Prof. Kolë Ashta

kole ashta
Është nder dhe kënaqësi e veçantë të flasësh për një mësues e njeri të nderuar, për një studiues të zellshëm që tërë jetën e vet punoi si pak kush në dy fusha njëherësh, në atë të arsimit dhe në atë të shkencës. Cila nga këto fusha ka pasur më tepër rëndësi? Ndoshta përgjigjen më të mirë mund të na japë vetë profesori, por të paktën nga tematika e referimeve të sotme, vlerësimi i kuadrit shoqëror anon nga kupa e shkencës. Por unë jam disi në kundërshtim me këtë.

30 vjet punoi me pasion në arsimin e mesëm e të lartë, në gjimnazin e Beratit, normalen e Elbasanit, në gjimnazin e Shkodrës dhe në Institutin e Lartë Pedagogjik. Mbasi kreu studimet në Romë, punoi në Institutin e Studimeve Shqiptare së bashku me intelektualët e shquar Çabej, Xhuvani, Dhimitër Berati, Eqerem Bej Vlora, Ethem Haxhi Ademi etj. Mbas lufte nga punonjës shkencor në fushën e studimeve letrare e gjuhësore, e emërojnë mësues në Berat. Është koha e përmbysjeve të mëdha, e luftës së ashpër kundër inteligjencës shqiptare, e vrasjeve, burgosjeve, internimeve. Gjama e luftës së klasave kishte filluar.

E profesor Kola që kishte mbrojtur temën e diplomës për Epikën e Fishtës, të më falni, edhe sot s'ka qejf ta thotë të plotë titullin e diplomës së vet, sepse jo vetëm që u ndoq e u ndrye në 100 drynjë Fishta, por u ndoqën e u persekutuan ata që kishin pasur nderin të studionin veprat e tij. Ndërsa ky njeri i heshtur dhe i devotshëm me shumë mirësjellje, ende nuk dëshiron ta thotë të plotë titullin e disertacionit "Epika e Gjergj Fishtës", papritmas shpërthen duke recituar në atë dhomë të shtëpisë plot dritë-hije vargjet e famshme të Lahutës. E tashti s'është më burri i qetë dhe i heshtur, por një djalosh plot vrull e rreptësi, që ia ngjallë vargu epik i poetit të madh. Por për fatin të keq tonin këto vargje këto vargje të Fishtës mësuesi nuk pat mundësi tua mësonte fëmijëve, tua recitonte nxënësve, tua përcillte atyre mesazhin e madh kombëtar.

I mbrujtur me një kulturë të gjerë letrare e gjuhësore, për shkak të programeve të cunguara që gjithnjë e më shumë u mbushën me letërsi të huaj sllave, aziatike, apo shqipe të realizmit socialist, si të gjithë mësuesit e tjerë u detyrua t'i zbatonte këto programe. Por të gjithë brezat që patën fatin e mirë t'u bënte mësim profesor Kola, kujtojnë mirë preferencat e tij në trajtimin e lëndës, në vlerësimin e autorëve e veprave të ndryshme, kujtojnë thellësinë e analizës dhe kënaqësinë e trajtimit të Homerit, Dantes, Shekspirit, Gëtes apo autorëve të vjetër të Veriut, të Rilindësve të shquar apo të Pavarësisë. Edhe nxënësit e ndienin bezdinë që kishte kur fillonte letërsinë ruse apo shqipe të realizmit socialist.

Për këtë tregohen shumë qyfyre nga nxënësit që këtu s'është vendi të kujtohen, por mesazhi i tyre është i qartë, mësuesi punonte me bezdi sepse asgjë s'e ngrohte. E kujtoni se është koha e veprave të tilla si Zarika, Çlirimtarët, Këneta, Ashtu Myzeqe, etj. etj., që veç ne e dimë se ç'kemi hequr duke gënjyer veten e nxënësit për vlerat e tyre ideore e artistike. Tamam në këto kohëra të errëta për vendin dhe kulturën tonë atje në Berat apo në Elbasan fillon punën shkencore. Tashmë studimet letrare për epikën, për Fishtën, e kush e di sa e sa projekte të tjera e ide të hershme djaloshare duhet të ndryshoheshin, të struken në qoshe të largëta e të errëta. Duke qenë në Berat njihet me Vexhi Buharanë për të cilin profesor Kola flet plot respekt si njeri i kulturuar e studiues i zellshëm i gjuhëve orientale. Njihet edhe me veprimtarinë e Tahir Dizdarit e që këtu i lind dëshira e pasioni që të merret me letërsinë e autorëve të vjetër. E unë këtë do ta quaja një fat të madh për kulturën tonë sepse atë punë që bëri Profesor Kola tash 45 vjet duke shpuar si pika gurin, nuk mund ta bënte as një institut i tërë studimesh.

