Krishtlindja

Krishtlindja, Krishtlindje
Shpeshherë dëgjojmë që të tri këto variante: Krishtlindja, Krishtlindjet, Kërshëndellat. Trajta Krishtlindjet, është formë e gabuar pasi që shpreh shumësinë e emrit lindja. Krishti ka lindur vetëm një herë, mirëpo pavarësisht se tek shqiptarët Krishtlindja festohet në dy data të ndryshme (për katolikë dhe protestantë, dhe ortodoksë) sërish nuk ka baza teologjike as kulturore që të quhet Krishtlindjet. Kurse emri Kërshëndellat në fakt nuk ka të bëj asgjë me festën e krishterë, pasi që Kërshëndella është një festë e vjetër pagane ilire-shqiptare (Buzmi), dhe lidhet me ngjalljen e tokës për ciklin e ri për jetë, pasi prej 24 dhjetorit toka fillon sërish që t'i afrohet diellit. Trajta e vetme e drejtë është Krishtlindje ose Krishtlindja.

Sa për kurreshtje është shumë interesant se si është formësuar togfjalëshi i dikurshëm lindja e Krishtit në Krishtlindje, dhe nuk ka nodhur me ndonjë rast tjetër leksikor në gjuhën shqipe e as nuk haset së paku në asnjë gjuhë evropiane as si formulim.

Kur filloi të festohej Krishtlindja?


Është për t'u habitur se në historinë e krishterimit deri në shek. IV nuk ka ndonjë të dhënë historike se ishte festuar Krishtlindja ndonjëherë, e aq më pak më 24 dhjetor. Në fakt edhe pse disa libra të Biblës ishin shkruar deri në 65 vjet pas vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit nuk ka ndonjë evidence se të krishterët e hershëm e festonin lindjen e Krishtit në çfarëdo kohe. Por si atëherë filloi festimi i Krishtlindes? Krishterimi deri në shek. IV pas Krishtit ishte nën persekutim nga romakët dhe krishterimi i hershëm nuk manifestohej përmes shfaqjeve spektakulare. Ata festonin në një mënyrë madhështore Pashkën. Mirëpo atëherë kur Perandoria Romake pranoi krishterimin si religjionin perondorak, atëherë ndodhi edhe shtetërorizimi, kulturalizimi dhe ideologjizimi i krishterimit. Ai lloj krishterimi që u zhvillua për katër shekuj si porosi e Krishtit përfundoi me legalizimin nga romakët. Romakët fillimisht nuk vërenin tek krishterimi shfaqje universale qoftë ne rite, qoftë ne shfaqje dhe temparement të besimit, atëherë ata bën atë ridoktrinalizimin e krishterimit që sot quhet katolicizëm (greq. catholicos – i përgjithshëm). Më datën 24 dhjetor romakët kishin festën e tyre kryesore pagane të zotit Dionis, andaj kjo datë u adoptua në mënyrë që të festohej tani Krishtlindja. Pas disa shekujve një prift pati idenë që gjatë kësaj feste të shpërndante dhurata fëmijëve dhe njerëzve të varfër, dhe kjo u shndërrua më vonë në një traditë të fuqishme saqë sot në botën perëndimore dhuratat kryesore mes familjarëve dhe të tjerëve ndahen në vigjile të Krishtlindjes, kurse komunizmi e zëvendësoi këtë imazh duke shpikur Babadimrin për vitin e ri.

