Kulshedra, Lahuta e Malcis

lahuta malcis kulshedra
Lum e lum per t'Madhin Zot!
Ç'kà shkrefë sande gjithky mot,
Gjith ky mot e kjo vetimë,
Gjith kjo gjamë e bumullimë,
Thue po shamen qiell e dhè.
Kà lshue prrue e kà lshue shè;
Rreh shtergata, shungullon era;
Ushtojnë malet, me t'hîë mnera:
Kaq nji mot kà shkrefë m'malcië:
Shka do t'jèt, vall! nuk e dië.

M'at Bigë t'Shalës kà dalë Kulshedra,
Me shtatë krena e gjashtë parë kthetra,
E per krye kà 'i sy në ballë,
Bishtin gjatë, me i mrrijt në zàll:
Qi, t'u hjedhë - e t'u perdredhë,
Tue hingllue - e tue turfllue,
Zjarm e surfull tuj flakrue,
Krepa e gur tue rrokullue,
Dukagjinin don me shue,
Per nji dhunë qi i bâka Shala:
Kuer Dragoni Vocerr Bala,
Fmië tue kênë, n'nji shpellë të malit
N'gjumë e ndeshka, e 'i sy prej ballit
Xjerrë ja paska me nji hû,
Kah ja ngulka dèr në trû.
Asht ndezë flakë t'tanë Biga e Shalës
M'zhuri t'Lumit m'maje t'halës.
Mnerue gjindja prej ksi nami,
Kah si kshtêja pelset shkami,
Janë ngujue nder shpija e stane;
Hikë shkerbèt kan neper plane,
E nper pisha - luron bisha
M'at Gùr t'Lekës e m'kep t'Parunit,
Me ju dhimtë gurit e drûnit.

Kuer Drangojt e Shqyptariës,
Si të fushës si të malciës,
Atà pà e kan vetimen,
Edhè ndië e kan bumllimen,
Qi po ushtote Dukagjinit
Mbi Qafë t'Diellit m'valë të Drinit,
Mirë të gjith na janë kujtue,
Se Kulshedra atjè âsht diktue,
Ndonji Mal per me rrenue;
Edh'at herë, kûdo kan kênë,
N'mal a n'fushë, si turk si i kshtênë,
Atà çue janë per ajrì,
Me flamure kuq e zì,
E me lata - e me supata
E me fuzhnje e dana t'gjata:
Me veriga e rrfanë çelikut, -
Hekra barkësh të Venedikut,
E nper rê e nper thellim
Mbi Bigë t'Shalës kan rrâ flutrim,
Kû Kulshedra kishte dalë,
Nâm të zi tuj bâ mbi Shalë,
Me u bindë dheu m'tê dèr mâ s'voni.
Prej Mirdite shkrefë Llesh Gjoni, i
Derës s'Gjomarkaj, trim si Zâna,
Nji hyll n'shêj nder Kapitana,
Qi as per pushkë as per pashië
Mâ nuk lèn, jo, shoqi i tij,
Kahë shkrepë dielli m'Shqyptarië.
Shoq me tê âsht Bibë Llesh Markola,
Orl i zi ky nder sokola:
Qi edhè kryet, po, me ja hjekë,
Drue p'r'i javë s'kishte me dekë.
Shkon prej Shkodret Ndrekë Heqimi,
Qi mâ i fortë nuk bâhet trimi:
Then "mixhidin" per mjedis:
Edhè urtija i shkon per fis:
Qi prandej e zgidhka Mbreti
Sylahçi m'e pasë mbas veti.
Me tê shkojn do kaleshâj,
Trima t'çartun - katallâj:
Qaj Gjokë Kukli e Çapaliku,
Beqo Qoshja e Hamz Sadiku:
Burra t'fortë porsi çeliku,
Mos me i trêmë shpata as rreziku.
