Vrasja e Luigj Guqakuqit dhe padrejtësia e Gjyqit të Tranit

Me 2 Mars 1925 vritet Luigj Gurakuqi tue dalë, njaty kahë ora 21, prej restaurantit "Cavour", ku kishte hanger darkën me disa shokë të vet, prej Baltjon Stamollës. I vrami me tre plumba, baret me të shpejtë në vendin ma të afert për mjekim, ku doktorit nuk i kishte mbetë tjetër veçse me konstatue dekën. Vrasësi, mbasi mundohet me ikë xehet e çohet në Kuesturë.
Lajmi i zi e i shemtueshëm idhnon e pezmeton gjithë shqiptarët e atdhetarët e vertetë e ban nji përshtypje të thellë edhe ndër të gjithë ata tjerët që e kishin njohtë ase e kishin ndigjue zanin (famen: shënim i joni) e Gurakuqit të shkretë.
Shqiptarët e ikun në Bari e në Brindisi mblidhen në Bari për vajtimin e këtij Atdhetari të Madh e formojnë nji komitet për me pregatitë me nderime sa ma të mëdhaja vorrimin e këtij deshmori të pa harrueshëm. Vorrimi caktohet për ditën e diele me 8 Mars. Përcjellja do t'u bante nepër qytet deri ndër vorre të Barit, ku trupi i Gurakuqit do të kishte pushimin e mbramë; por Kuestura e Barit ban me dijtë se funerali nuk mund t'u bante nepër qytet, por vetëm brenda mureve të vorrevet.

Fletorja "Il Popolo d'Italia" me datë 7 Mars 1925, shkruen kështu: "Per domenica sono pronnunciati i funerali dell'on. Gurakuqi. La Questura ha fatto ieri conoscere alla numerosa colonia albanese che i funerali non potranno essere effettuati in città, ma potranno svolgersi solamente nell'interno del Cimitero".

varrimi i luigj gurakuqit 8 mars 1925
Gjatë gjithë javës, pa i a da, shqiptarët e ndodhun në Bari e tjerë të ardhun prej vendeve tjera, si edhe shumë qytetarë italjan, shifen varg mbas vargu që shkojnë me vizitue, me nderue e me ruejt trupin e Deshmorit. Diten e shenueme per vorrim një shumicë e madhe shqiptarësh t'ardhun edhe prej viseve tjera t'Italis mblidhen në Kishë të Vorrevet per rreth katafalkut të ngrehun mbi të cilin ishte vù arkivoli i pshtjellun me flamurin shqiptar e i rrethuem prej qirave. Paradite thohet një Meshë e përshpitëshme prej kanokut Don Sebastian Ranieri. Mbasdite, diten e diele, zhvillohet funerali me një shumicë të madhe shqiptarësh e disa qytetas barez. Arkivoli mbahet mbi krahë tue u sjellë nepër rrugë t'Vorrevet e primun prej katerdhetë kunora lulesh, të dergueme prej personaliteteve ma në za shqiptare, prej miqve e dashamirve e prej koloninash e studentave shqiptarë të Barit, Brindisit, Romës, Napolit, Vjenës, S. Demetrio Corone, Kosovës, Durrsit, Shkodrës, Triestes, Mirditës, Torinos, Borgo Erizzo (Zara), etj. Mbahen fjalime prej Sotir Gjika, Hasan Prishtina, Lazar Fundo, Anastas Pandele, Beqir Walteri, prej Prof. Schiro i ardhun prej Napolit për me marrë pjesë në vorrimin e ish nxansit të tij dhe prej priftit Don Sebastiano Ranieri.
Shtypi italjan, tue botue lajmin e zi të vrasjes, nepte dita me ditë lajmin mbi hetimet e bame. Mbas lajmeve të ndryshme të ditve të para, fletoret italjane nisen me kjarue se vrasja kishte ngjyrë politike e se dorasi nuk ishte tjetër veçse nji sikar. Filloi me dalë në shesh që vrasja ishte nji delikt i organizuem prej nji dore së pregatitun me mjeshtri, e jo nji atentat i bam në krye të vet prej Stamollës, sikurse thotë aj vetë.
Nji ndër dishmitarët, që kanë ndodhun në rrugë në çastin e vrasjes, thotë se atë natë, pak para se me qitë pushkë Baltjon Stamolla, e kishte pa ket tue folë në nji qoshe aty afer restaurantit me nji djaloç biond e elegant, e fillon të dyshohet se ky djaloç mund t'ishte Çatin Saraçi, Konsull i Shqipnìs në Bari. ("Giornale delle Puglie"; Nr. 59; 9-10 mars 1925)

