Luani i Shkodrës - Mjeshtëri i muzikës Luan Barova

Gjithnjë kam patur dëshirë të dëgjoj për të rinjtë e talentuar e të aftë dhe t'i ndihmoj me sa të kem mundësi... kështu që kur e pashë për herë të parë në shfaqje të estradës, muzikantin e talentuar Luan Barova, ndjeva ngazëllim gërshetuar me kënaqësinë që të jep mendimi se qyteti ynë i shquar për traditat muzikore, lind gjithnjë elementë të rinj, të aftë e të talentuar. E kuptova menjëherë se Luan Barova ishte një shpresë e re që do ta çonte më tej punën e paraardhësve të vet në muzikë. Prandaj isha i kënaqur kur e shikoja më vonë në majat e artit shkodran, jo vetëm si një instrumentist virtuoz, por edhe si drejtues dhe i përkushtuar.
Ai i solli muzikës në Shkodër elemente të reja, zbuloi e përgatiti shumë talente në fushën e këngës, si në atë qytetare shkodrane ashtu edhe të muzikës së lehtë. Sa herë që shkoja për të parë shfaqjet e estradës profesioniste vija re diçka të re, sepse ai ishte novator në punë dhe dinte të plotësonte shijet dhe kërkesat e spektatorëve. Kjo mendoj se ishte një veçori me vlerë e talentit të tij të madh.
Vitet e fundit të jetës së tij të shkurtër, ai iu përkushtua këngës qytetare me devocion të pashoq dhe për këtë do të mbetet veçanërisht i paharruar... Ai la një emër të mirë që nuk do të harrohet. (Prof. Dr. Jup Kastrati)

"Është njeri me vullnet gjigand, talent i shkëlqyer, fizarmoniçist virtuoz. Është një Prenkë Jakovë i dytë". (Tish Daija - Akademik, "Artist i Popullit")

"Me aq sa e njoh unë Luanin, muzikantin e shkëlqyer, ai është me përmasa botërore në aspektin e interpretimit në instrumentin që zotëronte (fizarmonikë) si dhe njohjes së muzikës popullore, veçanërisht asaj shkodrane. Ai ishte njeri me të dhëna të spikatura, meditativ, punëtor, megjithatë madhështor". (Ferdinand Deda - "Artist i merituar")

"Ka patur aftësi interpretuese të jashtzakonshme, fizarmoniçisti ndryshe, shpirt shoqëror të veçantë. Kudo serioz: në skenë, mbrëmje intime". (Robert Radoja - Pianist, pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë)

"Ishte mik i këngëtarëve, artistëve, një mik i Shkodrës. Nëpërmjet Luanit, Shkodra ka patur një ambasador të muzikës në Shqipëri e botë... Brezi i ri, duke përfshirë edhe veten, kemi mësuar prej tij; instrumentist i talentuar, kemi marrë nga ai në shumë drejtime". (Shpetim Saraçi - Kompozitor)

"Njeriu buzagaz në skenë, një buzëqeshje që i buronte së brendshmi, ashtu siç i buronin motivet e këngës shkodrane. I lozte me ndjeshmëri të thellë dhe pasion". (Haxhi Dalipi - Dirigjent)

"... kam patur shumë aktivitete dhe dua t'i ruaj si gjëra të shenjta. Njeri i mirë, artist i mrekullueshëm. Ka bërë shumë për këngën shkodrane, e ka ngritur në piedestal". (Kastriot Tusha - Tenor, pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë)

"Kam bashkëpunuar në shumë aktivitete që kemi bërë në RTSH, ka qenë personazhi kryesor i orkestrimit të këngëve popullore... Artist i mirëfilltë". (Adrian Hila - Kompozitor)

"Ka qenë një profesionist shumë i mirë në instrument, me shumë ekzigjencë, i talentuar në fushën e orkestrimit, në fushën e lojës në fizarmonikë. Ripërtëriu shumë këngë". (Edison Miso - Kitarrist)