Festimi i Krishtlindjes sot


Të gjithë të krishterët në botë (katolikët 43%, protestantët 38%, ortodoksët 19%) e festojnë Krishtlindjen me anë të manifestimeve të ndryshme. Katolikët dhe protestantët Krishtlidjen e festojnë më datën 24 dhjetor (sipas kalendarit Gregorian), kurse ortodoksët më 7 janar (sipas kalendarit julian). Në shumë vende krishtere kjo festë e madhe krshter fillon të manifestohet diku një muaj më herët e diku edhe tre muaj, dhe zakonisht rrugët, sheshet, objektet e ndryshme stolisen dhe ndriçohen tej mase. Shume bredhe zbukurohen, dhe nganjëherë lartësitë e tyre shkojnë edhe deri në 78 m. P.sh. vetëm në Amerikë, gjatë muajit të dhjetorit, shpenzohet aq shumë rrymë elektrike sa nuk bëhet gjatë katër muajve paraprak. Nata e Krishtlindjes në shumicën e vendeve perëndimore festohet nëpër familje, dhe kjo është e vetmja festë që i bashkon familjarët pavarësisht se ku gjenden ata. Familjet blejnë dhurata të shumta dhe i japim njëri-tjetrit. Të burgosurve po ashtu u ndahen shumë dhurata nga të krishterët. Gjatë dy-tri ditëve të ardhshme organizohen shërbesa të ndryshme fetare si dhe programe të tjera festive.

Cila është domethënia përfundimtare e Krishtlindjes?


Krishterimi ka dy festa kryesore, përveç Krishlindjes është edhe Pashka. Me lindjen, përkatësisht ardhjen e Krishtit në tokë, do të thotë përmbushja e të gjitha premtimeve të Perëndisë lidhur me planin e tij hyjnor për shpëtimin e njerëzimit nga fuqia e mëkatit, nga pushteti i vdekjes, nga forca e mallkimit dhe e humbjes. Krishtlindja do të thotë Perëndia e zbriti vetën e tij aq poshtë saqë erdhi si një qenie njerëzore për ta takuar njeriun. Mesazhi kryesor i Krishtlindjes është se Perëndia u bë njeri. Perëndia i pakufishëm u kufizua. Zoti i pavdekshëm vdiq. Gjithë këto ndodhën për shkak të dashurisë së Perëndisë ndaj kryekrijesës së tij – njeriut. Zoti, sipas Biblës, kurrë nuk deshi që fati ynë si njerëz të përfundojë në duart e Satanit. Krishtlindja është fillimi i ri për një histori të re të predistinuar për secilin person veç e veç. Ashtu si ka lindur Krishti për shpëtimin tonë, ashtu ne duhet rilindur në Krishtin, duke besuar në të, për të shpëtuar ne. Kush ka Krishtin ka jetën, dhe edhe nëse vdes ai do të jetojë përgjithmonë.

Kush është Krishti?


Sot në botë më shumë se një miliard e 200 milionë njerëz pranojnë formalisht se e njohin Krishtin. Në Shkrimin e shenjtë, Bibla, thuhet se Perëndinë askush kurrë nuk e ka parë, por ai i vetmi që zbriti nga qielli e bëri të njohur atë. Jezusi gjatë predikimeve të tij turmave u thoshte se Unë dhe Ati jemi Një, dhe kushdo që më ka parë mua, ka parë edhe Atin Perëndi. Krishti mori rrugën e shpengimit të njeriut nga paudhësia, nga ligësia dhe mëkati, dhe gjithë zemërimi i Perëndisë ndaj njerëzimit u zbras në Krishtin Jezus. Mëkatshmëria e njeriut dhe dashuria e Perëndisë ndaj tij ishin ato që e dërguan Krishtin që të jetë një sakrifice, kurban, në kryq. Ai vdiq, dhe pas tri ditëve u ringjall dhe u ngrit në të djathën e Perëndisë, dhe sërish do të vijë si Mbret për të sunduar drejtpërdrejt në tokë, dhe kjo përbën gjithë zemrën e ungjillit, apo Lajmit të Mirë. Krishti ka gjithë autoritetin, gjithë hirin dhe pushtetin për t'i falur njerëzit dhe për t'i gjykuar ata. Krishti deri sa jetoi në tokë, 33 vjet, në Jude, ai kishte dy natyra. Natyra e parë ishte hyjnore (ai nuk mëkatoi asnjëherë – vetëm Zoti nuk mëkaton; ai ringjalli njerëz nga të vdekurit – vetëm Zoti mund të ringjall; ai kishte pushtet mbi dukuritë natyrore; ai u fali mëkatet njerëzve – vetëm Zoti mund t'i falë mëkatet; ishte Biri i Perëndisë jo sipas lindje spor sipas origjinës dhe të substancës apo qenies së njëjtë). Natyra e dytë e tij ishte njerëzore (hante, qeshte, flinte, ecte, ishte biri i Marisë). Andaj duke mos u kuptuar drejt natyra e plotë e Jezusit atëherë as nuk e njohim atë plotësisht. Asnjë profet apo i dërguar i Perëndisë nuk mund të krahasohet me Jezusin së paku në shenjtëri dhe mesazh. Përmes Mojsiut erdhi Ligji i Zotit për hebrenjtë, kurse përmes Krishtit u derdh hiri i Perëndisë për gjithë botën. Jezusi është avokati ynë tek Perëndia, dhe Zoti e Shpëtimtari ynë personal. Krishti erdhi për t'i shkatërruar planet dhe veprat e Satanës. Ata që e besojnë Jezusin atyre u jep natyrën e tij të re: të lirë nga mëkati, të gëzuar për drejtësinë dhe mrekullitë e Perëndisë Atë.