Mandej shkrefin nalt kahë Peja,
Dy djelmoça, si dy rrfeja:
Rrustem Uka, pika e djalit:
Xhem Sadrija, harushë malit,
Lè e rritun n'at Rrogovë,
Djelm mâ t'fortë s'i kè n'Kosovë,
As n'Kosovë - as në Gjakovë:
Veç n'Gjakovë n'kjoftë Ton Golija,
Qi mârrë turrin si duhija,
Kaluer atit pullalì,
Fill m'Kulsheder aj kà msye,
Thue me dhâmë po do m'e shkye.
Prap prej Shllakut lshon Gjetë Gega:
Faqja e tij kuq porsì shega:
Shllungë mustaku derdhë n'dye dega:
Kuer nji fjalë po e flitka burri,
Mâ s'i lueka me sà curri.
At herë n'Palç del qaj Prelë Tuli;
Msyen prej Kthellet Marka Kuli;
N'Traboinë rranë Llesh Nkollë Luli;
Rrânë Dodë Prêçi prej Kastratit:
Gjeto Marku flakon shpatit,
Porsi ajo flaka e barotit,
Kuer t'i nepet zjarm agzotit:
Sbardhi faqet gjithkund Hotit.
Del prej Shkrelit Marash Vata,
E si rêja me shtergata,
Msyen perpjetë drejt Dukagjinit,
Me at Gjin Pjetrin e Kurbinit,
Qi per pushkë e per urtië
E lanë nâm të dy n'Shqypnië.
Kta edhè u ndeshkan m'Qafë të Boshit
Me Drangoj të Shalës e t'Shoshit:
M'at Mar Lulen, trim bujàr:
M'Gjelosh Kolen, kuvendtàr,
M'Mehmet Shpendin, pushkatàr:
M'Let Putanin - e m'Tol Canin,
Qi kaherë ja ki'n fillue
Me Kulsheder me luftue;
Por per t'largët veç tue e shinue,
Pse fort pak kishin qillue.

Si jânë mbledhë Drangojt m'at qafë,
Kuvend bashkë nji herë kan rrafë,
Si me msye - e tek me msye;
Mandej çue jânë per ajrì,
E ashtû çetë edhè flaurië,
Tue shkrepë moti edhè vetima,
Tue krisë gjâma e bumullima,
Tue vikatë - tue hallakatë,
Mbi Kulsheder turr jânë lshue,
Kush me fuzhnje tue e shinue,
Kush me lata tue e shkallmue,
Kush me dana tue e dermue
Njani, rrah me hekra shpinës;
Tjetri, m'spatë bjeri kaptinës,
Tash mbi tê lshou turra-turra;
Tash me shkrepa gjuje e curra:
I shkrefë gjaku porsi gurra:
Trandet Biga m'at poterë:
Bân medet t'tanë Shala e mjerë.
Fort âsht hjedhë Kulshedra at herë,
Fort âsht hjedhë - edhè perhjedhë:
Tash kuk trupin kà perdredhë,
Tash â lshue 'iqind pash n'ajrì;
Herë, msyej vetë ajo n'furië;
Herë, rri strukun neper shpella,
Edhè gjuej Drangojt m'zhavella;
Lshoju flakë e zjarm prej goje;
Vjëllu jargun hoje-hoje,
Nji ditë udhë me hikë larg soje,
Prej qelbsinet qi i del goje.
Kah me kthetra nep per anë,
Hidhen krepat porsì ranë,
Flakrojnë currat m'Qafë t'Bishkazit;
E kah idhtë, në frymë t'marazit,
T'u perpushë, t'u karranië,
Lshon e ngurrë bishtin n'ajrì,
Fishkllon ajri rreth mbì Bigë,
Vetë Drangojt me pasun frigë,
Po kje frigë se kà Drangoni.

Kuer, qe, turret qaj Llesh Gjoni,
Me 'i parë dàna 'izet pash t'gjata,
E tue rrahë e shtergata,
Tue krisë gjama e bumullima,
Neper dritë qi lshon vetima,
Msyen Kulsheders aj m'ja kapë
Njan' fulqì, qi 'i pash kà hapë,
Mehmet Shpendin per t'perpìë,
Qi, m'tê 'i shkrep tue karranìë,
Thye ja paska njanen brìë.