".... i talentuar, dirigjent brenda vehtes së tij. Muzikant i vërtetë, orkestrues i mirë, personalitet në Shkodër". (Shqipe Zani - Soprano)

"Mes muzikantëve të talentuar të brezit të vet, Luani shquhet për dashurinë për muzikën popullore, për vullnet e përkushtim të madh drejt realizimit të fizionomisë si interpretues dhe krijues...". (Gjon Shllaku - Kompozitor)

Shënim i autorit: Një pjesë e vlerësimeve janë intervista të realizuara nga Bujar Qamili në Tiranë në vitin 2003, në librin "Portret artisti" Ridvan Karakaçi, Ferid Kola, Gazeta "Shekulli" dt. 16 korrik 2002.

Luan Barova, Luan Borova

Luan Ymer Barova: 03 janar 1957 - 07 korrik 2002


U lind në Shkodër në vitin 1957, në një familje shkodrane. Deri në moshën 14 vjeçare ai studioi fizarmonikë.
Arsimin profesional e filloi në Shkollën Artistike "Prenkë Jakova" në Shkodër në vitet 1971 - 1975, në klasën e trombonit. Puna në fizarmonikë dhe sukseset e tij mbeten fryt i këmbënguljes dhe vullnetit të fortë që kishte filluar që në moshën 10 vjeçare.

Koncertet e para i jep në qytetin e tij, në Shtëpinë e pionierit, më pas në klubin e rinisë "Heronjtë e Vigut", në Shkollën Artistike "P. Jakova", dhe në Teatrin "Migjeni".

