Kuvendi i Berlinit, Lahuta e Malcis

lahuta malcis kuvendi berlinit
Deh! oj Zânë, tyë t'kjosha true,
A thue din ti me m'kallxue,
Se ç'ká ndêjë tuej bumbullue
Andej larg kah Rumelija,
Kà ajo Plevna e Bulgarija?
A kjenë topa a veç kjenë gjâmë,
Qi u dridh toka ashtû nên kâmë?

Besa, jo, pra nuk kjenë gjâmë
Qi u dridh toka ashtû nên kâmë;
Por kjenë topat e Rusís,
Kjenë havanet e Turkís
Qi bumbulluen fushës s'Rumelís,
Nâtë e ditë tue rrahë pá dà,
Rumelín t'tânë n'gjak tue e là
Kà na u pre Turku me Shkja,
Me Miskov Turku kà u prè.
Rrëmej gjaku shkulm mbí dhè:
Si mjerë zêmra e atyne nanavet,
Qi i pa'n djelmt atyne anavet
Perse kryet nên grykë t'havanavet,
Kur të rrahin kta batare,
S'i bân nierit, jo, nji pare.
Bre mâ zí 'dhe pat per t'ndollë
Pse t'u rrasë kje Shkjau n'Stamollë,
Me zhbî Mbretin m'post të vet;
Veç se u rán Krajlat ndermjet,
Edhe pushka tashti prâni.
Sod t'shtatët Krajlat e Sulltani
N'at Berlin na jânë bashkue,
Na kan nisë me bisedue
Se si pûnen me e vêndue,
Per me vû paq edhe besë,
Per me shue luftë e ngatrresë,
Zêmer t'keqe, mní e resë,
Tue ngulë gúr, tue ngulë kufí,
Per gjith vênd, per gjith mbretní,
Gjatë Balkanit m'Det të Zí.

Por tue kênë se besë e fè
Nuk po kisht', jo, sod mbi dhè,
E se i forti, n'armë merthye,
Aj po kisht' gjithmonë arsye,
Un tue e pasë jam ktû do frigë
Se na bîn ndoj pûnë e ligë
Per Shqypní e per Shqyptarë,
Ke kta s'kan miq as kumarë,
Qi me e folë per ta nji fjalë,
Qi me hî atŷ zot me u dalë.
Pse, edhe qe, qaj Knjaz Nikolla,
Lshue dollamen pola-pola,
E me 'i strugë të gjânë dy pllàmë,
Me 'i kosh rrethe neper kâmë,
Shkye shallvarësh mbî kupë të giûnit
- Me ju dhimët gurit e drûnit -
Aj po u del Krajlave para,
E me fjalë e dokrra t'mara
Po ja nisë atŷ me kjà:
Se aj tokë buke nuk po ká,
Bjeshkë e vrrî se atì i jânë thá,
I jânë thá e i jânë shkrumue,
Te tânë shkam e rrasë e lmue,
Pa nji kallzë, pa nji shkop drùje,
Sa qi poplli, rreshkun ûje,
Asht ka' i del prej Cërnagore,
Po s'ju lshue nji tokë gratshore,
Si, bjen fjala, toka arbnore:
Toka arbnore,tokë me nâm
(Blé me pash e shitë me pllâmë,
Pashi argjand, pllâma florî,)
N'daç per bjeshkë e n'daç per vrrî,
N'daç per dhên e n'daç per dhì,
Si per bukë, si per tagjì,
Si per pûnë, si per tregtì.

Edhe Krajlat po e ndigjojnë,
Po e ndigjojnë - as s'po e qortojnë,
Veç se bashkë me Mbret t'Stambollës,
Po na i napin dorë Nikollës,
Me mârrë Plavë, me mârrë Guci,
Me mârrë Shkodren me Malcì,
Der kû dàn vêndi me Drî.
- Shi atê Zoti m'a marroftë,
Mbret a Krajl a kushdo kjoftë,
Qi vû dorë m'leter mâ i pari
Vêndit t'vet me dalë Shqyptari,
Ase rob me ndêjë nên Shkjà,
Pagë e t'dheta atì tuj lá.
Se, per Zotin - kjoftë levdue! -
Per pa u bâ gjaku der m' giû,
Kurr Shqypnìn s'kèm per t'ja lshue.
Se kur t'mêrret, vall, Shqypnija,
Flakë do t'ndezet rrokullija,
E do t'bînden fiset t'tàna
Kahë bjen dielli e kah mêrr hâna.
Gjaku i jonë, po, ka me vlue,
Nama e jonë, po, ka me ushtue,
Ka me i shkue m'vesh Perendìs,
Edhe i Lumi, n'frymë t'idhnìs,
M'vênd Europen ka me e vra:
Te tànë n'gjak ka per t'a la. -

