Angjelin Nënshati

Angjelin Nënshati lindi në Shkodër më 12 shkurt 1929. Është vazhduesi i fotografëve të traditës shkodrane. Që në rini ka pasur pasion të madh për profesionin e fotografit, duke e ushtruar atë që në moshën 14 vjeç. Mbaroi shkollën e mesme të përgjithshme në gjimnazin "28 Nëntori" dhe nga viti 1948 deri në vitin 1957 ka punuar si mësues në shkollat e Pukës dhe Shkodrës. Në Pukë ka krijuar laboratorin e parë fotografik në vitin 1948.

Me krijimin e fototekës "Marubi", në vitin 1970, ai dhuroi rreth 25 mijë poza. Materiali i tij është i fiksuar në filma "Laika", 24x36 mm. Në fondin e tij ka tema të ndryshme si manifestime shkollore, arsimore, sportive, mjekësore, etj.

Angjelin Nënshati vdiq në Shkodër më 18 prill 2008.

Intervista që vijon, "Angjelin Nënshati - Fotografi që fikson jetën e qytetit", është e vitit 2006. Nga Xhahid Bushati.

Angjelin Nënshati është fotografi me i vjetër, i gjallë, që ka Shkodra. Arkiva e tij i ka kaluar 300.000 fotot, foto që mbartin një sigël të përbashkët: "Nenshati". Kjo pasuri kulturore që shtohet dita ditës, e vë denjësisht artistin Nënshati përkrah emrave të mëdhenj të fotografise shqiptare, si Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta.

Ashtu, thatim në fytyrë, i qeshur e i përzemërt gjithmonë, teksa u shpërndan njerëzve mirësi e nur, ecën me hap të shpejtë. Gjithmonë shpejton: në mëngjes, në mesditë, në muzg. Shpesh e zë nata dhe në udhë. Jo si një udhëtar i vonuar, por si një njeri i mirë, fjalëpak e i heshtur, që ka 50 vjet që s'e ndan nga dora "mikun e tij të ngushtë të jetës" aparatin fotografik.

Dhe ka 50 vjet me këtë aparat fotografik që diçka (e vazhdon) t'i thotë qytetit të tij të lindjes e kohës. Me artin e tij kërkon të mos u mbetët borxh ditës e njerëzve. Ndaj shpejton e shkrep, shkrep e shpejton... "Foto Nenshati". Dhe për këtë mision fisnik, Shkodra, vendlindja e tij, i ka dhënë këto ditë titullin "Mirënjohja e Qytetit".

Dede Jakova, Shan Pici, Gege Marubi, Pjeter Rraboshta, Angjelin Nenshati
Dedë Jakova, Shan Pici, Gegë Marubi, Pjetër Rraboshta, Angjelin Nënshati
Për fotografin pasionant Angjelin Nënshati nuk gabon po të thuash se, jeta është kthyer në lëvizje. Ndoshta më mirë se çdo lloj metafore a krahasimi flet kjo bisedë:

Kur zgjoheni në mëngjes?

Zgjimi mund të them se është i orëve të para të mjesit, sepse shpesh hërë më zgjon edhe preokupimi po i tham unë, një farë kasaveti për punën që pres me ba gjatë ditës ose edhe punën që kam si porosi me e krye brënda një kohe të caktueme ose të kërkueme. Kështu që shpesh herë kasaveti më zgjon herët, por rregullisht ora 7.00 më gjen në kambë.

Sa jeni i lidhur me shtëpinë, pra, me familjen, dhe me rrugicën e fëmijërisë?

Më ke prekë një temë të dashur për mue. Eh, more lum djali, në qoftë se mbërrijmë në rezultate të mira të punës, pa sakrificë nuk i mbërrin. E tham këtë se, e vërteta asht se e kam ndjek jetën familjare me dinjitetin e një qytetari të mirë, por di me shtue që jo si neglizhim, por si vëmendje, ja kam kushtue ma shumë punës se sa familjes.

E, ajo rrugicë që përmendët asht lindja e jetës seme. Dhe mund të them si sy fotografi, unë asnjëherë nuk e shoh njësoj. Çdo ditë, dy tri herë që mund ta përshkoj e shoh ndryshe, sepse aty shoh edhe jetën e familjes seme, të rrugicës teme, por edhe të qytetit tem. Është gati-gati si një puls që mat edhe jetën e qytetit. Unë kam pasë në jetën teme një shans se kam qenë i rrethuem me njerëz që kanë emër në Shkodër.

Kam pasë ne krah familjen e Jakovës, pra, Dedë, Prenkë, Ndoc Jakova. Kam pasë ma poshtë familjet: të Cepëve, të Tafrrukëve, të Demajve, të Shirokës, të Koçobashit. Ma e rëndësishmja asht se kam fillue me hedhë hapat e para po të thuash të pregatitjes seme morale shpirtërore dhe artistike në oborrin e Katedrales, ku ndër mësuesit, edukatorët e mi kanë qenë: Kardinal Mikel Koliqi, Dom Ndre Zadeja, Dom Zef Shestani. Si shëmbull jete kam pasë djaloshin e ri Ndoc Jakova, "Martir i Demokracisë".