1975 - 1976, punon si drejtues në Klubin e Rinisë "Heronjtë e Vigut", ku dha shumë koncerte si solist apo si drejtues i një formacioni rinor me këngë qytetare shkodrane e të muzikës argëtuese.
Në vitin 1979 kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera. Virtuoz në fizarmonikë, i shkëlqyer në trombon, luante në piano dhe i formuar në disiplinat muzikore.
Në 23 vitet e aktivitetit të tij artistik (1979 - 2002), si profesionist në Teatrin "Migjeni", një vit si Udhëheqës Artistik i Ansamblit të këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, jo vetëm ruajti përfaqësimin e speçifikuar muzikor të qytetit të Shkodrës, të këngëve të Shqipërisë së mesme e të Kosovës, por e bëri atë më cilësore, më autentike, më të pranishme e të dashur kudo, në mbrëmje intime, skena, sheshe, studio e ekrane radio-televizive në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë Shqiptarët.
Luani shquhet si instrumentist solist, drejtues, udhëheqës artistik, orkestrues e pedagog.
Opinioni muzikal e vlerëson Luan Barovën si fizarmoniçist virtuoz të një klasi të veçantë, më brilanti i tërë kohërave në Shkodër. Në duart e tij, ky instrument u bë i aftë ashtu si violina, pianoja e violonçeli, të shprehë një gamë emocionesh të gjëra e të larmishme.
Si drejtues artistik, me Luan Borovën kënga qytetare Shkodrane, e Shqiperisë së mesme dhe ajo kosovare, për herë të parë në historinë e shoqërimit orkestral, krijoi raporte në bashkëtingëllimin e formacionit orkestral me solistin. Tingulli bëhet i rëndësishëm për shoqërimin e këngëve qytetare.
Evolimi i ndjeshëm që pësoi kënga qyetare shkodrane është i lidhur ngushtë me punën e tij si orkestrues. U bë reformator në këtë aspekt të rëndësishëm të këngës. Nëpërmjet orkestracionit zbuloi tek kënga emocione të reja, e ngriti atë në hapësira të padëgjuara më parë.
Fondi i tij përmbledh dhjetra e qindra këngë të orkestruara dhe ekzekutuara prej tij, të ripunuara në disa variante të cilat përmblidhen në mbi 600 këngë qytetare shkodrane, të Shqipërisë së mesme dhe të kosovës. Ato dëgjohen kudo, në ambjente familjare, Radio - Shkodra, TV lokale, RTSH, TV Klan, radio e Tv të Kosovës.
Në bashkëpunim me Luan Barovën shumë këngëtarë u bënë individualitete të spikatura edhe në shkallë kombëtare, si Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Florinda e Ndrekë Gjergji, Bujar Qamili, Myfarete Laze, Vasil Marku, Filomena Leka, Mimoza Rama, Mukades Çanga, Enriketa Kuqani, Violeta Zefi, Bashkim Alibali, Eduard Jubani, Frederik Ndoci, Rita Ndoci, Broz Gocaj, Vjollca Luka, Adnan Bala, grupi vokal "Karajfilat që ka Shkodra". Vetëm me këngëtarin Bujar Qamili "Mjeshtër i Madh", ka realizuar mbi 50 regjistrime, 3 koncerte recitale. Muzika e tyre është kolonë zanore e një filmi italian "Saimir" me regjisor Francesco Monzi.
Si udhëheqës Artistik, ai gjithmonë pasuroi korpusin e këngës qytetare shkodrane, të Shqipërisë së mesme dhe asaj kosovare me repertor të ri.
Megjithëse nuk përbën fushën kryesore të veprimtarisë së tij artistike, ai kompozoi këngë për fëmijë, këngë të tipit popullor, muzikë për dramë dhe muzikë argëtuese.
Shkodra i është mirënjohëse këtij artisti për zhvillimin që i ka dhënë këngës qytetare shkodrane dhe muzikës në përgjithësi. Për të gjitha këto arritje në vitin 2002. Këshilli Bashkiak i qytetit e vlerësoi me Titullin "Krenaria e Qytetit", në vitin 2005 kolegët e tij artistë, muzikantë e këngëtarë organizuan një koncert madhështor me krijimtarinë e Tij regjistruar dhe transmetuar nga Televizioni Shqiptar; në vitin 2006 Unioni Artistik i Kombit Shqiptar e vlerësoi me Titullin "Mirënjohja e Unionit" me motivacionin: "Për krijimtari me vlera të larta artistike"; në korrik 2007 në Festivalin e përvitshëm Folklorik-Tipologjik Kombëtar të zhvilluar në Shkodër akordohet titulli "Luan Barova" për orkestrën më të mirë (fituar nga orkestra e Elbasanit) dhe po këtë vit realizohet dokumentari kushtuar Luan Barovës i titulluar "Shpirti i përbashkët".

Aktivitetet kryesore të relizuara nga Luan Barova gjatë jetës së tij artistike

Nga viti 1979 deri në vitin 1993 ka realizuar si drejtues dhe udhëheqës artistik nga 4 premiera në vit, duke përfshirë mbi 40 këngë qytetare dhe të muzikës së lehtë, të cilat gjenden në fondin e arkivit të Teatrit "Migjeni".
Në çdo premierë ka realizuar 2 deri 3 numra solistikë duke përfshirë muzikë klasike dhe muzikë të tipit argëtues (një nga këto premiera gjendet e regjistruar në arkivin TVSH).

Në fondin e Radio Shkodrës ka rreth 600 realizime të këngëve me formacione të ndryshme dhe orkestracione të reja, duke krijuar modele të këngës.

Në arkivin e RTSH gjenden 2 koncerte të mëdha me këngë qytetare të regjistruara: I pari (i ndarë në 2 koncerte) në vitin 1984 dhe i dyti i përket vitit 1987.

Nga viti 1979 deri në vitin 1993 ka realizuar koncertet e fundvitit me trupën artistike të Teatrit "Migjeni".
Ka qenë pjesëmarrës si solist, orkestrant dhe orkestrues në disa aktivitete të RTSH me këngë qytetare mbarëshqiptare (arkivi i TVSH).