Kahë e shef tuj msye Kulshedra,
Ajo âsht tutë, e rrshanë mbi kthetra
Tuj u rrqasë, futet në shpellë,
Kû mrendë shtatin strukë kà kthellë,
Veç se krenat lânë kà jashtë,
Si ajo breshka per nên rrashtë,
Zjarm e surfull tuj flakrue,
Ke bân Lleshi me ju afrue.
Por nja e dyë Lleshi s'kà bâ,
Fulikare m'tê kà rrâ:
Me t'dyë duert dànat kà hapë
E me to fulqìn ja kapë,
Sa kû mundet ja shterngon,
Si n'menjêne ja ngurron,
Edhè e trandë aj turra-turra,
Tash tue i dhânë t'shtymen nên curra
Tash prej vedit tue e terhjekë,
Herë n'terthuer rrebtë tue perpjekë,
Veç si t'muje aj m'e mahitun,
Jashta shpellet per m'e qitun.
Se ç'âsht hjedhë aty Kulshedra,
Se ç'perpushë kà ajo me kthetra,
Ç'kà hingllue me shtatë germaza,
M'ju ndìë vigma te Shperdhaza.
Ngurrue shtatit bâ germuq,
Randë per tokë tue rà palmuq,
T'u perplasë, t'u kalamânë,
T'u plandosë per gur e stênë,
Bân me i hapë dànat me kâmë,
Bân me brè dànat me dhàmë.
Por nuk brehen - as s'shperthehen,
Pse mirë mjeshtri i kà punue,
Pse mirë Lleshi i kà shterngue:
Mjerë kush mrendë u kà qillue!
Ngerthye Lleshi, bâ si grep,
Njanen kâmë zatetë p'r'i shkrep,
Djersa rrkajë tue i shkue per ballë,
Tue kercnue me dhâmë e tmallë,
Rrin e tërhjekë aj m'nja prej vedit,
Tërhjekë Kulshedra edhè prej vedit.
Njani tërhiq - tjetri tërhiq;
Lleshi ngrif - Kulshedra ngrif.
Aj: t'a xjerri jashta shkrepit;
Kjo: të strukem mrenda shkrepit,
Të pështoj prej ktij gazepit.
Kuer, qe, Lleshi po permlidhet,
Po permlidhet - po perdridhet,
Po perdridhet tue ngrefë m'dana,
Me ato duer e me ato llana,
Si të shkrime prej çelikut,
Kû per t'gjatë të trashë kerrçikut
I janë ngrefë dejt toje-toje,
Edhè shkûmë tuj qitë per goje -
Shkûmë e gjak, ofshe! perzië,
I nep shtatit me furië,
Edhè ngrefë kaq me fuqië,
Qi i âsht shkulë shkrepi nên kâmë
E i janë thye në gojë dy dhâmë,
Edhè 'i pash, rrshânë tue e ngrefun,
Xiër Kulshedren nên gùr mshefun.
At herë mbrapa kthen nji hap,
Edhè shtatit i nep prap,
E dy pash, po, dy pash t'mirë
Prap mâ jashtë Kulshedren xiër.
Kshtû tue i dhânë pêsë herë a gjashtë,
Xiër per gjymsë Kulshedren jashtë.
At herë t'madhe, sa i mûjt zâni,
Briti shokve Kapitani:
Ushtoi ashta lak e m'lak,
Trêmë Kulshedra, derdhi gjak,
Me blue 'i ditë nji gùr mullini:
- Bini, mêca, bre! Ku jini?
Se Kulshedren jashtë e kini.
Ah! kû jè, bre Rrustem Uka?
Të vraftë Zoti e të vraftë buka,
Ke s'po ndihe gjallë kund sande...
Dili, para, eh kopilane!
