Kuq e zi.., Bernardin Palaj

Bernardin Palaj poezi Kuq e Zi
A thue dielli ndoj herë shdriti
Mâ me uzdajë per kombsì t' onë,
Se at herë kuer s' parit valviti
Kuq e zi Flamuri n' Vlonë,
Atje n' breg t' Adrijatikut,
N' bàll t' anmikut, n' kohë t' rrezikut,
Shkjau n' Ballkan kuer s' drote Zot?

Burrë mbi Burra Smajl Qemali,
S' pveti botën, pveti gjakun:
Gryka e topavet s' e ndali
Mrenda Vlonës me ngûlë bajrakun.
N' kushtrim t' tij, u trand Shqypnija
E briti njajze: "Rrnoftë Lirija!"
Qysh n' Himarë e deri n' Hot.

Po edhè t' deknit n' vorre u gzuene
Per ket ditë, qi i erdh Shqypnìs;
Bjeshkë e n' bjeshkë Malcìt ushtuene
Prejë kushtrimit t' ditës s' lirìs:
Pse ajo Vlona e Smajl Qemalit
Gzoj shka kje, edhè gurt e malit,
Lumnoj mik - mjeroj anmik.

Kshtû nji ditë! E sot Shqypnija
T' falet, Flamur, mbì truell t' parve!
S' njofti Athinë as Rromë njerzija,
Kuer valvitshe n' gjak t' Shqyptarve.
N' tŷ nderojmë na gjakun t' onë,
Me burra, qi t' ngrijtne n' Vlonë,
Kombi marë kuer kje n' rrezik.

Shqyp t' u fal Pelazgu i motit,
Tuej thuer kodrat me germadhe:
Po n' ket gjûhë Shqyptari i sotit,
Si n' Dodonë tŷ sot t' kndon valle;
Lidhë te 'i Zot me besë e fè
Kombë e Mret me u shkrì p'r atdhè,
N' kje se i hueji tŷ t' lakmon.

Paj ktû bjeshkët kuer ushtuen s' parit,
Shqyp ushtuen e gjimoj deti:
Po n' ket gjuhë t' zogut t' Shqyptarit
Toka u thy' e u ngreh gjyetiti;
Edhe u rrah beja n' therore,
Kuer s' kish tempull as shèjtnore,
Gjithkahë lèn edhè prendon.

Marë Europa djerre e shtoje
Qŷsh prej lindjet e n' prendim,
Kuer Pelazgu prej Fushës Troje
Shkrepte Thrakt e Ilirët mallim,
Tuj quejtë, sìparit, tokë e dete,
uj ngrehë kodrave gjytete,
Vetë zot shpijet n' Europë t' vet.

Pse edhè kuer Troja minore
Prejë Akejsh u shem per dhè,
Lott per faqe e fmìn per dore
Truell ktû lypi ' i zojë e rè:
Andromakja e Hektorit
N' Butrint t' and tu' i hikë mizorit,
Lypi bukë e besë ktû gjet.

N' Hind Europës kufijt ja vûni
Leka i Madh me fise t' ueja:
Derën Rromës nji Burrë ja vuni,
Kuer kjo s' ngihej me tokë t' hueja:
Pave bijat n' at Salonë
N' zjarm t' u hjedhë per gjakun t' onë,
Mos me i thanë t' birit "rromak".

Shqyp pat folë aj Kostandini,
Qi Rromakve, n' Kolosè,
Me shpatë n' dorë nder mend jau shtîni,
Se kà Zot qiella mbì nè;
Edhè e pane Dardhanelet
Nji Stamollës tu' i hjedhë themelet,
Dry Azis me i vû n' at cak.

Po, ata Ilirë, qi n' pranga arit
Rroma n' Shkodër t' i pat lidhë,
Rrethue ballin n' keza larit,
Bâne botën kta me u dridhë,
Mu n' prejë fronit t' Rromës krenare
Tuj vu ligje e tuj prè pare,
Tokët e Rromës tu' i dà nder miq.

Por qe Shkjau, se u dynd Uralesh.
Llavë mbas llave e rà nder nè;
Rritë nder shtoje e shpella malesh,
Paìm ndermjet nji qiell e 'i dhè:
E 'i troëllë luftet kundra Azije
E bâ trolli i ksajë Shqypnije,
Per Europë na prit e ndiq.

Si buênat kuer prejë vjeshtet
Gjithshka t' ndeshin vênë perpara,
Kshtû e mloj vedin, si llavë breshtet,
Shkjà mbas Shkjaut, he, hupt fara!
Natë e ditë Muji n' kushtrim,
Me kreshnikë ngûjim n' ngujim,
Preu me ta, n' Tùnë e n' Kotorr.

