Elegjia Vllazërore.., Arshi Pipa

myzafer pipa arshi
Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t'kishte lanë,
edhe pse miqt e shokët
nuk dojshin me ma thanë.
Der sa mbi krye mandata,
kur s'e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka në andërr
prej kohe m'ishte gja.

E pau epileptiku
qi s'njifte mue as ty.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u thye...
Un rashë... m'u turr vërtiku...
humba! Uluroi një za...
Ti u hodhe, m'kape, m'qite...
por vetë nuk dole ma!

Ti vuajte, ti rreziqe
durove simbas stinës
nga ishulli i Ventottenes
ndër telat e Prishtinës.
E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë armik i shtypjes
e bir i atdheut besnik.

Sot qi nga dita e mortit
Ka rrjedhë ma se nji mot,
tue ta nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.

Pse për vdekjen e t'fortit
i fortë duhet me u bamë.
As i përmendi fajtorët:
nuk kam ma çka me i namë.
Kur ndofta nga mizori
po përgatitet ura.

Për mue kët herë e kanga
e mbramë âsht kjo qi thurra,
me gjakun tand dëshmori
vulosi sot nji bè:
përbuzi komunizmin
e truhem për atdhè.

Shënim i poetit: Kjo elegji u shkruajt në Nanduer 1948, pak para se të nxirresha në gjyq për herën e dytë. Ky gjyq u ba në Prokurori të Durrësit me dyer të mbylluna dhe zgjati gjithsej 15 minuta. Vendimi i gjyqit u dha brenda në burgun e Durrësit. Im vëlla Myzafer Pipa, avokat, qe arrestue në Shtatuer 1946 dhe mbasi u torturue deri në vdekje, u nxuerr dhe u vra me nji batare automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte dashtë t'ikte. Vrasjen e tij, të cilën ma kishin mbajtë mshehtë, e mora vesh vetëm gjatë proçesit të dytë në Prokurorinë e Durrësit.
Andrrën e pau nji i burgosun, kosovari Azis Sula, në kohën e vrasjes. Im vëlla pat qenë burgosë nga autoritetet fashiste italiane n'ishullin Ventottene afër Gaetas, më 1940 dhe më vonë internue në kampin nazist të Prishtinës më 1944.

COMMENTS