Violeta Zefi

Violeta Zefi ka lindur në Shkodër, më 15 qershor 1960, në një familje të varfër shkodrane, por me tradita të lashta. Nëna e Violetës, Liza duke e parë talentin e së bijës, që e vogël, u përpoq ta afronte pranë rretheve artistike të qytetit.

Rruga e muzikës dhe këngës shkodrane për të ka filluar shumë herët. Ishte viti 1968, kur Violeta Zefi doli para publikut shkodran me Estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës, me përkrahjen e profesionistëve të cilët tek ajo zbuluan talentin, zërin e mrekullueshëm, aftësitë e saj që më vonë do të vijnë në shprehje. Që nga kjo shfaqje nuk u nda kurrë nga skena muzikore. Zëri i saj i plotë, fjala e qartë, interpretimi me plot pasion për këngën shkodrane, bëri që ajo të ngjitej në grupin e këngëtarëve më të njohur shkodranë në veçanti, por edhe të këngëtarëve shqiptarë në përgjithësi.

Ja si rrefehet Violeta në këtë intervistë për Koha Javore.

Violeta Zefi
Znj. Zefi, çfarë është për Ju muzika?

Muzika është jeta dhe ëndrra ime, një ëndërr e një jete e cila deri në fund të saj do të mbetet një simfoni e papërfunduar. Falënderoj jetën dhe jam shumë e gëzuar që askush nuk ka participuar në mua dhe besoj se këtu qëndron fati i karrierës sime të mundimshme, por të pastër.

Sa ishin të vështira ato vite për t’u marrë me muzikë?

Mund të madh, por edhe shumë suksese dhe ngritje profesionale më ka sjellë qëndrimi im ndaj këngës shkodrane. Por, falë punës së palodhshme dhe vullnetit për të sjellë një frymë të re, pse jo edhe kulturë më të gjerë të muzikës shkodrane, ia kam dalë t'i tejkaloj këto dhe të arrij në rrjedhat e mirëfillta të muzikës shqiptare.

Si e sheh këngën shkodrane, apo më mirë, si e ndien kur e këndon në mesin e artdashësve?

Është kënaqësi për mua që të këndoj këngë shkodrane. Unë gjithmonë kam pasur dëshirë të jem e pranishme në skenë para artdashësve, para atyre që adhurojnë këngën e mirëfilltë popullore, andaj këngën e këndoj me dëshirë për vete dhe për ata që më përcjellin. Këtë e kam detyrë ndaj qytetarëve të mi dhe në përgjithësi ndaj artit shkodran. Krahas kësaj, kam marrë pjesë në mijëra gëzime familjare, dasma, fejesa, ditëlindje e gëzime të tjera.

Dihet se kohët e fundit kërkohet edhe kënga hiç dhe kiç, sepse këto këngë po japin disponim për momentin, megjithëse në anën tjetër nuk i përkasin kulturës tonë?

Duhet kuptuar kohën në të cilën jetojmë, ku secili nga ata që mendojnë se janë bërë këngëtarë, vrapojnë për të krijuar këngë të momentit, pa pasur një kulturë të përgjithshme muzikore. Këngët e tilla janë jetëshkurtra, ndaj opinioni mund t'i pranojë për një moment të caktuar me bindje se kanë vlerë, por që këtu vjen në shprehje edhe çështja ekonomike. Mendoj se për këtë lloj të muzikës duhet pasur censurë e kjo u takon ta bëjnë muzikologët. Ata duhet ta bëjnë përzgjedhjen e këngëve, por njëkohësisht edhe redaktorët e muzikës në televizione apo radiostacione. Kjo do të sillte një rregull që do të bënte të mundshëm prezantimin e muzikës së mirëfilltë popullore.

Cilat janë këngët shkodrane që i këndoni me ëndje?

Ka shumë këngë popullore shkodrane që kam kënduar, por më të preferuarat janë "Këndon bylbyli me të madhin za", "Hala emrin s'ta kam xanë", "Asht nji djal moj nanë", "Shtëpija pastë gjithmonë pranverë", "O bylbyl o i bukri shpendëve", si dhe këngët më të reja "N'andërr më del", "Hala jam" etj., por edhe këngë të tjera duete, trio e këngë me kompleksin e burrave.

Keni marrë pjesë në shumë festivale. Cili nga këta u ka lënë kujtimet më të mira dhe cilat çmime keni marrë?

