Marigo Pozio dhe Flamuri Kombëtar

Marigo Pozio lindi më 2 shkurt 1892 në Korçë. Prindërit e saj, Papakosta Poçi dhe Lenka Ballauri, ishin me origjinë nga Voskopoja. Ajo kishte dhe dy motra; Urania Poçi, e martuar me Kristo Floqi, dhe Angjeliqi Poçi, e martuar me Koço Kosta (kryeministër në kohën e mbretit Zog). Marigo Poçi u martua me Jovan Pozio nga Hoçishti i Devollit. Familja e saj u vendos më vonë me banim në qytetin e Vlorës, ku dhe Marigoja vdiq më 23 shkurt 1932.

Zonja Marigo Pozio njihet si një idealiste e madhe e që të gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Flamuri që u ngrit në Vlorë, më 28 nëntor 1912, nga Ismail Qemali, mendohet të jetë qëndisur nga ajo. Këtë mendim e ka konfirmuar edhe Zonja Zhaneta Poçi, mbesë e Zonjës Marigo. Një nga pionierët e Antropologjisë Shqiptare, Jakov Milaj në një artikull kushtuar Zonjës Marigò dhe flamurit kombëtar, ndër të tjera shkruan [*]:

Marigo Pozio, Marigo Poçi, Marigo Posio
Vlora, njëherë e një kohë, ka pasur një zonjë që të gjithë ditën e kalonte duke qëndisur flamuj, të gjithë natën duke pritur e pëcjellë nacionalistët që në shtëpinë e saj, bënin mbledhje për të shkëmbyer mendime e për të marrë vendime rreth luftës për Atdhe. Ata që kanë hyrë në një shtëpi të vogël, dera e madhe e së cilës hapet në rrugën që sot mban emrin "Justin Godart", e kanë përshkruar në këtë mënyrë Zonjën Marigo Pozio: ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare, e me një fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në rini të saj. Ishte gojëmbël dhe buzëqeshur. E zonja në fjalë sa t'ia kthente mendjen edhe burrit më të peshuar, trimëreshë në vepra sa nuk i trëmbej syri as prej bajonetave turke. Ishte mjaft e gjallë dhe, për kohën e saj, kishte një kulturë të mirë të shoqëruar nga një gjykim i fortë. Dinte shumë gjëra; njihte sidomos, mirë përpjekjet e Shqiptarëve për liri; kishte lexuar të gjithë poetët e Rilindjes tonë Kombëtare, shumicën e vargjeve të të cilëve i dinte përmendsh.

Shumë vjet më pas, gazeta e saj "Shpresa Kombëtare" do të botojë një poezi të hartuar në kohën e robërisë:

Do vinje prap, do vinjë
Do vinje vera, behari;
Bima, lulea të mbinjë,
Të marë shpirt Shqiptari.

Rét e zeza do pëdahen,
Do shkonjë koha e ftohtë,
Lotët në vite do thahen,
Sa të vinje dielli i ngrohtë. [1]

Ibrahim Shyti, arkivisti fanatik i impulsit nacionalist vlonjat, përveç librave të shumtë, ka ruajtur edhe shumë dokumente të vlefshëm, letra të shkëmbyera e gazeta të vjetra që kanë të bëjnë me rilindjen tonë kombëtare (që, sipas amanetit të tij, iu dhuruan bashkisë së Vlorës). Shumë ndër këto flasin mbi Zonjën Marigo Pozio.

Ka njerëz që mbajnë mend se kjo zonjë, që në vitin 1904 interesohej për çështjen Shqiptare, predikonte idenë e Shqiptarizmës nëpër gra e nëpër burra, merrte pjesë nëpër mbledhjet e ndryshme të nacionalistëve. Ndërsa i shoqi, Jovan Pozio, një burrë i mirë dhe i hijshëm, e kalonte ditën në dyqanin e tij, Zonja Marigo, në shtëpi qëndiste, shkruante artikuj për gazetat, shkëmbente letra me miqtë e shumtë atdhetarë të shpërndarë në të gjithë botën, iu fliste grave të Vlorës për një Shqipëri të lirë, diskutonte me burrat për ngjarjet e ditës, për propagandën që duhej filluar, për luftën që duhej nisur.