Edhè shtypja, n'mujsh, ndoj krye;
Se, per Zotin! âsht tuj m'shkye,
Bâni ajo danash me m'pshtue. -

Shpejt Drangojt per ajr janë çue,
Zhgjetë m'Kulsheder, dhe, jânë lshue:
Njani para rri e ndersyej,
Tjetri sypri mêrr e msyej -
Para e sypri, e ânë m'ânë,
Gjithsi kujë âsht tuj u dhânë.
Rrustem Uka, trimi i trimit,
Neper krisme e flakë t'thellimit
Shì nên frymë asa' i âsht fuer,
E, rrokë shpaten me dyë duer,
Njanit krye me tê i kà rà,
Shperthiqë synin 'dhe ja kà,
Rrashten krejt por s'mujt m'ja çà.
Vjen m'shpinë t'atit Ton Golija,
E tue krisun si duhija,
Trandë topuzin - njiqind okë,
Ja flakron po shì m'at kokë,
Edhè pshesh ja derdhë per tokë.
Po i shtrengohet Let Putani,
Edhè dyndë nji bet carani,
- Njizet vetë, po, mos m'e lujtun, -
E me tê, sa kû kà mujtun,
Siëll m'Kulsheder me furië,
Shì m'kurriz t'ja karranië.
Ungron shtâsa me mënië,
Edhè krejt aty terbohet.
Hidhet, trandet, lamsh kukzohet,
Qafen krrabë e kà ngerthye,
Kah ban Lleshin per me msye,
E s'kà para si me u shtye,
Pse mirë Lleshi e kà merthye.
Xhem Sadrija, 'i trim rrfè,
Ktij Gjet Geges po i lshon bè;
- Pàsh njat Zot, qi të kà dhânë,
Dili, Gjeto, n'mûjsh, m'at ânë,
Edhè nzite m'patershânë,
Tuj ja ngulë m'ndonjân' germaz;
Pse un ktej gati m'shaterkaz
Po t'i rrië, ktej mbrapa shpinës,
N'mûjsha í herë me i rà kaptinës,
Edhè trût m'ja derdhë per tokë, -
Gjeto Gega shpejt kà rrokë
Heshten, trashë sa 'i "mashkull" qerrit,
Edhè shi rrânzë t'njâjë kapzherrit
Ja kà ngulë, po, nja tri pllamë.
Bân kulshedra me u çue m'kâmë,
Bân me u rrqasun vithambrapa,
Per me u strukë mâ kthelltë nder karpa;
Por, pse Lleshi e kà shterngue
Me ato dàna, si i terbue,
Palmuç m'parsme ajo âsht rrxue,
Edhè qafa i âsht ngerthye,
(Kah fulqijsh ishte merthye)
Arrçi i qafës, edhè, i âsht thye,
Krejt fulqini asa' i âsht shkye
E i âsht shkepë deri m'gerglâc,
Vjerrë nder dàna, si latrâc.
Veç shka? çena ka' i kà plasë,
Hov si Lleshi qi kisht' pasë
vithambrapa aj âsht rrqasë
Nja 'iqind pash, po, mos mâ teper,
Dér qi ndeshë kà m'nji stom t'eper.
shkapullue danash Kulshedra,
Tue perpushë nper gur me kthetra,
Kà nisë t'hajë shtatin në shpellë,
T'u perdië gryket ma kthellë.
- Bini, burra! mos e lshoni! -
Po piskatë prap qaj Llesh Gjoni,
Edhè turr e lshon m'tê vrapin,
Kah dy pash tue mârrun aj hapin,
E si t'kisht' dànat nder duer,
Me to siëll aj si n't'terthuer,
Edhè i mêrr njânen kaptinë,
Tuj ja kputé rrumull me shpinë.
Se ç'jânë lshue Drangojt at hera,
Se ç'kà krisë zhurma e potera,
Fort njerziës i kà hypë mnera,
Kah me lata - e me supata,
Kah me shkrepa - edhè me grepa,
E me dàna - e patershana,
E me fuzhnje e me terfurq
Rrâjnë n'Kulsheder t'kshtenë e turq,
Tuj e msye - e tue ndersye,
Tue shinue - e tue e shkallmue,
Njani sypri tue i flutrue,
Tjetri m'anesh tue e pershkue,
T'gjith nji heri tue e dermue
Me ata lata. e fuzhnje t'gjata.