Ditt e kobit por u shtuene,
Kuer u shpraz m' nè Anadolli:
Kombe e mreten marë u shuene:
Kualt prejë Rromet Turku i solli.
Rà Stamolla; u thye n' Varnë bota,
Por s' u thye Gjergj Kastrijota
Deri deka q' e rrxoj n' vorr.

Kater shekuj lufta n' kambë,
Shkján për megjë e Turkun n' shpí;
S' meni pushkë as s' prani gjamë,
Hupi Flam' ri kuq e zí
Mrenda vorrit t' Gjergj Kastrijotit,
Dér qi leu krezhniku i Hotit,
Kombit marë qi zjarm i dha.

Pan kujtue Shkjét e Ballkanit,
Se Shyptarë veç ká nder vorre,
Por pau bota n' shpinë t' Sulltanit,
Se ç' gjak t' idhët ka toka arbnore,
Kuer u lshuen Lekët e Malcís
Turr mbas Flamurit t' Shqypnís,
Tyj britë: "Burra bini m' ta."

Zjarm muer toka at herë Shqyptare,
N' Sul t' Janinës e n' at Kelmend:
N' Fushë t' Kosovës e n' Urë Tamare,
Plasi pushka per gjith vend;
Zjarmin marë ja dhám Ballkanit;
Terbue Shkjau, nett e zijanit
Bâni m' Turk, por n' Vlonë u ndal.

E ktû dielli shndriti s' parit
Permbí flamur kuq e zi,
Pa u derdhe gjak mâ, veç per s' marit
Pûnet me i êndë vetë kjo Shqypní
Si kombë n' vedi e porsi shtet,
Pa njoftë krajl as pá njoftë mret,
Shqyp kah flitet, n' fushë e n' mal.

Sot tý Leka e Burri i motit
Bashkë me ne per nderim të rrijnë;
N' per tý zâni i Kastrijotit
Na urdhnon: "Rueni Shqypnín!
Rreth ktij Flamur kombi marë!
Roja e tij Mreti shqiptár
Mbí krye t' kombit ma jetik!"

Valvit Flamuri! Kohët, qi vijnë,
S' kan shka i bâjnë tokës s' Skanderbeut!
Ndoshta... ato edhé ja mrrijnë,
Me i pá t' shueme prejë ftyrës s' dheut
Kombe e shtete, por jo tý,
Pagja e botës pse t' ká per drŷ,
sá t' jét Vlona n' Adrjatik.

Tý t' këndojnë nanat shqyptare
Foshnjet n' djep tuj t' i perkundë;
T' kndojnë barít me zânamare,
T' këndojnë vashat permbí punë;
Shndritë si dielli n' at shpinë t' detit,
Kuer perhidhesh n' oborr t' Mretit,
Si ajo hija e Skanderbeut.

T' gjith Shqyptarët n' tý perbetohen
Para Mretit, si n' therore;
Me tý para ushtarët trimnohen,
Me e msŷ deken nder llogore;
Pse njat gjak, qi t' ngrîjti n' Vlonë,
Njaj se njaj vlon n' djelmní t' onë,
Flí me u bâ mbi ltér t' atdheut.

Kuer valvitë ti nder dritore,
Shuhet mní e shduket resë;
At ditë, po, se 'i dorë hyjnore
Lidhë Shqyparët t' gjith me nji besë:
Si per Zot, per tý me dekë!
Mjer kush tý kuxon me t' prekë,
Kém per vedi n' qiell nji Zot.

Por jânë nâna, ofshe Shqyptare
Per tý djelmt, qi i shtîne n' dhé;
N' Hot e n' Grudë, n' Fushë Kosovare,
Vatra, vorr, rrethue me Shkjé;
Ah, per ju, kém n' flamur zi,
Moj Kosovë, moj Çamerí:
Me jú kombi sot derdhë lot!

Para shkimet rrezja e diellit,
Mos me xé mâ bjeshkë as vrrî;
Edhè hyjt shkepen prejë qiellit,
Por i hueji mâ n' Shqypní,
Me né gjallë, ket tokë s' e shklet,
Pá u shkrî njajze, kombë e mret,
Qi me u lá bota me gjak.

O fatbardha moj riní,
Njomze uzdajet per atdhé,
N' daç me gzue t' bukren lirí,
Mos shkel fis as mik as fé!
Pse n' kto shêje bota marë
Na dallon se jém Shqyptarë,
Fis pelazg e iliro-trak.

__________

Mallim -i (gjàjet): vend i lirë e i pà kufì
me mallue gjàn = me shperdà gjàn n' kullosë t' lirë. (Dukagjin)

Troëllë -a: vend kà shlasin gjàja e gjallë; vend kù i shperdahet dushku gjàs.
Edhe fraz: "E kan bà troëllë". (Mertuer)

COMMENTS