Pas shpalljes së pavarësisë, Zonja Marigo nuk u ndal së punuari për çështjen kombëtare. Është bashkëpunëtore e Ismail Qemalit, të cilit, më 28 nëntor 1912, i jep flamurin që do të shohë për të parën herë dritën e shkëlqyer të diellit shqiptar. Dera e oborrit të saj tani i hap të dyja kanatet për të pritur e përcjellë nacionalistët. Oda e miqve bëhet qendra më kryesore ku rrihen problemet e koklavitura të ditës.

Në këtë kohë ajo kthen sytë në një fushë tjetër të palëruar të cilën e kishte me kujdes me vjetë me radhë: në rrethin e grave. Nisi, më parë, këshillat, propagandën. Iu flet zonjave të çdo klase: të bejlerve, të tregtarve, shërbëtorve të tyre, grave të pasura e të varfëra. Më vonë propozon mbledhjen e një kongresi të gruas Shqiptare dhe ia arrin qëllimit. Në krye të vitit 1914, themelohet shoqëria "Shpresa Kombëtare" [2], në të cilën ajo, si më e ditura grua e qytetit, zgjidhet sekretare.

Viti 1914 ka qenë një nga vitet më të përzier në jetën tonë kombëtare. Princi gjerman Wied (Princ Vidi), që u dërgua për të mbretëruar, e gjeti vendin tonë në një gjendje të brendshme të ndërlikuar dhe në luftë me të huajt. Shqipërisë i ishin njohur kufijt nga Konferenca e Londrës që në vitin 1913, por shtetet fqinje nuk e pranonin vëndimin e Fuqive të mëdha. Grekët kishin hyrë në prefekturat e Korçës e të Gjirokastrës dhe, me gjithë kundërshtimin shqiptar, kishin mundur të ecin përpara. Shumë familje, për të shpëtuar nga ndjekjet e tyre, kishin lënë plëng e shtëpi dhe kishin ardhur në Vlorë. Nën ullishtat, nëpër shtëpitë e rrëzuara e dyqane të vjetër ishin mbledhur mijra muhaxhirë.

Në gjendje të këtillë, që as burrat s'po i bënin dot ballë, megjithëse po përdornin armët dhe po derdhnin të gjitha fuqitë e tyre të varfëra në diplomaci, e vinte në pozitë të vështirë veprën e Zonjës Marigo. Ajo duhej të mbante gjallë entusiazmin ndër shoqe dhe të bënte diçka të dobishme për Atdhenë e mjeruar.

Për të ngrohur zemrat e Vlonjatëve u paraqit një rast i mirë: Mbreti Wilhelm i Parë, një muaj mbasi arriti në Shqipëri, i mallëngjyer prej mjerimit të muhaxhirëve të ndjekur nga Grekët, desh të vizitojë Vlorën. Zonja Marigo do t'i përgatiste një pritje madhështore nga ana e organizatës femrore të porsakrijuar.

Mustafa Qulli, gazetari dëshmor, e përshkruan për bukuri, në një reportash të gjatë këtë pritje:

Skela e Vlorës ishte mbushur me njerëz. Ismail Qemali, prefekti, kryekatundari, oficerët organizatorë t'ardhur prej Hollande, e konsujt e Austrìs e t'Italìs, kishin zënë vêndin qêndror. Pranë tyre vinte grupi i madh i gráve, të veshura me petkat më të bukura, nëpër mëngët e nëpër kraharorët e të cilave ishin qepur kordela të kuqe e të zezë. Porsa u duk, në horizontin e hapët yacht-i mbretëror, një morì barkash të vogla, mbushur me popull të thjeshtë e me përfaqësonjës, shkuan drejt tij. Kur yacht-i u ndal nja një qint metra larg toke, vetëm një barkë e vogël u drejtua kah shkallët dhe disa grá u ngjitën në 'të. Mbreti e Mbretëresha pranuan përpara të gjithëve, përfaqsìn e shoqërìs "Shpresa Kombëtare". Zonja Marigò, kryetarja e këtij grupi, e mallëngjyer pse po shihte të vërtetuar ëndërren e saj të sa e sa vjetëve, me lot ndër sŷ i dorzoi Mbretëreshës një tufë të madhe lulesh të zgjedhura. "Mbretëresha e puthi në ballë". Në tokë Sovranët i pritën me brohoritje të papërshkrueshme. Jani Minga mbajti një fjalim të mallëngjyeshëm. Kur karroca mbretërore po nisej për në qytet, populli zbërtheu kuajt prej saj dhe e tërhoqi vetë mbretin gjer sa e çoi në banesën që i ishte caktuar. [3]