T'ja dha era edhè shtergata;
Flakë per flakë ja dha vetima;
Krisi gjama e bumullima;
Shungulloj malit ushtima;
Hypi tym e hypi njegull:
Biga e Shalës likundet shrregull.
Trêmë Kulshedra, âsht futë në shpellë,
Kû, là n'gjak e randë t'u sjellë,
Tuj u smrapë barkas mâ kthellë,
Herë t'u rrqasun kamandores,
Lshohet shul teposhtë rrmores:
E si rreshmja me zhumhùr,
Tue rrmye gùr - e tue rrmye zhùr,
Kalihum shêmet n'liqè,
Mbrenda Bigës dyndun kurrnê,
Kthelltë kah zhytet trupi i sajë:
Trandë âsht toka dèr në Rajë.
Xhem Sadrija, mushë n'maraz,
Ke me i rà s'mûjt m'shaterkaz,
Kah ju shkye m' dàna fulqîni,
Fill mbas sajë në shpellë aj hini
Edhè u shtye mbrendë bukur kthellë,
Por me sjellë m'tê, s'mûjt me sjellë;
Pse kisht' kênë vendi humnere,
E Kulshedra u zhduk mejhere.
Shpejt Drangojt aty janë çue,
Edhè çetë atà kan shkue,
- Si ki'n kênë t'gjith pika e djalit -
E kan çkputë nji buzë prej malit,
Edhè shpellës ja kan vû n'grykë,
Tuj ja rrasë mbrendë porsi pykë,
Qi per jetë mos t'mûjë Kulshedra
M'e dermue me kâmë e kthetra,
Dukagjinin per të damtue;
Mandej ulë janë me pushue.
E at herë rêt janë davaritë,
Kà nisë hâna n'qiell me shndritë.

Ora e Shalës - eh shtoj, Zo', vallet!
Dalë e ndêjë m'nji vetull mali,
Atjè nalt dikû mbi Nicaj,
Ajo luften pà e paska,
Qi Drangojt bânë me Kulshedren,
M'at kapë t'Bigës mbi atà thepa:
Edh' e mira fort âsht gzue,
Kuer kà pà e kà kundrue,
Se Drangojt e Shqyptariës
Keq shemtuem e kan Kulshedren:
Se trië krena i kan gjymtue:
Se 'i germaz ja kan shporue:
Shtatit krejt se e kan shkallmue
E se n'shpellë e kan ngujue,
Tue i zânë gryken me 'i buzë malit,
Mos me mûjtë mâ per s'të gjallit
Me damtuemun Dukagjinin.
E kuer pà ajo kà me sye,
Se jânë ulë burrat e dheut,
Per t'pushuem - e biseduem,
Tuj u prrallë njani me tjetrin,
Per shka psue kishin m at natë,
Trië herë rresht zên e piskatë:
Ndìhet vigma m'Qafë t'Marinës:
Kan ndië Orët e Dukagjinit,
Neper shpella, kû ishin strukun
Prej gazepit t'asajë natë;
Edhè çohen per ajrì,
Porsì Xhixha tue xhixhllue,
E ja befin te Ora e Shalës,
Motra e madhe e Dukagjinit.
Kà marrë Ora edhè u kà thânë:
- A thue e dini - a por s'e dini,
Se Drangojt e Shqyptariës:
Atà i paçim, Zot! me jetë:
Thye e kan sande Kulshedren
Tuj luftue m'at Bigë të Gimaj,
Edhè n'shpellë e kan mbutue
Me nji shpat shkepun prej malit,
Mos me mûjtë me pshtue per s'gjallit.
Veç se shka? - ofshe un e mjera! -
Atà darkë sande s'kan ngrânë;
Para darkësh pse aty kan rrânë,
E as s'i kan nuset e veta,
Qi aty buken m'ja gatue,
Edhè tryezen me ja shtrue,
M'kàmë me u ndêjë gati me ujë.
