Zef Zorba, Terezës: Shtigjet tona të vështira

Zef Zorba

E dashtuna Tereza!

Pashë letrën tande. Kërkojshe me të shkrue unë e m'a thanë dhe varzat. Njëherë thashë me vete: "Ooo, dashka me i shkrue!" Mandej mendova e thashë prap me vete: "Jo, e bu!" Madje edhe përdrodha buzët, një herë, por ma në fund vendosa: uf, hajt mirë: po i shkruej pra!" E kur mendova ma mirë e hoqa shprehjen "hajt mirë" e hoqa shprehjen "pra", e mbeti vetëm "po i shkruej".

E po të shkruej.

Pse?

E mirë, për shumë arsye.

Uroj të bahesh mirë e të kthejsh me shëndet të plotë në shtëpi. Asht edhe puna se kam konstatue një gja që s'e kam pasë vu re ma parë. Ti e di, gjithmonë më asht dukë se po flej ma rahat kur kam të gjithë shtratin në dispozicion. E natyrshme, a por jo? Me tanë këto kambë të gjata që kam. Mirë po, parmbrami s'më merrte gjumi (ti e kupton, s'asht ndonjë gja e re pagjumësia te unë) e po rrotullohesha herë këndej, herë andej. Në një shenj kohe m'u duk se gjeta pozicionin ma të mirë: kisha shtri kambët tërthuer, d.m.th në pjesen tande të shtratit. "Prit - thashë me vete - t'a shof njëherë pozicionin që kam marrë". Pa levizë trupin ndeza dritën e konstatova se me të vertetë kisha ra sallki, por vendi jot ishte bosh. Thashë prap me vete: "Po unë gjithmonë kështu flejë, e ajo, e mbledhun pak në vetvete, më len shteg pa kundërshtim m'u hapë si më përshtatet ma mirë". Eja, pra. Vendin e ke gjithmonë.


Mandej sot nadje mbasi hoqa dreqin e mallkuem me ba kafen, kur e shpraza në filxhan, ky u përmys e kafja u derdh mbi shtroje e përmbi libra, sepse tavolina mbushë me gjithfarë sendesh: pjata, libra, rraqe e njëqind mijë sende të tjera, nuk kishte vend të mjaftueshem ku me vendosë filxhanin. Tash të kishesh qen" ti në shtëpi, pikë e parë kafen m'a kishe pjekë ti, e pikë e dytë, të ishte derdhe sikurse u derdh, se paku unë do të kisha pasë kuej me i folë, kuej me iu drejtue me vrejtjet e mija etiko-estetike mbi shrregullimet, mbi marimangat, mbi edukaten, mbi kulturen, e magari tue i shoqnue vrejtjet me atë fjalorin e pasun timin që shpalosi në të tilla raste. Por tue mos qenë ti këtu e tanë ajo enfazë e apostrofimeve lartësisht artistike dramatike të mija shkoi bosh, kumboj për pak sekonda nëpër kuzhinë, por mejti trishtueshem. Qeni, që flente në divan, pati njëherë një tronditje, e m'u ba qefi në një farë mënyre sepse që se pakut qenit i paskeshin ba përshtypje fjalët e mija, por s'kishte qenë ashtu si kujtova: atë e kishte pickue një plesht, sepse u vu m'u krue si mos të kishte ndodhë asgja me kafen. Atëhere sajova fraza edhe ma të ngjyrosuna ku futa përsonazhet e të tri poemave danteske, materiale organike dhe jo organike, figura të zymta rembrandiane, verizma leonardeske, sektorë të grumbullimit të hedhurinave... por s'bani pare. Ti s'ishe, e s'pati kush me reague, as me durue...

U detyrova me përsërit të gjitha operacionet për bamjen e kafes tjetër që doli krejt për dreq.
E s'po permendi mandej pullat që janë tue u këput si mos më kurrë, pantallonat, që mbasi hoqa të zitë e ullinit me i hekuros, kanë rezultue me dy vija, rroga e 15 ditëshit që ka mbarue qysh kur, e tjera, e tjera, e për të cilat gjana unë s'kam me kë zihem.

Por nejse, ti do të shërohesh e do të vish prap në shtëpi e çdo gja do të kthehet në rutinën normale. Ndokuej edhe mund t'i duket anormale, por tue mbajtë parasysh se të tilla anormalitete janë ba normale, nuk ka asgja të çuditshme në këto, apo jo! Asht puna si kur të mesohet veshi me disonanca e disakorde, vjen koha që këto të duken krejt normale, madje duken anormale konsonancat dhe akordet. Njashtu sikur të duket anormale kur veshë këpucë të reja e s'din me ecë me ata as ku me i mbajtë kambët, kurse me ato të vjetrat je rahat që ç'ke me të.

Sa shtigje të vështira kemi kalue bashkë. Nganjëherë edhe çuditem me vetevete si kemi dalë m'anësh. E me ç'farë mjetesh? Gadi gjithmonë me aq pak sa që në çdo moment më dukesh se gjithçka do të rroposej. Jetë e mundishme, por kush po i jep randësi. Na të dy si kemi vu randësi mungesave e mundit, e lodhjes kurrë e jo ma tash që na janë ba petk, pa vartësisht se forcat tona s ‘janë ma ato të dikurshmet, madje çdo ditë e me tepër vijnë tue u pakësue. Veçse vullnetin e kemi ende të ri, e kjo ka ma vlerë se çdo gja tjetër...

E mandej edhe ne ndoshta na prihet mbarë e do të bahemi dikur me ble një radio gramafon Hi-Fi bashkë me një diskotekë të pasun simfonike. Plakemi: reumatizmat, stomaku e kushdi tjetër edhe mund të na trazojnë ndojherë, mbase herë mbas here dhe unë do të bahem nervoz... Por mandej do të vejmë në gramafon diskun e poemës simfonike të Ravelit "Nana ime, pata" e do t'a ndëgjojmë bashkë. Natyrisht ty, si e ke zakon, mbas pak batutash ka për të marrë gjumi në poltron (do të kemi poltrona, atëhere!) e do të vazhdojsh me pa andërr patën që struk nën flatra zogjkat e veta. E mua do të më marrë gazi.

Pardje kam ndie se mjelmat jetojshin deri në njëqind vjet dhe se çifti që bashkohet një herë në rini nuk ndahet kurrë ma për tanë jetën.

A të kam shkrue mjaft tash! Madje po me vjen disi marre se kam shkrue gjatë si sot e njëzet e sa vjet ma parë.
E mos u ban e marrë.

Bepi

Gazeta Shqiptare 09. 04. 2009

COMMENTS