Imam Vehbi Ismaili

Imam Vehbi Ismaili ishte një figurë e ndritur fetare, një figurë e shquar kombëtare, një shembull për botën shqiptare. Në vitin 2012, është nderuar (pas vdekjes) nga Bashkia Shkodër me titullin e lartë "Qytetar Nderi" i Shkodrës me këtë motivacion: "Themelues i Qendrës së parë Islame Shqiptare në Amerikë, patriot i shquar dhe prijës i lartë islam, edukues me moral islam dhe atdhetar i mijëra emigrantëve shqiptarë në SHBA dhe më gjerë".

"Nuk e di, a kam bërë sa duhet për shqiptarët?"

Kush i ka thënë këto fjalë?
I ka thënë këto fjalë -
Ai që shqiptarëve jetën iu ka ringjallë.
Kush i ka thënë me kaq thjeshtësi? -
Ai që shqiptarëve jetën iu ka përtëri...

I ka thënë: Imam Vehbi Ismaili, i cili ndrroi jetë, kaloi në jetën e vërtetë, më 17 Maj 2008, në Detroit, SHBA, në moshën 89-vjeçare.

Vehbi Ismaili, Imam Vehbi Ismaili
Imam Vehbi Ismaili lindi në Shkodër më 25 Nëntor 1919, nga prindër shkodranë, prej një familje me tradita fetare-atdhetare. Mësimet fillestare i filloi në Shkodër, kurse i përfundoi në Krujë, ku i ati, Myderriz Ismail Hakiu, filloi të shërbente si Myfti i Krujës. Në vitin 1933 u regjistrua në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku diplomoi në vitin 1937. Vazhdoi studimet në Universitetin zëmadh "Al-Az-har" në Kairo, Egjipt, në të cilin diplomoi në teologji në vitin 1943.

Prej Shoqërisë Muslimane Shqiptare-Amerikane, me qendër në Detroit, Michigan, SHBA, u ftua në Amerikë për të shërbyer si imam.

Imam Vehbi Ismaili erdhi në New York me 22 prill 1949, ku u prit me gëzim dhe shumë dashamirësi prej shqiptarëve të Amerikës: z. Ahmet Ramo, z. Hysen Kole nga Detroit-i, z. Nuri Mborja, z. Vejsel Çami nga New Yorku, etj.

U martua më 27 maj 1950 me zonjushën 18 vjeçare, Naxhije Braush, e lindur në Philadelphia më 26 maj 1932, nga prindër shqiptar, z. Azmi K. Braush, me prejardhje nga fshati Dobronik i Beratit...

Imam Vehbiu Ismaili menjëherë filloi të shërbejë me devotshmëri, me dituri, me urtësi, kështu që, për pak kohë, arriti t'i afroj shqiptarët e shkretë, që ishin larguar nga Atdheu për shkaqe politike, ekonomike; arriti me përkushtim t'i bashkoj, t'i udhëzoj, t'i frymëzoj bashkatdhetarët e mërguar që ishin të hutuar dhe filloi t'i ushqej me ndjenja fetare-kombëtare.

Si frut i kësaj veprimtarie, Imam Vehbi Ismaili më 6 qershor 1951, në Amerikë, themeloi Faltorën, Xhaminë e parë për muslimanët shqiptarë...

Meqë shqiptarët u bashkuan, besimtarët u shtuan, u detyruan të ndërtojnë një Xhami të Re, më të madhe e cila u shndërrua në Qendër Islame Shqiptare-Amerikane, e cila u përurua, më 23 shkurt 1963, ku i madh dhe i vogël u gëzua.

Qendra Islame Shqiptare-Amerikane, në Harper Woods, Detroit, në shtetin Michigan, SHBA, nën udhëheqjen e Imam Vehbi Ismailit, u rrit, u zhvillua, dritë rrezatonte, shqiptarët i bashkonte, fëmijtë i edukonte, me ndjenja fetare dhe atdhetare i frymëzonte... Besimtarët aty gjenin prehje, qetësi, më mirë se në shtëpi, madje disa thoshnin me gëzim, me mallëngjim: "Kjo është Shqipëria e vogël në mërgim".

