Sandër Ruçi dhe Estrada e Shkodrës

Sander Ruci
Sandër Ruçi

Pyetje: Nëse do të riktheheshit paksa në retrospektivë, si do e kujtonit periudhën e kalimit tuaj, nga aktor amator në aktor profesionist?

Përgjigje: Mendoj se në një farë mënyre festivalet e estradave amatore, kanë qenë burimi kryesor në ivedentimin e talenteve të reja, të cilët bëheshin aktorë dhe regjisor të mrekullueshëm. Është padyshim kjo risi e cila bëri që dhe regjisori legjendar, i cili njihet si themelues i krijimit të estradës profesioniste të shkodrës, Paulin Sekuj, të ndikoi direkt në zbulimin e talentit tim artistik. Ishte periudha që estrada amatore e N.T.U.-sit, ku unë debutoja, pikërisht në vitin 1973, regjisori Sekuj, më pikasi si talent i perspektivës.

Si erdhi tek ju personazhi i parë në skenën e teatrit "Migjeni" në premierën, "Fllad Pranveror"?

Për çdo njeri, çdo evenimet që troket për herë të parë në jetën e tij, mbahet gjatë në kujtesë. Isha vetëm 23 vjeç, kur regjisori Sekuj më beson në interpretimin tim të parë, rolin e konferecierit në premierën "Fllad Pranveror". Materiali përmbante shumë tekst, ku unë duhet të komunikoja me personazhe që i kushtoheshin kohës së Zogut, të cilat interpretoheshin nga Tano, Paulini, Katrina, Hasani dhe Biku. Ky rol më dha durtrokitjet e para nga publiku, i cili më shihte për herë të parë në skenë. Premierat, komeditë që shfaqeshin nga trupa jonë, prej më se tridhjetë vjetësh kanë qenë bashkëudhëtare në maratonën time artistike.

Shkodra e njohur si "parcelë" e rendimenteve të larta në "prodhimin" cilësor të artistëve, a do e bënte të vështirë depërtimin tuaj si aktor, përkrah korifejve të humorit Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Katerina Biga, Beb Shiroka, Zef Deda, Gëzim Kruja...

Në pamje të parë për çdo aktor të ri që interpreton përkrah aktorëve me përvojë, patjetër që ndjen emocione dhe impresionin e çastit. Megjithëse unë qysh në fillimet e mia kisha përkrahje e dashamirësi nga të gjithë pjesëtarët e familjes së humorit Shkodran.

Ku qëndron e veçanta e estradës profesioniste "Migjeni" të Shkodrës, e cila edhe pse me një përbërje aktorësh të "lindur" në grupet amatore, qëndronte në elitën e humorit shqiptar?

Është e vërtetë kjo që thoni ju, për bërthamën e aktorëve ku mjaft prej tyre kishin ardhur nga grupet amatore. E veçanta e estradës profesioniste "Migjeni", qëndron tek loja mjeshtërore e individëve, e gërshetuar harmonishëm me gjithë grupin. Një punë të shkëlqyer në rritjen e vlerave artistike padyshim ka bërë regjisori, Paulin Sekuj, në korikulumin e të cilit numërohen 196 premiera, në 83 prej të cilave unë kam qenë pjesëmarrës.

Mjaft spektator, duke u përballur me mbiemrin tuaj, mendojnë se oriigjina juaj është nga Fieri, Tepelena, Vlora apo Himara. Është e vërtetë?

Mbiemri im është Ruçi dhe jo Ruci. Kam lindur në Shkodër në një lagje e njohur për mjeshtërinë e zejtarisë, siç njihej në atë periudhë rruga Paulina Canej, emri i së cilës është marrë nga një stërgjyshja ime, mjeshtre e punimit të çarçafëve dhe sëndyqeve. Ndërsa babai im Zef kishte origjinën e vet nga Mirdita, nëna ime Gjysepina një Shkodrane e hershme. Sinqerisht më vjen vërtetë mirë që këto qytete, më dashkan si "pronë" të tyre. Edhe pse jam pjesë e historisë së Shkodrës, unë jam pjesë e jetës së shoqërisë mbarëshqiptare.

Përse shkodranët humorin e kanë në "majë të gjuhës",të cilët për të bërë bisedën më të këndëshme përdorin dhe pak "kripë?

