Safete Sofia Juka

Jukajt njihen si ndër familjet më të vjetra dhe të kamura të qytetit të shkodrës. Pjestarë të këti trungu njiher si tregtarë me zë por edhe si politikanë. Një ndër ato është edhe Musa Juka (Shkodër, 10 mars 1885 - Aleksandri, 13 nëntor 1955), Drejtor i Financës së vilajetit të Shkodrës, Kryetar i Bashkisë së Shkodrës për tre mandate, Ministër i Punëve Publike dhe Ministër i Brendshëm në kohën kur Shqipëria ishte mbretëri dhe Zogu qe mbreti i parë i saj. Musaja u martua me Sadete Shpuza e cila, gjithashtu, rrjedh nga një familje e shquar maxharre, Kokotlija, që kishte sunduar mbi qytet-kështjellën e Shpuzës përpara se ajo të binte në duart e Princ Nikollës. Musaja dhe Sadetja kishin katër fëmi: Burhan, Safete, Lumnije dhe Fiqiret.

Safete Sofia Juka
Safete Juka lindi në qytetin e Shkodrës më 28 nëntor 1923. Ambjenti familjar që e rrethonte bëri që ajo të brumosej që e vogël me kulturë dhe patriotizëm, me dashurinë për kombin, me njohuri për historinë dhe traditën shqiptare.
Studioi në Institutin Femëror "Nâna Mbretneshë" (sot Shkolla Teknike-Ekonomike), në Tiranë.

Mbas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri me rënien e mbretërisë, Safete Juka bashkë me familje emigrojnë në Turqi dhe më vonë në Egjipt; një emigrim ky shumë i vështirë për gjithë familjen.
Safetja, me shumë sakrifica por me pasion të madh, kryen shkëlqyshëm shkollën e mesme në Austri dhe në vitet 1950-1956 universitetin e Sorbonës në Paris. Punon edhe si profesoreshë në Liceun Francez të Aleksandrisë, Egjipt.

Mbasi mbaron studimet e larta, vendoset në Amerikë dhe jep mësim në disa universitete amerikane si Georgetown University në Washington etj.

Librat dhe arti ishin pasionet e saj: që kur ishte fëmi lexonte aq shumë sa që në familje i thonin "Ti ke lè me libër n'dorë", organizon edhe dy ekspozita personale ku më së shumti bie në sy frymëzimi që ajo gjente te natyra, spikasin lulet e shumëllojëshme me një kompozim ngjyrash të larmishme sa disa kritikë arti por edhe kolegët fillojnë t'a thërrasin "piktorja e luleve".

Safete Juka ka marr pjesë në shumë konferenca dhe seminare me tematika të ndryshme mbi artin dhe letërsinë. Të shumta janë bashkëpunimet e saj me revistat franceze si: Revue de Mitaphysique ed morale, La Nouvelle, South Asian Review, Ecrits de Paris, Revue Francaise, The French Review, Les Lettres Romanes, Realites.

Safete Juka ka pasë një kulturë të gjithanëshme dhe një modesti të pashoqe. Respekti që kishte për dije dhe për librin ishte i pafund. Çdo vepër e saj ka qenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, duke u munduar që t'i shprehi ato në mënyrë të përsosur - kujton motra Lumnije.

Ka dhënë një kontribut të çmuar me analizat dhe studimet e problemeve kosovare. Zbulimi më i rëndësishëm i saj në drejtim të qëllimit që i kishte vënë vetes është gjetja në bibliotekën Harvard i librit "Albanian Golgotha", botuar në vitin 1913 nga gazetari dhe deputeti austriak Leo Freundlich. Ndoshta e vetmja zonjë shqiptare që ka shkruar direkt në gjuhën angleze një libër për Kosovën, jashtzakonisht të dokumentuar "Kosova: The Albanians in Yougoslavia in light of historical documents" (Kosova: Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e dokumentave historike), botuar në New York në vitin 1984. Ishte duke shkruar një tjetër edhe më të dokumentuar kur vdekja mjerisht e rrëmbeu, më 6 nëntor 2005.

Safete Juka është cilësuar si "Intelektualja më e madhe shqiptare", e etiketuar edhe si "Dora D'Istria e Dytë".

Amaneti i saj i fundit ishte një ndihmë prej 40.000 dollarë për Bibliotekën Kombëtare Shqipëtare. Nuk ka qenë e pasur, ka banuar me qera në një apartament të vogël, pa lukse, por mbushur me libra në gjuhë të ndryshme dhe me pikturat e saj. Këtë dhuratë e ka bërë me gjithë zemër, e sigurtë se do të përdoret për të mirën e bibliotekës.

Ksanthi Dilo, mikja më besnike e familjes Juka, i thotë një ditë nënës së Safetes:
"Safeten do t'a quajmë Sofia, se është shumë e mençur".
Në kujtim të saj, Safetja mbajti gjithë jetën këtë emër: SAFETE SOFIA JUKA.

COMMENTS