Nikita Hrushov në Shkodër, 1959

enver hoxha nikita hrushov mehmet shehu shkoder
Ka qënë e mërkurë e fundit të majit të vitit 1959, kur Nikita Hrushov ka nisur rrugën për në veri të vëndit me destinacion, qytetin e Shkodrës. Në të vërtetë, së bashku me Enver Hoxhën gjatë rrugës janë ndalur të shikojnë bonifikimet në Thumanë dhe aty njeriu numër një i "kampit socialist" është kënaqur kur i kanë thënë se "eksperienca e madhe sovjetike ka bërë që bonifikimet në Shqipëri të jenë kaq madhështore". Pastaj të dy drejtuesit komunistë edhe pse në dukje të parë shumë të "dashur", por në një aktrim të madh miqësie, janë ndalur në Lezhë, ku ka pasur një manifestim të madh për Bashkimin Sovjetik. Më pas, ka nisur vizita në Shkodër, ku ka pasur një hyrje me makina në qytet, një vazhdim në këmbë, dhe një miting të madh në qytetin verior më afër Jugosllavisë së Titos, që Enver Hoxha dhe Nikita Hrushov kanë bërë sëbashku. Ishte viti dhe koha, kur rusët kishin kuptuar se komunistët shqiptarë po dilnin akoma më radikalë se vetë shteti i madh komunist, ishte koha kur Hrushovi, donte të rregullonte problemet me Jugosllavinë e Titos, ishte koha kur klika e Tiranës, puthesh me sovjetikët, por mbas shumë pak, do të mbronte Stalinin, i cili ishte dënuar për kultin dhe krimet e tij, pikërisht në perandorinë e kuqe. Në fakt, janë fotot e duhura të shoqërimit të Hrushovit nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, si në rrugë dhe në tribuna, por dhe sidomos në Shtoj, pikërisht në vreshtin e madh të Shkodrës, ku Nikita Hrushov dhe Mehmet Shehu, kanë shkëmbyer replika mbi vreshtin, misrin dhe nevojat bujqësore, por edhe kushtet e të mbjellave në Shqipëri. Për vizitën e Hrushovit në vreshtin e Shtojit, Enver Hoxha në kujtimet e tij thotë vetëm se: Vizituam vreshtin e Shtoit. Nuk i pëlqeu. "Pse prishni lekët kot" - na tha miku. Por në fakt, ka pasur më shumë se sa kaq. Janë fotot dhe shikohen mirë fytyrat e vrënjtura të Enverit dhe Hrushovit, por edhe emotiviteti në gjeste i Mehmet Shehut. Normalisht që një pjesë e madhe e këtyre fotove nuk janë botuar fare gjatë regjimit, por edhe ruajtja e tyre në negativa ka pasur një histori në vete. Edhe sipas dëshmitarëve në bisedë, por edhe sipas Agim Popës si përkthyes, çështja ka qënë te vreshti, mbjellja e tij dhe misri.

Nikita Hrushov gjatë ecjes në këmbë në vreshtin e madh të Shtojit, në një moment është ndalur, i vrejtur në fytyrë por edhe me një zë të qartë dhe të vendosur ka thënë: nuk është aspak normale të mbillni në tokën bujqësore hardhi, kjo tokë duhet mbjellë me misër.
E vetëm pak sekonda më pas, mbasi ka hedhur sytë nga kodrat afër Shtojit, ka treguar me dorë dhe ka thënë: Hardhitë mbillini në kodrat aty, që janë djerrë!!
Dikush si prezantues i fermës bujqësore, si specialist, i ka treguar Hrushovit se "ka rezultuar se kjo tokë ishte vetëm për pemë, sepse ajo strukturë paraqitej".
Por Hrushovi ka qënë tepër këmbëngulës, dhe ka thënë "po të kishte shërbim dhe kujdes, aty merreshin rezultate të larta në misër, dhe patjetër në kodra mund të kishte edhe vreshtë", kështu që...!!

Biseda është dëgjuar si nga përkthyesit dhe përfaqësuesit vëndor në takimin e Shtojit.
Hrushovi pastaj është bërë akoma më instistues dhe ka vënë bast se "me një punë të mirë, misri bëhet 2 metra" dhe e kishte fjalën pikërisht në Shtoj. Por në këtë moment, ka ndërhyrë Mehmeti, e duke bërë edhe me dorë ka thënë: Po të rritet misri këtu, unë pres kokën me duart e mia!!
Hrushovi në këtë rast ka thënë pastaj batutën e famshme të asaj kohe: "Mos u ngut për të prerë kokën shoku Mehmet, se nuk të rritet më. Sa për kokën e misrit, unë bëhem garant se bëhet përsëri...!
E normalisht, me një nënqeshje të mirë dukur, një dorë e ka drejtuar në drejtim të kundërt me atë të drejtuar nga ajo e Kryeministrit të Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj kohe, Enver Hoxha nuk ka folur por ka ndjekur bisedën me një qëndrim serioz dhe duart në xhepa të pantallonave.

Historia nuk ka vonuar shumë. Vetëm 20-të vite mbas vizitës së Hrushovit e në afërsi të Shtojit, u ngrit "Instituti i Misrit dhe Orizit" i famshëm në Shkodër dhe në të gjithë vëndin. Ky institut prodhoi farërat që e bënë misrin mbi 2 metra, dhe në Shkodër u morën kuintalët për hektar më të lartat në Shqipëri, duke pasur një prodhim cilësor të kësaj kulture bujqësore. Por ndodhi gjithashtu që në vitin 1981, ish Kryeministri Shehu vrau veten, ose sëpaku kështu u tha nga njeriu që me duar në xhepa dëgjonte atëhere replikat e njeriut që kishte dënuar krimet e Stalinit dhe njeriut që "vinte bast kokën e tij" se nuk rritej misri në Shkodër.

Megjithatë batutat, por sidomos fotot, e këtij rasti historik të fillimit të prishjes së miqësisë me Bashkimin Sovjetik janë edhe në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës dhe tregojnë me një realizëm të jashtëzakonshëm fytyrat e revizionistit Hrushov dhe të marksist-leninistëve shqiptarë.

Nga Besi Bekteshi, përgjegjës i Arkivit të Muzeut Historik Shkodër

COMMENTS