Benussi, familje e vjetër shkodrane me origjinë nga Italia

Historia e familjes së njohur shkodrane Benussi me origjinë italiane. I pari i tyre Giorgio Bernardo erdhi në Shkodër në vitin 1828 i thirrur nga Veziri turk i qytetit.

Dëshmon për Gazeta Shqiptare (7-8 shtator 2002) Anton Benussi, djali i Ministrit të Arsimit në vitin 1943 Zef Benussi.

Origjina e hershme e familjes shkodrane Benussi është nga një provincë italiane afër qytetit të Triestes e quajtur Rovignio d'Istria, që në atë kohë ishte nën Perandorinë Austro-Hungareze dhe sot ndodhet në territorin e Kroacisë. Ajo provincë italiane prej nga është dhe origjina e hershme e familjes shkodrane Benussi, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kaloi nën administrimin e ish-Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj në fillimin e viteve 1990-të ajo kaloi nën juridiksionin e shtetit Kroat në të cilën ndodhet edhe sot. I pari i kësaj familje është quajtur Giorgio Bernardo Benussi dhe ai ka lindur në në atë provincë të Italisë në vitin 1801. Giorgio u diplomua në Akademinë Navale (Detare) të Triestes aty nga viti 1823 dhe punoi për disa vjet si marinar pranë Flotës Ushtarake Italiane në specialitetin e udhëtimeve të gjata për të cilën dhe ishte diplomuar. Pasi kishte shërbuer për disa vjet pranë asaj marine, aty nga viti 1828 atij i erdhi një kërkesë nga Veziri turk i Shkodrës, për të ardhur në atë qytet si specialist i armës së Artilerisë së rëndë. Giorgio Bernardo Benussi iu përgjigj pozitivisht ftesës së Vezirit të Shkodrës dhe aty nga shtatori i vitit 1828 ai la vëndlindjen e tij Triesten dhe erdhi në qytetin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten e tij Terezën, e dy vajzat Antonian dhe Giovanën. Nga dëshmi të ndryshme gojore të trashëguara në disa breza thuhet se Veziri turk i Shkodrës i bëri një pritje të ngrohtë Giorgio Benussit dhe i ngriti atij një shtëpi të mirë aty ku sot ndodhet lagjia Perash, në pjesën e banuar nga katolikët. Po kështu lidhur me ardhjen e Giorgios në qytetin e Shkodrës ka dhe një version tjetër, ku thuhet se ftesa nga Veziri i Shkodrës iu bë atij pasi ai kishte ardhur në atë qytet si vizitor, ku dhe u njoh personalisht me Vezirin. Pasi shërbeu për disa vjet si specialist i Artilerisë së rëndë pranë Vezirit të Shkodrës, Giorgio Benussi u largua që andej dhe hapi një farmaci private në qëndrën e qytetit, për të cilën thuhet se ka qenë dhe e para farmaci që është hapur në Shkodër. Po kështu krahas aktivitetit të tij tregtar faramceutik me të cilin kryesisht merrej bashkëshortja e tij italiane Terezina, Giorgio hapi dhe disa kurse të gjuhës italiane me pagesë, ku mësonin kryesisht fëmijët e aristokracisë së qytetit të Shkodrës të cilët përgatiteshin për të ndjekur studimet në Itali dhe shtete të tjera të Evropës. Aty nga viti 1850-të teksa Giorgio Bernardo Benussi vazhdonte të banonte në qytetin e Shkodrës, i lindi dhe një fëmijë tjetër i cili u quajt Gaspër. Giorgio jetoi deri aty nga viti 1869 dhe pas vdekjes së tij me aktivitetin farmaceutik u muar djali i tij Gaspëri, i cili u shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës që ishte fare pranë shtëpisë së tyre. Pas mbarimit të Kolegjit Saverian në qytetin e Shkodrës, Gaspër Giorgio Benussi shkoi në qytetin e Tristes pranë njerëzve të familjes së babait ku dhe ndoqi studimet dhe u diplomua për mësues. Pas diplomimit ai u kthye përsëri në qytetin e Shkodrës dhe për shumë vjet punoi si pedagog pranë Kolegjit Saverian ku jepte lëndën e gjuhës italiane. Nga vitet e fundit të karrierës së tij si pedagog pranë atij Kolegji, Gaspëri u thërrit nga Konsullate Austro-Hungareze që ishte vendosur në qytetin e Shkodrës dhe për disa vjet punoi aty në funksionin e Kryesekretarit të saj. Gjatë karrierës së tij si pedagog i gjuhës italiane pranë Kolegjit Saverian, Gaspëri u mor edhe me hartime tekstesh shkollore dhe botoi shumë artikuj publicistik në shypin e kohës. Puna e tij shkencore në lëmin e pedagogjisë konsiston në botimin e dy Abetareve shqipe, të një metode për mësimin e gjuhës italiane të cilën e kishte filluar babai i tij Giorgio, si dhe të librit "Shqiptari i mësuem në gjuhë të vet". Gaspër Giorgio Benusssi ka jetuar deri në vitin 1931 dhe vdiq në qytetin e Tiranës në moshën 81-vjeçare. Varrimi i tij u bë në qytetin e Shkodrës pranë varrezës familjare ku më parë ishte varrosur dhe babai i tij Giorgio. Akoma edhe sot në qytetin e Shkodrës ka shumë persona të cilët e mbajnë mënd pritjen madhështore që iu bë kortezhit me trupin e Gaspërit në hyrje të Lagjes së Baçallëkut ku kishte dalë gjithë paria e qytetit si dhe banda frymore që e shoqëroi atë me marshe funebre deri në varrezat e Rrmajit. Gaspër Giorgio Benussi me bashkëshorten e tij Çeçilia Çekja, (nga fisi i njohur shkodran i Filip Çekajt) lanë pesë fëmijë: një vajzë të quajtur Tereza, si dhe katër djem, Gjushin, që u lind në vitin 1894, Baltazarin (1897) Zefin (1900) dhe Luigjin që u lind në vitin 1903. Vajza e madhe e Gapsërit, Tereza, nuk u martua, ndërsa të katër djemtë e tjerë pasi u shkolluan në Universitetet e Italisë dhe Austrisë u martuan e krijuan familjet e tyre në qytetin e Shkodrës e Tiranës ku jetojnë edhe sot fëmijët e nipërit e mbesat e tyre.