Sepse shkodranët janë popull inteligjent, të cilët janë ndeshur me fenomene që të ofron jeta, duke mësuar shumë prej saj.

Prania juaj mëse 40 vite karrierë artisike në skenë, ju ka dhënë të drejtën të luanit në komedi, skeçe, parodi, pothuajse me të gjithë aktorët e trupës së "Migjenit". Me cilët prej tyre mendoni se keni kurorëzuar sukses të padiskutueshëm?

Absolutisht nuk duhet të klasifikoj asnjë prej artistëve të teatrit dhe estradës së "Migjenit", pasi çdo njeri prej tyre, ka patur të veçantën e interpretimit në skenë. Mendoj se të luaje përkrah Tano Banushit, Paulin Prekës, Gjosho Vasis, Zyliha Milotit, Zef Dedës, Katerina Bigës, Gëzim Krujës, Besnik Çinari, Dana Xhai, suksesi do të ishte i padiskutueshëm.

Nëse do të ishit spektator, me cilat prej roleve të interpretuar nga Sandër Ruçi, do të gajaseshit së qeshuri?

Ndoshta rolet e interpretuar në skenë e kalojnë shifrën 250, ku njëherësh kam vënë në skenë mbi tridhjet premiera të ndryshme, rolet e mi më të dashur i kam arshivuar në skeçet: "Kena harru babën", "Tavolinat", "Shqipëria po ndryshon", "Dhëndëri nga Amerika", "Nusja e Sadit", "Gjyqi në mungesë", "A doni të shpëtoni Dajën?" etj.

Ku qëndron e fshehta e çelësit të suksesit tuaj, ku çdo personazh i skalitur me mjeshtëri prej jush, arrin të elektrizoj publikun në sallë?

Përdorimi me mjeshtëri i plastikës, mimikës, veshi muzikor, komunikimi me spektatorin, me harmonizimin në kohën e duhur me batutën, diksionin dhe rikuizitën, patjetër të bën që të jesh i mirëpritur nga spektatori.

Në rrugëtimin e jetës suaj aristike 40 vjeçare, jeni ndodhur midis trinomit: aktor, regjisor, skenarist. Në cilën prej këtyre trejave ndjeheni më i kompletuar?

Të treja këto plotësojnë njera-tjetrën. Do të thosha se ana regjisoriale kërkon më tepër përkushtim e krijimitari të një niveli të lartë ideo-artistik.

Në arritjen e suksesit në një shfaqje, a është domosdoshmëri funksionimi i këtij trinomi?

Absolutisht po. Në qoftë së jo, është njësoj sikur motoçikleta të ecë me një rrotë.

Estrada profesioniste e Shkodrës dhe Sandër Ruçi. Çfarë përfaqëson ky duet?

Gjithë jetën time do të mbetem një pjesë e mozaikut të gurëve të çmuar që ka estrada e Shkodrës dhe jam i lumtur që kam shërbyer me pasion në këtë akademi arti.

Sa ju është dashur ju dhe bashkëshortes suaj artiste si ju, të përballni rritjen dhe shkollimin e tre fëmijëve tuaj?

Nuk është kurrësesi e lehtë për një çift artistësh të rritin dhe edukojnë tre fëmijë të mbarë. Do të thosha se bashkëshortja ime Fotini, ka sakrifikuar jo pak në këtë drejtim.

Krahas skenarëve, skeçeve, monologjeve, ju keni shkruar dhe një libër titulluar "Kur Buzëqesh Vargu". Çfarë tematike përmban ky libër?

Në këtë libër, duke u frymëzuar nga jeta dhe problemet që rrethojnë sot mbarë shoqërinë shqiptare, kam shkruar motive të ditës, në veçanti aktualitetin e problemeve dhe jetës së emigrantëve, duke veshur këto me nostalgji, satirë, sarkazëm dhe politikë.

Shpesh herë në shoqërimin e parodive, kupleteve, ju përdorni kitarën. Ju pëlqen vërtetë ky instrument?

Kitara mbetet një nga instrumentët muzikor më të pëlqyer për mua. Ndoshta është ky motiv, i cili më bën të përdorë atë në spektakle dhe si element artistik. Ky instrument plotëson gjithnjë e më mirë profilin e kupletistit.

