Lahuta e Malcis - Mehmet Ali Pasha

lahuta malcis mehmet ali pasha
Po rreh teli i vilajetit:
- Kush â Krye e Bajraktàr,
Kush â beg e shpí e parë,
M'Kaçanik e del m'Qafë t'Diellit,
Hiq e eja ne Gjakovë;
Pse kà ardhë nji Pashë i rì
E kà 'í fjalë të madhe fort
Me u a thânë Krenve t'Shqypnìs
Te konaku i Abdullah Drênit. -

Shkuen trië dit e shkuen trië net
Edhè Krènt behen n'Gjakovë,
Njani beg e tjetri agë,
Kush Vojvodë, kush Bajraktàr.
U kan prië nja dy zotnì:
Alì Pasha e Haxhì Zeka,
Burra lidhë me besë Shqyptare,
Si dyë plume në "xheverdare",
Fíll te Pasha edhè kan hîë.
Atà mirë i kà pritë Pasha -
Pasha Mèhmet Alì Pasha.
U kà qitë duhan e kafe,
I kà pvetë per rob e shpì,
E per treg e per bulqì,
Per mehmurë e viqilade:
Se si shkohej n'ket dhè jeta,
Se a po kisht' me se m'rrnue.
Qatjè vonë po zèn e u thotë:
Baba Mbret u bân "selàm"
Se aj jue u kà lule m'saksì,
Se aj jue u kà, po, hajmalì,
Hajmelí bajtun nen sjetull:
U ruen porsì sý'n nen vetull.
Veç se erdhen mote t'vshtira
Si per Mbret ashtû per Krajla...
Elè mâ qaj Knjazë Nikolla
Nuk po i shef kund mâje vedit,
Ke kì ngelë m'krepa t'Cetinës
Pip i lmuet - pa gjâ mbas shpirtit,
Me i u dhimtë gurit e drunit.
Prandaj Krajlat jânë mendue,
Jânë mendue - e e kan pleqnue,
Me ju lutë Mbretit t'Stambollës,
Qi t'ja lshojë kund kah Shqypnija
Ndoj grimë djerr, ndoj pllamë tokë buke,
Sa me pasë kû me gjellisun;
Pse, vallahi! ngusht kà rà,
Edhè Mbretit - ju rritët jeta!
E kà bâ me mend pleqnì,
Me ja lshue Malit të Zì
Hot e Grudë, Plavë e Gusì...
- Pasha Zotin! kà gabue,
Zûë Alì Pasha tuj u idhnue,
Se kjo pûnë qi s'bâhet kurr:
Se gjâ e shkretë s'kà metë Shqypnija;
Qi me u dhânë bakshish nder Krajla.
Shqypnìn Mbreti s'e kà shtrue
Me armë n'dorë, si viset tjera -
Tjerat vise të Balkanit:
Por ortak u bâ aj me nè,
Tuj u lidhë me besë e fè,
Se aj Shqypnìn e njef Shqypnì;
Se s'na lot kanun' e t'Parve:
Se s'na prekë nder doke t'ona,
E se na ati' i shkojm n'ushtrì,
Kurdo luftë t'i qesë anmiku.
Na edhè besen ja kem' majtun:
Kû kà thânë, na i kemi shkue:
Se n'Jemen na kem' luftue:
Me Junan na jemi prè;
Jemi grîë m'Armen e Shkjè,
Pa nji t'mirë - o Zot! - per vedi;
Se ktû s'ké kurrgjâ per s'mari:
Vendi e gjindja lshue pa zot:
Hajni e cubi ndej mbì post:
I pafaji vjerrë m'konop:
Gjâja hupë nder thoj t'murtatit:
Erzi i burrit per dý pare:
Kryet e burrit p'r'i cingare.
E sod deshka baba Mbret
Me Shqypnì me bâ aj nderë,
- Thue 'i shportë fiq kjo kà qillue -
Anì kujë? Malit të Zí!...
A din shka, ti Pasha i Mbretit?
Ngarko rraqet per Stambollë
Se ky, po, âsht nji vend i eger
E po t'njitet kund ndoj ferrë...
Sa per caqe të Shqypnìs,
Kto kaherë kan kênë vendue:
I kà ngulë shpata e Shqyptarit,
E njaj Knjazi i Malit t'Zì
S'ká me i shkulë, mor' pasha Zotin!
Me ju bâ dhami sa derrit.