Gjush Benussi, 24-vjet Kryesekretar i Parlamentit


I pari i fëmijve të Gaspër Benussit, ishte Gjushi (emri i vërtetë Gjergj) i cili u lind në vitin 1894 në qytetin ne Shkodrës ku banonte asokohe familja e tyre. Mësimet e para Gjushi i mori në Kolegjin Saverian të qytetit ku asokohe punonte si pedagog i gjuhës italiane dhe babai i tij Gaspër Giorgio Benussi. Pas mbarimit të atij kolegji me rezultate shumë të larta, Gjushi u dërgua dhe ndoqi studimet e mesme dhe më pas ato të larta në Vjenë të Austrisë. Në kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungarze në Vjenë, Gjush Benussi qëndroi për tetë vjet dhe u diplomua në degën e Ekonomisë Tregtare pranë Universitetit vjenez. Pas diplomimit në atë universitet në vitin 1918-të kur përfundoi dhe Lufta e parë Botërore, Gjushi u kthye në qytetin e lindjes në Shkodër ku për disa kohë punoi në adminstratën vendore të atij qyteti. Aty nga viti 1920 me krijimin e Parlamentit të Parë shqiptar, Gjushi erdhi në Tiranë pas kërkesës që i bënë disa miq të tij politikanë nga qyteti i Shkodrës dhe filloi punë si Kryesekretar i Parlamentit. Lidhur me këtë, nipi i tij Anton Benussi, dëshmon:

"Në atë detyrë xhaxhai ynë Gjushi punoi pa ndërprerje për 24 vjet me rradhë deri në vitin 1944 kur dhe u shkri Parlamenti i periudhës së Luftës. Gjatë asaj periudhe të gjatë kohe, ai u perfeksionua në zanatin e tij dhe ishte i pari që krijoi Stenografinë shqiptare. Në vitet e Monarkisë së Zogut, Gjushi hartoi dhe botoi librin "Stenografia shqiptare" i cili është dhe i pari dhe i vetmi i llojit të tij në Shqipëri. Duke qenë se ai ishte një profesionist i vërtetë në zanatin e tij, edhe pas mbarimit të Luftës komunistët që erdhën në pushtet e mbajtën për disa kohë në punë në Agjensinë Telegrafike Shqiptare. Më pas aty nga vjeshta e vitit 1945, pas goditjes që pësoi familja jonë me dënimin e babait tim Zefit, që kishte mbajtur funksionin e Ministrit të Arsimit, u hoq nga puna dhe Gjushi, i etiketuar si reaksionar dhe pinjoll i klasave të përmbysura. Në atë kohë që e hoqën nga puna, Gjushi mbeti në një gjëndje të mjerueshme ekonomike pasi ai kishte dhe pesë fëmijë për të rritur. I detyruar nga vështirësitë financiare në të cilat u ndodh, ai humbi edhe shtëpinë e tij që e kishte aty në "Bllokun" e sotëm në Tiranën e Re. Atë vilë shumë të mirë që ai e kishte ndërtuar me djersën e ballit, u detyrua dhe e shiti për bukën e gojës", - dëshmon 64-vjeçari Anton Benusi, lidhur me xhaxhanë e tij Gjushin i cili për 24 vjet me rradhë punoi si Kryesekretar i Parlamentit shqiptar dhe njihet si themeluesi i Stenografisë shqiptare.

Arratisja e Gaspër Benussit


Aty nga viti 1955, Gjush Benussi dhe familjet e tre vëllezërve të tjerë Baltazarit, Luigjit dhe Zefit, pësuan edhe një goditje tjetër nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi në atë kohë u arratis nga Shqipëria djali i madh i Gjushit, Gaspëri i cili ishte diplomuar në Sofje të Bullgarisë për inxhinier ndërtimi. Lidhur me këtë, Anton Benussi dëshmon:

"Djali i xhaxhait tonë, Gaspëri, gjatë viteve të Luftës kishte simpatizuar e ishte lidhur me lëvizjen antifashiste dhe duke përfituar nga ai qëndrim politik, menjeherë pas mbarimit të Luftës fitoi të drejtën e studimit dhe shkoi në Sofje të Bullgarisë ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Aty nga viti 1950-të Gaspëri u kthye në Shqipëri dhe qeveria e asaj kohe i ngarkoi të zbatonte projektin e Fushës së Aviacionit të Rinasit të cilën ai e përfundoi me sukses të plotë. Pas përfundimit të atij projekti të madh, qeveria e asaj kohe si për ta shpërblyer për punën e bërë i dha leje që të shkonte në Sofje të Bullgarisë për të marrë bashkëshorten e tij bullgare me të cilën ishte martuar që kur studjonte në atë universitet. Por pasi iku në Sofje dhe u bashkua me familjen e tij, Gaspëri kërkoi azil politik dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Pas disa kohësh qëndrimi në Bullgari, ai u largua edhe që andej dhe vendos në SHBA ku bëri një karrierë brilante, pasi ishte tepër i përgatitur në zanatin e tij. Ndërsa Gaspëri u largua për në Amerikë ku jeton edhe sot, babai i tij dhe njëkohësisht xhaxhai im Gjushi, jetoi në qytetin e Tiranës në një gjëndje të vështirë ekonomike dhe i persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Gjushi vdiq në vitin 1963 dhe e gjithë puna e tij si themelues i Stenografisë Shqiptare nuk u përmënd asnjëherë gjatë viteve të regjimit komunist".

Baltasar Benussi, hartuesi i Legjislacionit shqiptar


Djali i dytë i Gaspër Giorgio Benussit, ishte Baltazari i cili u lind më 6 janar të vitit 1897 në qytetin e Shkodrës. Edhe Baltazari ashtu si i vëllai i tij më i madh Gjushi, ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian në qytetin e Shkodrës dhe i ndërpreu ato për të vazhduar katër vitet e fundit të gjimnazit në qytetin Pechshit në Hungari. Në vitin 1916-të pas mbarimit të mësmimeve në atë Kolegj Jezuit që konsiderohej si një nga më të famshmit e të gjithë Perandorisë, Baltazari u kthye në vëndëlindjen e tij në Shkodër. Pas dy vjetësh ai u thërrit dhe u mobilizua në ushtrinë austro-hungareze, për arsye se ai kishte marrë nënshtetësinë e asaj Perandorie. Lidhur me këtë, Anton Benussi dëshmon:

"Pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rradhët e armatës së Perandorisë Austro-Hungareze, në vitin 1920-të Baltazari u kthye në vëndëlindjen e tij në Shkodër dhe pak kohë më vonë babai i tij Gaspëri mori njoftimin se djalit të tij Baltazarit i ishte aprovuar e drejta për të ndjekur studimet në degën e Jurisprudencës pranë Universitetit të Romës në Itali. Në vitin 1924, Baltazari mori diplomën me rezultate të shkëlqyera dhe gradën shkencore Doktor në Drejtësi".

baltasar benussi
Baltasar Benussi
Por si rrodhi më pas karriera e Baltazar Benussit në fushën e Jurisprudencës dhe avokatisë për të cilën ai ishte bërë tepër i famshëm në të gjithë vendin?
Lidhur me këtë Anton Benussi dëshmon:

"Gjate vitit 1944 Baltazari u arrestua nga gjermanët për arsye se ndihmonte financiarisht nga arka e "Stamles"-it disa familje të vobegta të punëtorëve që kishin lënë punën dhe kishin dalë partizanë. Ai mundi të shpëtonte nga internimi i sigurtë prej gjermanëve, vetëm në sajë të ndërhyrjes së Perikli Spiros, këshilltarit delegat të shoqërisë "Stamles". Pas mbarimit të Luftës, Baltazari punoi përsëri si avokat dhe në vitin 1947 ai u arrestua në qytetin e Beratit, i akuzuar për agjitacion e propagandë. Fillimisht ai u dënua me 15 vjet burg, por pas apelimit Gjykata e Lartë ia uli në 7 vjet, por i la në fuqi nenin e sekuestrimit të pasurisë, për të cilat dhe ishte arrestuar. Si rezultat i kësaj Baltazarit i sekuestruan tre vila luksoze në Tiranë dhe familjen e tij e nxorrën përdhunisht nga shtëpia vetëm me plaçkat e trupit dhe i dëbuan nga Tirana për në Shkodër. Dënimin e plotë Baltazari e vuajti në burgun e Burrelit dhe me pas vuajti dhe katër vjet internim në Kuç të Kurveleshit. Ai vdiq në vitin 1982 në qytetin e Shkodrës, pasi për 12 vjet u lejua që të shiste cigare në një kinkaleri për të siguruar bukën e gojës. Një nga tre veprat kryesore që la Baltazari në fushën e Drejtësisë, ishte Komentatori i Kodit Civil "Sendet, zotnimi dhe modifikimet e tij", i cili u ribotua përsëri në vitin 1995 dhe ka gjetur një përdorim të madh në Jurisprudencën shqiptare", - e përfundon dëshminë e tij Anton Benussi për xhaxhanë Baltazarin, i cili njihet si një nga hartuesit e Legjislacionit modern shqiptar në periudhën e Monarkisë së Ahmet Zogut.

Dënimi i Zef Benussit, ish-Ministër i Arsimit


Djali i tretë i Gaspër Giorgio Benussit, ishte Zefi, i cili u lind në vitin 1900 në qytetin e Shkodrës. Edhe Zefi ashtu si dy vëllezërit e tij Gjushi dhe Baltazari, pasi u shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës, shkoi në Itali ku për pesë vjet ndoqi Universitetin e Romës në Fakultetin e Jurisprudencës. Në vitin 1932 Zefi mori diplomën me rezultate maksimale duke u cilësuar si një nga studentët më të përgatitur të asaj plejade, gjë e cila është shënuar nga rektorati i atij universiteti në diplomën e tij. Pas diplomimit Zef Benussi u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Drejtësisë e asaj kohe e emëroi si antar të gjykatës së shkallës së parë në qytetin e Korçës. Lidhur me këtë, djali i tij Anton Benussi, dëshmon:

"Pasi punoi për disa vjet në qytetin e Korçës, babai Zefi u transferua në qytetet e Tiranës dhe të Shkodrës ku përveç detyrës së gjykatësit punoi edhe si prokuror. Në ato detyra Zefi shërbeu deri në vitin 1943 dhe në atë kohë ai u thërrit në Tiranë ku u emërua në postin e Ministrit të Arsimit e Kulturës. Në atë post ministror babai nuk punoi më shumë se dy muaj dhe më pas ai kaloi në zanatin e tij duke u marrë me avokati, gjë të cilën e vazhdoi deri në mbarimin e Luftës. Aty nga fillimi i vitit 1945 kur filluan arrestimet në masë për shumë nga ish-funksionarët e lartë të qeverive të kaluara, u arrestua dhe babai Zefi, për arsyen e vetme se kishte mbajtur postin e Ministrit të Arsimit në vitin 1943. Pas kësaj ai doli në Gjyqin Special i cili u zhvillua në muajt mars-prill të vitit 1945 dhe duke qenë se ai nuk ishte i implikuar me asnjë lloj veprimtarie të cilësuar nga komunistët si armiqësore, u dënua vetëm me pesë vjet burg. Pas dënimit të babait, ne na sekuestruan edhe pasurinë që kishim në Tiranë (tokë dhe shtëpi) dhe nga që mbetëm në mes të katër rrugëve, unë me nënën u detyruam të shkonim në qytetin e Shkodrës tek të afërmit tanë. Babai bëri vetëm dy vjet burg dhe kur doli në vitin 1947 punoi si punëtor krahu. Më pas ai u internua edhe katër vjet të tjera në Shtyllas të Fierit dhe në Kuç të Kurveleshit. Pasi mbaroi të gjithë internimin babai u kthye në qytetin e Shkodrës dhe aty nga viti 1962 kur regjimi komunist bëri disa lëshime të vogla ndaj atyre që i konsideronte si armiq të klasës dhe reaksionarë, Zefin e lanë të punonte si avokat në qytetin e Lezhës. Në këtë profesion për të cilin Zefi ishte doktoruar në Romë, ai nuk arriti që të punonte më shumë se tre-katër vjet, pasi në 1965-ën ai u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare, krejt i lodhur e i drobitur nga streset e një jete plot vuajtje dhe peripecira që kishte kaluar. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist familja jonë u konsiderua si reaksionare dhe vuajti nga lufta e klasave," dëshmon Anton Benussi për babanë Zefin, i cili veç të tjerash është i njohur edhe për hartimin e librit "E drejta zakonore shqiptare".

Familja e Zef Benussit edhe sot vazhdon të banojë në qytetin e Shkodrës, pasi shtëpia dhe toka që ua sekuestroi regjimi komunist i Enver Hoxhës në Tiranë, akoma nuk u janë kthyer.

Luigj Benussi diplomohet për Mjekësi në Romë


Djali i katërt i Gaspër Giorgio Benussit, ishte Luigji i cili u lind në vitin 1903 në qytetin e Shkodrës. Edhe Luigji ashtu si tre vëllezërit e tjerë: Gjushi, Baltazari dhe Zefi u shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1925 Luigji fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta pranë Fakultetit të Mjeksisë në Universitetin e Romës. Të drejtën e studimit për në Itali, Luigji e fitoi pasi në vitin 1925 ai përfaqësoi Kolegjin Saverian të Shkodrës në një konkurs ndërkombëtar që u zhvillua në Romë me pjesmarrjen e studentëve nga të gjitha vëndet e botës që studjonin asokohe në Itali. Luigji fitoi medaljen e argjendë në atë konkurs ku morën pjesë me mijra studentë dhe në shenjë shpërblimi atij iu akordua e drejta e studimit sipas kërkesës së tij për në Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e Romës. Lidhur me karrierën mjeksore të Luigj Benussit, nipi i tij Antoni dëshmon:

"Fakultetin e Mjeksisë në Romë, xhaxhai Luigji e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1931 dhe në korrikun e atij viti ai mori diplomën. Teza që ai mbrojti doktoraturën ishte: "Ndryshimi i grupeve të gjakut A.B.O. të burrit e gruas si shkak biologjik abortesh". Ajo temë që mbrojti Luigji u konsiderua si punim tepër origjinal dhe u vlersua me pikët maksimale nga e gjithë juria. Pasi marrjes së diplomës, Luigji u kthye në Shqipëri dhe u emërua si mjek pranë Spitalit Ushtarak të Tiranës. Pas një viti ai shkoi përsëri në Itali e vazhdoi studimet pasuniversitare dhe në vitin 1934 ai u diplomua në Universitetin e Peruxhias ku u specializua si kirurg. Krahas punës në Spitalin Ushtarak të Tiranës, xhaxhai Luigji iu përkushtua studimeve në kërkimet shkencore të cilat iu bënë pasionet e tija më të mëdha që kishte në jetë. Gjatë viteve 1935-1936 Luigji shkoi përsëri në Itali ku u muar me studimet në fushën e mikrobiologjisë pranë Institutit të Higjenës në Romë, ku ai qëndroi pranë profesorit dhe shkencëtarit të famshëm italian Giuseppe Sanareli, i cili ndikoi shumë në formimin e tij", - kujton Antoni lidhur me fillimet e karrierës mjkesore të xhaxhait të tij Luigjit, i cili do të bëhej një nga mjekët shqiptarë më të famshëm në fushën e bakteriollogjisë.

Po si vazhdoi më tej karriera mjeksore e shkodranit me origjinë italiane Luigj Benussi?
Lidhur me këtë, nipi i tij Antoni dëshmon:

"Pas disa specializimeve në Itali, Luigj B u angazhua edhe pranë Institutit të Mikrobiologjisë në Universitetin Mbretëror të Romës, ku punoi edhe si asistent profesor me studentët e Mjekësisë. Pas kësaj aty nga viti 1935 Luigji shkoi në Belgjikë ku u diplomua si mjek pranë Institutit "Princi Leopold", pranë qytetit të Anversës, ku ai u specializua në patologji. Pas specializmit që bëri aty, në vitin 1938 Luigji shkoi në Universitetin e Parisit ku u specializua si dermatolog pranë klinikës së sëmundjeve të lëkurës dhe atyre veneriane të spitalit të "Luos". Më pas Luigji u diplomua edhe si venerolog e sifiligraf dhe diploma e tretë që mori ai ishte për terapinë e diagnostikën laboratorike të sëmundjeve dermato-veneriane. Pas shumë kërkimeve shkencore disa vjeçare, në vitin 1940 Luigji shpiku metodën gazometrike për matjen e azotemisë në gjak me mjete të thjeshta dhe në vitin 1960-të ajo metodë u njoh në literaturën mjkekësore botërore si "Metoda gazometrike e Benussit". Pas gjithë atyre specializimeve që bëri, Luigji pati shumë oferta për të punuar në Institutet e kërkimeve shkencore të Mjekësisë si në Itali, Francë, Belgjikë, Spanjë, Angli e deri në SHBA e Argjentinë. Por Luigji nuk pranoi të shkonte në asnjë nga këto shtete që e kërkuan dhe u kthye në Shqipëri ku dha kontributin e tij mjaft të madh në ngritjen e Laboratorit Mikrobiologjik dhe Fakultetit të Mjeksisë në Tiranë ku ai punoi si pedagog. Gjatë gjithë asaj kohe edhe pse ai ishte një nga specialistët më të mirë të mikrobiologjisë, Luigji shikohej me sy tjetër për shkak të biografisë së tij familjare ku dy vëllezërit kishin qenë të dënuar si armiq të popullit. Disa herë Luigji u bë objekt i përndjekjve të Sigurimit për t'u dënuar duke e akuzuar se vaksinat që kishte shpikur nuk ishin të sakta dhe prej tyre kishin vdekur pacientë. Edhe pse ai ishte specializuar në Institutet më prestigjoze të Europës, për shkak të biografisë familjare, në vitin 1960 në Tiranë, Luigjit i dhanë të vetmen gradë shkencore "Kandidat i Shkencave Mjekësore", - e përfundon rrëfimin e tij 64-vjeçari Anton Benussi, për xhaxhanë e tij Luigjin, të cilin regjimi komunist i Enver Hoxhës nuk e dënoi si tre vëllezërit e tjerë, Gjushin, Baltazarin dhe Zefin, për arsye se ai ishte një mjek i talentuar dhe shkencëtar i përmasave evropiane.

COMMENTS