Në fillim puna nisi në Elbasan duke punuar natën me një llambë vajguri për të hulumtuar në veprat e Kristoforidhit neologjizmat, e vazhdon në Shkodër me Matrangën, Kuvendin e Arbërit, Buzukun, Budin, Bogdanin etj. Mund të thoni se çlidhje ka kjo me mësuesinë? Po. Kolë Ashta ka qenë mësues, por mësues vetëm në shkollë, të dielën përgatitej për tërë javën, në mbrëmje bënte përgatitjen për të nesërmen. Gjatë ditës? Jo, gjatë ditës kishte punë të tjera, gjurmonte në veprat e autorëve të vjetër. E mendoni sa kohë është dashur të deshifrojë një fjalë, një rresht, një faqe nga Buzuku apo nga Matranga në një mikrofilm në kushte të vështira teknike.

Ndonëse është e vështirë për të nxjerrë një fjalë nga Profesor Kola, me gjithë përpjekjet, ai është shumë i heshtur e i kursyer, por nga njohja personale e nga bashkëbisedimet me shokë, kolegë e nxënës të tij, mund të paraqesim disa nga momentet e punës së tij si mësues. Janë shkrirë në një studiuesi, mësuesi dhe njeriu. Kjo duket më së miri në vitet '60 dhe më pas kur i gjithë niveli i tij shkencorë e studimor, u vu në shërbim të ngritjes së nivelit të lëndës së leksioneve në lëndët: fonetikë, leksikologji, histori e gjuhës, dialektologji. Kështu lidhe më së miri e drejtpërsëdrejti shkencëtari me pedagogun.

Ai u bë shembull për shumë kolegë të tjerë të cilët ndryshe nga lënda që jepnin në shkollat e larta, zgjidhnin një fushë krejt tjetër për të mbrojtur disertacionin. E Profesor Kola s'u ndie kurrë, por punonte në heshtje, kokulur si kalliri plotë kokrra, pa asnjë kreni, e cirkë cirkë grumbullonte lëndën për mësim e punë shkencore. Kjo s'ka qenë punë e letë, ai jo vetëm nuk pat asnjë përkrahje e nxitje, por iu vunë mjaft pengesa. Kushdo mund të pyes, duke pas fituar titullin Doktor, si nuk u gjend mundësia t'i njihesh ky titull, apo kishte më shumë rëndësi dhënia e katër provimeve? Nuk mjaftonin ato mijëra faqe punë e mirëfilltë shkencore? Si nuk u gjend mundësia e përmbledhjes dhe e botimit të veprave të tija, pa folur këtu për pengesat dhe në botimet e periodikëve. Cili prej nesh nuk do të tërhiqej kur asgjë të mos i botohej në revistat e Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, përveç një Matrange?

Është forca e karakterit të njeriut, këmbëngulja dhe përkushtimi i tij që e nxitën të përballojë barrën e rëndë të mësuesit e mundimet e shkencëtarit. Sa prej mësuesve u ankuan që sjell puna me fëmijët? E pra asgjë në botë nuk u arritka pa mund e sakrifica. Mos të harrojmë që Profesor Kola ka punuar në një fushë tepër të vështirë e për shumë kënd të bezdisshme. Mendoni se ç'hiqet të lexohet një paragraf nga Buzuku i transkriptuar e i transliteruar, po në origjinal e aq më tepër në mikrofilm? Ky pasion gjithnjë e ka ngritur figurën e mësuesit para kolegëve, studentëve e miqve, por censorët duke ndjekur me besnikëri vijën e luftës së klasave kurrë s'ia dhanë vlerësimin e duhur. Vetëm gurë e pesha hodhën.

