Pader Anton Harapi

anton harapi pader
Anton Harapi lindi në Shirokë, lokalitet afër liqenit të shkodrës, më 5 janar 1888. Babai Loro dhe e ëma Çile Koliqi e pagëzuan me emrin Gaspër.
Që në moshë të re bashkë me të vëllanë, Markun, qenë të thirrur nga rruga e kishtarisë. Mësimet fillore i kreu në kolegjin e jezuitëve dhe më tej në kolegjin e françeskanëve. Rezultatet e shkëlqyera në shkollë i mundësuan të vijojë mësimet e larta në Salzburg, e pastaj në Schwaz e Villach të Austrisë, dhe më vonë vijoi studimet teologjike në Romë.

Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazese e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën "Zoja Rruzare" në lagjen Arra e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit L. von Berthold dhe Ismail Qemalit. Më 1916 në Dukagjin ra kolera, P. Antoni vajti si shërbetor pranë tyre, për t'i ngushëlluar dhe ndihmuar drejtpërdrejt nga ana profilaksike kundër kolerës. Dy vitet e fundme të Luftës së Parë Botërore e gjeti famullitar në Grudë të Malcís së Madhe. Organizon menjëherë tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh dhe ua uli parinë në Shkodër që t'i dorëzonin memorandumin e përgatitur nga ai vetë në vitin 1918, komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me Luigj Gurakuqin dhe P. Gjergj Fishtën, harton një peticion të nënshkruar nga 200 përfaqësues të tre bajrakëve, drejtuar përkatësisht Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër, organizuan demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur: "Hot e Grudë ishin betue, Pa gjak malet mos me i l'shue".

Në takimin që formoi grupin "Ora e Maleve", nga fillimi i vitit 1923, merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve. Ishte bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, së bashku me Ernest Koliqi të shoqërisë "Rozafat" dhe Zef Harapi e shoqërisë "Bogdani"

"Kur kam nxjerrë "Orën e Maleve", përveç kolegut tim Dom Lazër Shantojës, nuk kam pasë asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im Nush Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë", - dëshmon nxënësi i tij P. Zef Pllumi.

Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte L. Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e Qershorit, me fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për disa kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun "Illyricum" (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i "Hyllit të Dritës". Botime të tija i gjejmë edhe në gazetat "Posta e Shqypnisë" dhe tek "Zani i Shna Ndout" ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore "Thana e thasha". Gjatë vitit 1936 dërgohet në Korçë i kërkuar nga intelektualët e atij qyteti tek P. Fishta, si i njohur që ishte në shkallë kombëtare për shprehinë e tij të zhdërvjellët për një kuvend mbi vlerat, parimet, kulturën e krishterë dhe atdhetarisë. Më 1937 kreu shërbimin e fundit si famullitar në Bajzë të shkodrës.

Me pushtimin e italianëve, Gjon Marka Gjoni ngarkohet nga paria e Shkodrës që të shkonte të bisedonte me kontin Çiano, më 12 prill 1939, ku si pjesëmarrës dhe përkthyes ishte Patër Antoni.

Si njëri nga krerët e dërgatës së asambleistëve të Shkodrës i kërkon Asamblesë Kushtetuese të Tiranës Pavarsinë e Shqipërisë, flamurin, gjuhën, shkollat... Në prill të vitit 1940 bëhet pjesë e Institutit Mbretëror të Shkencave dhe në vitin 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhërit Françeskan në Shqipëri.

Pas kapitullimit e Italisë, Mehdi bej Frashëri i propozon për t'u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Lartë të Regjencës. Duke qenë e papërputhshme me të qenurit e tij klerik, ngase mund ta çojë në firmosjen e dënimeve me vdekje, dhe se duhej leja e eprorëve, Harapi nuk e pranon ketë detyrë. Për këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t'i jepte leje At Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejen Padër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte antar i Këshillit të Regjencës, por me kusht që mos të nënshkruante asnjë vendim vdekjeje.

Më 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, shprehej kështu: "Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m'a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër - desha të komprometohem".

I plotfuqishmi i Rajhut në Evropën Juglindore, Herman Nojbaher shkruan te Kujtimet e tij me vlerësim të madh për P. Antonit. Ishte fundi i qershorit të 1944 kur Nojbaher i hipën avionit për të fluturuar drejt Beogradit dhe At Antoni që i thotë se: "nuk mund ta duronte më politikën" dhe vajti me të.

Pas disa javësh qëndrim në Vienë e Tirol kthehet në Shqipëri.

Me arrdhjen në pushtet të komunistëve, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në Regjencë, Lef Nosi, shkojnë në Shkodër dhe strehohen për disa ditë në Kuvendin Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në Kir, më 5 dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i këshillit dhe bajraktari i fshatit e strehon tek një vejushë në Lumaj, një vend ku ishin vetëm dy shtëpi.

Më 6 apo 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës Speciale në Tiranë, Anton Harapi shpallet kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen.

