Ah, sikur nxënësit e Medresesë…

Xhamia Shkoder
Ishte pasditja e ditës së dytë të Fitër Bajramit, 04. 11. 2005, kur në Radio Shkodra, drejtoresha e këtij institucioni, znj. Paskualina Shllaku kishte shtruar një kokteil me rastin e festës së bashkëqytetarëve të saj muslimanë. Ishte një tryezë e vërtetë qytetarie shkodrane. Ishte një takim, që ndiqte gjurmë historie. Ai shënonte njëkohësisht edhe shenjat e një shpirti të madh bashkëjetese dhe respekti të ndërsjellët islamo-kristian, që vinte nga koha e të parëve, rrezatonte në të sotmen dhe hidhte dritë drejt një të ardhmeje më solide e më të sinqertë. E falenderova drejtoreshën për veprimin e saj qytetar dhe mesazhin e tij hyjnor.

Në atë mbrëmje Bajrami, takova edhe shkrimtarin Fadil Kraja. Së bashku folëm gjatë. Është mirë kur njerëzit flasin. Bisedat e drejtpërdrejta sqarojnë shumë gjëra. Ato lidhin ura komunikimi. Ato forcojnë bindje, sikurse edhe hedhin poshtë të tjera. Gjithësesi është më mirë të flasësh e të bisedosh me liri, sesa të fshihesh pas gëmushave të paragjykimit, thashethemnajës e opinioneve, që lindin dhe vdesin në kafene varfanjakësh në shpirt, e në rrugica të ngushta mendore dhe intelektuale.

- Është përhapur një opinion shumë i keq për Medresenë tuaj - tha, ndër të tjera shkrimtari. - Ky opinion është se Medreseja prodhon hoxhallarë!...

Kjo thënie e profesorit të moshuar më nxiti të ulem e të shkruaj këto rreshta, me dëshirën e sqarimit të "opinionistëve" të Shkodrës e opinioneve të tyre të nxituara.

Gjëja e parë që mund të bëjë dikush në rast dëgjimi të tillë lloj opinionesh (që sidoqoftë, në Shkodër gjen me shumicë, nganjëherë edhe më shumë se numri i kafeneve) është të habitet dhe të qeshë njëkohësisht me naivitetin e "opinionistëve", që prodhojnë këto mendësi në një qytet që mburret me kulturën e dijen.

Medreseja për të gjithë ata që nuk e dinë, është një shkollë e mesme e përgjithshme, ku zhvillohen edhe disa lëndë fetare. Ajo ka një status parauniversitar dhe maturantët e saj, kanë kandiduar dhe kandidojnë në të gjitha degët e Fakulteteve dhe Universiteteve të vendit e të botës. Sa për të shuar ndonjë kureshtje, sot medresistët studiojnë edhe në Itali, Austri, Turqi e shumë vende të tjera të botës, pa përmendur Fakultetet e Shkodrës e Tiranës e përtej tyre. Medreseja nuk është Fakultet teologjie, që të konkludohet "prodhimi i hoxhallarëve" në të, sepse ata janë më të specializuar e më të kualifikuar se sa një maturant Medreseje! Ka ikur koha kur "medresistët" e vjetër të Tiranës a gjetkë të konsiderohen si kulmi i dijes islame në këtë vend!? Sot është vërtetë paradoks një pretendim i tillë!?

Nga ana tjetër, do ishte mirë sikur Shkodra të kishte një Fakultet Teologjik Islam, nga i cili të dilnin hoxhallarë, ndjekës dhe përçues të shpirtit të Kur'anit, Traditës Profetike Muhamedane dhe Traditës së Hoxhallarëve tanë të kaluar, prej të cilëve kemi mjaft çfarë të mësojmë.

Ah, sikur nxënësit e Medresesë të mësojnë nga shpirti i madh i diturisë, kulturës, tolerancës së shëndoshë dhe arritjeve të mëdha të hoxhallarëve të Shkodrës!

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të kenë si simbol krenarie Hafiz Jusuf ef. Tabakun (1797-1904), "Myftinë Plak", jeta e të cilit qe lidhur jo vetëm me lëvizjet politike të Shkodrës, por edhe me jetën kulturore, arsimore, shkencore e fetare të vendit. Biblioteka e tij, "Kllyçi", deri në vitin 1967 kishte rreth 2000 libra të inventarizuar e të vulosur me etiketat përkatëse.

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës të mos harrojnë Haxhi Sheh Shaminë (1814-1891), për të cilin shkruhet se gjatë jetës së tij ka qëndruar edhe në Francë, ku ndiqte edhe kurse mjekësie. "...kishte shkruar shumë artikuj duke treguar se çka ka qenë e çka do të jetë Shqypnia" dhe se "...veprat e tij shenjohen në Bibliotekën e Parisit".