E fyerja më e madhe iu bë kur në marsin e vitit 1975, pa përfunduar për dy muaj vitin shkollor, e nxjerrin në pension së bashku me mikun e tij, studiuesin po kaq të zellshëm e të heshtur, Fadil Podgorica. Kanë kaluar 17 vite e prof. Kola ndien shqetësimin e fyerjes që iu bë. Si ishte e mundur të mos lejohej ky farë zotërie të përfundonte programin, të mbaronte vitin së bashku me studentët? Po cila pedagogji, veç burokracisë diktatoriale e lejon këtë? Kjo ishte forcim i luftës ideologjike kundër shfaqjeve të huaja që kishte filluar në plenumin e famshëm të vitit 1974. E Kolë Ashta, studiuesi i Fishtës më 1942, vazhdonte të merrej me Buzukun, Budin e Bogdanin, etj., në vend që të merrej me leksikun në veprën "Rreziku anglo-amerikan" që filluan trë studionin shumë "gjuhëtarë" të tjerë. E s'është për t'u çuditur nga kritikat që bëheshin që Kolë Ashta, Jup Kastrati, Fadil Podgorica etj. nuk po merren me problemet aktuale, ndërsa shumë vend zë e kaluara. Kuptimin e kësaj kritike që bënte organizata bazë e partisë e Institutit, ishte i qartë.

Pavarësisht se u përgatit për veprimtari shkencore në fushën e gjuhës dhe të letërsisë, pavarësisht se nuk mori përgatitjen e nevojshme pedagogjike (Universitetet italiane nuk e kishin këtë synim), ai punoi me shumë kujdes që të shkrinte në një nivelin shkencor të lëndës me trajtimin metodik të saj. Ai mësoi nga përvoja e kolegëve. Kujton me kënaqësi për të mirë metodistin e Normales së Elbasanit, Musa Tafën, ndërsa nuk flet asnjë fjalë për drejtoreshën dhe metodisten e shkollës ushtrimore të Shkodrës, Aneta Baba - Ashta. Nxënësit e tij kujtojnë korrektësinë, qartësinë, argumentin e logjikën e trajtimit letrar e shkencor të lëndës, shoqëruar me diskutime shkencore e letrare nga nxënësit që i lejonte dhe i hapte ashtu lirshëm profesori, shoqëruar me improvizime, dramatizime, gjeste e shëmbëllime që lenin mbresa. Këto kujtohen edhe sot me biseda në mes nxënësish e kolegësh. Kujtohen skenat e Makbetit me thikë në dorë, dramatizimi i Kristoforidhit, qortimi i hartimit pa asnjë shenjë pikësimi, vlerësimi me dhjetë i një nxënësi që kishte prishur qetësinë e dënimi pas kësaj për thyerje disipline e shumë të tjera që s'është nevoja e vendi të përfliten.

Por unë dua të theksoj një ngjarje timen. Isha mësues i ri në shkollën e mesme "Xheladin Fishta", për herë të parë zhvilloja provime mature me nxënësit që i kisha përcjellë për shtatë vjet, e isha përpjekur fort. Të nesërmen shkova në gjimnaz dhe kërkova të lexoj disa hartime për t'i krahasuar me të nxënësve të mijë. U zhgënjeva. Nxënësit e Profesor Kolës as nuk krahasoheshin me të mijtë për nga thellësia e mendimit dhe e paraqitjes artistike. Këtë e kuptova më mirë kur lexova në Arsimin Popullor studimin për hartimet. Që atëherë e shikoja nga larg me shumë nderim atë burrë të heshtur që dinte vetëm të punonte e jo të çonte pluhur si shumë të tjerë rreth tij.

Në qoftë se në fushën e shkencës punoi pa u lodhur e s'ishte shpërblyer ende, sepse veprat e tij presin të botohen, në arsim nderimi ka ardhur duke u rritur e zgjeruar nga brezi në brez. Sot nxënësit e tij tani edhe disi të moshuar, kujtojnë mësuesin e tyre, edukatorin, njeriun, të mirin e të ndershmin deri në përkushtim, shëmbëlltyrë e përkryer e korrektësisë, thjeshtësisë, dashurisë e respektit për kolegët e nxënësit.