Nga Parathënia e librit të Atë Anton Harapit "Valë mbi valë", Romë 1995


nga Pal Duka-Gjini (Daniel Gjeçaj)

Erdhën ditë të zymta të cilat i njeh gjithkush kaloi periudhën e idhtë 1944-45. Gjermanët u tërhoqën prej vendit tonë mâ fort të lodhun prej luftet e të thyem në fronte të shumta të Europës; jo sigurisht prej të ashtu quejtunës luftës nacional-çlirimtare. Më kujtohen trupat e fundit të Gjermanëve në Shkodër, kur mbas kodrave të Tepes e të Rrencit shprazëshin pushkë e automatikë partizanët. Një divizion gjerman na kishte xanë kolegjën e lokalet pë rreth. Ishin shumica oficera të naltë që ndiqshin ushtarët e fundit në tërhekje prej Grekijet e vendit tonë. Qeshëshin kur ndigjojshin të shtimet e brigatave komuniste në ndjekje.

Shetitëshin lirisht ndër rrugë të qytetit dhe flejshin pa pasë kujdes tjetër jashta të lidhshin të sëmuetët e të varruemët më armatat e tyne, të cilat endè luftojshin në Jugosllaví. Më kujtohet si sot kur oficerat e naltë katolikë, të cilët nën nacizëm vuejshin si kemi vujtë na në brigata të punës së detyrueshme të Enver Hoxhës, na thojshin: "Për jú kanë me ardhë dit edhe mâ të vështira se për né që kemi me pështue gjallë. Keni me thanë një ditë: jemi kenë mâ mirë kur jemi kenë keq.

Në këtë ndërkohë Harapi, mbasi s'pat pranue as të ndalej në Austrí, ku në kohë të fundit shkoi me pá vendet, shokët e profesorat e vet endè në jetë, as në ditët e mbrame të tragjedisë së konfliktit botnuer - të largohej prej Shqipniet me mjete e mbroje ushtarake gjermane, për popull e për né françeskanët hupi gjurmë. Aq i shtërngueshëm kje sekreti i strehimit të tij, sá shumica e deri autoritetet e para kujtuen se regjenti frat e kolega i tij Lef Nosi, kishin kalue kufijtë e atdheut dhe ishin strehue kund njeti.

Përkundra Harapi u tërhoq ndër male, ne e parë në Kir, në shoqní me Martirin tjetër të kombit, Lef Nosin, e mandej në Plan. Në këtë fshat ishte kryetár këshillit Prekë Ndou, një ndër burrat mâ të përmendun të tre bajrakëve të Pultit, njeri besnik dhe mik i françeskanëve. Në sekretin mâ të madhn ky e strehoi fratin te një vejushë e vorfën me katër jetima, të cilën e mbajshin në jetë mâ fort lmoshët e katundit, se sa fryti i krahëve të sajë.

Kjo, simbas porosisë së kryetarit të këshillit, u zotnue ta pranonte në shtëpí në Lumaj, vend gadi krejt i izoluem, pa dijtë as ajo vetë se kush ishte apo, mâ mirë me thanë, tue kujtue se ishte një plak kosovár, i cili pritëte të çilej rruga për të kthye në vend të vet. Për disá kohë puna shkoi pa i rá në sy kurrkujt. As vetë famulltari i Planit, aso heret Atë Fabian Miraj, nuk iu kujtue mfsheftësisë. Ndërkaq Lef Nosi, ishte dá prej kolegës dhe kishte marrë rrugën, mshehtas, për Tiranë me shpresë të gjente pështim pranë ambasadës amerikane a angleze, endè të çiluna në Shqipní.

Me kaq brigatat komuniste, që herë mbas heret në vjetët e para kontrollojshin malcitë tona, ku ishte e gjallë rezistenca, kalojnë prej Malit të Shoshit e prej Qafës së Boshit e bien në Plan. Ishte 6 qershori 1945. Një kompaní e brigadës së kontrollit merr rrugën e Kodër Kujës dhe prej shtëpisë së Lek Lecit bjen në Lumaj për të kalue mandej lumin dhe për të dalë në lagje të Kishës. Në Lumaj kontrollojnë dy shtëpijat e vetme që ndodheshin në këtë vend. Gjatë kontrollit të shtëpisë së vejushës gjejnë gjurmë që lânë me kuptue se aty strehohej ndokush jo vendas. Bâhen dyshim dhe kërkojnë me kërcnim prej grues e prej fëmijëve se kush ishte ai që ata strehojshin. Deri këtu për gjithkënd mund mendojshin, por jo për Atë Harapin. Dikur të rrahunat e fëmijëve bâjnë që njani prej tyne të kallxonte se ata kishin mik të huej me emën Anton, i cili gjindej në atë ças jashta shtëpijet, në Kashnjet të afërm. E 'i mend Atë Harapi gjindej aty ndejë mbi një gur me breviár në dorë kah thonte uratët e ditës. Ushtarët i bërtasin kërcnueshëm: - Duart Lart! Dorëzò armët!