Ç'kà qitë Pasha edhè i kà thânë:
- Se ti kênke i' Arnaut i çmendun,
Dalun Dinit edhè Imanit:
Pse kshtû Turku, bre! nuk flet.
Anì kush "ortak" me Mbretin...
Do koçakë, do cuba mali,
Per t'u vjerrë të gjith m'konop.
Haps, bre! derrat ktû ma i bâ;
Pse, t'mos isht' Mbreti i Stambollës,
Dielli drite s'kishte me lshue
E as s'merr frýmë krajl permbì dhè:
Jo mâ "ortak" Mbreti me u bâ
Me malokë cuba Shqiptarë...
Se Shqyptarë, bre! kund nuk kà,
S'kà Shqyptarë as s'kà Shqypnì:
Veç kà Allah, Mbret e Turkì! -
Vrik kà hîë çaushi i zaptive,
E i kà reshë burrat perpara,
Si bariu qi reshë bagtìn,
Kuer prej mbramjet dredhë kah shpija,
Edhè n'burg, kû lidhet kali,
I kà ndrŷë Krènt e Shqypnìs.

Pûnë e keqe, pasha buken:
S'âsht per burra hapsi as shkopí:
Per ta â shpata ase konopi.
Por se shka, se puna e keqe
Ajo vjen, po, tuj u shtue:
Nisë çurel e bâhet prrue.
Prandaj Pasha kà gabue
Haps me i bâ Krènt e Shqypnìs;
Persè toka nuk pat plasun
Qi me i qitë vedit mbi dhè
E kurrkush mos me u rá mbrapa,
Por kan gjind e kan robnì,
Por kan fis e kan vllaznì,
E atà gjindt e aj fisi i tyne,
Thonë, s'ja barin t'keqen kujë.
Kshtû qi Mehmet Alì Pasha
Kà me rà, tham, nji ditë ngusht,
Kà me kapë aj kryet në grusht,
Per shka bâni m'Krèn t'Shqypnìs.

Pse t'bjerë ngusht nji Pashë i Mbretit,
Kà ndoj send e s'kà ndoj send;
Veç un drue p'r Abdullah Drênin,
Qi tue mbajtë âsht gjarpnin n'gjì,
Ç'se i kà vojtë Pasha per mik,
Mbrendë t'u errë e mbrendë tue zbardhë,
Tuj u kndellë në bukë të tij,
- Drekë e darkë ka nji ferlik,
Cile e zamer ka 'i "misnik",
"Gjak-e vjamë" dèr m'kupë të gjunit
Bukë Shqyptarit mbas kanûnit -
Un po drue, se Abdullah Drênit,
Nper at mik qi man te shpija,
Mund t'na i bîjë ndoj punë e keqe;
Persè besë un s'mund t'a zâ,
Se nuk lot Shqypnija e eper,
Se s'po lot Shqypnija e eper,
Per me i pshtue atà Krènt e vet:
Per me bâ qi aj Pasha i Mbretit
Fort të bindet prej vedvetit
Per shka bâni m' Krèn t'Shqypnìs.
Po, por shka, se Abdullah Drêni
Vshtirë se lên m'ja shkrrye kush mikun:
 i Gjakovas, nuk bàn marre,
Pse edhè e kà pushken zanàt.
Prandej, thomë, se nuk do t'ngjasë
E n'Gjakovë rrebtë do t'kersasë,
Pse halìs ju dha kushtrimi
M'Kaçanik e del m'Qafë t'Diellit,
Ç'merr prej Sharit m'Buletin,
Me rrâ turr m'pazár t'Gjakovës
Tym per shpì ka 'i burrë me armë.
E t'kà rrâ Pêjë e Kosovë,
E t'kà lshue Rekë e Rogovë,
Kà lshue Gash, kà lshue Krasniqe,
Asht dyndë Plava me Gusì
E t'kan dalë m'at fushë t'Gjakovës
Porsì miza per kercunë.