N'e nesre fletoret botojnë se Kuestura kish vum ballë për ballë z. Pollastrini (dëshmitari që u permend sipër) me Çatin Saraçin për me mujtë me vertetue a mund t'ishte konsulli vetë aj djaloçi elegant. Mbas këtij ballimi fletoret heshtin mbi perfundimin e tij, por shkruejn lajmin se Çatin Saraçi iku prej Barit, para se t'u paraqitëte me u perballue rishtas me dishmitarin Pollastrini përpara Gjyqtarit hetues, i cili i kishte pasë thirrun për n'e nesre. ("Giornale delle Puglie"; Nr. 60; 11 Mars 1925)

Kjo çeshtje vjen gjithnji tue u kjarue ma teper e shtypi i hjekë rezervat që pat mbajtun mbi lajmin e ballafaqimit të Çatinit me z. Pollastrini, e difton se perfundimi i të vumin ballë për ballë ka dhanë nji përfundim pozitiv. Z. Pollastrini ka njoftë e ka dishmue se aj djaloç elegant që u gjindte në nji qoshe afer restaurantit pak para se të kriste pushka, ishte vetë Konsulli i Shqipnìs, e se ky aty perpara Komisarit nuk ka mujtë as me e mohue. Vetë ikja e Çatinit prej Barit, per mos me u paraqitë te Gjyqtari hetues, e verteton fjalen e dishmitarit. ("Giornale delle Puglie"; Nr. 61; 12 Mars 1925)

Po thuej se i gjith shtypi i huej asht marrë pak a shum me vrasjen e Gurakuqit, tue naltue cilsit e deshmorit atdhetar e tue pershkrue fytyren e vrasësit si nji nìeri vagabond e i burgosun disa heresh per vjedhje etj.
Shtypi i Shqipnìs, në mos kjosha gabim, ka heshtë fare; nuk dij asnji fletore as të përkoshme që të ketë botue lajme mbi ket vrasje.
Vetem nji za ndihet kunder Gurakuqit të dekun, asht zani i Faik Konicës që në fletoren "Dielli" flet kundra të vramit.
Kundra padive që Faik Konica i ban botnisht të ndjerit Luigj, e ndien për detyrë z. Stavro Vinjau me qitë në shesh të verteten tue shkrue nji artikull të gjatë që botohet ndër dy numra të fletores "Dielli". ("Dielli"; Boston Mass; Nr. 2886 dhe Nr. 2887; 14-15 Korrik 1925)

Mbas botimit t'artikullit të shkruem prej Stavro Vinjaut, nji tjeter artikull mbi Luigj Gurakuqin, "pionier i qytetrisë oksindentale në Shqipëri", shkruhet prej Imzot Fan Noli. ("Liria Kombëtare"; Genève (Suisse); Nr. 7; 9 Shtator 1925)

Nji dishmi që qet në shesh se vrasja e Gurakuqit ishte e organizueme prej nji komploti të pregatitun në Shqipnì mbrendë, asht edhe nji dokument që botoi fletorja "Liria Kombëtare". Ky dokument asht kopja e fotografueme prej origjinalit të nji letre që Baltjon Stamolla i ka dergue Ceno Beg Jakovës prej burgut të Barit në Tiranë. Kjo letër asht drejtue ndër tri adresa në Tiranë. ("Liria Kombëtare"; Genève (Suisse); Nr. 5; 26 Gusht 1925)

Dokumenti, per të cilin flitet ma nalt, i ra në dorë rastësisht, prej nji nieri që delte nga burgu i Barit, ku u gjindte Baltjon Stamolla, z. Salih Hoxha nga Elbasani. Ky i muer fotografinë letrës, dhe e percjellë kopjen e fotografisë me keto fjalë:

Bari 18-7-'25

Kopja e origjinalit të shkresës që Baltjon Stamolla i ka dergue Ceno Beg Jakovës në Tiranë ditën 13-6-'25 me anë të nji personit që duel prej burgut me liri provizore.

