Ndre Mjeda - Lissus

ndre mjeda lissus
Neper kodra të stolisuna me vneshta
Kû vilet àrit xhixhilloshin në dielli,
E, rrotull fushen tui kaditun, prilli
Edhè lulzote kur kish hîmun vjeshta;

Nder ullishta gjelbrore qi kah Kreshta
E terthotes të Merqîjës vîshin nji filli,
Kû Velja e rrëmbyeshme qi perket te qielli
Ambël me hyjzit mban kuvende te shpeshta,

Darsmore të Bahtit, t'Afërdites shkoshin,
Veshun me gunza e krahët e bardhë të shpervjelun,
Vashat e Ilirve me koshere në krye.

E ngrehshin valle dora-dora, e këndoshin
Kreshnikët e Ilirvet e anmiqt e ngelun:
Gadhnjyes Bardhyllin e Perdikën thye,

E pergjegjshin të mahnituna ndër mâje
E nepër lugje të grumullueme në hije
Të blijve të lulzuem, të lulishteve paskaje
Zânat e malit me nji kângë plot shije.

Me j' kângë qi fllade t'ambetuem nder plâje
Bishin të gjytetse, o kû ma nalt në shkambije,
Sogjetarë te patundshëm si murrâje,
Ruejshin Ilirsit per atdhè bâ flije.

E lundratari, kur per dèt kalote
N'at dritë të mallnjyshme qi shperdàate nata,
Ngrîhej e rrêmia permbì bark' e lëshote.

Ndalte e mahnitun at rrjedhë të prehtë si shpata
Vala e Drinit të madhnuem e "t'a gëzoj" thote
"Mâ së mbramit djalin qi ngiat deket pata".

Të falem, o Lesh, i lum për sà Madhnija
Shpërdau rreth teje miradina e hire,
E përdoroj me cen' e kujdes dija
E sâ mjeshtrave lulzuen në ket tok' Ilire.

Me rruga të drejta hijeshue, me shpija
Të nêlta si sukat qi të shikjojnë me smirë;
Me nërtesa t'ushtrîmeve kû fëmija
Vujshin, fatosat e nji kohës mâ të vshtirë.

E kqyrshe sqelen qi Sirakuzani
Ndertoi, e në dritë të venituna ti njifshe
Fytyren t'ânde me stolì të nji mbreti.

E lundra të hueja mbushë me rob qi bâni
Fitues Ilirsi, e, porsi fjetun, shifshe
Andrra fatosash, tui të perkundun deti.

I lum për kështjellin qi mbi kodra ngrehej,
I pàlodhshem vigâ perkundra anmikut;
Kû hovi i të huejvet porsì qelqe thehej,
O si shkulmat e Drinit në frymë të denikut.

Kû shqypja ilire nepër ajr defrehej
Në gjiri të madhnueshem, e mje në breg të Baltikut
Gadhnime të reja tui hartuemun, shgrehej
Prato vênde të pànjoftuna jetikut.

E fushët e sukat e ndërtesat të tuja,
Porsì grigjen barija i zgjuet, veshtote
Tui të pruemun das' e ndërlikime të hueja.

Por oh! mâ fort se kshtjellit hija të zhgote,
E prej hovit e resave të ndokuja
Me parzëm të hekurtë djelmenija të mprote.

Deh! ç'u perhap rreth maleve kushtrimi,
Qi ndër lugje mâ të mbshehuna persritte
Hova-hova tu' e shtue lehona, e thirrte
Kombin e Ilirve në fushatë nderimi.

Grishte prej mâjesh ku fillon agimi,
Kû vala e Drinit nepër lugje rrshitte,
Kû në borë t'amshueme bukurì pershndritte
Tui u zhdukun nën dèt qetas, prêndimi.

E i thirrshin nanat djelmnìs kreshnike,
E, dalë tui i prapun, krushqeve ju thoshin:
"Djelmt e Ilit", në kushtrim së bashkut vraponi:

Ecni me heshta, ecni me armë jetike,
Hova' ju kualve me at mënì qi të paret ju mësoshin
Per lulzimin e atdheut ju fton Agroni".

E u lëshuen si j' nieri të tanë. Si shprazen shinat
Rrmbyeshëm prej mâjesh nepër gryka e zbrisin
Bubulluesa teposhtë, e tui mbëlue dhènat,
Kësolla e ndertesa shpartallojnë e krisin:

O si lëshohen langojt kâmbë-shpejtë, nder brènat
E nêltë sà qiella të bregut të Tunës, e vrisnin
Per mbas drenave të frigueshem kur, krènat
Ngatrrue nder drriza tui dihatun jisin;

Ashtû kombet e Ilirve turra-turra
Ulen prej malesh fluturim pà e rrekë,
E presin rregjin grumullue nder curra,

E kur fatosi në patershanë tui prekë,
"Ç' detyrë" - tha - "kemi per atdhèn, o burra"?
Nji t'Ilirvet kje të gjegjunit: "Me dekë".

