Zef Pllumi, Frati i plagëve që mbeten të pambylluna

Zef Pllumi, frati shkodran
Zef Pllumi, emri i pagëzimit Prenkë, lindi më 28 gusht 1924 në Mali i Rencit (Shëngjin, Lezhë). Ishte frat françeskan, publicist e shkrimtar. Në vitin 1929 bëhet nxënës i Dom Alfons Trackit dhe më në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Patër Anton Harapi, kompozitori At Martin Gjoka, At Gjon Shllaku etj. Kreu maturën në liceun "Illyricum" më 1943.
Në vitet 1943-1944 Zef Pllumi është një nga bashkëpunëtorët e revistës "Hylli i Dritës" dhe po ashtu sekretar i Patër Anton Harapit. Në vitin 2006, Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit" me motivacion: "Si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane". Po ashtu, në vitin 2006 Ministria e Kulturës e Shqipërisë i akordon Zef Pllumit çmimin letrar "Penda e Artë" për trilogjinë e tij me kujtime "Rrno vetëm për me tregue". Zef Pllumi ndahet nga jeta më 26 shtator 2007, në Romë (Itali).

P. Zef Pllumi, Dishepull i krishtnimit shoqnor


- Kolec Cefa/Gazeta "Kisha dhe jeta", maj 2014

U quejt Frati i kujtimeve, Frati i plagëve, i plagëve që mbeten të pambylluna, i plagëve që kullojnë edhe sot lot, Frati i dekadave të vorfnisë materiale e shpirtnore; Frati i vuejtësve fisnikë, që u shuen ndër burgjet e komunistëve...

"Nderi i Kombit" dhe "Pena e artë" janë dy tituj që pavdeksojnë edhe emnin e P. Zef Pëllumbit, dy tituj honorifikë që ndriçojnë vlerësimin për dëshmitë e tij të dhimbshme, për krimet e fshehta e të dukshme të diktaturës; dy tituj honorifikë, që e shtijnë me dinjitetin e duhun në panteonin e njerëzve tanë të vlerësuem, e që rrijnë ndër themelet e kulturës sonë, e performancave tona me frymë kombëtare, e në klimën perëndimore.

U lind në bjeshkët e moçme të maleve tona, u arsimue në jetën shkollore të akademikëve françeskanë, u formue në klimën e traditave e të virtyteve tona etnike, e u kalit në terrorin e burgjeve komuniste si disident politik, tue mbetë një emën i përmendun, i paharruem, i madh, edhe pse Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i ri, 2008-2009 i mbylli padrejtësisht e panjerzishëm dyert e tij.

Kolegji françeskan e kuvendi i Troshanit i hapën një hapsinë dijeje e kulture, i edukuen urtinë me kërkue të vertetën dhe guximin me e thanë atë. Ndeshtrashat perfide ndaj françeskanëve i forcuen karakerin, i ushqyen burrninë malsore, i poqën durimin. Kishte lindë me ndjenjën e fortë me e dashtë lirinë. Ai ishte nga ata që dinte me përballue të keqen, por dinte edhe me falë, madje bante thirrje me falë, por jo me harrue. Pader Zefi kishte kujtesë të fortë, mbante mend shumë, por nuk mbante inat aspak.

Pader Zefi e jetoi dhe e duroi kalvarin e jetës së vet, në burgje, ("një çerek shekulli pa i dijtë vetes faj") për të dëshmue sy në sy të vërtetat e hidhuna që jetoi. Dhe dëshmoi qartë, bukur, me za të naltë, aty ku ndigjohet zani, aty ku përhapet fjala, aty ku mbetet dëshmia-porosi e françeskanëve të mëdhaj, për të na drejtue kah jeta e virtytshme, kah parimet e pastra, kah ndjenjat e sinqerta. Dhe, mbasi doli nga burgu, vazhdoi "n së dashunit së botësë sanë": Ut heri dicebamus!