S.Hoxha


Duhet dijt se z. Salih Hoxha ket dokument i a ka paraqitë Prokurorit të Përgjithshëm në Bari, e ma poshtë ka per t'u pa se Gjykata e Tranit nuk i ka vu veshin e as nuk e ka thirrë si dishmitar.
Me datë 31 Gusht 1925 hapet proçesi kundra vrasësit të Gurakuqit në qytetin e Tranit. Trupi gjykues perbahet, perveç Kryetarit të gjyqit e të Prokurorit, prej 10 gjuratësh të zgjedhun. Tre avoketen janë mprojtsa për anen e të pandehunit. Ana e të vramit nuk ka avokat mprojtës. Gjyqi zgjatë vetëm tri ditë. Ndigjohen nji prejë e dishmitarve që janë marrë nën pyetje në Bari prej Kuesturës e prej Gjyqtarit Hetues, e lehen jashtë disa të tjerë dishmitarë me randsi që kishin mujtë me u dhanë dritë gjyqtarve. Nuk thirret as z. Salih Hoxha. Ky, para se të merrte fund gjyqi i Tranit, tue pa se nuk po u thirrte me dishmue në proçes permbi dokumentin që i kishte paraqitë Prokurorit në Bari, i bani Kryetarit të Gjyqit nji telegram. Qe telegrami që botoi fletorja "IL Nuovo Corriere" me datë 3 shtator 1925.

UN TELEGRAMMA

Ci è pervenuta notizia che ieri è stato trasmesso al Presidente della Corte d'Assisi di Trani il seguente telegramma a firma di Salih Hoxha.

Presidente Corte Assisi - Trani

Sono tuttora in attesa di essere udito a confermare mia deposizione
suo tempo fatta presso Procura Generale Bari dove esibì documento merito
processo Ministro Gurakuqi. Prego suo intervento nome Giustizia Umanità
riparare lacuna.

Salih Hoxha


Me gjith ket telegram, Salih Hoxha nuk kje thirrun aspak në gjyqin e Tranit.
Në proçes, mbasi ndigjohen dishmitarët, e mbasi ndigjohet edhe Konsulli i ri që ishte çue në Bari në vend të Çatinit, flasin me rradhë Prokurori edhe tre avokentent, mprojtsat e Baltjonit. Prokurori i Shtetit, që asht për me mprojtë të drejten e të veteten e ma fort anen e të dekunit, në ket proçes mban pa kurrfarë turpit anen e gjaksorit, tue u mundue me e qitë si të çmendun e tue u peshtetë mbi gënjeshtra të disa dishmitarve të paguem e të poshter. Mbas nji parathanjeje të gjatë, tue dashtë me shpjegue se kush asht Stamolla e çka i dha shkas me qitë pushkë, del me kto fjalë:

"Tre furono le soluzioni che si dettero e furono vagliate: ma su una soltanto di essa si deve posare il giudice per la condanna o per la soluzione. La prima dell'impulso sotto l'ingiuria. L'avete sentita da lui. Si sentì chiamare spia e vigliaco, perchè non volle accettare l'incarico della propaganda. Egli all'ingiuria risponde con altra ingiuria. Allora di rimando il Ministro alza il bastone e colpisce. Fu allora che lo Stamola tirò i colpi di rivoltella. I testimoni possono escluderla? Lo chauffeur Basile, il gruppo dei convitati, Pollastrini sentuno alcuna parola. Ma il momento del breve colloquio, può essere una verità. E se è vero? Il miserabile che soffre per fame, ed è chiamato spia, può rispondere ti ho ammazzato dal banchetto, mentre a me, per la mia fame, non rimanevano che 5 lire, tu ladro di centinaia di migliaia di lire...".

