Lirija.., Ndre Mjeda

Ndre Mjeda, Dom Ndre Mjeda
O shqype, o zogjët e malevet, kallxoni
A shndritë rreze lirije mb’atò maje?
Mbi bjeshkë të thepisuna e nd’ograjë
Ku del gurra e gjimon permallshem kroni?

A keni ndie ndokund kah fluturoni
Neper shkrepa, me ushtue kangen e sajë
A keni ndie nji kangë të pa travajë?
O shqype, o zogjët e malevet, kallxoni.

Lirim, lirim bertet gjithëkah Malcija;
A ka lirim ky dhé qi na shklet kamba,
A veç të mjerin e mblon anë mb’anë robnija?

Flutro, shqype, flutro kah çelet lama,
Siellju malevet për rreth qi ka Shqipnija,
E veshtroje ku i del lirimit ama.

II

Neper Fusha ku rrjedh Misisipija
Ushtroj rrokull nji za si bubullima;
Krisi qiell e tokë turbullon duhija.

Çon’ju sherbtorët e tokës, leni te shpija
Shjetnit e vangat; e per gjysë, o trima,
Leni parmendat; rrokni pushkët; vetima
Ju duk per së lergu, e qe po vjen lirija;

Washingtoni na thrret. E djelmve pika
Rrani tui hapun zjarm; hija e morrizit
Mujti këshjellat atnorë, mujti katedren.

E fushë e mal ushtoi: vojt Amerika
Mbas asi zani qi e pat thirrë, e Inglizit
Ja boi luani i Amerikës kulshedren.

III

U t’huej Inglizi: ska me dalë ushtori
Me i grahë bulkut si kaut me sjeçe të bregut;
S’ka m’u fikun nder të mjelluna puntori
Kur merr era per mëner o vapa e zhegut.

U kputne hekrat, e lirim malcori,
Lirim deti kumbon e ja siellë bregut;
Lirim pergjegjin qysh kah Labradori
E Virgjin’ja e New Jorku syni i tregut.

Të lumtë, o Washington! u zhvillat qielli,
E njom toka per mall me brohorië
E mbi flamuj të zotnuem ndejti luani.

Pushoi te drita qi shperdan si dielli
Lirimi, tui britun në Filadelfië:
"Ameriken e zhgon Amerikani".

IV

Ty të kjosha falë, o dritë, ama e mbrodhsimit,
Ti dave terrin e egersis’, e tine,
E lakmuemja e gjith dhenavet latine,
Ameriken e pshtove prei robnimit.

Porsi vegim u mbuze, e prei nalcimit
E puthe token me ato rreze, e shkrine
Akllin e vjeter qi kish mbet’, e fshine
Vaj e padije e anëmiq të lirimit.

E ndjeu toka njatë shend e u gëzue si fëmija
Qi i qeshet lokes kur ja reshë krahnorit;
E shpirt e zemer neper buz’ i shpraze.

Me nji të njyeme ma të bukur, pa tallaze
Shndriti deti njatë herë; prei katundorit
Nder fush’ e male mungulloi Lirija.

V

Lirin e keni ju; na hekra kemi.
Na terr e niegull deri në ditt ma të vona;
Na pa emen kerkund, pa atdhe; na jemi
Sherbtorët e të huajvet neper vende tona.

Porsi berre qi bleu mishtari vemi
Mbas shkopit, të kalamenduna, ku s’dona.
Ahte t’ankueshme neper buzë polemi,
Vaj e mjerime qet këjo tokë e jona.

E kot duhija e trimenis malcore
Neper fusha të molisuna plandosi
Si kokerr rrefeje prei nji reje lëshue.

Çuditë prei peshes së nji pushtedës mizore,
Kot Dukagjini e Skanderbeg fatosi
Shpupurishin nder vorre eshtna të harrue.

VI

Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija:
Lodhun prei hekrash qi mizori i njiti,
Lodhun prei terri ku robnimi e qiti,
Shpreson me e zgjue fluturim mënija.

E kqyrë: nder male po përhapet shkëndija
E lirimit t’Atdheut; fshehtas shetiti
Këasollë per kësollë rreth buneve e soditi,
Frymë të re tui zbrazun per gjithkahna, hija

E Skanderbegut. Qe nder djepa rrisin
Nanat e Hotit djelmnin ushtore,
E idhnim n’armikun neper gji ju qisin.

E nalt, nder maja, bukuri mbretnore,
Hapi flatrat e mnershme qi pershndrisin,
Me thoj t’harkuem Shqypeja arbenore.

COMMENTS