Shën Pjetri, Skënderbeu dhe Djalli

Shën Pjetri, Skënderbeu dhe Djalli


Bisedë perpara derës së Parrizit - Nga Gjergj Fishta

Perpara derës së Parrizit
SH'PJETRI: (vetun, para derës s'Parrizit): Shka don me thanë kjo punë, nuk e di! Sa rrallë po vin kta Shqyptarë me trakllue m'ket derë ... A se Shqyptarët kan dalë faret poshtë mì tokë, a se janë çoroditë krejt ... Nuk e di ... Duket se Shqyptarve do t'u ket hypë krenì e madhe, e tradhtì, e kuprrecì, e rrenë e mrapshtì tjera: pse ndryshe nuk mundet me kènë, qi mos me u dukë pak gjà ma shpesh n'ket derë.

SKANDERBEGU: (permrènda trakllon n'derë).

SH'PJETRI: Kush àsht?

SKANDERBEGU: Un.

SH'PJETRI: Un! Kush je ti Un?

SKANDERBEGU: Un, Skanderbegu.

SH'PJETRI: Shka don?

SKANDERBEGU: M'a çil deren nji herë; pse paçë nji fjalë.

SH'PJETRI: (tujë u çue me ja çilë deren): Rri, morè mrèndë; pse mirë je ... (ja çilë deren) Shka don?

SKANDERBEGU: A jè vesht, a kà ardhë kush Shqyptàr n'kto ditë nalt n'Parrìz?

SH'PJETRI: Jo. Pse po pvetë?

SKANDERBEGU: Jo, por, deshta me thànè: a kà ardhë ndoj Shqyptàr; pse ktù po perflitet, qi kan ndollë pùnë t'mdhà sivjet Shqypnì, e kam dishìr me màrrë vesht ndoj gjàsend per dhè t'em.

SH'PJETRI: Morè ... e vertetë qi dishka do t'kèt ndollë tash vonë n'Shqypnì; pse jànë nja dý a trì vjet, qi s'shifet tjeter atje poshtë, veç tym e mjegull, e ndihet nji zhurnì e nji poterë e madhe, si me kènë luftë, as s'dì shka.

SKANDERBEGU: A thue t'shkoj vetë nji herë e t'marr vesht se si jànë pùnët n'Shqypnì, e po kthej me t'shpejtë?

SH'PJETRI: Per mue, shko kahë t'duesh; veç se kishe me thànë, qi t'bjen njiqind herë mà mirë me ndèjë n'Parrìz e me u shporrë Shqypniet. Kù po shkon tash ti me thy kàmët neper ato male e shkretì ...

SKANDERBEGU: Me e dijte se ti m'a çilë deren, si t'kthej, per tamand qi kjeçë tujë u ulë 'i herë deri n'Shqypnì; pse ktù po perflitet qi Shqypnia kà dalë Shtet m'vedi, e un, si Shqyptàr, po kam dishìr me shkue me pà palè se si àsht kjo pùnë.

SH'PJETRI: Shko, shko; sà per mue, mos druej: un deren t'a çili; veç se po t'tham qi kè me u pendue.
(shifet Djalli tujë kalue aty pari) Por ... prit; pse, me gjasë, tek àsht tuj ardhë Djalli ktùpari: aj kà me dijtë se si jànë pùnët e Shqypnìs; po pvetë atè, e kshtù s'kè nevojë me u mundue dèr n'Shqypnì.
(me zà) O Lucë! ... Lucë! ... Lucë, morè!

DJALLI: Hej?

SH'PJETRI: Peja, peja nji herë.

DJALLI: Kjeçë tujë ardhë, por ... jam pà besë e pà ndore me Sh'Mhillin, e po drue ...

SH'PJETRI: Jo, jo; mos druej. Jam vetë ktù, e s'e là me t'ngà. (Djalli i avitet)

DJALLI: Hej? Shka don?

SH'PJETRI: A jè? Si Jè?

DJALLI: Si keni dashtë me m'pà vetë: mà zì, s'mundem; mà mirë, s'm'lèni: qe si jam vetë.

SH'PJETRI: Po ... shka me bà ...Veç se deshta me të pvetë; a kemi fjalë a halë? A kà gja t'rè? Kahë jè tujë ardhë?

DJALLI: Kam kènë poshtë, n'tokë; e atà qèna njerzsh kaq m'kan turbullue e kaq m'a kan bà kryet per voe, sà m'u desht me ardhë nalt me màrr pak ajr.

SH'PJETRI: Anì tý t'a kàn ba kryet per voe ...

DJALLI: Po, mue po! Shka kujton ti? ... Sod jànë bà gjindja me màrrë mèç edhe Djallin. Nuk jànë, jo, gjindja e sodit si motit!

SH'PJETRI: Si kan me kènë ndryshe? ... Sod edhè kà t'mirë e t'kqì, si kà kenë gjithmonë.

DJALLI: Po, njashtù àsht; veç se, me nderë e me thànë para tejet, sod po kà shùm t'kqì; e t'mirë, pak e aspak.