Anì shàn s'largut anmiku,
Se kurr bashkë s'bâhen Shqyptarët!
Preki 'i herë ti m'dokë të Parve,
Preki 'i herë ti m'erz të fisit,
Edhè tyë kan me t'diftue,
Se si dijnë kta me u bashkue,
Se si bijnë kta m'shpinë t'anmikut,
Thue â ajo lava e Kaçanikut,
Kur në Shndrè t'ja forojë zija.
Qe, edhè Pasha, Mehmet Pasha,
Pat mendue n'Stambollë me vedi,
Se Shqyptarët m'godi s'mund t'bijnë:
Por se tash, qi â aj vetë tue pà,
Se sa behi pika e djalit
M'ato rranxat e Gjakovës,
Ja kà vûe, po, gishtin krès,
E kà nisë aj me u pendue
Per shka bâni m'Krèn t'Shqypnìs.
- Vall, po i thotë Abdullah Drênit,
Ça kà rrâ sod gjithky nieri?
A jânë krushq ardhun per nuse?
A jânë axhamìt e Mbretit,
Qi po shkojnë me u veshë nizamë? -
- T'u ngiatët jeta, po i thotë Dull,
As jânë krushq ardhun per nuse,
As jânë axhamìt e Mbretit
Qi po shkojn me u veshë nizamë;
Por jânë djelmt e Shqypnìs s'eper,
Qi kan ardhë me folë me tyë,
Per do Krèn qi t'kan pasë nisun
E qi kthye s'u kan te shpija. -

Asht vrâ Pasha kur kà ndië,
Se atij mendja s'ja pat prè
Qi n'Shqypnì aq nieri pshtiëllet,
Per t'rám mbrapa pûnvë t'veta.
Shka i tha, atëherë, çaushit t'zaptive?
- Shpejt me i lshue Krènt e Shqypnìs,
Persè... falë i paska Mbreti -
Edhè Krènt kan dalë prej burgut
E pa lypë m'Pashen me u pjekë,
Fíll kan vojtë m'at fushë t'Gjakovës,
Kû kan mledhë halìn n'kuvênd
E kan nisë të bisedojnë:
- Si t'ja bâjm e tek t'ja bâjmë,
Se nè Mbreti na kà shitun
Na kà shitun Malit t'Zì
Per nji rrotull gurabì.
E ky Pasha, Mehmet Pasha,
Ky edhè ardhka prej Stambollet,
Per me i dhânun Knjazit dorë
M'Hot e m'Grudë, m'Plavë e m'Gusì.
T'tânë halija thotë nji fjalë:
Se Shqypnìn s'e lshojm per t'gjallë:
Se na desim t'gjith si jemi,
E n'dorë Knjazit nuk i vemi:
Se edhè Pashen e Stambollës
Këtû e duem, m'ja bâ na gjygjin:
T'a marrë vesht Krajl edhè Mbret,
Se Shqypnìn kush s'na e perket. -

Haxhì Zeka atëherë âsht çue,
Ká marrë fjalen t'kuvendojë:
- Derë në zâ asht shpija e Drênit,
Kû ha bukë i verbtë e i shkeptë,
Edhè trim âsht Abdullah begu:
Mirë âsht lajmin, tham, m'ja çue,
A na lshon Pashen n'dorë gjallë,
A ja lypë Shqypnìs per mik -
Burrë i urtë ky Haxhì Zeka,
Burrë i urtë e flet arsye,
Pse miku s'i pritet kujë,
N'dashtë Shqyptar n'dashtë nieri i huej,
Pa e bâ dert ke i zoti shpìs.