Në kulmin e karrierës suaj artistike ndodh "divorci" me shtëpinë tuaj të dytë, teatrin "Migjeni", pasi ju do të transferoheshit familjarisht në SH.B.A. Si u ndiet në këtë periudhë si artist dhe qytetar?

Jo. Mendoj se në kulmin e karrierës ndihem sot, pasi ende jap shfaqje e koncerte të ndryshme, disa syresh të shfaqur në SH.B.A., Kanada, Angli, Itali, Maqedoni, Greqi, Kosovë, etj. Tashmë jam i angazhuar në tre koncerte që do të zhvillohen brënda muajit Dhjetor, në Minchigan, Detroid, dhe New York City. Gjithësesi teatrin e cilësoj si dashuria ime e parë, ndaj nuk mund të "divorcohem" kollaj. Këtë gjë e vërteton dhe prania ime para pesë muajsh, ku unë isha i pranishëm me një tjetër koncert recital në prani të spektatorit të zjarrtë Shkodran.

Ndonëse jetoni prej dhjetë vjetësh në qytetin Jacksonville të shtetit të Floridas në SH.B.A., sërish ndodheni para spektatorit të zjarrtë shkodran dhe atij shqiptar por ne do të veçonim atë të disa muajve më parë në Pallatin e Kongresve, në Tiranë, të titulluar "Sandër Ruçi Show". Si do i kujtonit mbresat dhe emocionet që "lindën" këtë natë?

Koncerti për të cilin po flasim ka qenë gjithëpërfshirës. Ndjehem vërtetë i lumtur, që ky aktivitet kombëtarë, është pjesë e fondit të artë në televizionin publik T.V.SH. Me të drejtë këtë shou, unë e konsideroj si "dasmën" time artistike, me nostagji dhe humor në 15 maj të këtij viti, zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Është shfaqja më e arrirë, gjatë karrierës time artistike, para një numri rekord spektatorësh, të cilët për gati njëzet minutat e fundit qëndruan në këmbë, duke duartrokitur deri në fund këtë shfaqje mbresëlënëse.

Keni dhënë mjaft shfaqje e koncerte recitale brenda dhe jashtë vendit. Cili prej momenteve, para publikut, ju ka lumturuar më shumë?

Kur Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në koncertin tim recital në Pallatin e Kongresve, më dorëzoi titullin e lartë "Mjeshtër i Madh", ku unë në atë moment emocional, u përula dhe putha skenën.

Sipas jush, humori krijohej dhe pëlqehej më shumë para viteve 90-të apo tani?

Mendoj se çdo periudhë nxjerrë në sfondin e kohës, humorin, artin dhe artistët e saj. Megjithatë për artistin në çdo kohë spektatori mbetet gjykatësi më i mirë.

Ju merr malli për Shkodrën?

Natë e ditë.

Pas shumë debatesh, vepra e artit dhe historisë, monumenti i pesë heronjëve të Vigut, ndodhur në zemër të qytetit të Shkodrës, shkulur nga partia e sotme në opozitë, rrikthehet e mirëpritet nga populli, duke u vendosur në hyrje të qytetit. Si e vlerësoni këtë rrikthim si artistë dhe qytetar?

Si artistë dhe qytetar, u ndjeva mirë, që ky monument me vlera të papërsëritshme historike të popullit tonë, rrikthehet sërish me dinjitetin e humbur, në qytetin e shkodrës.

A keni menduar ndonjëherë me veten, për një rrikthim të përhershëm në "folezën" tuaj të vjetër dhe të dashur?

Pasi jam konsultuar me fëmijët e mi, të cilët tashmë janë drejt konsolidimit të jetës së tyre. Lutem zotit të më japë shëndet e forcë, të jetoj me personazhet e nderuar të qytetit tim, me të cilët kam kaluar vitet më të bukura të jetës. Ndoshta nuk është larg rikthimi në shtëpinë time të re në Shkodër dhe "shtëpinë" time të dytë, teatrin "Migjeni".

Cili do të ishte mesazhi juaj në këto momente për spektatorët e zjarrtë shkodran?

U uroj mirëqënie, mbarësi dhe optimizëm për të ardhmen. Shkodranët janë dhe do të jenë mikpritës, bujar dhe të dashur më të tjerët. Zoti e bekoftë shkodrën.

Burim: http://alb365.com/sander-ruci-migjeni-me-lartesoi-si-aktor/

COMMENTS