SH'PJETRI: Ah! Ktu kè arsye ... A kè me na kallxue ndoj fjalë t'rè per pùnë t'njerzve?

DJALLI: Shka me kènë! Jànë grì e coptue sivjet shoq me shoq.

SH'PJETRI: Kù?

DJALLI: N'Balkan. U çuen kater Shtetent e Balkanit kundra Turkìs, e t'u bàn pshesh me pshesh me shoqishojnë. Po t'tham: Turk e Shkjè kam pasë sivjet me hanger pà buk.

SKANDERBEGU: (Kqyre, kqyre! Sà keq!) - Po kush, thue, e mùjti luften?

DJALLI: Perzèt, ksajë herë Turkut ja kan djegë fistanat e t'ja kan hjekë do dredha shpinës, qi s'kè se e lypë aspak mà mirë.

SKANDERBEGU: Po, si kje pùna? Kush i ngatrroj?

DJALLI: Diplomacia.

SKANDERBEGU: Shka àsht Diplomacia?

DJALLI: Asht vajza e ème.

SKANDERBEGU: Kè vajzë ti?! Po s'àmës s'i i thonë?

DJALLI: Europë.

SKANDERBEGU: (me vedi - A e shef ti, se un ket pùnë s'e kam dijtë. Diplomacia kenka e bija e Djallit; e Europa, gruja e tì). Po, si kjè tuj thànë, ti paske kènë n'Balkan, as?

DJALLI: Po, t'gjith sivjeten atypari jam sjellë, per me pà luften e Balkanit.

SKANDERBEGU: N'Shqypnì e jè kènë ndopak?

DJALLI: Po, disà kohë kam ndèjë n'màje t'Taraboshit per me pà mà mirë gjakun, qi derdhej per rreth Shkoders.

SKANDERBEGU: Si ishin Shqyptarët?

DJALLI: Ç'farë Shqyptarësh? Kush jànë Shqyptarët?

SKANDERBEGU: Shqyptarët, prà! Po ti a thè se kè kènë n'Shqypnì?

DJALLI: N'Shqypnì kam kènë, po; por, se kà Shqyptarë mì tokë, s'e kam ndì kùnd.

SKANDERBEGU: Si? Skè ndì se kà Shqyptarë kund? ... Po ti; a thè se kè kènë n'Shqypnì?

DJALLI: Po, n'Shqypnì kam kènë; por, se kà kund Shqyptarë, s'e kam ndì ket fjalë.

SKANDERBEGU: Po ti; a s'kè pà kurrnji nieri në Shqypnië?

DJALLI: Po; nierz kam pà.

SKANDERBEGU: E mirë, prà; njatà jànë Shqyptarët e mì.

DJALLI: T'falem nderës qi po m'kallxon, se paska Shqyptarë mì tokë.

SKANDERBEGU: Si jànë, prà, Shqyptarët e Shqypnia?

DJALLI: Si jànë? ... Si i don anmiku.

SKANDRBEGU: Si, tash? Si i don anmiku: po a fort keq gjinden Shqyptarët?

DJALLI: Besa, as fort mirë jo.

SKANDERBEGU: Elè?

DJALLI: Elè, per mos me t'a ngiatë fortë, mèndo se Shqypnia àsht nji lkurë lopet, e se Malazez, Serb, Bulgar, Grek kan xjerrë m'tè opanga, zhalloga e dredhë sà me kalue nji dimen mathë e pà u lagë: sà lkurë, thue ti, kishte me teprue?

SKANDERBEGU: Faqja e zezë: kryet e nènbarkeja s'dì a tepron a s'tepron.

DJALLI: E prà, me nderë e me thànë para zotnìs s'ate, Shqyptarve s'u kà metë mà teper Shqypnì, veç njaq sà po thue ti.

SKANDERBEGU: S'u kà metë mà teper Shqypnì! E po kush dreqi ja hàngri?

DJALLI: Dreqi, besa, jo: dreqi han Shqyptarë e jo Shqypnì; por e kà hanger Shkjau e Greku, qi, n'e mràmèt, àsht nji per nji.

SKANDERBEGU: Po Shqyptarët e mùjten me qindrue ndopak?

DJALLI: Besa, po: e kan bà do qëndrès. Nji herë muren do pare prej Sllavve e prej Grekve; masandej shkuen n'mejhàne e u bàn kubure me mastikë, e atëherë vojten n'shpì e u vùn me fjetë katermdhtësh.

SKANDERBEGU: E masandej?

DJALLI: Masandej ... erdh Shkjau me dajak e ja xuer gjùmin.

SKANDERBEGU: Ju a xuer gjùmin ... shka do me thànë ti me ket fjalë: ju a xuer gjùmin me dajak?

DJALLI: Due me thànë, moj lum faqja e bardhë, se i poq, e i grìni e i coptoj grue e fmì e plak e t'rì e rropullì, e t'i bàni mish per krraba. Qe se shka don me thànë, me ja u xjerrë gjùmin me dajak.

SKANDERBEGU: Ah, ah! Shka po flet!