Pader Zefi kishte ambicie kombtare. Mjeti kryesor për me e mëkambë Shqipninë, mendonte, janë mendtë, asht dija. Dhe deklaroi (në mbledhjen e organizueme nga Prof. Dr. Dom Gjovani Brusegan me studentët shqiptarë në Itali, me qender Padovën): "Në qoftë se jemi këtu për me lypë, jemi për me lypë vetem mend". Në Padovën e njohun heret për ne shqiptarët, gjeti edhe mecenatin e ri bujar e arsimdashës, Prof. Dr. Dom Gjovani Brusegan, që fali për shumë vjet bursa për të pregatitë kuadro për Shqipni dhe bursa për kualifikime e specializime në fusha të ndryshme, me të vetmin kriter: të bahen të aftë për të punue për atdhe tonë.

Kur me 1913 u fitue pavarësia, patriotët tanë u përpoqen të ndërtojnë shtetin shqiptar e Konica bante thirrje për shtet prendimor, në shtypin shqiptar lindi një revistë, ku françeskanët shqiptarë afruen kontributin e vet të çmueshem. Revisten e quejtën "Hylli i Dritës", pse po lindte "nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë". 80 vjet ma vonë Pader Zefi, në kushte të ngjashme, me vullnetin me krijue shtet, nxori revisten françeskane "Hylli i Dritës", ku kërkoi ndërrimin e butë të sistemit, me shtet të së drejtës, me demokraci të vertetë për të gjithë, me pluralizëm të natyrshëm, plot mirëkuptim, e tolerancë, me jetë shoqnore kombëtare e frymëzim prendimor, shkurt, pa Katovicë. Hyllin e Dritës e quejti "busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë".

Aktuale atëherë, aktuale sot. Pader Zefi i dha frymë, shpirt e jetë revistës! Por nuk u ndal te revista, as te artikujt e tij me vlerë fetare e shoqnore. Si arkivist i vjeter, themeloi arkivin e ri. Ai vetë ishte arkiv i gjallë kujtimesh: mblodhi në popull materiale arkivore (edhe autori i këtyne rreshtave dorëzoi materiale), e pasunoi me materiale ardhë nga arkivat personale të P. Daniel Gjeçaj, të P. Marlekaj, të P. Paulin Margjokaj, etj. Një za i përmbrendshëm i kujtonte porosinë e françeskanëve të vjetër dhe filloi botimin e dorëshkrimeve të mbetuna gjallë: krijoi "Kolanën Françeskane" e botoi vepra te çmueshme të autorëve me vlera letrare e kombtare, si: kryesorët që zbuluen "Visaret e kombit": Gjeçovin, që mblodhi pasuninë e mendimit juridik shqiptar; P. Bernardin Palajn, që praroi epikën tonë të mrekullueshme me talentin e vet poetik; P. Donat Kurtin që i dha shijë e profum përrallave tona kombtare.

Pastaj u botuen poetë, gjuhëtarë, prozatorë etj, elitë intelektuale e shpirtnore e kombit tonë. Pader Zefi nuk asht pranë nesh, por Kolana e tij vazhdon premtuese e ngadhënjyese.
U quejt Frati i kujtimeve, në fakt qe Frati i dëshmive, i dëshmive të dhimbshme që as nuk duhen fshehë, as harrue, as mohue; Frati i plagëve, i plagëve që mbeten të pambylluna, i plagëve që kullojnë edhe sod lot, Frati i dekadave të vorfnisë materiale e shpirtnore; Frati vuejtësve fisnikë, që u shuen nder burgjet e komunistave, ku u ballafaque dhuna ma e eger, ma e ndytë e ma e pashpirtë e diktaturës me pafajsinë e qytetarit të lirë, ku injoranca ma e thellë demaskonte e torturonte dijen ma të këthielltë, ku i verbëti donte t'i udhëhiqte rrugën njeriut që shifte qartë dhe larg.

Dhe u shpreh: "Dante e ka shkrue komedinë, ferrin e tij, për ne, jo për ju". Dhe vertetë, po ta kishte shkrue ferrin nder birucat e hetuesisë, krejt ndryshe do ta kishte shkrue, se në Shqipni do të kishte pa atë që tha poeti Ali Asllani: "Shtrydhe tokën, kullon gjak", se skenat e qelive komuniste të trishtojnë, të rrënqethin, të demoralizojnë, të zvetnojnë dinjitetin e të perdhosin karakterin me parafytyrimet kriminale ma shumë se skenat e ferrit dantesk, tue të dhunue çdo hir të dinjitetit njerëzor e tue të percjellë te vargu i poetit-gjeni: "O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!". Prandej: as pluhun, as hije, as harresë nuk duhet të bjerë mbi to.