Imam Vehbi Ismaili në Kosovë (1974)

Me gjithë këtë veprimtari, në vazhdimësi, edhe Imam Vehbiu ishte njeri, si njeriu që pikëllohet, dëshprohet, përmallohet ...

Shtypi shqiptarë në Amerikë, në veçanti gazeta "Dielli", e Bostonit, sidomos në vitet e para, e fyente, e akuzonte, e mallkonte Imam Vehbiun, sikur që bënte edhe propaganda komuniste në Shqipëri.

Një ditë e gjeta shumë të dëshpruar, tepër të përmalluar dhe e pyeta, pa u vonuar: Imam Vehbi, nuk po të them qysh je, por çka t'mirën ke?

- Ah! Mexhid i dashtun, malli për Shkodër, për Shqipni, m'ka djegë, m'ka shkrumue... shumë jam përmallue... Dje, më njoftuen dhe shumë jam dëshprue se kërkesa për Shqipni m'u ka refuzue...

- Ndoshta është ma hair që komunistët të ndalojnë, sepse kështu edhe më shumë atdhetarët të nderojnë - "e ngushllova" dhe e përqafova dhe vazhdova duke i thënë:

Imam Vehbi, meqë ke nënshtetësi amerikane, provoni me shkue në Kosovë, sado kudo, përmallimi për Shqipni, për Shkodër, do të zvoglohet, sepse edhe Kosova, nën robni, nën Sërbi, me një grimcë autonomi, është Shqipni...

- Ashtu është, por s'kam të njohur atje... - më tha.

Shko në Gjakovë, i thashë, në shtëpi te baba im, Hafiz Selim Yvejsi, në qendër të Gjakovës dhe prej atyhit të çelen dyertë e krejt Kosovës... Më përqafoi dhe pas disa dite shkoi...

Në Gjakovë qëndroi disa ditë, të cilat i kujtonte shpesh dhe ishte kënaqur shumë me ylematë e Gjakovës, si Myderriz Fahri Efendi Iljazi, Myderiz Tahir Efendi Thaçi, Haxhi Jahja Bakalli, Mulla Sadik Brovina, Hafiz Selim Yvejsi, i cili e kishte shoqëruar tërë kohën në Gjakovë dhe nëpër Kosovë...

Shpesh thoshte: "Gjakova, Kosova, m'ka freskue, m'ka përtri, t'punojmë... n'dashtë Zoti e t'bashkohet me Shqipni...

I përkushtuar ndaj fjalës së shkruar

Imam Vehbi Ismaili ka qenë dhe do të mbetet shembull i fetarit, atdhetarit dhe dijetarit të përkushtuar, në veçanti ndaj fjalës së shkruar.
Qysh si nxënës, kur ishte në Medresenë e Tiranës, 1933-1937, shkruante, përkthente dhe botonte punime në revistën "Zani i Naltë" dhe në të përjavshmen "Vatra e Rinisë" që botoheshin në Tiranë...

Shkruante, botonte edhe në Kairo, Egjipt, gjatë studimeve, madje aty botoi edhe dy libra: "Djepi i artë", novela të zgjedhura nga letërsia shqiptare, që e botoi, me 1948, Shtëpia Botuese "Bejan Al-Arabi" dhe librin: "Ngjyra tërheqëse", një përmbledhje tregimesh nga letërsia shqiptare.

Në Amerikë, sa kishte ardhur, filloi të botjë në Detroit revistën "Jeta Muslimane Shqiptare" (The Albanian Moslem Life"), shqip dhe anglisht, Organ' i Shoqërisë Muslimane Shqiptare", numri i parë doli në dritë në muajin tetor të vitit 1949 dhe kishte 72 faqe.

