Luigj Bumçi (1872-1945)

luigj bumci
Luigj Bumçi lindi në Shkodër, më 7 nëntor 1872, në një familje të vjetër qytetare, i biri i Gjon Bumçit dhe i së motrës të Pashko Vasës. Mësimet e para i nxuri pranë Scuola Tecnica Commerciale e hapur nga jezuitët për familjet tregtare. I ati e dërgon në Durrës për çështje tregtare, kësodore kaloi mosha e rregullave jezuite për meshtari - urdhër ku i riu Luigj donte të ndiqte studimet në Seminar. Në sajë të ndërhyrjes së bërë nga kardinali Ledokovski me anë të një letre dërguar Guerinit arqip. i Shkodrës, pranohet në Seminarin Papnor më 17 gusht 1898. Kreu mësimet e filozofisë dhe teologjisë më 3 maj 1903 u shugurua meshtar.

Shërbeu ndër fshatrat Shkrel, Pentar, Juban dhe mandej në Shkodër. Më 10 dhjetor 1911 u shugurua ipeshkëv i Lezhës me qendër në Kallmet. Më 1911 qe anëtar i misionit për marrëveshjen midis malësorëve e qeverisë turke, duke shërbyer si ndërmjetës me diktim të Imzot Jak Serreqit. Shkruajti memorandume tok me Fishtën dhe Dodën për autonominë e Shqipërisë. Kujtimet rreth kësaj ngjarjeje do t'i botoheshin tek organi i shtypit françeskan "Hylli i Dritës". Për gjendjen e Malcís bashkëpunoi me Luigj Gurakuqin e me gjithë patriotët e aktivizuar në këtë kryengritje.

Merr pjesë në Kongresin e Durrësit, përzgjidhet ministër pa portofol në qeverinë e Turhan pashës dhe përtej qershorit të 1919 si kryetar i Dërgatës në Konferencën e Paqes në Versajë, Paris. Mbajti fjalimin e pergatitun nga Fishta "Të drejtat e Shqipnisë etnike" dhe shkruan "Mëvetësinë e tanësinë tokësore e Shqypnisë mbrenda kufijve ethnikë e respektim i të drejtave syprane të kombit shqyptar". Në dhjetor ndërhyri pranë Papa Benediktit XV që Korça e Gjirokastra mos t'i shkëputeshin Shqipnisë siç e kishin planifikuar mes vetes Italia me Greqinë në paktin Tittoni-Venizelos të nënshkruar në qershor të 1919 - gjatë periudhës tetor-dhjetor përpjekjet e tij me kontaktet e ndryshme në kler e politikë ku has edhe në tollovinë e dërgatave të ndryshme shqiptare. Deklaroi bujshëm para autoriteteve të huaja, se «... me muslimanët jena vllazën». Lobingu i tij gëzoi mbështetje të fortë nga dërgata e Stambollit e prirë nga Halil pashë Alizoti, Fuat bej Dibra dhe P. Jul Bonati SJ. Mori pjesë gjithashtu në Kongresin e Lushnjës, u zgjodh si përfaqësues i elementit katolik në Këshillin e Naltë të Regjencës së bashku me Aqif pashë Biçakun, Abdi bej Toptanin dhe Mihal Turtullin.

Përdori tërë ndikimin e tij për të bërë të mundur që L. Gurakuqi të zgjidhej në zgjedhjet e prillit 1921. Bashkë me Aqif pashën dhe figura tjera të politikës së kohës organizojnë grushtin e shtetit në javën e parë të dhjetorit 1921 me bindjen se u bë për të shpëtuar kombin, lëvizje që shtrëngon k/ministrin Pandeli Evangjeli të japë dorëheqjen. Lirohet nga detyra në Këshillin e Naltë më 22 dhjetor, dëbohet nga qeveria e kohës prej kësaj pjesëmarrjeje dhe zëvendësohet nga Ndoc Pistulli në Regjencë. Jeton në mërgim nga 1922 gjer më 1924 - kohë kur i digjet edhe shtëpia. Kthehet në atdhe dhe kujdeset për mbarëvajtjen e ipeshkvisë së tij prej të cilës do jepte dorëheqjen më dt. 1 shtator 1943.

Takon P. Gjergjin verën para se të vdiste, në kuvendin e fretënve në Troshan. "I dërrmuem nga seancat hetimore e kërcnuese, ipeshkvi plak vdiq menjiherë, me 1 mars 1945", shkruan Dr. Pjetër Pepa. Para kufomës së ipeshkvit mbajti predkun P. Pjetër Mëshkalla SJ. Trupi i tij u varros në kishën e Kallmetit.

COMMENTS