Qe se si u shpreh Prokurori perpara gjyqtarve. Pshtetet në fjalët e gjaksorit që pat thanë se Gurakuqi më ka sha e më ka ra me shkop, kurse aj vetë e rrfen se dishmitarët tjerë si Pollastrini, Basile, e shokët që kanë ngà në restaurant nuk kanë ndie asnji fjalë, kur dishmitarët e jashtem thonë se ka qitë pushkë tradhtisht pa thanë kurrgja. Hiqte keq per bukë e nuk kishte veçse 5 lira në xhep, thotë Prokurori, kurse ndër hetime e para Baltjonit kuestura i ka gjetë me vedi 170 lira e këte e kanë botue ndër ditët e para të vrasjes fletoret italjane. Prokurori mërrìn deri me vu gojë e me e thirrë Gurakuqin, per gojet të gjaksorit, hajn qindra mija lirash!!
Prokurori e perfundon fjalimin tue thanë:

"Il suo destino lo ha portato innanzi ai giurati italiani. Voi direte che in Italia si amministra la giustizia, non si fanno vendette nè di sangue, nè legale.
Egli porterà questo insegnamento tra i suoi nell'altra sponda, attraverso l'azzurro, al mare che palpita di guerra, egli porterà la giustizia coperta della stessa bandiera. Egli dirà quello che non conoscono "Giustizia e pace che si baciono". Pace e gloria ai martiri delle idee. Sia stato il martirio, il sangue o la galera.
Che Stamola torni in Albania, senza odio, ma con una missione di lavoro fecondo! Date questa missione anche ad Ubaldo Stamola ed avrete giustizia".


Fjalimi i Prokurorit të Përgjthshëm asht i botuem në fletoren "Il Nuovo Corriere" në Nr. 52 me datë 3 Shtator 1925, prej kahë u nxoren fjalët e pershkrueme ma nalt. Po në këtë numër janë edhe fjalimet e avoketenve e vendimi i famshem i Gjyqit të Tranit, sa i pa pritun aq i çuditshëm mbas të cilit vrasësi i Gurakuqit del i pa fajshëm e urdhnohet lirimi i tij prej burgut menjiherë.

***

Mund të merret me mend përshtypja që ka e që ka lanë, sidomos ndër shqiptarë, ky vendim.
Deri vetë italjanët nuk kanë mujtën me heshtë per ket turp të drejtsìs në Gjyqin e Tranit. Fletoret italjane, që në rasen e vrasjes kishin shkrue, mbas lajmeve të marruna në pshtetje të hetimeve të para, se ishte nji komplot i organizuem e se Baltjoni nuk ishte tjetër veçse nji sikar i paguem, nuk bajn tjetër veç me ndjekë e me shkrue mbas rrymës krejt të kundert me të verteten që ka marrë Gjyqi i Tranit. Vetem nji fletore e Romës nuk mund të rrijë pa e bam nji koment mbi Vendimin e Tranit, e kjo asht "Il Giornale d'Italia" me datë 5 Shtator 1925.

***

Mbas do kohe prap ndihet, prej vetë italjanve, nji za tjetër kundra Vendimit të Tranit.

Me 16 Majë 1927 fillon në Lecce nji proçes tjetër kundra nji atentatorit shqiptar që, me 22 Prill, kishte gjuejtë në kafe "Torino" në Brindisi Shefqet Korçën. Në ket proçes, si mprojtës i Shefqet Korçës asht Av. Annibale Angelucci.
Ky në fjalimin që mban perpara gjyqit përmendë edhe vrasjen e Gurakuqit në Bari, me fjalët: "... fytyra e poshtër e Stamollës e gjaku fisnik i ish-Ministrit të Financave" - e thotë: "... për fat të keq Stamolla u çlirue. Vendimi i çlirimit peshon randë mbi emnin e mirë të drejtësis italjane e shkaktoi nji atentat tjetër".
Duhet dijtë se, mbas vrasjes së Gurakuqit në Bari, po ky avokat Angelucci, ishte gati me marrë mprojtjen e të vramit në proçesin e Tranit. Jo vetëm, por për mos me bjerrë kohë e me u pregatitun, në pritje të prokurës që lypte prej familjes së Gurakuqin në Shkodër, kishte shkue në Trani për me studjue aktet e gjyqit. Mbasi kjo prokurë nuk erdhi, as avokati nuk mujti me u paraqitë porsi avokatët mprojtës në gjyqin e Tranit. (Fjalimi i mbajtun prej Av. Agelucci-t në proçesin në Lecce asht botue në fletoren "Liria Kombëtare"; Nr. 49; 9 Mars 1928; në gjuhen fregisht. Në Nr. 54; 13 Prill 1927; në gjuhen shqip)

