Gjovalin Gjadri dhe urat e para në Shqipëri

Gjovalin Gjadri Gjovalin

Gjovalin Gjadri lindi në Shkodër më 2 korrik 1899. Ishte inxhinier, konstruktor i shquar në projektimin dhe ndërtimin e urave, profesor. Me punën dhe veprimtarinë e tij të madhe krijuese e rezultative, ai la një trashëgimi të pasur shkencore, duke u bërë i njohur edhe në komunitetin inxhinierik europian.
Vdiq më 13 mars 1974 në Tiranë.

Gjovalin Gjadri, inxhinieri i urave të para shqiptare


- nga Niko Pojani, Prof.Dr. i Inxhinierisë së Ndërtimit

I njohur dhe i respektuar edhe në komunitetin shkencor-inxhinierik europian, Gjovalin Gjadri mbetet një ndër personalitetet më të spikatura, në mos më i shquari, i shkencës së konstruksioneve të ndërtimit, por dhe i studimit e projektimit të urave në Shqipëri. Emri i tij u lidh fillimisht me një urë "emblemë", sikurse është Ura e Matit, e ngritur në vitet 1926-1927 afër Milotit. Kjo urë e bukur me harqe njihet si ndër strukturat e para betonarmé në Europë e në botë, ku, për të shmangur plasaritjet e varëseve dhe të tiranteve të saj, është përdorur me sukses koncepti novator i teknikës së paranderjes (ndonëse në mënyrë të pjesshme dhe realizuar me teknikat modeste të kohës). Pikërisht për këtë fakt kjo urë gjendet e referuar jo vetëm në literaturën teknike shqiptare, por edhe në atë të vendeve të tjera.

Ura e Matit, e njohur edhe si ura e Zogut, ka funksionuar në mënyrë intensive deri para pak vitesh. Nga viti 1999, për vlerat e saj të shumanshme, Ura e Matit është shpallur zyrtarisht monument kulture në vendin tonë. Në gjendjen aktuale ajo ka pesë harqe me hapësira-dritë të njëjta, nga 54 m secila. Por, sikurse paraqitet edhe në një skicë teknike të vitit 1940 që ruhet në Arkivin Qendror të Ndërtimit, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore ajo ka pasur gjashtë harqe. Njëri prej tyre, i shkatërruar gjatë luftës, pas përfundimit të saj u zëvendësua me një strukturë tip-tra.

Ura me harqe e Matit u ndërtua gjatë viteve 1926-1927, sipas projektit të paraqitur nga kompania italiane e projektim-ndërtimit "Mazorana & Co". Ka qenë ndoshta një rastësi fatlume që në projektimin e saj u angazhua njëri prej themeluesve dhe personaliteteve më të shquara inxhinierike europiane të fushës së betonarmésë, profesori gjerman Emil Mërsh (Emil Mörsch, 1872-1950). Sikurse tregohet dhe këtu në një fletë të riprodhuar nga dosja e plotë e projektit konstruktiv të urës që gjendet në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit në Tiranë, projekti është përgatitur nga profesor Mërshi në Shtutgart të Gjermanisë dhe është përfunduar prej tij në muajin maj të vitit 1926.

Pikërisht në ndërtimin e kësaj ure të veçantë, krahas specialistëve të tjerë - ndër të cilët dallohej inxhinieri i shquar zviceran Ervin Shniter (Erwin Schnitter, 1897-1980), i diplomuar nga Shkolla Politeknike e Zyrihut (Zvicër) - debutonte inxhinieri i ri i talentuar shqiptar Gjovalin Gjadri (Shkodër, 1889 - Tiranë, 1974). Me punën e tij në këtë vepër filluan të spikasin vlerat e veçanta profesionale të inxh. Gj. Gjadrit, figura e të cilit do të ngrihej gradualisht në përmasat e një personaliteti të shkencave inxhinierike.

