28 Nanduer.., Hilë Mosi

ngritja e flamurit ne kalane rozafa, shkoder, prill 1914
Kjo ditë shënon për ne Shqiptarët një zhvillim jete kombëtare: nisjen e përlindjes shqiptare, ase të hymit e kombit shqiptar në një jetë të re ndër valle të kombeve të qytetnuem.

Shumë qenë përpjekjet e mundimet e Shqiptarëve për me ja mërrijtun kësaj dite, por veprat e tyne, ndonse lanë nji gjurmë mbrapa, nuk mujtën m'e çue në vend dëshirën e zemrës së tyne, deri sa dora e lumnueshme e plakut të Shqipnisë, ajo e Ismail Qemal Beg Vlorës, e pat fatin e bardhë me 28 Nàndur 1912 mbi Vlonën e famshme, m'e ngrehë atë flamur, i cili prej qindra vjetësh rrinte i shkrryem në pluhun. Qysh atë ditë flamuri i shenjtë i yni valon mbi Shqipnì edhe përhidhet, tue u sjellë herë nga veriu, herë nga përendimi, nga jugu e nga lindja si të dojë me kujtue madhënin'e hershme të kombit nën Leken e Madh, Burrin e Teuten, kur bota mbarë çuditej për veprat e tyne të madhnueshme.

Mjerisht intrigat e hueja t'armiqve tonë, tue shtì zjarmin e përçamjes në mes tonë, si dhe ngjarjet e tmerrueshme të luftës botnore, qi sollën ndryshime të mëdha në gjirin e Shqipnisë, e banë për disa kohë me u zbritë prej kështjellave e ndërtesave zyrtare të Shqipnisë këtë shej të shenjtë i cili me aq dashunì e kujdes rrinte ndryem ndër zemra t Shqiptarve.

Por "mbas fortunës dell dielli" thotë nji fjal'e motshme; e kështu mbas qi bota u ngop me gjak, edhe gjama e topave nisi me prajtë, e pamë përsëri atë flamur të shkëlqyeshëm të valojë me guxim e madhështi mbi kështjellat e ndërtesat zyrtare.

Gëzim'i jonë àsht, aq më i madh, kur kujtojmë se sivjet ky flamur àsht tue value mbi disa vise shqiptare, qi par andej nuk pat valuem, e shpresa e jonë e gjallë edhe e patundshme àsht, se ky shej i shenjtë për së shpejti do të valojë edhe mbi tjera vise t'atdheut tonë, qi qysh sa kohë àsht tu e dishru, për me jetu një jetë të lirë e fatbardhë nën hije të tij.

Por midis gëzimit qi na ndien zemra, lypset që ne mos t'harrojmë se këti flamuri ne i kemi detyrë edhe një kusht pa realizimin e të cilit jo vetëm shej'i jonë kombëtar, por as atdheu nuk mund të ketë jetë e gjallnim, e ky kusht nuk àsht tjetër veç se "vëllaznia", e cila lypset t'i lidhi e t'i bashkojë të gjitha zemrat shqiptare pa ndryshim bese e feje për lavdinë e flamurit të Shqipnisë. T'i betohemi pra në këtë ditë të lumnueshme, besë e vëllazëni këti flamuri edhe t'i bashkojmë të gjitha fuqit tona nën hije të tij, e atëherë ne të gjithë do të jemi të kënaqun, se e kemi lutë mà së miri kremten e flamurit 28 Nànduer:

Del prej kështjellesh tona mà jetike
nji gjamë gëzimi, qi përshkon në shpejtim
çdo fushë e mal t'asaj Arbnisë kreshnike
n'çdo gjoks arbnori duke gjetë ushtim.

Tomorri plak fillon e lshon ushtimin,
qi kep mbi kep përshkohet nalt mbi Pind,
me Perister dhe Shari jep tingllimin:
"Nji komb unji gjith tok sot u përlind".

Prej detit del nji gjàmë duke ushtuemun:
"Bajram e Pashkë àsht sot për komb arbnuer,
qi prej fortunës s'rrebtë ka shpëtuemun" -

E mbi të kuqin qiell shifet shkruemun
nën t'artat fjalë Njizetetë Nànduer:
Bashkou Arbni ti sot, se ke fituemun
!

COMMENTS