Shqyptari, Frati, Shqypnija

Franceskant ne Shkoder
Vullkan ende i pa fikun, qi bàn, bëzàn, pràn, por qi zien kurdoherë permbrenda, vullkan qi shperthen kur t'i teket. I randë e hijemadh si malet e hjedhta, me te cilat àsht e thurun kjo tokë, fisi i ynë pau boenat e historive, ndjeu hungrimet e kafshimet e egërsive: u shkel, u shtrue, nuk u shue. Borë jetike e tretun gerdhatash të vetmueme, shì as diell nuk muejten me e shkrì; kermi krepatuese, frushkulluese, te cilën rribëve të kohës nuk u duel kurr me e ndalë. Ky kje, ky àsht fisi i shqyptarit. Ndo'i shkarth repacak mund të zgerdhìet.
Jetoi gjithmonë i lirë. Jetoi i lirë edhe në robnì. Pse lirija nuk epet, nuk bieret, nuk fitohet. Lirija gufon kur trolli i saj të jetë i shndoshtë, kur nendheu të ketë fuqi me e mbajtë të ngrohtë, me e ushqye. Lirija mugullon, qet synin, zhberthen, shprazet, hìn nen dhè, zhduket: pret. Pret puntorët me duer të pastra, të dènjë me kènë flamurtarët e sajë. E shqypnis nder kohë të vjetra e dikur nuk i munguen kësi puntorësh. Prej ksaj çerdhe dolen skifterë me çapoj perandorësh. Vigàj idèsh së mëdhaja qi i realizuen me hov.

Tokë e shkelun, popull i shtypun, komb gati në rektim. Kështu qëndrote Shqypnija në shekullin XIII. Gerhatëte në nji gjumë bore robnish të pershkueme, flète e strukun, e hìme, mbetë gati kurrgjà prej asajë qi dikur kje. Trup i plagosun, i mbluem prej mizash, pà fuqin e duhun me i largue.
Kalon dikush. E shkundë, e ngrohë, i flet, i prìn. E shqyptarit i kthen gjaku, kërkon vetin, ghèn vetin, çohet e vèhet me ecë. Ecë dora-doras me atë qi e çoi, me fratin, qi dàn të miren e mà fort të keqen me tè, qi s'e lëshon mà, s'e lèn mà vetëm, qi i bàhet shok e vllà, i bàhet aj vetë.
Nisë diçka me vlue. Nji tharm i rì vervitet në brumin e kombit tonë. Dikush perziete. Kush?
Thireshin, ishin Vllazent e Vogjel. Lajmtarë të rì të nji së Vërtete të Vjetër. Gjind në të mbarë e nji cope, qi kur flitshin u shihej shpirti, kur qeshëshin u zbulohej zemra, pa program të paragrafuem perveç atij me shërbye, me u gjetë aty aty ku mund të bàhej mirë. Nuk kishte shum qi kishin ardhun ndër këto ana prej tejdetit. Punojshin në heshtje e pregatitshin diten.
E dita erdhi. "Katholikizma - shkruen Fan Noli - ishte pothua shuar në Shqipëri nën Serbët dhe nisi të ngjallej e të perhapej përsëri në 1250-tën si një protestë kundër zotërimit të tyre". Burizani i kësaj proteste àsht At Gjoni de Piano Carpino i shenjuem në selin argjipeshkvinore të Tivarit në vj. 1248. At Gjoni e trandë kùdo qi àsht i çuem. Asht mà i madhi misjonar i asajë qindvjete. I perveshet punës; shqetsim, reformë, organizim pà bjerrë kohë. Formon frontin shqyptàr kundra nacionalizmit perpìs të kishës serbe e greko-bizantine. Në krye të falangave të reja prìjn françeskant e dominikant, të thirrun prej tij e të shperdam an e kand nër djoçeze të Shqypnìs. E Shqyptari shkyehet prej shkjaut, pështon njiheri edhe si komb.
Zjarmi i lëvizjeve àasht ndezë. Kryengritjet ndjekin njena-tjetren. Vonë fort kan me prà. Andre Muzaka i a nisë kundra Oroshit II; Balsha I këputë verigat e robnìs, formon nji perandori shqyptaro-katolike që prej Trau mbi Spalato e deri në Selenicë; Gjergj Kastrioti i then turìt sulltanit të tërbuem e i difton botës se çfarë burrash e trimnìsh mund të perftote gjaku i idhtë i racës s'onë. Në rritjen e këtij epos të madhnueshëm të fisit t'ynë, frati na del para gjithkund. Në daç me butsìn e shèjtit, në daç me urtìn e diplomatit, në daç edhe me hovin e ushtarit t'egër e fatos. P. Pal Matja hidhet në luftë, e, tuj u perleshun fyta-fyt me turk, rrxon prej kështjellit flamurin e gjysë hanës e në vend të tij ngulë atè të Lirìs. Frati matjan del prej qytetit të dorzuem me flamur nen sjetull e zhduket. Por ka lanë shokë mbas vetit. Këta kan me mësy kurdoherë qi flamuri të jetë në rrezik. Plumbi e salvimet janë shpërblimi i dèjë qi presin prej armikut. Konopi, hùni e skreditimet janë nderimi qi u bàn vllau i çoroditun. Nder stuhi të ndrrimeve politike janë këta qi i han furra mà të parët. Flamurtarë desin, flamurtarë zhduken; por flamurtarët françeskan Shqypnìn "edhè në vorr do t'a permendin". Kan me e permendë edhè kur vorri të jetë ndo'i muranë e stolisun.

Per me e dashtë nji popull, duhet me e njoftë. Nuk mjafton por as me e njoftë. Duhet me pasë lè, me u pasë rritë me at popull. Lypet qi per vuajtje e deka t'i kenë shkrì s'bashku zemrat. Kur dy vetë duhen fort, të dekmen njani, des edhe tjetri. Historija e Shqypnìs e historija françeskane në vendin t'onë ndjekin shoqa shoqen. Janë dy histori qi shkojnë paralel: të njillojta në të çueme, të njillojta në të rrxueme, të njillojta në humbje. Por gurgullimi i termegëshem i gjakut të fisit t'ynë shfren rregullisht ndër perioda të shkurta, veç të lumnueshme, qi làn jeh të kumbueshem per perioda të gjata heshtimi.

Shka i fali fançeskani ndër kohët e mbrame Shqypnìs? I fali vehten, i fali jeten e vet. Janoshi e Zymbi janë sperkatë e là me gjak fretensh të vràm.
I fali, i pasqyroi Shqypnìs edhè vehten e sajë. I këndoi me Lahutë Kangët e Kreshnikve, Besen e Burrnìn, i ruejti Kanunin e Lek Dukagjinit. Prrallat e Lojët Kombëtare, Gojëdhanen e Skanderbegut. Pse e pat gjithmonë per zemer Visarin Kombëtar. Françeskant i falen Shqypnìs Poetin e fisit, të rracës.

Shka u kà detyrë Shqypnija Françeskanvet?
Kurrgjà.
Pse Françeskant janë të Shqypnis.

At Gjon Shllaku O.F.M

COMMENTS