Gjovalin Gjadri mori mësimet e para në qytetin e lindjes, në Shkodër, kurse shkollën e mesme dhe studimet universitare për Inxhinieri ndërtimi i kreu në Austri. Më 1925-ën ai kthehet në Shqipëri dhe deri më 1927-ën angazhohet në projekte dhe zbatimin e punimeve të objekteve të ndryshme ndërtimore të vendit, sikurse ishte dhe ura e Matit.

Ura e Zogut, Ura e Matit, Gjovalin Gjadri
Ura e Matit / Ura e Zogut (1931)
Në vitet 1927-1931 punon si projektues konstruktor në Institutin e Projektimit të urave në Moskë, Rusi, ku u dallua për përgatitjen e lartë inxhinierike. Më 1932-shin sëmuret dhe rikthehet në Shqipëri. Pasi përmirësohet nga ana shëndetësore, fillon punë në Ministrinë e Punëve Botore (Publike), duke vazhduar gjithnjë me angazhime të rëndësishme e të vështira inxhinierike.

Gjatë gjithë veprimtarisë së pasur profesionale, rreth 50-vjeçare, inxh. Gjovalin Gjadri u shqua për nivelin e lartë në studim-projektime dhe numrin e madh të veprave të projektuara që mbajnë emrin e tij. Në fondin e Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit ruhen projekte të mbi 75 veprave inxhinierike të tij të ndërtuara në rajone të ndryshme të Shqipërisë, midis të cilave spikasin:
Ura e Lanës (në bulevardin e madh të Tiranës - v. 1932),
Ura e Bunës (Shkodër - v. 1934),
Ura e Zaranikës (Elbasan - v. 1934),
Ura e Gjanicës (qyteti i Fierit - 1940),
Ura e Mbrostarit (Fier - v. 1945),
Ura e Mezhgoranit (Tepelenë - v. 1947),
Ura e Rrogozhinës (v. 1948),
Ura e Bahçallëkut (Shkodër - v. 1949),
Ura e Mokrës mbi Shkumbin (Pogradec - v. 1951),
Kullë e lartë uji për lokomotivat (Durrës - v. 1951),
Ura e re e Mifolit mbi Vjosë (Vlorë - v. 1952),
Centrali i Rubikut (v. 1952),
Urë tip pasarelë mbi Vjosë (Memaliaj - v. 1953),
Oxhak i lartë në Rubik (v. 1954),
Ura mbi Dunavec (Maliq - v. 1957),
e shumë e shumë vepra të tjera, kryesisht nga infrastruktura e transportit si dhe objekte industriale. Një pjesë e mirë prej tyre janë projektuar e realizuar në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga lufta. Dhe veçanërisht në to shkëlqyen fantazia, talenti, guximi inxhinierik, por dhe patriotizmi i madh i Gj. Gjadrit, që realizoi konstruksione të vështira në kushtet po aq të vështira, të një kohe kur kishte mungesa të shumta deri dhe në materiale ndërtimore.

****

Krahas punës studimore-projektuese si dhe detyrave drejtuese në zyra dhe ekipe inxhinierike qendrore të vendit, që në fillimet e angazhimeve profesionale, inxh. Gj. Gjadri do të mbetej gjithnjë edhe një studiues i apasionuar i Shkencës së Konstruksioneve. Me punën dhe veprimtarinë e tij të madhe krijuese e rezultative, ai la një trashëgimi të pasur shkencore, duke u bërë i njohur edhe në komunitetin inxhinierik europian. Veç punës studimore-projektuese disavjeçare në Moskë gjatë viteve 1927-1932, moment i rëndësishëm i angazhimeve shkencore-inxhinierike të tij jashtë vendit ka qenë periudha e viteve 1936-1937. Në vitin 1936 inxh. Gj. Gjadri paraqiti një kumtesë shkencore në Kongresin e dytë mbi urat dhe strukturat inxhinierike, organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Urave dhe Inxhinierisë së Strukturave - IABSE ("International Association for Bridge & Structural Engineering"). Në këtë kumtesë, të publikuar më 1937-ën në tematikën "IVb-8" të Përmbledhjes së punimeve të Kongresit, me titullin "Probleme të llogaritjes së urave në Shqipëri" ("Über Brückenprobleme in Albanien"), inxh. Gj. Gjadri paraqiti një metodë teorike të tij për llogaritjen statike të urave me harqe, e cila u vlerësua origjinale dhe mjaft efektive për kohën. Metoda e inxh. Gj. Gjadrit për analizën statike të këtyre urave ishte përdorur prej tij në një rast konkret për kontrollin e urës hark betonarmé të Gomsiqes në veri të Shqipërisë, me hapësirë-dritë 55 m, çka gjithashtu ishte pasqyruar dhe në kumtesë (Ura-hark e Gomsiqes u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore).