Kjo vizitë mjaftoi për t'u ngjallur entusiazmin grave të Vlorës. Zonja Marigo, e pagëzuar me një puthje në ballë, fitoi fuqi të reja për të vazhduar misionin që i kishte ngarkuar vetvetes. Vepra më e mirë për kohën kur një mori njerëzish, të plagosur në luftë e të sëmurë, janë duke vdekur urije e së ftohti nëpër ullinjtë e Vlorës, ishte ndihma për muhaxhirët. Edhe pëpara se të vinin në Vlorë Sovranët, ajo kishte mundur të mbledhë afro 3804 groshë (monedhë turke, që përdorej edhe në vendin tonë). Mbretëresha Sofije, për të përkrahur këtë iniciativë, i dhuroi Zonjës së Syrja Bej Blorës - kryetare e shoqërisë - edhe 3000 franga ari bashkë me disa topa basme e pëlhure. Mbreti, mbasi vizitoi të gjithë muhaxhirët me radhë nëpër banesat e tyre të shkreta, iu fali këtyre 100 napolona.

Nis, atëherë, fushata e ndihmave më me nxehtësi. Zonja Marigo, bashkë me dy-tri gra të tjera, shkon shtëpi më shtëpi, troket derë më derë për të kërkuar lëmoshë. S'lë grua pa kapur. Te dyert e paçelura pret nga një gjysëm ore e nga një orë në këmbë, deri sa të çilen. Gjithkush kontribuon me diçka. Dikush jep dhjetshin për muhaxhirët, dikush kacidhen. E me dhjetshe e me kacidhe mblidhet një shumë e madhe: 21.813 groshë. [4]

Lista e ndihmëtareve - edhe e atyre që, për mungesë groshi, kishin dhënë vetëm nga njëzet apo tridhjet para - u botua në gazetën "Populli" [5]. Është lista e vuajtjeve të kësaj zonje nacionaliste: qindra emra, do të thotë qindra dyer të trokitura, qindra shtëpi të vizituara; punë që kërkon djersë, sidomos kur kryhet ndër ditët e fundme të majit. Gratë e Vlorës mendonin që fushata e tyre të përhapej në të gjithë Shqipërinë e nëpër koloni shqiptare; e prandaj kishin dërguar një tok letrash - të thjeshta e të porositura - nëpër të katër anët e botës. Në gazetën "Populli", pas listës së ndihmëtareve, shënohet lista e letrave të dërguara, e, më në fund, Zonja Marigo përshkruan llogaritë se si u shpenzuan të hollat e mbledhura.

Por kohët e veprimit kaluan shpejt e shpejtë. Rebelët e Shqipërisë së mesme e dëbuan Mbretin Wilhelm i Parë nga vendi ynë, mbasi i vranë trimat më të mirë. Po në atë kohë plasi Lufta e Madhe dhe Shqipëria u shkel prej Fuqive të huaja. Shoqëria "Shpresa Kombëtare" u shpërnda pa e parë të aprovuar statutin e saj nga ana e Mbretëreshës Sofia që do të ishte kryetare nderi. Edhe gjatë kësaj kohe Zonja Marigo vazhdonte duke pritur e përcjellë miqtë e vjetër nacionalistë. Fatbardhësisht kjo periudhë turbullimi nuk i kalon të pesë a gjashtë vjetët. Luftrat e 1920-ës i nxjerrin jashtë Shqipërisë Fuqitë e huaja; Kongresi i Lushnjës riorganizon shtetin e lirë shqiptar.
Zonja Marigo, porsa e shikon Shqipërinë të lirë e sovrane, mendon menjëherë komitetin e grave vlonjate që, gjashtë vjetë më parë, ishte shpërndarë pa u formuar mirë. Shoqëria "Shpresa Kombëtare" u formua më 23 janar 1921 [6] dhe menjëherë mori një vendim të madh: të botojë një gazetë që do të ketë për mision zhvillimin e grave shqiptare. Zonja Marigo J. Pozio caktohet drejtoreshë e përgjithshme.

Përmbajtja e artikujve të gazetës "Shpresa Kombëtare", po të mirret parasyshë koha në të cilën janë botuar dhe niveli kultural i gruas shqiptare të vitit 1921 që kishte kryer jo më shumë se një shkollë propagande në gjuhë të huaj, është mjaft e mirë dhe që të gjitha vlejnë për zhvillimin dhe emancipimin e grave shqiptare. Kjo na lejon të kuptojmë se Zonja Marigo ka pasur edhe një kulturë që e bënte superiore ndërmjet shoqeve, dhe njëfarë shije për gazetari.