Anì prà, morì ju motra,
Shpejt m'ja u ndreqë darken Drangojve:
Shpejt me korrë grunin nder ara,
Mirë m'e shìë e mirë m'e blue,
Mirë m'e njeshë, mirë m'e gatue:
Me dalë n'bjeshkë me mjelun sutat:
Me gjetë mjalten neper zgavrra,
E me zânë dy drêj të mâjmë,
Me ja u pjekë ferlikë në hèll. -
Kshtû u kà folë kjo Ora e Shalës;
Edhè Orët e Dukagjinit
Jânë bâ Xhixha e zhdukë n'vetimë.
Veç, sa 'i herë vjen vallja rrotull,
Aty prap ato kan kthye:
Njana, buken permbì krye;
Tjetra, mjelcen per nên dorë,
Mjelca bâ me lvore blinit;
Dikush bjen fashoje mjaltet;
Tjerat, m'hej vendue terthuer,
Bàjnë mbì krah dy drêj të mâjmë,
Ora e Shalës si u kishte thânun,
Qi me i pjekë ferlikë në hèll.
E si t'tâna jânë bashkue,
Fluturim ato jânë çue,
Veshun bardh e flokët zhvillue,
Edhè befë kan m'mâje t'Bigës,
Kû Drangojt po kuvendojshin.
Ora e Shalës, at herë, u â avitun,
Qi edhè u thotë me t'amel zâ:
- Mirë se u gjêjë, burra të dheut! -
- - Mirë se vjen, e Bukra e dheut!
Mirë se vjen, e kah të kemi?
Ka' u kè pri ktyne fisnikeve? - -
Po i pergjegjë Kapitan Lleshi.
- Se, mana', tye t'u ngjatët jeta!
Un jam vetë ajo Ora e Shalës:
Moter un me at Orë t'Mirditës,
Qi veron mbi bjeshkë t'Mundelles,
Si ajo drita tuj ague:
Kto janë Orët e Dukagjinit,
E kem' dalë m'ket maje bjeshke,
Per me u pà, me u njoftë me jue;
Se zâ t'madh per jue kem' ndië,
Se edhè e làt sande ju nàm,
Tuj e thye në luftë Kulshedren,
Qi me shue desht Dukagjinin,
Jo qi lodhë, un thom, do t'jini,
Se edhè darkë ju ngrânë s'do t'kini:
E ktû âsht nji bjeshkë e naltë,
Të tanë gùr e shkam i gjallë,
Kû s'gjênë nieri shka me hander:
Pse as s'i kini nuset t'ueja,
Qi jue darken me ja u ndrequn.
E prandej na Orët e Malevet
Darken jue - ja u kem' gatue:
Ktû me vedi ja u kem' prûe:
Kuer t'urdhnoni me u rreshtue. -
Edhè trimat rreth janë vûe,
Nja mbas njâjë e rend mbas rendit,
Me Llesh Gjonin m'krye të vendit:
Asht Gjomarkajsh e i bje prìja.
At herë Orët u kan sjellë buken;
U kan vûe ferlikët perpara,
E u kan prûe mjelcat me kjumshtë:
Kjumshtë me borë, dhâmin me t'pië:
Edhè mjaltë, sà kush kà dashtë:
Mâ e mirë darka s'ndreqet n'ashtë.
Gurren nget kishin per brìë,
Gurrë si aklli e e kjartë florî:
Sa kush dote aty me pië,
Mbasi kupa aty nuk kinin,
Orët u bijshin ujë me grushta -
Me atà grushta porsì bora,
Porsi bora e porsì bryma,
Ke ju shkon moti nder gurra
Tuj u là - eh u raftë e mira!
