu zgjue e i vetoi përmbrênda edhe kujtimi se nji trill i atillë ia tronditi shpirtin shum vjet përpara.

Ai s' dinte, as nuk donte n' at ças, me pá qartas ndër ndiesina të veta të ndërlikueme. Lëshohej me mirakândje në valë të tyne. Donte me hypë mbi at mur e me ngrânë aso kumbullash të verdha. Ndoshta ky ish deshir i vjetër qi zgjohej rishtas mbas nji gjumi dhetë vjetësh. Ndoshta ish trill i ri lindë n' at paq zhegu ari. Por kjo s' i duhej gjâ m' e dijtë. Dishka mâ e fortë se urtija e shtŷnte m' u ngjitë maje murit.

"Marrí! S' jam mâ i vogël si atëherë! Dikur do sênde mund i bâjshëm ... Tashti âsht marre me më pá kush ..."

Ky mendim s' i vjefti. Harroi moshën, humbi njohunín e kohës e të vêndit, shtîni në punë kâmbë e duer edhe u gjet maje murit, midis degve të kùmbulles. Si i dishruem, me at lakmí për pêmë në gêmb qi vetëm kalamâjt ushqejnë, çoi dorën kah kokrrat e verdha dhe, kur i shtrëngoi ndër gishta për me i këputë, i rrëshqiti nji të dridhun ândjeje në trup si të prekte mishin e njomë të nji krijatyre nxehtësisht e gjatë mot andrrue e pritë. Lângu i kumbullave i ngjalli në gojë nji shije verash të humbuna, njí âmë, stinësh të mbrekullueshme shlulzue mbas nji prendimi të largët.

Por, qe, syni i xhixhilloi në harén e nji zbulimi të papritun.

Andej murit shtrîhej nji kopësht tjetër shum mâ i hapët se ai i dajave. E shifte at mareshtë gjelbrore tërhjekse nëpërmjet gjetheve e gêmbave. Jo me vullâj të mjellun me gjithnduer barishtesh si ai i dajave, por të tânë bar e i dêndun me lândë. Drita e diellit me mzi depërtonte nëpër degë nalt gërshetue. U futëshin n' at gërshetim të blerët rrezet diellore tue u zbutë e, aty në bar t' imë, qindisë ashtu prej rrezeve e prej gêmbave, halí prrallash shpalisë nên kâmbët e nji princeshe të zhdukun.

At ditë princesha e mërtisun në degërmija ândrre ishte Fmijnija. Kishte ikë për gjithmonë a por do të këthente?

Pa peshue mirë veprën e vet, kërceu prej majes s' murit në kopësht të huej.

Vetëm kur u gjet mbi bar, n' at anë, pau nëpërmjet trupave të lândve të shumta dritoret e nji shtëpije qi çeleshin kah kopshti. Në mënyrë të pacaktueme, mjegullore, i binte në mend ai vênd. Ndoshta kâmba e tij s' e shkelte për të parën herë at bar t' imë, të butë, plot lajle rrezesh e hijesh. I kuj ishte ai kopësht? Ai s' donte me mendue. U lëshonte në rrjedhë të trillit qi e kapi. Eci kadalas si të dronte se po zgjon dikê të fjetun n' at paq të kulluet kû amnija e tokës lumnonte ndër pêmë qi piqeshin në diell. Shëndronte hapat me droje, si ai vjedhsi qi i avitet tue u matë teshës lakmue kahmot. Po, vjedhës... E varun, n' ata gêmba të dendun, në heshtí të mysterëshme, ku zânin mâ të naltë e lëshonte tufa e jaseminëve me erë të vet, derdhë këtej nga kopshti i dajave, pèzull n' at gjymsatërr t' âmbël ku hija e drita putheshin dashunisht, si dy motra bashkue në nji mall të dridhun, rrinte degërmija qi mërtisi dikur fytyrën e Fmijnís. At degërmí zbriti me pushtue ... Jo vjedhës s' ishte... Përkundrazi dikush qi flênte n' at kopësht i kish vjedhë dishka të çmueshëm në shpírt ... Tashti ecte mbi bar të njomë m' e gjetë at pjesë të humbun të shpirtit e, pa u kujtue, i avitej shtëpís.

- Ej ti djalë, shka lypë khâ?

Nji zâ kërcnues grueje kumboi befas n' at paq shortar ku pluskojshin ândrrat e tija. U trêmb e iu dha, n' at të parë, me ikë vrap kah erdhi. Por i rá në mend se mjerisht s' ishte mâ kalamâ, e se duhej disi spjegue pranija e tij n' at vênd të huej. U gjet ngusht. I vinte marre. Si i dejun ishte futë në nji pyll prej kah do të dilte i turpnuem. S' guxonte me i çue sŷt kah dritorja prej kah prap kumboi zâni. Nji zâ, kët përshtypje pat, i ri, muzikuer.

- A nuk dron se mundem me të paditë nânës-dajës-a?