Ju faleminderit që më dhatë rastin të shpreh respektin për burrin e ditur e mësuesin shumë të nderuar, Zotni Kolë Ashtën, por nuk mund të lë pa përmendur dhe bashkëshorten e mësuesen e talentuar, Zonjën Aneta Baba-Ashta, e cila që prej një kohe të gjatë i krijoi kushte e domosdoshme që zotëri Kola të punojë i qetë.

Nga Prof. Islam Dizdari (Kjo kumtesë u mbajt në Sesionin Shkencor, organizuar më 16 maj 1992 nga Universiteti "Luigj Gurakuqi", për Prof. Kolë Ashtën).

Urdhnimet e poezìs - Kolë Ashta ("Balli i Rinisë", Tiranë, 5 dhjetor 1942)

Mos harrò se poezija të nalton me kundrue heroizmin e jetës. Shqiptari bashklindet me ket heroizem. Ai jeton me krye në rrezik tue luftue e tue vuejtë. Jetën e kupton porsi nji perpjekje të vijueshme. Kush nuk perpiqet, kush nuk punon do te deshtojë, pse jeta e patrazime, e qetë, e pamendime, e papunë të plakë menden, të kalbë zêmren, të mbytë ndjenjat.

Mbaje në mend se poezija i flet ndjenjave breshnorake, shllimeve të nalta, shpirtenve djalosharë. Ajo ngjallë ngazullimin kundra jetës mkatnore, hovin krijues kundra lakmimit landuer. Poezija çpallë vlerën e naltë të shpirtit, qi përbuzë sendet e landshme, fuqizimin e virtyteve të pambarueme, qi dermojnë lakmimet landore. Poezija ngjallë naltimin e virtyteve kundra jetës së shkatrrueme e mkatnore. Kujtò se poezija përpiqet për ringjalljen e zêmrës shqiptare, e vetdijes kombëtare, e ndjenjes atdhetare. Dueje ringjalljen e ndergjegjes, qi i don të mirët, qi i beson ati qi e don, qi e ndihmon ate qi e mëson, qi lufton për doket ilire.

Veshtrò mirë se poezija nuk këndon paren, se ajo të djegë dorën, të vërbon syt, të prishë menden, të helmon jetën. Naltoje shpirtin, se parja nuk merret në vorr. Shpirti jeton mbas vdekjes e parja shuehet. Njeriu i dhanun mbas ktì mkati nuk shef heroizmin e jetës e prà do të ndalet. Kush ndalet ka me u dukë porsi hije ndër të tjerë, porsi nji kufom e gjallë me sy të gropuem, porsi gjethi i pêmës i sjellun prej ere.

Mos e përbuz poezìn, pse ajo kundron zêmrat djaloshare ku levizë gjak fisnik, nji hov ilir i rì, i vërtyteve shqiptare të pasterta, të drejta, fatosore, qi përfaqsojnë cilsìt rracore të njeriut shqiptar. Ajo këndon pafajsìn, qi bjen pranverën ndër zêmra.

Ta dijsh se poezija rikrijon zêmrat, zhdukë dyshimin frigacak, mbytë gënjeshtrat munduese. Poezija i çpallë luftë zêmërkqive, shfrytzuesave mendengushtë, shpirtligjve.

Ta dijsh se urdhnimet e poezìs të freskojnë thellsìt e shpirtit me ujin dikues, ulin pezmin, njomsojnë ndiesìt. Por ta dijsh se të këqijt, qi flasin mbrapshtë, njerzit qi s'kan besim, qi s'dijnë çka âsht shpirti, nuk e kuptojn poezìn; por ta dijsh edhe se ajo i flet zemrave të nalta, shpirtenve djalosharë, ndjenjave fisnike, të denja, të pasterta, të këthillta. Mbaje në mend se poezija ngjallë hovin e virtyteve dhe dermon veset kapërthyese, epshet vdeksore, mkatet verbuese.

COMMENTS