Si falet një fëmi për Atdhe

Flamuri Shqiptar, Kuq e Zi
Shqypni, Atdheu i em, dhè bujar e i dashtun ku lene e u kanë për t'u varruem ati i em e nana e eme, ku unë shpresoj të jetoj e të vdes, ku bijt e mi do të rriten e do vdesin; Shqypni e bukur e e lumnueshme prej sa shekujsh, e tash von e lirë, qi me trimnìt e tua i ruejte sa popujve lirìn e qi sa kreshnikë tu vdiqen ndër lame lufte, në litar, në burg e të pushkatuem; nan'e dashtun e sa qyteteve e e tre miljon bij e bijash; unë me gjith qi jam fëmi i parritun, qi nuk të kuptoj edhe mirë e nuk të njoh plotsisht, t'adhuroj e të due me gjith shpirt e krenohem qi kam lem prej teje e qi thirrem yt bir. Due detin, lumnat e liqèjt e tu të shkelqyeshëm e malet e tua të madhnueshme e due përmendoret e kujtimet e tua të padekshme, due lumnìn t'ande e bukurìn t'ande, t'a due e t'a adhuroj krejt at pjesë të kandshme ku, për të parën herë pash diellin e ndigjova emnin t'and. Ju due të gjithave me nji dashtnì të vetme e me nji maradije të njajshme: Krujë kreshnike, Shkodër madhshtore, Korç'e zgjuetë, Elbasan i prùjtë, Kosov'e rrebtë, Laberì e urtë.

Të due Atdhè i adhurueshëm! E të betohem se kam për të dashtun të gjith bijt e tu si vllazën, se kam me nderuem gjithmonë në zemrën t'eme njerzt e mëdhaj të tu të gjallë e të dekun; se kam për të qenë nji qytetas puntuer e i ndershëm, tue u përpjekun pa-pushuem qi të bujarohem për me qenë i dej për ty; kam me u orvatun me fuqit e mija të vogla qi të zhdukën nji ditë prej faqes s'ate, mjerimi, paditunija, padrejtsija e kobi e qi të mundesh me rrnuem e me u rritun qetsisht në madhnìn e të drejtës e të fuqìs s'ate. Të betohem se kam me të shërbyem, si të mundem, me mende e me krah, me zemër, përvujtnisht e me guxim; e n'ardhtë nji ditë të më lypet t'jap gjakun t'em e jeten t'eme për ty; kam për të dhanun gjakun e do të vdes tue i bërtitë qiellit emnin t'and të shejtë e tue puthun për të mbramen herë Flamurin t'and të bekuet.

L.N

COMMENTS