Lazër Shantoja - A la franka

Shkodra, foto te vjetra, Shkoder
Franka (à la). À la franka thohet në kundershtim me à la turka.
Me shkue à la turka don me thanë: me shkue ne e moçme; prandej me shkue à la franka kishte me shenjue me shkue ne e soçme.
Në praktikë jeta e njerit âsht nji mishmash à la franka e à la turka: gjinden të perzìme në tê: nova et vetera!
Jo gjithshka âsht à la turka mûnd thirret e keqe; sikuer nuk mûnd thirret e mirë e e bukur nji send vetem psè âsht à la franka.

Po bìm mâ mirë disà tregime:

- Kafja à la turka âsht kafja par excellence: kafe safì, shkumbore etj... Kafja à la franka âsht vetem nji surrogat kafjet; spirilang i zì e i xèt!

- Sahati à la turka shênjon 12 gjithmonë n’aksham; sahati à la franka shênjon 12 gjithmonë në mjesditë.

- Vesha à la turka âsht b.f. kjo: fes i kuq, xhamadan, sharvallë, fistan, caruqe o këpucë zaganjorësh; vesha à la franka âsht: kapelë (o pà tê krejt), kolet, kravatë, gjaketë, pantallona me vì para e mrapa, çarapë të mëndafshtë, kundra gjysa me majuc...

- Grueja à la turka âsht teper e mbëlueme; grueja à la franka âsht teper e zblueme.

- Vajza à la turka âsht vajzë; vajza à la franka âsht zonjushë asè sinjorinë...

...etj, etj.

Po Shqypënìn, kà me pvetë kush, si e kena? À la franka o à la turka?

Shqypënìn?
Shqypënìn e kena, kà dashtë Zoti, à la franka me tanuz!

COMMENTS