DJALLI: Po prà; po t'tham vetë. Masandej, masì i marroj Zoti nja dy a treqind mì Turq e Shkjè, tujë i lànë me hùndë perpjetë, n'luftë, e nja njiqind mì e mà Shqyptarë jashta luftet, u çue Europa, e u rà ndermjet, edhè mèni pushken. Atëherë, do mashkuj t'Shqypnìs t'u çuen e t'ngrefen Qeverìn e Pertashme n'Vlonë per me qitë Shqypnìn n'dritë. Ngùlen flamurin e Shqypnìs n'Doganë, edhè u quejten Ekscelencje. Nder kto dit Shkodra ishte tujë hanger bàr e tujë zìe shoje kundrash. Europa ishte mledhë kuvènd n'London. E Mretnìt e Mdhà, masì u mueren vesht njàna me tjetren, si merren vesht qènt per rreth nji kocit, dàn m'e qitë Malin e Zì prejë Shkodret e at pllàm vènd Shqypniet, qi kishte pushtue prejë çapojve t'Sllavit e t'Grekut, m'e ngrefë mretnì n'vedi. Shqyptarve, atëherë, u hìni zekthi i atdhedashnìs e filluen me pùnue kush per vedi e kush per bark t'vet; edhè ja nisen me ngrefë per gjith katund ka nji Qeverì t'Pertashme. T'gjith dojshin me dalë Princa: t'gjith dojshin me kènë Ekscelencje. T'màrrët, pùnojshin; teveqelat, bertitshin: Rrnoftë Shqypnia! T'mèçemt rrijshin nen hije, tujë qeshë per njan' e tjetren lagje, e dishka shkruejshin me t'huej.

SKANDERBEGU: Eh! Kjo pùnë nuk àsht e mirë.

DJALLI: Jo; por deshta me t'thànë, se edhè t'huejt, masì u hoq per nji herë rreziku i luftës, fluturuen edhè atà n'Shqypnì, si orrla n'stevinë, e krahë - m'krahë me Shqyptarë - atà t'shkùndun kuletash e kta me xhepa t'shkyem - filluen me luejt valle nepër Shqypnì. Loders i bijshin bankjert e Evropës. E t'u bà, morè lum miku, nji alltipus n'Shqypni, qi s'àsht gojë me t'diftue.

SKANDERBEGU: Sà terthuer kènkan pùnët e Shqypnìs! E prà un kam pasë kujtue se àsht vù ndojsend per fille deri sod; e, me shka po thue ti, Shqypnia kènka rrokopujë.

DJALLI: Po m'vjen keq; por s'kam shka t'bàj. Vetë deshte me diejt pùnët e Shqypnìs.

SKANDERBEGU: A di shka? A thue kà gjasë qi Shqypnia kà me pasë nji Mret t'vetin?

DJALLI: Nji? Niqind e 'i mì, thuej! N'Shqypnì, moj faqja e bardhë, hiqet zì me gjetë se kush me ndigjue. Ktù àsht halli; pse per me urdhnue, gjèn sà t'duesh: ç'do "çaush belediet" n'Shqypnì kishte me dashtë me u bà Mret, veç per mos me ndìgjue. E kjo pùnë nuk kà si del mirë e si mùndesh m'e pas dishirin ti, tujë kènë qi aj i moçmi kà thànë: un zot e ti zot, - po magarin kush e kullotë? E prà, kshtù kishin me dashtë Shqyptarët e tù ...

SKANDERBEGU: Kta don me thànë, se n'Shqypnì nuk paska atdhetarë!

DJALLI: Atdhetarë? ... edhè t'flakët, besa! Mjaft me pvetë se sà ksula e bardhë e e thimët, e sà pafta e zezë e peca e kuqe àsht blè sivjet n'Shqypnì! Veç se me ndìgjue, nuk ndìgjojnë atdhetarët.

SKANDERBEGU: Si mos t'ndìgjojnë, don me thànë se jànë atdhetarë t'njimendët. - Por se deshta me t'pvetë: a e xèn kush n'gojë èmrin tèm, e m'permèndë kush nder Shqyptarë?

DJALLI: Po ti kush jè?

SKANDERBEGU: Un jam Skanderbegu.

DJALLI: Ah! Ti kènke Skanderbegu? ... Po si nuk t'permèndin tý Shqyptarët? Posë se nder shkolla, gjithkush t'permèndë, gjithkush t'kà n'gojë; per n'zèmer, nuk e dì.

SKANDERBEGU: A per njimènd e kè?

SH'PJETRI: Shporru, morè Gjergj ktì. Ky àsht msue me ndjellë zì gjithmonë. Pùnen e Shqypnìs, e kà Zoti n'dorë; prandej domosdo Shqypnia do t'dalë n'dritë: Zoti nuk ban veç se pùnë t'mira. Per ket pùnë, hìn n'Parrìz e mos i qit kujdes vedit per Shqypnì; pse, per inàt t'Djallit e t'Shqyptarve, Zoti kà m'e majtë Shqypnìn n'kàmë me nderë e me lumnì.

COMMENTS