Pader Zefi na dhuroi memuaristikë françeskane: memuaristikë me vlera dokumentuese letrare e morale. Hapi i pari siparin e kësaj proze burrnore, shkrue me frymëzim martirësh, mbruejtë me ndjenja e plot erëza hiresh e virtytesh, por edhe e njomë me dhimba plagësh të pamjekueme, shkroi për një rilindje shpirtnore (të parilindun), për një zgjim kombtar (të pazgjuem), për një drejtim prendimor, (pa Prendim). Memuaristika antikomuniste lëshoi rrajë ma parë në mendimin e vuejtësve, mandej në shkrimet e dashamirëve e u kthye, pothuej, në traditë e çlirueme nga frika. Shkroi trilogjinë "Rrno për me tregue" që mbeti si testament për breznitë e ardhshme.

Kush do me njoftë komunizmin pesëdhjetvjecar shqiptar, duhet të lexojë trilogjinë e Pader Zefit. Vepren e shkroi jo për t'na prishë gjakun, por për t'na mprehë sytë e mendjes; jo për t'na ftofë zemrat, por për t'na ngrohë virtytet e saj, jo për t'na thye shpresat, por për t'na ngjallë hov kah e mbara. Vepra nuk asht as ngerrç, as ankth, as stres, se diku paksonte peshën e shtypjes, diku zbuste dhimbjen e trupit, diku hidhte humor edhe nder tortura. Shkroi me gjuhë meshtari: pa falsifikime e pa gënjeshtra; pa inate e pa hakmarrje. Ajo të fton për jetë idealesh, për energji dinjiteti, për orientim të ri: pa egoizem vetjak, pa perçarje partiake, pa vetgjyqsi kanunore.
Trilogjia mbeti si referim historik.

Kadareja u shpreh: "Rrno për me tregue, është një nga dokumentet më të mëdhenj të gjysmës së shekullit...".

Shkroi edhe: "Françeskanët e mëdhaj", (2001); "Saga e fmijnisë-un që jetova shum shekuj" (me një parashtresë terheqëse, Saga e një idiolekti, shkrue nga Ledi Shamku-Shkreli), (2009); "Antipoezi për shekullin e njëzetë" (Poemë antiepike), (2001); "Ut heri dicebamus" (2002); "Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës (At Erasmo Balneo (1756-1788) kronikë e gojëdhanë; si edhe shumë artikuj intervista etj.

Një episod: Një ditë më thirri në telefon në shtëpi të tij në Shkodër dhe shkova. U befasova, u çudita, shtanga. Pader Zefi kishte jetue 25 vjet nder burgje plot vuejtje e mundime, sharje e fyemje, rrahje e tortura e të gjitha këto nuk kishin muejtë me i dhanë atë pamje të pashpresë fizike, atë depresion të fortë. Ishte ngurtësue burri si cung i pajetë, i premë degësh e gjethësh. Në buzë sikur i kishte dekë fjala.

Fytyra i shprehte një dhimbë të thellë të ngrime në rudhat e trasha; një shikim i pajetë, i vagulluem, i pafiksuem dilte nga sytë e tij të turbulluem, të shqetsuem. Më zgjati dorën e pafuqishme e që i dridhej, e me mundim më tha: "Kolec, nuk mundem ma me shkrue". I thashë: "Keni nevojë për pushim, Pader. Mos merr laps, as leter, as libër e shko në malsi, 4-5 muej, e keni për të pa, se do të filloni persëri. Nuk e ndigjoi ngushllimin tim. Nuk e kuptova, a më shihte mue a parandjenjën e vet. Pak ditë ma vonë, shkoi në spital në Itali e nuk u kthye i gjallë.

Pader Zefi e mbajti premtimin e fshehtë, jetoi e dëshmoi, dhe e kreu amanetin françeskan. I mbetet shoqnisë shqiptare të vejë në jetë amanetin françeskan: dekomunistizimin në mentalitet e në praktikën e shoqnisë shqiptare.

Papa Gjon Pali II, Pader Zef Pllumi, prill 1993
Papa Gjon Pali II, dhe Pader Zef Pllumi, prill 1993

COMMENTS