Dokumente të korrespondencës së bërë gjatë vitit 1937 midis zyrës së IABSE-së në Zyrih (Zvicër) dhe inxh. Gjadrit lidhur me botimin e kumtesës së tij ruhen me përkujdesje të veçantë në një arkiv, në shtëpinë e tij, nga i biri, Prof. Egon Gjadri, i cili është gjithashtu personalitet i njohur i studimit dhe projektimit të veprave të ndërtimit në Shqipëri, veçanërisht atyre hidro-energjetike.

****

Më 1949-ën, Prof. Gj. Gjadri do të shquhet përsëri, me një studim tjetër origjinal mbi funksionin e adezionit në lëvizjen e trenave në hekurudhat malore. Ky studim me 46 faqe, i botuar në vitin 1949 në Buletinin e Institutit të Shkencave - Tiranë, e kapërcente kontekstin e angazhimeve të "zakonshme" të tij që ishin strukturat e urave. Gj. Gjadri shfaqet aty si një personalitet poliedrik, me dije të thelluara edhe në fushat e Matematikës së aplikuar, Fizikës dhe Mekanikës.
Me argumente shkencore dhe duke iu referuar studimeve të shkencëtarëve e inxhinierëve të shquar të botës, si Dalamber, Kulon, Stefenson etj., në këtë studim të shkëlqyer Prof. Gjovalin Gjadri vlerëson zgjidhjet e drejta e të guximshme të bëra rreth një shekull më përpara (v. 1854) për projektimin dhe ndërtimin e së parës hekurudhë malore (alpine), Semmeringut, duke u mbështetur në rolin e adezionit midis rrotave të lokomotivës dhe shinave të hekurudhës. Për atmosferën skeptike të kohës kur po ndërtohej ajo hekurudhë, Gjadri shprehet se "njerëz me autoritet teknik nuk i kanë besue adezjonit dhe kanë propozue për linjën e Semmeringut një hekurudhë me rrota me dhambë". Sikurse dihet, hekurudha e Semmeringut është vepër e inxhinierit me famë botërore, Karl Gega (Carl Ritter von Ghega, 1802-1860), që njihet për origjinën shqiptare të tij. Lidhur me këtë fakt, në dy-tri faqet e fundit të studimit, Prof. Gjadri, mbështetur dhe në afirmime nga autorë të huaj, nënvizon: "Nuk ka dyshim se Karl v. Ghega ka qënë shqiptar. Ky fakt atestohet në qarqet austriake pa kontestime...". Më tej, në dialektin karakteristik gegënisht të shqipes dhe me një frazë elokuente, ai vazhdon: "Në çështje hekurudhash, mund të themi pa ra në gabime se, në qoftë se nuk kemi ndërtue me kohë hekurudha në Shqipëri, kemi ndërtue me kohë hekurudha në vënde të huaja. Me këto fjalë mund të mburremi me të drejtë, por këto fjalë të bukura nuk mund t'i folshim, në qoftë se nuk kishim pështetje n'emnin e Karl v. Ghegës".