Gazeta "Shpresa Kombëtare" vazhdoi botimin vetëm për pak muaj. Kur entuziazmi që kishte grumbulluar të gjitha gratë e Vlorës rreth Zonjës Marigo u shua, shoqëria u shpërnda dhe gazeta u mbyll. Zonja Marigo tashmë ishte plakur dhe s'mund të punonte më me vrullin e dikurshëm. Përveç pleqërisë, sëmundjet e mjerimet familjare nuk e linin të qetë. Dy vajza dhe biri i vetëm i vdiqën nga tuberkulozi. Jovani, i shoqi zemërbardhë, që për disa vjetë me radhë mundohej të përkrahë veprimtarinë e saj dhe të ndihmojë çështjen kombëtare, vdiq po prej kësaj sëmundje. Më në fund, bacilet e turbëkulozit nisën të brejnë edhe mëlçinë e Zonjës Marigo. E varfër sa s'bëhet, nuk kishte asnjë mjet për t'u mjekuar. Me kalimin e kohës humbi edhe dritën e syve dhe, më 23 shkurt 1932 vdiq në Tiranë në një gjëndje të vajtueshme. Për varrimin e saj u përkujdes i kunati, Kristo Floqi.

***

Ky është fundi i tmerrshëm i një idealiste të madhe. Zonja Marigo Pozio të gjithë jetën e pasurinë ia kushtoi çështjes kombëtare. Por, megjithëkëtë, emri i saj thuajse u harrua krejt, sikur ndonjë polemikë nëpër gazeta ose ndonjë shënim nëpër revista të mos parashtronte pyetjen: cili flamur qe ai që u ngrit në Vlorë, më 28 nëntor 1912, prej Ismail Qemalit?

Shumëkush është përgjigjur sipas qejfit. Disa thonë se flamuri i parë që u valëvit në Vlorë qe ai që Don Aladro Castriota iu kishte falur bejlerëve të këtij qyteti. "Hylli i Dritës" shkruan se Ismail Qemali, duke ardhur prej Viene, u ndal në Kotorr dhe atje "... Lec Shkjezi, që kishte flamuj gjithfarë maset, i dha një flamur të thjeshtë, kund dy metra të gjatë, mbassi i pat thanë Plaku: nuk e due as tepër të madh, as tepër të vogël" [7].

Të dyja këto pretendime janë të pabazuara. Kërkush nga ata që kanë marrë pjesë në Kongresin e Vlorës, përveç të interesuarve, nuk i zë me gojë gjëra të këtilla. Mbeten vetëm dy hipoteza, në të cilat Zonja Marigo figuron, në mos qëndistarja, sëpaku si kujdestarja e Flamurit Kombëtar: u ngrit flamuri i dërguar prej Amerike nga shoqëria "Besa Besën", apo ai që punoi me duart e veta Zonja Marigo?

Zoti Kolë Rodhe, në një letër të gjatë, përshkruan një histori mahnitëse që duhet t'a njohë cilido Shqiptar [8]:

Në verën e vitit 1911, me pretekst se do të mjekohej, Zonja Marigo shkon në Korfuz (sikurse kishte shkuar, më parë edhe nëpër qytete të tjera) dhe aty takohet me të gjithë përfaqësuesit nacionalistë të kolonive shqiptare që ishin mbledhur aty për të hyrë së bashku e me pushkë në dorë në Shqipëri që të nisin luftën kombëtare. Midis këtyre ishin edhe përfaqësuesit e Amerikës, të dërguar nga shoqëria "Besa besën". Këta - dhe posaçërisht Kola me të vëllanë e Thomas Katundit - i dorëzuan Zonjës Marigo një flamur të qëndisur me mëndafsh e ca fije ari që, "me gjithë shtizë dhe me një shkabë të çeliktë, kishte kushtuar 140 dollarë". Ndërsa 13 të tjerët që përbënin çetën e Amerikës vuanin nëpër bodrumet e Gjirokastrës. Zonja Marigo kthehet në Vlorë me flamurin e veshur në trup nën teshat e përditëshme, nga frika se mos ia gjenin rojet e doganës. Një vit më pas këtë flamur ia dhuroi Ismail Qemalit për t'a ngritur më 28 nëntor, në ballkonin e shtëpis së Xhemil Beut.