Mbasi bukë trimat kan ngrânë,
Jânë çue prap e dalë m'njân' ânë
E po rrin tue bisedue
Me njat t'bukren Oré të Shalës,
Per kanû e pûnë urtije,
E per besë e per pûnë t'mikut,
E per lufta qi u bânë motit:
Per trimnië të Gjergj Kastriotit:
Per Drangoj e per Kulshedra:
Per "breshana" e per gopedra;
Edhè folen mbì lirië,
Mbì lirië - e mbì Shqypnië:
Si Shqypnija do t'dalë m'vedi,
Mos m'e urdhnue mâ as Krajli as Mbreti,
Me kènë zojë ajo m'vedvedi,
Ashtû Zoti si e kà shkrue.
Qatjè vonë zên Ora e Shalës
E po u thotë shoqeve t'veta:
- Hajdni, varza, me u njitë valle,
Edhè 'i kangë ju me e kendue,
Sa po âsht Drita enè pa ague;
Pse Dragojve u pelqen kanga. -
Jânë çue Orët e Dukagjinit,
Me ato petka bardh si bora,
E jânë kapun dora-dora,
Shpervjelë mangët mbi cep të krahit,
Flokët dèr m'kâmë zhvillue gjatë shtatit,
Me kunora lulesh m'krye,
Me ato kâmë kaleçë tue kcye,
Dà dye lagjesh ballë per ballë,
E tue kndue ato palë e palë,
Kan prìë vallen kshtû per mallë:

- Varza kà e varza s'kà;
Por, si kà nji vajzë n'Janinë,
Kurkund shoqen s'ja kè pà,
Kahë bje diell e serotinë.
Synin diell, ballin si hana,
Ardhun shtatit si silvija,
Eufrozinë e quejti nana,
Augur t'mirë m'e pasë Shqypnija.
Atê e pâka aj Ali Pasha,
Dalë si vida në balkue,
Edhè fort pelqye i âsht vasha:
Çon harapin m'e kerkue.
Vjen harapi e i thotë te dera:
- "Shpejt tash, vashë, ti ktû me zdrypun
E me mue me ardhë nji hera;
Persè Pasha të kà lypun."
- "Të thafët goja! shka po thue? -
Ja kthen vasha fjalen marë;
- Se un nji vajzë - o kam qillue:
S'di me folë me Pashallarë.
Jo, po, Ali Pashë Tepelena
Mundet kryet aj me m'a prè,
Si i kà prè kushdi sà krena;
Gjallë por s'lshoj un erz as fè." -
Asht mushë Pasha me mënië,
Prap harapin çon e thrret:
- "Pa ndigjo; harap i zì,
Se dye herë Pasha nuk flet:
A se vjen ktû sande goca,
A se ndryshe n'fund t'liqènit
T'a bâjë gjumin me bretkoca.
More vesht, ti qen i qênit?" -
I shkon naten vashës harapi,
Edhè e mêrr e e çon m'liqê,
Kû tue pritun ishte trapi,
Per me i bartë neper kurrnê.
N'mes t'liqenit si kan dalë,
Aty trapi vend kà zânun,
Edhè nisë harapi fjalë,
Nisë aj vashës kështû me i thânun:
- "Nuk kà tjeter, tash, lum vasha:
E s'jam nieri fjalës qi i luej:
A me shkue sande të Pasha:
A shì ktû me t'mytë tye n'ujë." -
- "Jo, po, - i thotë vasha tue qeshë, -
Se un te Pasha due me shkue;
Por due t'shkoj nji herë me u veshë,
Pse sido ktû kam qillue." -
E kështû tue i thânë harapit,
Atij qênit t'birit t'qênit,
Merr e hidhet n'ujë prej trapit,
Edhé zhduket n'fund t'liqênit.
Doli fjala neper dhè:
Njikso varzash kà n'Shqypnië,
Qi per erz edhè per fè
T'rijt e jeten i bâjn flië.

Kshtû këndojnë Orët palë e palë
Por, tue mârrë té mbramen fjalë,
Hylli i dritës nisi me dalë
E buzës s malit Drita agoj,
At herë Orë edhè Drangoj
U çuen m'ajr t'gjith plima-plima,
Edhè u zhduken si vetima,
Tuj u gjetë aty nji filli,
Kû me u gjetë deshti sejcilli.

COMMENTS