E veçanta e kësaj rrugice asht jeta që të përshkon nëpërmjet përpjekjeve, por asht ma shumë fizionomia e saj që ka ruejtë bukurinë e vet, ka ruejtë dinjitetin e ka qitë këto njerëz që përmenda me nderim.

"Ma i bukri në kët dhé / asht Shkodra ku kam lé."

Ishte kjo kangë që këndonim kur ishim të vegjël. Krenar jam për Shkodrën. Këtë kangë e kënduan edhe të parët e mi.

"...Shkodra ku kam le" asht nderi ma i madh i prindërve të mi. Në qoftë se Shkodra për herë më sjell frymëzim, arsyeja asht se në çdo mëngjes unë jam biri i saj.

Të kthehemi te një veçori e juaja: gjithmonë shpejtoni, asnjëherë nuk ju kam parë të ecni ngadalë!

Gjithmonë shpejtoj, lum miku! Koha ikën, kohën e vlerësoj...

Sa miq ka "Foto Nenshati"?

Miq... Unë jam përherë në lëvizje. Rrugëve të qytetit tem, kënaqem kur përshëndetem me to. Janë të gjithë miqtë e mi. I kam të gjithë për zemër dhe më merr malli me u pa me to.

Kur përmend Shkodrën gjatë bisedës me ju, përmalloheni dhe ndjeni dhëmbje! Përse?

Kam shumë dhëmbje e dashuri për Shkodrën. Është qyteti i andrrave të mija. Deri më sot; çdo hap, çdo punë, çdo gur kam mendue me e vu për Shkodrën.

Profesionin tuaj e keni përcjellë edhe te fëmijët?

Nisem nga shikimet te prindërit tonë e kështu që edhe fëmijët tonë të nisen nga prindërit. Kënaqësia ma e madhe e imja asht trashëgimia. Sepse unë në punën teme jam mundue me shkrue historinë e qytetit tem.

Kam kënaqësinë e madhe që edhe fëmijët e mi të shkruajnë këtë histori nëpërmjet fotografimit. Çdokush me profesionin e vet përpiqet me lanë gjurmët e tija. Me anën e profesionit tem "shkruaj" jetën e gjatë të qytetit tem. E dua qytetin sa edhe profesionin.

E dua profesionin aq sa edhe veten. Dua që qytetin ta shoh të bukur, përpiqem te fotografia me fiksue jo sensacionet, por një realitet të gjallë që interpreton një mendim, një ngjarje. Nëpërmjet fotografive "shkruaj" historinë e qytetit tem. E ndjek jetën në qytet, në çdo qelizë të saj dhe përpiqem ta fiksoj bukur. Sepse trashëgimi në breza vjen si ai gjaku ndër damarë, vjen me një përzierje me të gjitha virtytet e mira që trashëgojmë nga një prind.

Për me krijue, me ruejtë, duhet mund, mend dhe kohë. Me shkatrrue asht kollaj. Fotografia don edhe mendim regjisorial. Edhe unë si dhe paraardhësit e mi, si Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta; ndoqa atë lloj ndërtimi, formova fototekën që përfshin punët e mija të 50 vitëve me gjithë ngjarjet e qytetit tem. Ky është amaneti jem, testamenti jem për Shkodrën.

Kështu lanë para meje si V. Prendushi kur thote:

"O kujtime fletë të prarueme
shkoni e ndalnu në male e kodra,
e me diftoni lumninë që pat Shkodra".

Apo Dom Ndre Zadeja:

"O bir, e lumja Shkodër që të lindi që të ka,
Shkodra me dashtë me lule ngre një kala,
Shkodra lind e përëndon si dielli
e vdes, ngjallet".

Si e organizoni kohën, a ka ndonjë ditë kur thoni: "Më iku kot"?

Nuk mund të them se një ditë më ka ik kot, por nuk mund të them që gjëndem ngushtë ose nuk më ka kalue një ditë e kënaqshme, kur nuk kam fiksue një ngjarje të qytetit tem. Kjo mangësi nuk më vjen prej vetes, por më vjen se nuk njoh një ngjarje të ditës. I them vetes: Si më iku kjo ngjarje? Se unë ngjarjet i ndjekë edhe pa ftesë.

Teknika e fotografisë në këtë kohë, është zhvilluar mjaft, ju vazhdoni me aparatin klasik?

Teknika... nuk them se nuk ka ecë teknika, por unë aparatin tem nuk e lëshoj nga dora deri në pikën e fundit. Ka mjete të sofistikuara, mënyra të reja regjistrimi, por unë personalisht e shoh përsëri të dobishme fiksimin me aparat fotografik... se ende nuk më asht plakë vullneti, nuk më asht plakë syni. Eci shpejt, dhe nuk kam nevojë për gjyzlykë. Jo vetëm kaq por edhe një porosi që më jepet e regjistroj në mendje, nuk përdor kurrë letër. Deri më sot me klientin nuk kam mbajtë shënime...

Ju faleminderit!

COMMENTS