Me mendimin e Kolë Rodhës janë edhe shumë nacionalistë të tjerë, ndër të cilët edhe Zoti Qazim Kokoshi. Por Kristo Floqi ka shkruar në fletoren "Arbënia" se flamurin kombëtar që u ngrit për të parën herë në Vlorë e kishte "hartuar" me duart e veta Zonja Marigo, mbi copën e blerë te tregtari Diamanti, si mbas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Pietro Fotografin. Midis atyre që kanë dijeni mbi faktin, Kristo Floqi përmend këta persona: Lef Nosi, Shefqet Dajia, Qemal Karaosmani, Hamza Isa, Thanas Floqi e Ymer Radhima.
Këtë hipotezë të dytë e përkrah edhe shërbëtorja që Zonja Marigo ka mbajtur pranë vehtes gjatë gjithë jetës së saj. Kjo di shumë sende nga jeta e Zonjës dhe i kujtohet se si qendron puna e flamurit që u ngrit në Vlorë...

Flamuri që ngriti për të parën herë Ismail Beu - më tha Zonja Thina Ferra - e ka pikturuar me bojë të zezë vetë Marigoja. Bilè, këtë flamur unë vetë e kam ngrohur pranë mangallit që ta thajë sa më parë. "Shpejt, Thinë, më thoshte e ndjera Zonjë, pse Ismail Beu e do për tashi pas dreke". Flamuri i Amerikës që sollëm prej Korfuzi i është dorëzuar Llambi Bimblit e Kol Rodhës, i paprekur, kur këta po niseshin për në Korçë. Flamuri që bëmë ne nuk ishte krejt i kuq, por pak i zbardhur, në bojë të specit. Po atë ditë kemi pikturuar edhe shumë flamuj të tjerë për t'ia shpërndarë popullit. Kishim edhe një shqipe të vogël që e lyenim me bojë të zezë dhe iu vulosnim qylafet e bardhë të gjithë Lebërve që muarën pjesë në manifestime...

***

Nga gjithë sa u tha më sipër, duhet besuar se flamuri që u ngrit në Vlorë ishte punuar nga Zonja Marigo. Fjalët e Thinës, sidomos, duhen marrë në konsideratë, pse, brenda tyre nuk fshihet asnjë ambicje apo paragjykim. Kjo flet vetëm mbi sa ka parë me sy e ka dëgjuar me veshët e saj.

Por, edhe në mos qoftë e vërtetë se flamuri që u ngrit për herë e parë në Vlore ka qenë i pikturuar vetë prej dorës së Zonjës Marigo, është krejt e sigurtë se, të paktën, ai flamur u ngroh prej trupit të saj, u nxeh në prushin e zemrës së saj shqiptare sa herë i duhej të kalonte nëpër doganat e huaja ose të kërkohej nga autoritetet turke. Flamuri që u ngrit në Vlorë nuk është blerë nëpër tregtarë, por është punuar nga një Shqiptarkë - qoftë kjo edhe në Amerikë - që shkriu jetën dhe pasurinë për liri të Kombit.

Gjithkujt i bëhet të besojë se Vinçens Prennushi O.F.M ka pasur parasysh Zonjën Marigo dukë qëndisur flamurin kombëtar, kur ka shkruar në "Gjeth e lule" poemën e tij të pavdekëshme: Grueja Shqyptare.

_________________

[*] "Përpjekja Shqiptare" - Viti II, Nr.13, 13 janar 1938.
[1] "Shpresa Kombëtare" - Viti I, Nr.6, 25 maj 1921.
[2] "Populli" - Viti I, Nr.3, 18 prill 1914.
[3] "Populli" - Viti I, Nr.3, 18 prill 1914.
[4] Në këtë shumë nuk hyn ndihma e Mbretëreshës, por vetëm ndihmat e vogla të mbledhura nga Zonja Marigo, 20.801 groshë, bashkë me 1.012 groshë nga llotaria që u hoq për një qostek (zinxhir i orës së xhepit) të falur nga vajza e Qazim Kokoshit (deputet i Parlamentit të parë shqiptar).
[5] "Populli" - Viti I, Nr.12, 20 qershor 1914.
[6] "Populli" - Viti I, Nr.12, 20 qershor 1914 / "Mbrojtja Kombëtare" - Viti I, Nr. 16, 21 janar 1921.
[7] "Hylli i Dritës" - Nr. 11, nëntor 1937.
[8] Përshkrimin e Z. Rodhe po e shkurtoj e po i shtoj ndonjë episod të mbledhur nga persona të tjerë (autori).

COMMENTS