****

Në periudhën 1946-1956 Prof. Gj. Gjadri punoi në Ministrinë e Ndërtimit si përgjegjës i sektorit të projektimit "Ura-Porte" dhe shef i sektorit të kontrollit teknik. Nga viti 1955 e në vazhdim ai vazhdoi aktivitetin studimor e projektues, duke qenë tashmë i atashuar në punë mësimore-shkencore pranë katedrës së Rezistencës së materialeve të Fakultetit të Inxhinierisë - Tiranë (sot Departamenti i Mekanikës të strukturave në Fak. Inxh. Ndërtimit). Në fillim të viteve 1970 inxh. Gjovalin Gjadrit iu akordua, ndonëse me shumë vonesë, titulli akademik "Profesor". Por ai nuk u propozua ndonjëherë për të qenë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ndërkohë aty, për fushat e Rezistencës së materialeve dhe Shkencës së konstruksioneve ishte emëruar një autoritet i kohës, ish-rektor, me të cilin Prof. Gj. Gjadri ka pasur debate të gjata, duke iu kundërvënë veçanërisht një teorie mbi "bazat e reja materialiste" që pretendonte se kishte ngritur autoriteti për këto fusha. Në ato debate - të cilat janë ndjekur jo vetëm nga pedagogë, por edhe nga brezi i studentëve të Inxhinierisë të fundviteve '60, drejtpërdrejt në sallën ku zhvilloheshin në universitet dhe nëpërmjet publikimeve të tyre - do të spikaste edhe një herë karakteri parimor, thellësia e mendimit dhe autoriteti i vërtetë shkencor i Prof. Gjadrit. Punëtor i madh i shkencës e njeri i progresit, ai njëherësh mbahet mend dhe si njeri i drejtë, tepër kërkues ndaj vetes, por dhe i pakompromis e i paepur në mbrojtje të lirisë së mendimit dhe së vërtetave shkencore, pavarësisht kohës, dallkaukëve, servilëve dhe pengesave që haste në punën dhe jetën e tij.

Në vitin 1965 Prof. Gj. Gjadri botoi vëllimin I të veprës madhore të tij "Shkenca e Konstrukcioneve". Kjo është monografia e parë shqiptare në këtë fushë. Ajo dallohet jo vetëm për analizat e thelluara teorike, por dhe për aplikimet fine inxhinierike. Prof. Gj. Gjadri e kishte konceptuar veprën e tij "Shkenca e Konstrukcioneve" në tri vëllime. Por vdekja në vitin 1974 nuk e lejoi që ta dërgojë për botim vëllimin II, ku trajtoheshin edhe teoritë e Mekanikës së trojeve dhe as të përfundojë vëllimin III, ku do të përfshihej i plotë studimi origjinal i tij mbi analizën statike të strukturave tip-hark.

Në një recension publik botuar në shtypin e kohës në shtator 1966, duke komentuar vëllimin I të veprës së Prof. Gj. Gjadrit, një inxhinier tjetër, konstruktor i talentuar dhe studiues i apasionuar i fushës së konstruksioneve të ndërtimit, Haxhi Dauti (1921 - 1969) shprehej se: "Libri i inxh. Gjadrit është shkruar me dinjitet teknik dhe karakterizohet nga një nivel i lartë teorik, si nga pikëpamja e thellësisë së argumentimit, ashtu dhe nga ajo e rrobës matematike... Lënda e trajtuar në të është mjaft e gjerë dhe aktuale... Libri ka rëndësi të madhe të dyfishtë, për inxhinierët dhe studentët e Inxhinierisë...". Me shumë elegancë, por dhe me admirim të dukshëm profesional, vlerësimin e lartë për këtë libër - mendoj se ky libër mbetet gjithnjë fort i rekomandueshëm për t'u studiuar nga studentët dhe konstruktorët e ndërtimit - inxh. Dauti e shprehte kështu: "Libri i inxh. Gjadrit është gur themeli për zhvillimin e kulturës sonë teknike... Të studiosh librin e inxh. Gjadrit është sikur të ngjitësh një mal të lartë, i cili kërkon durim, këmbë të shëndosha dhe zemër të fortë. Por lodhja vlen, pasi në majë të malit njeriu zotëron një pamje të gjerë e të bukur dhe u afrohet majave të tjera më të larta...".

Një vlerësim ky që mund t'i dedikohet dhe gjithë veprës madhështore të Prof. Gjovalin Gjadrit, i cili mbetet vetë një majë e ndritur dhe frymëzuese e shkencës inxhinierike shqiptare.

COMMENTS