***

Po në ket proçesin e Lecce-s mban nji fjalim edhe Ali Kelcyra si dishmitar. Edhe ky në fjalim përmendë Vendimin e Tranit tue thanë se Vendimi i dhanun nuk asht vetem nji padrejtsi, por edhe nji gabim i madh politik pse ka cenue prestigjin e italìs në Shqipnì. Avokati kundershtar proteston e don t'i presi fjalen që mos të flasë kundra vendimit të Tranit, por Prokurori i gjyqit thotë: "Ka të drejtë dishmitari. Vendimi i Tranit asht nji gabim i madh: lypet që t'a pohojmë të gjithë. Aj vendim, u ka dhanë guxim edhe tjerve që të vinë e t'atentojnë n'Itali".
Avokati kundershtar proteston gjithnji e kerkon fjalen prej Kryetarit që të shpjegojë gjyqin e Tranit, por Kryetari i Gjyqit i pergjegjet: "Asht kot, zotni avokat, të mundoheni me na shpjegue gjyqin e Tranit; e dijmë ma mirë si unë ashtu edhe prokurori. Dishmitari le të vijojë fjalen". (Fjalimi i mbajtun prej Ali Kelcyrës asht botue në fletoren "Liria Kombëtare"; Nr. 50; 16 Mars 1927)

***

Ali Këlcyra: ...Kështu që verdikti i Tranit nuk asht vetëm një padrejtsi, po edhe një gabim i madh politik, se jo vetëm ka venë në rrezik jetën t'onë n'Itali e ka shtrenguar autoritetet të marrin masa të jashtëzakonshme, po ka cenuar edhe prestigjin e Italisë së madhe në vendin t'ënë.

Avv. Massari (mprojësi i atentatorit) proteston me nxehtësi dhe don të shpjegojë vendimin e Tranit.

Prokurori: Ka të drejtë dëshmuesi. Vendimi i Tranit asht një gabim i madh; lypset t'a pohojmë të gjith. Aj vendim e ka dhënë guxim edhe të tjervet të vijnë t'atentojnë n'Itali.

Avv. Massari proteston prap rreptësisht dhe kerkon fjalën që të shpjegojë e të justifikojë gjyqin e Tranit.

Kryetari i Gjyqit: Ësht kot, zoti avokat, të mundohni të na shpjegoni gjyqin e Tranit; e dijmë më mirë nga Ju si unë edhe Prokurori. Dëshmuesi le të vazhdojë në fjalë.

***

Prej Fjalimit që mbajti Av. Angelucci përpara gjukatës në Lecce si mprojtës i Shefqet Korçës (marrë prej "Liria Kombëtare"", datë 13 Prill 1927):

... Këtu pasqyrohet fantazma e të gjithë atyre që vdiqen për lirin e Shqipëris. Dhe fytyra e poshter e Stamollës, që derdhi në Bari gjakun fisnik të ish Ministrit Gurakuqi, plekset me fytyrat e këtyre qe deshën të vrisnin nierzit më të shkelqyer ndër refugjatët shqiptarë.
Po ju mund të më thoni që Stamolla u çlirua. Po për fat të keq ne pergjigjemi: Ay vendim çlirimi rendon mbi emërin e mirë të drejtsisë italjane dhe shkaktoi nji atentat tjetër.

COMMENTS