Në vitin 2001, në kuadrin e simpoziumit mbarëkombëtar të këngës qytetare shkodrane, Luan Barova ka realizuar një koncert me 36 këngë shkodrane ku ka patur rolin e solistit, drejtuesit, orkestruesit dhe udhëheqësit artistik, si dhe përgatiti mbi 20 këngëtarë. Ky koncert është regjistruar nga Tv Klan dhe gjendet në arkivin e këtij televizioni.

Në vitin 1980 është realizuar një koncert me këngë qytetare shkodrane me formacionin "Grupi Popullor i Radio Shkodrës", i zhvilluar në një turne në mbarë Kosovën, ku Luani ka pasur rolin e drejtuesit dhe orkestruesit me udhëheqës artistik artistin e popullit Pjetër Gaci. Koncerti është regjistruar nga RTSH dhe gjendet në arkivën e këtij të fundit, gjithashtu inçizimet janë realizuar dhe gjenden në RTK (Radio Televizioni i Kosovës) ku te ky i fundit gjendet i regjistruar edhe video, si dhe në Radio Shkodra (audio). Madje Artisti i popullit Çesk Zadeja për këtë formacion është shprehur se mund të thuhet pa frikë se është grupi më i mirë që ka përfaqësuar ndonjëherë Shqipërinë jashtë kufijve shtetërorë.

Ka dhënë dhjetra shfaqje në shumë vende të Evropë dhe në SHBA për shqiptarët (edhe për të huaj) gjithnjë në rolin e drejtuesit.
Fitues i çmimit të dytë në festivalin e këngës në Radio Televizion 1999 me këngën "Të ndez një shpresë", kënduar nga këngëtarja Myfarete Laze ("Naim Frashëri i Argjendtë"). Po kështu kontributi i këtij artisti qëndron edhe në fushën e këngës për fëmijë: në fëmijëri e rini si instrumentist e më vonë si krijues.

Vlen të theksohet kontributi i tij në punën me këngëtarët e rinj në periudhën kur punoi në estraden profesioniste si: Diana Alibali, Rita Shita, Mimoza Selimi, Arjana Qalliu, Shqiponja Lishi, Enver Shaqja (ish-student i ardhur nga Tirana në ILPedagogjik), Rubin Mati, Arjan Elezi, trio vokale me këngëtaret Fozilet Shishkja, Marjana Shaka, Rozi Shllaku (Nenshati) etj, krahas këngëtarëve me përvojë si Frederik Ndoci, Rita Ndoci, Luigj Alia etj, si dhe në vitet pas 1990-es me këngëtarë si Alma Velaj, Hajro Pepa, Valmira Katana, Blerta Cina, Ervin Bushati, Arben Sinani etj.

Më 13 tetor 2011, Presidenti i Republikës z. Bamir Topi dekoroi Luan Barovën me titullin "Mjeshtër i Madh" (pas vdekjes) me këtë motivacion: "Për kontribut të shkëlqyer në ruajtjen dhe zhvillimin e këngës tradicionale shkodrane, së Shqipërisë së Mesme dhe asaj kosovare".

Luan Borova, Gazmend Kraja
Luan Barova, Gazmend Kraja (autori)

V.O: Bashkëpunimi me këngëtaren Myzejen Berdica i takon vitit 1998 ku për herë të parë doli në pah kënga origjinale e kompozitorit Hasan Preza (që me sa di unë ka qenë daja i saj) "O dritë sa të du", Luani i ka ba introduksionin dhe orkestrimin me elektronikë dhe instrument të gjallë dhe incizimi asht ba në studion private të Luanit në atë kohë e instalume në studion e madhe të Radio Shkodres, plus edhe kangen "Dalin vajzat prej mejtepit" po të Hasan Prezës. Këto kangë duhet të jenë në Tv Rozafa ose Tv1 Channel (nuk më kujtohet kush e ka regjistru). Kjo që po tham asht e saktë se kam kenë vetë prezent se në atë kohë punojshim bashkë me Luanin.

Gazmend Kraja/shkodradaily.com

COMMENTS