Hamid Gjylbegu - Vegimi

Vegimi
Kur qillon ndokund qi më ndeshë
Miqësi don me më rrëfye,
Me buzë në gaz, me sŷ tue qeshë
Porsi vjollcë më përkulë at krye!

Balli të mbushet krejt me djersë,
Si prendverë kah shkon e vjen,
Porsi lili plot me voesë,
Në nadjè heret kûr shpërthen.

Sŷnin mekshëm kahë m'a lshon
As pak s'mundem me të shique;
A jè zânë moj qi më shiton
A prej qiellit kè ague?!

Un s'e dij jo se shka jè,
As nuk dij se kû jè rritë!
Me dukë të bukur por qi kè
Porsi hâna në terr po ndritë!

Hâna dritë të zburitme lshon,
Nalt prej qiellit tue kundrue,
E natës terrin i a zbuton,
Me ato rreze zbukurue!

Ajo mallin mue m'a shton
Kto kujtime m'i përsritë:
Si n'vëgim diçka më tregon
Para sŷsh larg tue m’a qitë.

Zêmra e shkretë e emja vuen
Tue u marrë me njat vëgim,
Tash qi në gjumë natyra shuen
E i gjalli âsht në pushim.

Ahh! sa herë mue nett më kalojnë
Për pa fjetë pa u kotullue,
Hŷjt e qiellit e dishmojnë
Qi rrinë çuet tue xhixhillue.

Njishtu hâna kah po ndritë
N'âmë të detit më dán se kqyrë;
Porsi vasha tue u goditë
Tue u veshun në pasqyrë.

Hiqmu vashë! mas m'u bedit,
Mos m'u shtîn, ti, o Perri!
Ndër kujtesë mue mos më qit,
Me atë të kândshmen bukuri!

Se kujtesi me shumë mallë
Njerin shpejt e plakë e e thînë;
Porsi qirin flakë e kallë
Porsi borën në shkâmb e shkrînë.

Po si kûr ajo mos të jetë,
Shkâ t'a bâj un rrojtjen kot?
Shkâ t'i due ksaj jetë të shkretë
Qi gjithmonë lahet me lot?!

__________

* Portreti nga Fulvio De Marinis.

COMMENTS