Kësaj here tingullonte në zâ nji gaz i përzêmërt. Ajo grue atje nalt tallej. Çoi sŷt. Nji plakë me dy sŷ të gjallë e me nji shamí ngjyre-hîni në krye, i flitte prej dritores tue qeshë.

- Hajde, atje e ké derën. Shtŷje se çilet. Hajde se due me të bërtitë.

Ai bâni si tha ajo. Hyni në nji oborr, krejt në hije, plot freskí, ku ndieu nji ndije të papritun flladitjeje. Gryka e pusit, sjellë motit nga Venediku, edhe lugu ngjat saj, ndritëshin të bardhë në nji skâj. Limoj n' arkë të ngjyeme në të blerë e lule në saksija e shimshirë shatorr e mbushëshin oborrin e ngushtë. Ai iu ngjit shkallave të nji shtëpije së vjetër, mbajtë shum mirë. Nalt e pritte buzqeshun, plaka e dritores, veshë me brandavekë e bohçe të bardhë përpara.

- Urdhnò - edhe e qiti në nji odë prej kah nëpër dritore shifej kopshti i ândrrave të tija.

Djali e shikonte tue heshtë. Fytyra e saj mbushë me rrudha ndritte kur i qeshëshin sŷt q' i kishin mbetun të gjallë e të rij si zâni muzikuer.

- Ça me ké bâ me qeshë ... Të kam pá tue këcye prej murit. Menjiherë të njofta. A të bjen ndër mênd sa sherret m' i ké bâ? Për gjith verë gjymsën e atyne kùmbllave m' i vidhshe. Mbandej më hîjshe në kopësht ...

Ajo rrinte në kâmbë para tij qi shtrîhej në minder. Fytyra, me ata sŷ flakuesa në midis, përsiellte, me lëvizje të gjalla pêjzash e rrudhash, tregimin.

- Mâ... s' e xên besë sa u gëzova kur të pásh tue këcye në kopësht. Malli të ka hjedhë këtej, e dij. S' të kam bâ zâ. Të kam lânë m' u avitë. Kur të fola, deshta me të trêmbë, si atëherë ... Më janë lecue vjett në shtat kah të shifshe tue ecë hajnisht si dikur!

Fshâni. Doli prej odës. Leci s' mendonte kurrgjâ. E ndiente veten mirë n' at odë të freskët t' asaj shtëpije të vjetër në nji âmtí pushuese.

Zoja e shtëpís këthei me nji tabake ndër duer. I vûni para nji çini reçel.

- Âsht i bâm me kumbullat të tuja - tha me at zâ të ri qi djalit i dukej se buronte nga kalesa e largët.

Kuptonte plaka se tue ia paraqitë at çini me reçel kumbullash, t' atyne kùmbullave, kryente nji vepër poezije shum të hollë e të njomë? Ai reçel kishte nji vlerë të madhe symbolike, n' at mbasdite në të cilën gjithënji shpirti i tij përkundej në mall të nji moshe së humbun. E shikoi ngultas. U çudit. Po, ajo kuptonte.

Kur ai në kopësht të heshtun kërkoi hijen e ditve të sosuna nuk dridhej i vetëm n' at ndiesi të mallëngjyeshme. Plaka, tue e ndjekë ndër lëvizje të tija, bashkohej shpirtnisht me tê. Gjithënji në fytyrën e pastër, ku lëshonte dritë jeta e gjatë e saj kalue fisnikisht në frŷmë të zakoneve tona mâ të bukura, i lexohej po ai rrëmbim malli qi pat edhe ai.

Uli kryet e kërkoi reçelin. Ndieu prap nji shije verash të fikuna, stinësh të largta qi sidomos mbasi prêndojnë na lânë në shpirt lumnín plot shqetësim t' amës së tyne të mrekullueshme.

Kur çoi fytyrën vroi se ata sŷ të mbetun të rij të grues, qi rrinte tue e shikue nësa ai ngrânte, qitshin lot të heshtëshëm. Porse, nëpër lot, qesheshin.

__________

grêth: arëz e madhe me thumb helmues.
aht: psherëtimë.
rrëfatuna: të degëzuar.
pashêjuna: paprekura.
bruzët: bojë qielli e mbyllët.
shortare: magjike.
të përçansueme: të përcaktuar.
pleqsín: vjetërsinë.
i falisun: i çmendur.
gabele: të zeza.
i vetoi: i vetëtiu.
s' i vjefti: s' i vlejti.
pêmë në gêmb: fruta në degë.
gjatë mot: prej kohësh.
âmë: burim.
mareshtë: kopësht me pemë mareje.
vullâj: copë toke e vogël në kopësht mbjellë me lule e varushte.
gjithnduer: gjithfarë
lândë: pemë.
halí: qilim me push qëndisur me lule.
princesha e mërtisun në dëgërmija: princesha e mbuluar me shami.
khâ: këtej.
shimshirë shatorr: shkurre bushi në formë çadre.
pêjzash: dejsh.
lecue: lehtësuar.
amtí: depozitë.
kalesa: e shkuara.

COMMENTS