A u lind Jezusi më 24 dhjetor?


Jezusi u lind në mënyrë të mrekullueshme para 2014 vitesh në qytezën e Betlehemit (sot në Palestinë) afër Jeruzalemit.

Bibla, nuk ka asnjë të dhënë se Jezusi ka lindur saktësisht më datën 24 dhjetor. Në fakt tregohet se Jezusi lindi në kohën e Cezar Augustit, në vitin e shpalljes së dekretit të regjistrimit të popullsisë dhe në vitin e pestë të sundimit të Herodit. Pastaj Bibla shpjegon se koha kur ndodhi kjo lindje jashtë kishte barinj që i ruanin delet në vathët e tyre. Pra, kështu nuk mund të krijohet bindja se kjo lindje ndodhi në dhjetor, por studiuesit thonë diku në fillim të marsit, apo fundi i shtatorit.

Pse u dashte një lindje e virgjër?

Krishterimi dhe islamizmi pajtohen se Jezusi, përkatësisht Isa, është lindur nga Maria (Mejremja) në mënyrë të vigjërtë. Jezusi pra nuk kishte një baba tokësor, nga mishi dhe gjaku. Engjëlli Gabriel do t'i jepte Virgjëreshës Mari një porosi tejet unike në gjithë historinë njerëzore, dhe të papërsëritshme ndonjëherë, se ajo do ta lindte Birin e Më të Lartit, Birin e Perëndisë. Këtë mision qiellor kjo vajzë e pranoi me gjithë dëshirë dhe përulësi, andaj e shpalli ajo vetën të lume ndër të gjitha gratë. Maria, para 2000 vjetëve u ngjiz përmes Frymës së Shenjtë të Perëndisë, dhe pastaj u lind Krishti. Pas lindjes së Jezusit, Maria u martua me Jozefin dhe ajo vazhdoi të ketë fëmijë me të.

Djalli kishte paraprakisht nën pushtetin e tij çdo person përmes mëkatit. Mëkati sipas Biblës është trashëgues, ashtu sikur gjenet. Prejardhja e Jezusit është nga gjiri i Perëndisë, nga qielli, nga drita, atje ku nuk ka fare dyshim e as ndytësi, andaj edhe lindja e Jezusit u bë përmes një rruge të pastër, përmes virgjërisë, dhe në këtë mënyrë djalli kurrë nuk mundi ta ketë pushtetin e tij mëkatnor ndaj Krishtit edhe pse jetonte si njeri. Lindja virgjër e Jezusit është mister i Perëndisë po ashtu, e ne s'mund ta kuptojmë plotësisht, edhe pse duket se është absurde. Sepse është absurde, mister, dhe e pakuptueshme – thoshte Augustini – andaj më duhet të besoj!