Kà shkue lajmi m'derë të begut
E i kà thânë Abdullah begut:
- Ti qi jè Abdullah begu,
Falmeshndet po t'çon halija:
Njat martat, qi kè te shpija,
A thue bân n dorë me na lshue,
Persè e kemi nji gjygj me têne. -

Kà qitë begu edhè i kà thânë:
- Se âsht murtat, se s'âsht murtat
Kû t'a dië ket pûnë i mjeri,
Pse, vallahi! pvetë s'e kam.
Ket zanát s'm'a kà lânë baba,
Me i pvetë miqt un se shka janë
Se shka janë e shka nuk janë:
Se kahë vînë e se kah shkojnë:
Shka punojnë e sa rrogojnë.
Veç, po, 'i punë baba m' ká msue;
Miqt per t'gjallë un mos me i lshue.
Po t'më lypë halija mue
Gjithkû e kam un gjân e babës,
Po ja lshoj me mal e vrrî,
Po ja lshoj t'eger e t'butë:
Po i lshoj token me gjith shpì,
Po i lshoj plemet me tagjì,
Po i lshoj vathen me bagtì,
Dhên e dhì un po ja fali:
Erz e shpírt e mik s'i fali!

Asht çue lajmi edhè kà shkue.
Begu n'kullë mirë âsht ngujue,
Me miq t'vet e pêsdhetë Fandë,
T'zott me brejtë hekur me dhâmë:
Mjaft me thânë qaj Oshi i Nuros,
Qi po i kisht', po, nja tríë zêmra,
E po e kisht' sýnin rrfé:
Qi s'la Pashë me thye kanunin,
Qi s'la beg me fikë katundin,
Nuk la agë me bâ plaçkë grunin.

Vall, ç'kà thânë hoxhë Korenica:
- Pa ndigiò, ti Oshi i Nuros,
Qi jé Fandë e ha kuvend,
Edhè din si hecë kanuni:
A m'i thue ati' Abdullah Drênit,
Le t na lshojë Pashen e Mbretit,
Le t'na lshojë Mehmet muratin;
Pse per mik hasmin e vendit
Nuk e zên kanuja e Maleve. -

Oshi i Nuros m'at frangì:
- Se, manàt, hoxhë efendì,
Mue ktû begu sàmë ká prû,
Me pritë peng, me dá kanû,
Mbasì as doke s'po isht' n'Shqypnì,
Me lypë mikun me pleqnì,
Por me pushkë, barot të zì.
Veç se shka, si m'duket mue,
Per Shqyptarë kund gjasë nuk kà,
Mikun shoqit me ja ngà;
Pse falë nieri tatë e vllà,
Falë të shàme e falë të ràme,
Por jo mikun n'bukë e n'krypë:
S'e bân mikun mish per krraba,
Si s'e bân as Dulo Drêni,
Qi bjen n'zjarm e qi bjen n'ujë,
Edhè mikun s'ja falë kujë,
Si tash "huta" të difton -
Edhè huta bâni "bam".