Kúr ka ndî qaj Knjaz Nikolla,
Se atì Europa edhe Stambolla
Dorë i dhânkan mbî Shqypnì,
- Me dalë cubi nji zotnì,
Vû kapicen m'njanin sŷ,
Se ç'ka nisë aj me këcye,
Se ç'â hjedhë e ç'kà lodrue,
Se' dhe kângës ç'ja ka fillue,
Porsi krushku tuej Vallzue:
Lum-e-lum, po, i biri i Shkinës,
Se nder ksolla të Cetinës,
N'ato kohë qi kan me ardhë,
Kà me ngrânë aj bukë të bardhë,
Kà me zì aj mish taroçit,
Kà me pí, po vênë prej poçit,
N'të dy faqet me i plasë gjaku,
Kacadrê me i ndêjë mustaku.
Në Cetinë mandej ka dalë,
Pàl Milanit ka çue fjalë:
- More Pál, more ti djalë,
Nji sahat mos t'bâjsh me u ndalë,
Por fluturo si gjeraçina,
Edhe peja ke Cetina;
Pse due t'ap un ty nji ushtrì:
Pêsë taborre djelm të rì,
T'tânë Sokola lè në Maltzì,
Per me i qitë n'Plavë e n'Gucí,
E ato vênde me m'i shtrue,
Se ato Krajlat m'i dhanë mue,
Me shkelë m'to gjith si të due.
E mandej, si per nji javë
T'm'i keshë shtrue Gucí e Plavë,
M'beh t'm'i bijsh Lekve t'Malcìs,
- Si njaj ujku prej pusìs, -
E me shpatë e me konop.
Të m'i bâjsh mue Lekët per shkop,
Edhe vêndin, gjânë e gjatë,
T'm'a jau pushtojsh der m'Prrue te Thát.
Pse, si shtrue t'a kèm Malcìn,
T'kèm marrë Plaven e Gucìn,
Atëherë na po t'rrasna n'Shkoder,
Tue lujtë valle e tue kcye loder,
Si ata mâzat neper lâmë,
Pa na hî kund ferrë në kâmë. -

Pál Milani thotë nji fjalë:
- Njiksaj pûnë â vshtirë me i dalë;
Se p'r'i javë s'shtrohet Malcija,
Se as me pushkë s'merret Shqypnija.
Vênu shêj, po, fjalve t'mija,
E mos nguc grênzat me krande,
Perse ngucë të zezen t'ande.
Pse edhe jashtë n'ket pûnë ke marrë:
Per pá t'pasë kush gjak as varrë,
Nuk thotë Zoti, as s'e ep kanuni
Në vend t'huej me hî perdhuni.
Jo, po, m'thuej në zjarm me ranë,
Me i ra - detit ânë e m'ânë,
Se n'fjalë t'ande atje do t'veta;
Por n'Shqypnì, besa, s'mund t'veta. -

Qeshi Knjazi vesh e m'vesh'
- Se ti s'kenke-o-burrë prej nesh:
Kênke burrë veç me ngrânë pshesh,
Ç'se ja nisë me m'predikuemun,
Thue se i' grue vetë kam qilluemun
Qi mu u trêmë prej fjalve t'ueja,
Per çka m'flet, per vênde t'hueja
Jo, po, mirë do t'isht' per ty
Kamelaf me vû ti n'krye,
Me lshue mjekren der nen gjì,
E me dalë Pop ti n'Maltzí,
Per n'mos daç ti n'shpì me shkue
Me njitë furken porsi grue,
E aty n'derë, ndêjë mî ndoj krroqe,
Me tjerrë m'bosht me t'ânde-shoqe,
Tuej u xè me tê n'shullâ
Se per luftë s'u dashke gjâ.
Sa per luftë âsht Mark Milani
Burrë si motit, trim si luani,
Qi edhè ushtrìs ka per t'm'i prî,
Per me shtrue Plavë e Gucî,
Per me shkelë Lekë e Malcì.
Edhe Shkoders mrêndë me i hî;
Me i hî mrenda me bajrak:
Me bâ Shkodren Karadak. -
Kshtû tha Knjazi e lshoi kushtrimin,
Per me mledhë n'ushtrì burrnimin.

Pingroi Zâna neper molla:
- Hajde! hajde! or Knjaz Nikolla,
Se pak gjatë je shtŷ me fjalë:
Se vjen moti per kadalë:
E s'din nieri kû mund t'dalë,
Po kje 'imend se lshon aj vrapin
Mâ të madh se t'a kèt hapin
Si, me gjasë, ti do m'e lshue,
Ç'se nder mênd ty t'âsht ngujue
Në Gucî nji ushtrì me e çue,
Shqyptarîn nji herë pa e pvetë
A thue e lshon Gucîn e shkretë,
A thue e lshon Malcìn e ngratë,
Per pa i shprazë dy pushkë m'të thatë.
Me Shqyptarë, more Nikollë,
Mundet nieri ngusht me ndollë,
Po s'u shkoi aj mrêndë per mik;
Se ata lè kishin çelik,
E vû sŷ kishin me dekë,
M'erz a m'tokë me pasë me i prekë,
S'ka shka bân, jo, nder ta i huej,
Se ata gjallë s'i shtrohen kuej,
N'dashtë t'jèt Knjaz, a n'dashtë t'jèt Mbret;
Se atà Mbret po ishin n'dhè t'vet:
Fort gabon kush i gerget!

COMMENTS