Më vonë nxorri revistën "Thirrja Islame".

Fjala e shkruar Imam Vehbi Ismailin e ka përjetësuar...

E ka përjetësuar jo vetëm n'Amerikë, jo vetëm në publicistikë, por kudo që ka shqiptarë, kudo që ka besimtarë...

Imam Vehbi Ismaili, në Amerikë, që nga viti 1960 dhe deri sa ndërroi jetë, ka shkruar, ka përkthyer, ka botuar, ribotuar, mbi 50 libra, fetare-letrare, të cilat janë përkthyer në rreth njëzet e pesë (25) gjuhë të ndryshme.

Disa prej veprave të botuara në Amerikë: "Islamizmi dhe lutjet", "Muhamedi profeti islam" (ky libër është ribotuar edhe në Prishtinë nga Bashkësia Islame e Kosovës), "Një tufë lulesh - tregime nga historia islame", "Fjalë të profetit, Muhamedit a.s. - 150 hadithe", "Kërkuesi i së vërtetës - Selman Farisi", "Bilalli, myezin i profetit", "Kujtime të rinisë", "Muhamedi, profeti i fundit" (ky libër u përkthye në tetë gjuhë të tjera, në Perëndim dhe në Lindje dhe mësohet në disa shtete si tekst shkollor-mësimor), "Banorët e Shpellës" (përkthim nga gjuha arabe, të cilin e ribotoi "Rilindja" e Prishtinës, por pa parathanien aq të bukur, shkruar nga Imam Vehbiu dhe pa titullin e nderuar Imam, vetëm me Vehbi Ismaili).

Botimi dhe përurimi i kompletit

Dy vjet pasi ndrroi jetë, në Shkup, nga Shtëpia Botuese 'Logos-A' u botua vepra e tij komplet në tetë vëllime (1-8).

Organizata "Imazhi rinor", me qendër në Shkodër, organizoi në ambientet e Grand Hotel Europa promovimin e veprës së plotë të Imam Vehbi Ismailit, ditën e shtunë, më 29 Maj 2010.

Këtë veprimtari kulturore e hapi Haxhi Faik ef. Hoxha (Myfti nderi i Shkodrës), i cili vlerësoi punën e bërë nga Imam Vehbi Ismaili.

Prof. Nexhat Ibrahimi, nga Prizreni, të cilit një ditë më parë në Prishtinë, iu bë promovimi i kompletit: Vepra 1-10, mes të tjerash tha se: "Imam Vehbi Ismaili është personaliteti i rrallë porsi është i rallë uji në shkretëtirë".
Përshëndeti edhe përfaqësuesi i Shtëpisë Botuese 'Logos-A', z. Afrim Gashi, i cili pasi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi për mikpritjen, theksoi rëndësinë e veprave të Imam Ismailit dhe mesazhin e lartë që përçojnë ato.

Ndërsa, drejtori i OIR-it z. Mirsad Sylja, u ndal në vlerësimin e figurës së Imam Vehbiut si figurë qytetare shumë dimensionale, duke e përfunduar me këto fjalë: "Vepra që ne promovojmë sot, është një dëshmi, se ai nuk është lënë në pluhurin e harresës..."

Veprimtaria e tij shpirtërore, në veçanti, në shërbimet mortore, ka hyrë në histori... Imam Vehbi Ismaili, për herë të parë në Amerikë, i bëri shërbimet mortore në gjuhën shqipe për Mid'had Frashërin, djalin e Abdyl Bej Frashërit, në tetor, 1949...

Mbas 59 vjetëve, në Amerikë, më 20 maj 2008, iu bën shërbimet e fundit mortore Imam Vehbi Ismailit, një shembull për fetarët, një shembull për mërgimtarët, një shembull për të gjithë shqiptarët...

"Të gjithë nga Zoti jemi, të gjithë tek Ai do të kthehemi".

Nga Mexhid Yvejsi

COMMENTS