Vërtet kam marrë pjesë në shumë festivale dhe nga secili prej tyre mbaj kujtimet më të mira. Që nga koha kur kam dalë për të parën herë në skenë, kam fituar respektin dhe dashurinë e artdashësve, i cili më ka duartrokitur dhe mirëpritur në çdo shfaqje. Ky respekt është treguar jo vetëm në Shkodër e në mbarë Shqipërinë, por edhe jashtë shtetit. Kujtoj vitet '80, kur ansambli me këngë popullore i Radio "Shkodrës", shkoi për një turne në qytetet kryesore të Kosovës. Me këtë rast kam kënduar deri në shtatë këngë radhazi, pa dalë nga skena. Edhe në festivalin ndërkombëtar të Turqisë (1981), kam përballuar tre role, atë të spikeres, aktores te "Dasma kosovare", rolin e nuses dhe të këngëtares. Këtu mora çmimin më të lartë duke më dhënë titullin "Mbetëresha e Festivalit".
Sukseset më ndoqën kudo, edhe në Shqipëri, në Kosovë, në Amerikë (1993), në Zvicër (1994), në Gjermani (1995), në Ulqin e Tuz (1996) e në Maqedoni (1998). Jam krenare që i takoj asaj plejade këngëtarësh e artistësh, ideali i të cilëve është vetëm për të dalë sa më mirë e për të arritur sa më lartë në interpretimet tona.
Në vitin 1974 kam marrë pjesë në Festivalin e 14-të në Radiotelevizion, ku jam vlerësuar me "Medalje Diplome", në vitin 1976 jam dekoruar nga Kuvendi Popullor me Urdhërin "Naim Frashëri i klasit të dytë", me "Çmimin Special" në Festivalin Kombëtar në Gjirokastër, kurse në vitin 2004, në Festivalin e Këngës Popullore Shkodrane jam vlerësuar me çmim të dytë etj.

Me grupin shkodran, vitin e kaluar ishit edhe në Festivalin e Këngës Qytetare në Elbasan. Me çfarë çmimi u nderuat aty?

Po. Në vitin 2004 jam vlerësuar me "Çmimin e karrierës" në Festivalin e Këngës Popullore Qytetare në Elbasan, një takim mbarëkombëtar ku morën pjesë shumë këngëtarë nga të gjitha trevat tona shqiptare.

Ç'ka paraqet për ju kënga "N'andërr më del" dhe kujt i dedikohet?

Kënga "N'andërr më del" është një nga këngët që e këndoj më me ëndje. Kjo këngë të emocionon me plot dhimbje, është më tepër një dhimbje e mall që ndjeja në ato vite për djalin tim, Muhamedin, i cili ndodhej për studime në shtetet e jashtme. Këtu shprehet ajo, gjeta një melodi që i jep këngës freski për të mbështetur fizikisht ndjenjën e brendshme që kisha për djalin tim. Këtu tingëllon diksioni i pastër e komenti i sinqertë i fjalës, gjë që nuk i lë gjë mangut nga ana interpretative për ta shtuar edhe më tepër bagazhin e saj artistik.

Kush mendoni se është arma juaj më e fortë me të cilën keni arritur të përvetësoni zemrat e adhuruesve të muzikës shkodrane?

Unë mundohem të jem gjithmonë besnike me paraqitjen time në skenë dhe kjo ka bërë që të jem e thjeshtë, duke mos lejuar që të dal jashtë karakterit të muzikës që këndoj.

Së fundi organizuat edhe koncertin recital në Shkodër. Ishte kjo një surprizë për Ju. Kujt i takon merita për këtë?

Sigurisht që ishte një surprizë dhe për këtë falënderoj bashkëshortin tim Bardhylin (Bobin), i cili bën përpjekje të mëdha për mua që të çoj përpara punën time si këngëtare. Ai më krijoi mundësinë që unë të mbaj koncertin recital në teatrin "Migjeni" të Shkodrës, po edhe të marr pjesë në turne të ndryshme.

Nga Sh. Peraj

Përditësim, 12 qershor 2017: Vjoleta Zefi nderohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani, me Titullin e lartë "Mjeshtër i madh" me këtë motivacion:

"Këngëtares së talentuar që me zërin e saj ngriti peshë zemrat e artdashësve shqiptarë që në moshë të re, duke sjellë një kontribut të vyer në rritjen cilësore të muzikës shqiptare".

COMMENTS