Përemërime

Është dëgjuar të thuhet për Krishtin herë Jezusi, herë Jezus Krishti, herë Biri i Perëndisë, por edhe emërtime të tjera si Biri i Njeriut, Emanuel, Qengji i Perëndisë. Të gjitha këto emërtime janë tituj hyjnor të hirësisë së këtij personi. Trajta Krisht është greke, dhe shqip d.m.th. I Vajosuri i Perëndisë. Grekët e përkthyen emrin e Krishtit nga forma hebreje Mesia (prej këtu janë edhe shprehjet: mesianike, mesiste, mesianik etj.) dhe gjithë kultura perëndimore huazoi nga substrati grek: Christ, Criste, Hrist, Krist, Cristo, Krishti etj. Emri Jezus përdoret zakonisht në Dhiatën e Re (si pasojë se Dhiata e Re isahte shkruar në greqisht), derisa Mesia përdorej më shumë në Dhiatën e Vjetër (e shkruar në hebraisht). Jezus vjen nga fjala hebraike Jeshua d.m.th. Shpëtimtar, kurse shumë gjuhë evropiane kanë një trajtësim të përafërt: Jehoshua (hebraisht), Iosus (greqisht), Jesus (anglisht, holandisht), Jezus (gjermanisht, shqip), Isus (sllavisht), Gesù (italisht) etj. Pra Jezus Krishti do të thotë Shpëtimtari i Vajosur. Jezusi ka edhe dy tituj mesianik: Biri i Perëndisë (përfaqëson Perëndinë tek njerëzit) dhe Biri i Njeriut – përfaqëson njerëzit tek Perëndia (madje në Dhiatën e Re më shumë e hasim si Biri i Njeriut sesa si Biri i Perëndisë). Emërtimet e tjera të mundshme na tregojnë atributet e tij, si: Emanuel, Qengji, Mbret mbi mbretërt, Zot mbi zotër, Alfa e Omega, Buka e gjallë, Uji i gjallë, Bariu i Mirë, Besniku, I Vërteti, Ameni, Urtësia, Princi i Paqes, Pajtuesi, Shpenguesi etj.

Jezusi në mes të historisë


Sot gjithë koha historike njësohet me anë të një akti të veçantë: lindja e Krishtit. Prandaj kështu i kuptojmë cilësimet e kohës kur thuhet para Krishtit (para lindjes së Krishtit) dhe pas Krishtit (pas lindjes së Krishtit, ose Anno Domino A.D.), kurse gjatë kohës së komunizmit jo vetëm tek ne por kudo tek vendet komuniste ky njësim ishte zëvendësuar me shprehjet e reja: para erës së re, dhe pas erës së re. Pra Jezusi qëndron në mes të historisë, në mes të epokave, në mes të erave etj.

Paraekzistenca e Krishtit


Sipas doktrinës biblike (judaizmit dhe krishterimit) Jezus Krishti ekiztonte edhe para se te lindtte para dy mijë vitesh. Paraekzistenca e Krishtit shpjegohet si një imanencë hyjnore, si një person, pa fillim dhe pa fund, pra e amshueme, si personi apo veta e dytë e Trinisë së Shenjtë të Perëndisë. Bibla, Shkrimi i shenjtë evidenton më shumë se 300 profeci (në Dhiatën e Vjetër), lidhur me ardhjen e Krishtit në tokë. Gjon Ungjilltari në shkrimin e tij, vargu i parë, për Jezusin apostrofon: Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi. Dhe më vonë: Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne e soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë. (Gjn.1:1,14)

Nga Femi Cakolli, pastor

COMMENTS