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të kenë çka të përfitojnë nga Daut Boriçi (1825-1896), hoxha i abetareve, i fjalorëve të ndryshëm, i gramatikës shqipe, i alfabetit shqip me shkronja osmane. Nga ky njeri, që në funksionin e zv/drejtorit të arsimit, më 1858, me 7 prill, në emër të qeverisë e gubernës mbajti fjalën e rastit, kur u hodhën themelet e Kishës së Madhe të Shkodrës.

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të përfitojnë nga besnikëria shkencore e njeriut të fetvasë në Shkodër, më të shquarit personalitet të Bushatlinjve të Shkodrës: Hafiz Halit Bushati (?-1916), dijetarit të heshtur, besnikut të arkivimit të vendimeve juridike islame. "Për zotësinë e tij si jurist në legjislaturën islame meriton të rradhitet në vargun e specialistëve të njohun të kohës... H. Halit Bushati gjatë 20 vjetëve dha dy herë ixhazet dmth ai qiti dy palë hoxhë e myderrizë" ... Personaliteti më i shquar që u bëri nder pasardhësve të drejpërdrejtë si dhe tërë fisit, është Hafis Halit Bushati...

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të kenë për shembull në bindjet e tyre politike Hafiz Musa Dërgutin (1888-1961), që për komunizmin thoshte: "Dushman i Allahut, pa Din e pa Iman...". Dijetari antikomunist, që thoshte gjithashtu: "Komunistët janë të pafe. Ai që nuk beson në Zotin, s'ka moral, s'ka frikë nga çdo veprim, edhe i mbrapshtë po të jetë..."

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të kenë busull orientimi në jetën e tyre shpirtërore e morale, kulturore e shkencore: Hafiz Muhamed Shaban ef. Domnorin, Hafiz Ibrahim Kadukun, H.H. Abaz Golemin, Hafiz Halil Pukën, Hafiz Ymer Bakallin, Sheh Ahmet Shkodrën, etj.

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të përkujtojnë me respekt e nderim Hafiz Ibrahim Repishtin (1882-1943), nënkryetarin e komisionit parlamentar për jurisprudencën dhe komisionit parlamentar për arsimin.

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të kenë shembulltyrë të tyren edhe Hafiz Salih ef. Myftinë (1891-1978), organizatorin dhe themeluesin e Komunitetit Musliman Shqiptar në New York e New Jersey.

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të mos harrojnë shpirtin e madh të dijetarit të shquar të Shkodrës, Hafiz Ali Tarit (1900-1973), antizogistin, që në vitin 1932 u arrestua së bashku me priftin katolik padër Bernardinin. Për të Atë K. Gjolaj shkruan: "H. Ali Tari ishte një njeri i madh për kohën... Kujtohet shpesh fjala e tij me rastin e vdekjes së Atë Fishtës... Një fetar i mirë si H. Ali Tari, kurrë nuk mundet me qenë fanatik".

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të kujtojnë se hoxhallarët e tyre kanë rrokur armët edhe kundra forcave serbe e malazeze, në vitin 1913, kur Shkodra ishte rrethuar prej tyre, si rasti i Hafiz Halil Gavoçit dhe i të birit Hafiz Sulejman Gavoçi.

Ah, sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës, të marrin shembullin e djalit besnik e fisnik të Shkodrës, hoxhës tonë Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi, njeriut të dijes dhe autorit të dhjetra veprave në gjuhën arabe dhe në atë shqipe, i cili akoma jeton në Damask të Sirisë.

Ah, sikur... Po janë aq shumë hoxhallarë, sa s'do t'i përfshinte dot ky shkrim dhe s'i përfshin dot... Janë shembëlltyrë drite, udhëzimi, jete. Janë pjesë e historisë së ndritur të këtij kombi. Janë pjesë e identitetit tonë kombëtar. Janë hoxhallarët tanë..! Ah, sikur medresistët e sotëm të merrnin dritën e këtyre hoxhallarëve, a të ishin si shembulli i tyre... Ah, sikur ndonjëri prej tyre të bëhej hoxhë, si këta hoxhallarë, që me veprën dhe qëndrimin e tyre të qytetëruar, firmosën krenarinë historike të qytetit tonë, Shkodrës, që prej Hoxhës tonë H. Vehbi S. Gavoçi, mësuam të themi: "Mburrem që jam shkodran!"

Biseda ime me dramaturgun e njohur Fadil Kraja shkoi gjatë. Në fund të dy e falënderuam edhe një herë drejtoreshën e Radios, që mundësoi këtë takim të paharrueshëm, në të cilin ne folëm, këmbyem mendime, përforcuam ca bindje dhe hodhëm poshtë ca të tjera... I shkuam filozofisë së Senekës: "Ma kundërshto mendimin, që të kuptohet se jemi dy"!

Nga Imam Muhamed Sytari

COMMENTS