Krapi ka cof.., Mishi ka dek

Tano Banushi, Athanas Banushi
Tano Banushi
- Pasi "kullota" për 10 vjet si gazetar, në vitin 1982 më dhanë "nishanin" e shefit të sektorit ekonomik në gazetën "Zeri i Popullit". Kryeredaktorit i vinin dy buletine nga ATSH-ja. I pari me lajme bajate nga vendi, qarkullonte zyrë me zyrë. I dyti, quhej "Buletin i Verdhë". Top Sekretet, vetëm për udhëheqjen e partisë. Kishte artikuj të përkthyera nga gazeta franceze, italiane, angleze dhe amerikane. Herë pas here, kryeredaktori më ftonte në zyrë dhe më jepte për të lexuar "Buletinin e Verdhë", pasi përsëriste avazin:

- Kujdes shoku Mitro! Përtypi materialet si njeri, dhe mos i ripërtyp si bagëti, për t'i treguar në pazar. Mos kuvendo as me gruan?!

Por një natë, unë ja hapa barkun gruas. E bëra këtë mëkat, thjeshtë nga dashuria... Ishte mes shkurti 1983. Mes "Buletinit të Verdhe" gjeta një artikull për Shën Valentini. E këndova dy herë për ta fiksuar në tru. U ktheva vonë në shtëpi dhe ja tregova Ezmerkës:

- Në Romë kanë jetuar dy Valentinë. Njeri prift. Tjetri peshkop. Prifti jetoi në shekullin e tretë. Peshkopi në shekullin e katërt. Kishin tre gjëra të përbashkëta. Emrin: Valentin. Vdekjen më 14 shkurt. U vranë në Romë, në rrugën Flamini. Një ditë, peshkopi ose prifti Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit, dy të rinj që po grindeshin. Pasi dëgjoi bisedën, njeriu i Perëndisë këputi dy trëndafil dhe doli nga kopështi. Një trëndafil ja dha djalit. Tjetrin vajzës. Kaq mjaftoi dhe vendin e sherrit e zuri dashuria...

Me kalimin e viteve, bëmat e priftit dhe peshkopit u shkrinë në një legjendë... Në vitin 498 papa Gelasio, e konsideroi 14 shkurtin si festën e Shën Valentinit, ditën e të dashuruarve. Por i thashë zonjës:

- Në "Ditën e të dashuruarve" dhurohen vetëm trëndafila ose burri i jep gruas një darkë në restorant. I blen një palë këpucë allafrënga.

- Kam një ide. - më thotë Ezmerka - Nesër është e diel. A nuk shkojmë në Shkodër të hamë një tavë karapi? Ta llogaris si dhuratë për 14 shkurt...

Në orën 14 zumë vend në një lokal karshi "Kafes së Madhe". U bëmë katër çifte. Mes tyre edhe Tano Banushi, miku im dhe fis me zonjën. Mbi tavolinë kishte turshi, djath, qepë, byrek, vishnjak, raki. Mbushëm gotat.

- Fillojmë - thashë unë - sa të bëhet tava e krapit...

Shkodranët panë njeri tjetrin në sy. Tano Banushi mori gotën dhe tha:

- Gëzuar! Krapi ka cofur. Mishi ka dek... Gjërat mbi tavolinë i sollëm nga shtëpia. Për qejf.

Nga Mitro Çela/Gazeta "Koha Jone"

COMMENTS