Lum e lum per t'madhin Zot!
Kuer kà krisë kjo "huta" e Oshit,
Se ç'kà ushtue Suka e Çabratit,
Se ç'âsht dridhë qaj Gramoleci,
Se edhè lufta ç'âsht ndezë zhari,
Me Shqyptár t'u vrá Shqyptari,
Shqyptarët, po, t'u vrà n'mjet vedi,
Per nji Pashë qi çueka Mbreti:
Eh atê Zoti m'a marroftë!
Persè i huej - kushdo qi kjoftë -
Aj gjithmonë â augur i zì
Per të mjeren moj Shqypnì,
- Si njaj korbi qi ndiëll zí. -
A she' 'i herë, sa e zezë nji provë
Asht t'u reshë sod mbì Gjakovë
Neper shkak t'nji nierit t'huej,
Qi veç dam se 'i t'mirë s'suell kujë?
Keq nper tê Shqyptarët ngatrrue,
M'shoqishojnë kta m'armë kan lshue:
Aj, t'a vras Pashen e Mbretit;
Ky, t'a pshtoj Pashen e Mbretit;
Njani thotë: më ka rá mik;
Tjetri thotë: e kam anmik,
Edhè thejnë nper tê rradaket,
Si t'i'n poça a kunguj Vraket:
Si mo' Zot mâ keq per nè,
Qi n'vend t'lidhim besë e fè,
Me u vrá na me Turk e Shkjà,
Jetë e Atdhè qi na kan thà,
Çohna e vritna vllà me vllà!
Keq âsht mikun m'i a prè kujë,
Keq âsht lajmin m'i a ngá kujë;
S'bje n'faj lajmi, as gjobë nuk làn;
Por mâ keq âsht me vrá vllán.
Prandaj keq â e si â mâ zì,
Kshtû Shqyptarët sod me u perzì
E me u grië kta ndermjet veti,
Per nji Pashë qi çueka Mbreti:
Per nji pashë, p'r'i nieri t'huej,
Qi veç dam se 'i t'mirë s'suell kujë.
Pse edhè, besa! âsht bâ shum gjak:
Kan metë gjindja nper sokak,
Nper sokak e mbí çardak,
Mjaft me thânë, se aj Oshi i Nuros
Nper ato frangija t'kullës
Njiqind vetë, po, me të njehun,
Me dorë t'vet i ban t'dekun,
Per t'pshtuem jeten nji "halldupit"
Ndoshta ndoshta, rod magjupit!...

Plot trì dit e rrash trì net
Krisi pushka nper gjytet,
Dèr qi s'mbramit kulla u muer,
E u vrà Pasha, mshilë në kjuer.
Sá per Pashen, drejt po u tham,
Kurrnji grimë un dert s'po kam.
S'po kam dert, as m'vjen e vshtirë:
T'i'n kênë dy, edhè fort mâ mirë;
Veç un kjajë Abdulla Drênin,
Shaqir Currin, Ram Rrustemin,
Edhè kjáj Oshin e Nuros,
Qi per mik e shkrîne vedin
Si zanàt qi kà Shqypnija.

Atëherë tok âsht mledhë halija,
Edhè fjalë Mbretit kà çue:
- Pa ndigjo, ti lala Mbret,
Shka po t'thotë halija e Kosovës:
Se t'a çojsh ndoj Pashë n'Shqypnì,
Per t'ja dredhë lakun bâkeqit,
Per t'ja shtruem udhen shtektarit,
E per t'çilë kishë e xhamì
Per "dintàr" e "kryqalì",
Anì shka mundesh m'e çue;
Pse enè doret s't'kemi dalun.
Por, sa per me dà Shqypnìn
E Nikollës m'ja çue "peshqesh",
Pasha Zotin! lala Mbret,
Nuk kè pse çon Pashë n'ket dhè,
Pse t'a vrasim, pa dyë fjalë,
Si t'kem' vrà Mehmet Alìn.
Lajmi s'vritet, thotë kanuja;
Por na tyë nuk kem' kû t'marrim:
Do t'vrasim veqilat t'ue,
Po vûn dorë kta me na shitë,
A "bakshish" me na dhânë t'huejve. -

Kuer kà vojt fjala nder Krajla,
Se shka bân Shqyptarët n'Gjakovë,
- Po ky kòm, kan thânë, vall ç'kênka?
Ç'kenka, vall, ky kòm Shqyptàr,
Qi 'i grusht njerz, t'vobeg tue kênë,
(Farë as fis t'cillve s'u dihet
E as êmnin na ndîë s'u a kemi,)
Guzojnë t'thejnë fjalen e Krajlave
Edhè atê t'Mbretit t'Stambollës?

COMMENTS