Ai qetësisht çon oficen e thotë: - Armët e mia janë të lutunat: jam në duer tueja. E kapin dhe pa vështirësi kuptojnë se kush ishte. U duhet dijtë për nderë këtyne partizanëve që ndaj tij s'përdoruen në këtë rasë, as dhunë as të shame, as të rrahuna, as tortura. Muerën hetimet e para, i dhanë lajmin Tiranës dhe atë natë Atë Antonin e dërguen në Kishë të famullisë ku, natyrisht i burgosun dhe me roje të forta, kaloi natën. E para punë kje me hetue se a kishte pasë dije e lidhje me të frati i famullisë, gjâ që u vërtetue negativisht mbasi orëdiftuesat e njenit e të tjetrit kishin aq ndryshim orësh, sa që ishte e pamujtun mos t'i kishin akordue, po të kishin pasë dijení e marrëveshtje njeni me tjetrin. Në të vërtetë Atë Miraj, nëmosë për atëherë, s'kje burgosë as trazue.

Ne e nesre Atë Antoni kje ulë në Shkodër. Në udhëtim, prejse tepër i lodhun, i kje gjetë një mushk e, me çka duket, nuk e muerën me të keq as nuk e prekën me dorë.

Në Shkodër e në Shqipní mbarë u hap menjëherë zâni se Atë Anton Harapi ishte kapë në malet e Veriut. Në qytet na pritshim se do të bâhej një manifestim masiv e se regjentin e xanun do ta siellshin në shpotí e dënim, ndër rrugët e para të qytetit, si bâjshin atëherë me shumicën e antikomunistave, të ashtuquejtun reaksionarë, që bijshin në thoj të tyre. Deshti Zoti e kurrgja e tille, mund lejuen që të burgosunit t'i dërgohej zhguni françeskan dhe një palë ndërresa. Me e pá, veç, s'lanë ta shifte kush. Mbas ndonjë dite u muer vesht se e kishin çue në Tiranë, ku do të rrinte deri në dënimin e dekës.

Kalbej në burg për së gjalli, para se të kalbej së dekunit në dhé të panjoftun. Kalonte ditë të errta e net të pafund në pranga i mëním posi tradhtár dhe i përbuzun posi klerik. Pak përpara - në shkamb të madhnísë, ishte dashtun prej të gjithve si njerí e si frat. Në poltronën e Këshillit të Naltë u mundue të mshehë madhnínë. S'ndërroi sandale as konop, s'hoq zhgun as s'pranoi roje nderi. Madhníja e tij tashti shprehej mâ dukshëm se në kulmin e pushtetit. Anmiqtë e kishin zdeshë nga të gjitha sendet. Shi për këtë pasunia i shtohej. Vërtetohej në tê aksioma: burri diftohet në ditë të ngushtë e prap: sá mâ shumë të hiqet, aq mâ i madh bâhet njeri që din të hjekë.

E dënuen me dekë, përpara se të dënohej me gjyq. Gjyqi ishte tragjikomedi e tragjikomedinë e lujshin "katilat - aktorë paburrní". E pse të paburra e që s'mund të përballoheshin me burra, kërkojshin t'i zhdukshin burrat me brutalitet e poshtërsí.

Në burg shkruente me gjak kujtimet e veta. Thohet se shkroi rreshta e mbushi faqe. Kishte mjeft çka të shkruente. Mjerisht kujtimet e tija patën të njajtin fat me trupin e tij mbas dekës: s'dihet se ku shkuen me mbarue.

Në burg ditë me tjetrën prekte me dorë përherë e mâ ndieshëm, shfarosjen e françeskanizmit bë Shqipní e rrenimin e shpirtit shqiptár. Shihte përçudnimin e fizionomisë kombëtare. Zatí këtë burrë ia kishte vû vedit komunizmi enverian: synonte të formojë njeriun e rí mbas modelit stalinian të riprodhuem në "brutta copia" si brutta copia kjenë shkrimet e diktatorit. E 'i mend, gati për një gjysë shekullit nuk u punue për tjetër veç për këte qëllim. Krim i pafalshëm përpara kombit! Mâ mirë që Harapi nuk e pau me sytë e vet këtë shemtim që lypë gjyq para historisë: do të kishte plasë mâ trishtueshëm se kur plumbat breshëri ia këputën zemrën.

Harapi diq tue lânë breznive të ardhshme një amanet: e amanetin e pat formulue ç'me kohë: atëherë kur muer barrën e randë të Regjencës: "Të krijojmë një fuqí morale në Shqipní, - të krijojmë rendin shoqnuer me një disiplinë dhe me një organizim të pështetun në drejtësí e dashtëní. Të sakrifikojmë pikëpamjet tona e jo popullin as Shqipninë; të bashkohemi mbasi vendi pret pështimin prej nesh e jo prej të huejve".

Mbi vorrin e Patër Antonit nipat tonë do të mësojnë se me dashtë Zotin e Kombin dhe për Zot e Komb me dhanë jetën, âsht mâ i larti ideal i njerit. Për këtë ideal Harapi jetoi, për këtë ideal dha jetën.

COMMENTS