Albanologu Theodor Ippen

Theodor Ippen, Theodor Anton Max Ippen
Theodor Anton Max Ippen lindi në Sezemice, Republika Çeke, më 29 nëntor 1861. Ishte Albanolog dhe diplomat Austro-Hungarez.

Theodor Ippen studioi gjuhët orientale dhe ekonomi në "Oriental Academy" të Vjenës. Karrierën si diplomat e filloi në vitin 1884 në Konsullatën e Austro-Hungarisë, në qytetin e Shkodrës. Me atë funksion qëndroi deri në vitin 1887. Në fund të vitit 1887 ai u emërua si Zëvendës-Konsull në Konsullatën Austro-Hungareze në Pljevlja (Mali i Zi). Më pas diplomat në Stamboll (1891-1893), Jeruzalem (1893-1895), Stamboll (1895-1897) dhe përsëri në Shkodër (1897-1904).

Gjatë viteve 1905-1909 ai vazhdoi karrierën diplomatike në Athinë, dhe pas vitit 1909 në Londër. Theodor Ippen këshilloi Ambasadorin e Austro-Hungarisë gjatë Konferencës së Londrës, e cila bënte rolin e arbitrit midis shteteve të përfshira në Luftën e Parë Ballkanike. Në vitin 1912 përgatiti një hartë etnografike të zonave të populluara nga shqiptarët, e cila u paraqit nga Ambasadori i Perandorisë Austro-Hungareze gjatë Konferencës së Londrës, si bazë në negociatat për përcaktimin e kufinjëve. Ambasadorët e gjashtë fuqive të mëdha (Britania e Madhe, Gjermani, Itali, Francë, Rusi dhe Austro-Hungari) pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, nënshkruan Traktatin e Londrës dhe morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran dhe të pavarur nga Perandoria Osmane.

Në periudhën midis 1921 dhe 1927 ai ishte anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Danubit.

Theodor Ippen mori pjesë në shkrimin dhe shpërndarjen e historisë së parë të Shqipërisë, të botuar në gjuhën shqipe. Veprat e tij ishin financuar nga institucionet e Perandorisë Austro-Hungareze. Ippen dha një ndihmë të madhe për krijimin e komb-shtetit shqiptar. Ai dhe Franc Nopça (Franz Nopcsa von Felső-Szilvás) kontibuan dhe financuan aktivitetet e nacionalistëve shqiptarë, për shembull, në përkthimin dhe shpërndarjen e veprave të shkruara nga Sami Frashëri.

Në tetor 1897 Ippen udhëtoi në qendër të Shqipërisë dhe krijoi kontakte me persona të rëndësishëm në Elbasan dhe Tiranë.
Shumë herë ka vizituar edhe komunitetet katolikë në kufirin turko-malazez dhe ka raportuar problemet e shkaktuara nga autoritetet osmane dhe malazeze. Ippen ka ndihmuar ekonomikisht edhe disa familje shqiptare, veçanërisht ato nga Hoti dhe Gruda që ishin në kufirin malazez dhe më të ekspozuar ndaj ndikimit të Malit të Zi.

Theodor Ippen ka pohuar që Skënderbeu është varrosur brenda fortifikimeve të Lezhës. Mendimi i tij ishte bazuar në punën e Marin Barletit i cili shkruante se Skënderbeu u varros në Kishën e Shën Nikollës, me asnjë shpjegim nëse ndërtimi i kishës ishte brenda ose jashtë kështjellës. Ippen supozonte se një person i rëndësishëm sa Skënderbeu do të ishte varrosur në vendin më të mirë të qytetit, në kështjellën e tij. Ai gjithashtu mendonte që turqit e kthyen kishën në xhami. Sipas vlerërimeve të Ippen, rreth 20.000 shqiptarë të Perandorisë Osmane u kapen nga Serbia gjatë luftës serbo-osmane (1877-1878).

Ippen ka publikuar disa tekste në resistën "Albania", botuar nga Faik Konica në periudhën 1897-1910.
Theodor Ippen vdiq më 31 janar 1935 në Vjenë, Austri.

Theodor Ippen, Theodor Anton Max Ippen
Theodor Ippen me kostum shqiptar. Foto Marubbi

COMMENTS