Jo kurr aq rrmbyeshëm nepër fusha rrodhi
Prej borës të maleve e frŷeme e prei stuhijet,
Rrotull tui ngrehun varg gjith farë baktijet,
E gjind e trèna qi nder shpija mbëloshi

Rrjedha shkumbues' e Drinit, porsì u hodhi,
Patërshanen nen dor' e zjerm prej mënijet,
Ushtrija e jonë mbas leprave Greqijet
Tui rroposun gjithshka perpara i ndodhi.

E flakë shkumuesa nepër shpija shkoshin,
E nepër dritë të tyne xhixhillim si shkëndija,
Patërshana të pergjakuna vetoshin.

E vàj e ankime per gjith anë granija,
Kur ahte e burrash e ulurima ushtoshin,
Nen tundrë të kualve tui i trusë Shqypnija.

Ktheni nder shpija, o djelm, sokola ktheni,
Me at dritë të shkelqyeshme qi ju suell trimnija;
Krahas me ju vjen nâmi e vjen lumnija
Qi perhapun gjith shekullit ja keni,

Me barkë t'ushtrueme per mbas prènash, eni
Me rrgjant ngarkuemun e mermerë e mija
lumësh e permêndesh qi ndërtoj Greqija,
E keqas gëzuejti deri sot Eleni.

Me brohorì ju pret per faqe të zbardhme
Nder sqele Iliri flamorët qi ndoqne
Zêmra të terhuzta nepër lamë nderimi.

E, timiam' e shêjte, i flijve timi
Perciell fatosat qi prei jetës u shkoqne
Tui i dhanë shpirtin atdheut e kohës pertardhme.

Këtû Amàzone ilire e bind natyret,
Fis i Hyjvet të Dodonës, Teuta mbretnote,
Kur Pinës ferishte, për hitì detyret,
Jeten mbretnore e rregjinìn e shtote,

E të nji mêndes kreshnike të gjitha zyret
Adrijatikut me kujdes ja trote,
E pà leje t'Ilirve, o 'j shêj pagtyret
Dètin shqyptàr i hueji s'e kalote.

E kur, ndërkrye per ushtrija e mndore
E mbretnìna të grabituna me dhune,
Ju turr Roma me e trembë me fjalë madhshtore,

Rrebtas e gjegji: "Jo mos prit shka lype".
E atëherna së parit kaperthyeshem xûne
Luftime e gjaqe Shqyptarët me shqype.

Por se fatmadhe, o Lesh, nji ditë do të mbërrîte
E mâ të lumin nder shokë bota do të thote,
Kur në nji kishë t'ande tempull të rij të përtrîte
Per lirimin e atdheut Shqypja kob-plote.

Si tallaze të peshtŷmuna do të vite
Prej fushës e malesh Shqyptarija, mote,
Të reja tui lypun per atdhè, të pershîte
Giûjas Permendsen qi mjet tejet vrote.

Atjè nanat shqyptare 'j ditë do të shkoshin
Me fëmijë per doret, e n'at zij qi paten,
Per atdhèn e vorfnuem do t'u betoshin.

Se ti do të shifshe, o Lesh, kur të delte shtegut
Të nji gjallimit kreshnik, e t'ulte shpaten,
E ti vorrin do të mbàjshe të Skanderbegut.

Porsì 'j luâ luftnave, kreshniku
U pshtet, molisun per atdhèn, e shgjeshi
Shpaten e mnèrshme qi pat frikë anmiku,
E nam t'amshueshem Shqyptarìs i reshi.

E prej sŷve n'at ças mbshehtas i piku
Nji lot ndër faqe, e, stolì qi s'zhdeshi,
Mbi kryq të përmbajtun, nder të dy duert kreshniku
Shqypen e ballit të mbramen her' e ndeshi.

Nuk e rrethuen fatosin n'ato të vshtira
Paranikët e Shqypnìs as djelmt e fisit,
Qi lumnì ju perftoj e dit mâ të lira.

Vetëm, si hije qi nper an' u ndrroshin,
Dalun prei fronesh të madhes fushë t'Elisit,
Fatosat e gjith kohnave lotoshin.

E nêlt prej qiellet fluturim qe zbritne
Tuba-tuba qiellorët, e nder duer kishin
Kryq e kunorë qi të dekunit i bishin,
E, si lterit të shugruem, prûjshëm ju avitne.

Pezull tu 'e bàjtun në shejtet duert e pritne,
E në hapsina të pàmatuna, kah ishin,
Fluturuene me têne e, kû vetë rrishin,
Së bashkut tuì kënduemun me nderim e njitne.

"Qe dishmuesin, o Zot", - këndoshin - "qi jeten
Per shejten fè, per Shqyptarìn e shkrini
E pà tundshme perherë shtyll' e mburoje.

Aj diq, o Zot, per mbas detyrës, por të shkreten
Atme ti rueja, qi dikuur pertrini,
Ti në qiell nder mprojsa të Shqyptarìs rreshtoje".

COMMENTS